KONCERT PER VIOLINE E ORKESTER.Tregim nga Konstandin Dhamo

KONCERT PER VIOLINE E ORKESTER

Tregim nga Konstandin Dhamo

Mbërrita fiks n’orën e caktuar në shkollën tetëvjeçare të muzikës, ku do të xhironim pjesë-pjesë për dy ditë rresht një koncert të përgatitur prej nxënësve të saj të talentuar, megjithëse e kisha të qartë se, ashtu si çdo herë, ditën e parë pale ç’pengesa të paparashikuara do të na dilnin gjersa të fillonim punën…
Tek po i hidhja një sy sallës së koncerteve, në ballë të së cilës kishin ngulur portretin zyrtar të Enver Hoxhës, më përshëndeti me një zë të ngjirur një mësuese, siç merrej me mend se mund të ishte.
-Unë kam një nxënës timin që do të xhirohet sot; – nisi të më shpjegojë- është violinist virtuoz, ja do ta dëgjoni vetë. Ka kaq kohë që studion pa u lodhur për këtë koncert.
-O, shumë mirë…
-Por, a e di ti se, më shumë jam e emocionuar unë, mësuesja e tyre, sesa ata vetë.
-Me siguri është një emocion i përndezur nga përgjegjësia dhe krenaria.
-Ah, ashtu qoftë!
Ishte një femër e dobët me flokë të shpupuritur dhe me faqet si të thithura, që e lëvizte ritmikisht dorën e djathtë kur fliste, a thua se dirigjonte.
-Si quhesh? -më pyeti.
Ia thashë emrin tim, por ajo nuk ma tha të sajin dhe unë s’ia kërkova.
Na u avit drejtorja e shkollës, me të cilën njihesha qyshkur, teksa mësuesja e përkorë e violinës u tërhoq.
-Ju jeni gati, besoj për të nisur punën, – më tha duke tundur kryet -por ja që do t’ju duhet të na prisni ca, sa të zëvendësojmë dy nxënëse, të cilat qenkan sëmurë e nuk paraqiten dot në koncert; ç’të bësh, s’ka as dhjetë minuta që na lajmëruan prindërit e tyre!
-Epo…
-Duhet të gjejmë dy fëmijë të tjerë, patjetër me biografi politike të pastër!
-Fëmijë me biografi të pastër?! -e pyeta kinse i habitur.
-Familjarët e tyre, vetëkuptohet. Na mbytën prindërit e disa nxënësve të dobët në mësime, kur na qëlloi të nxirrnim pa dashje në televizor një djalë të shkëlqyer nga çdo anë që ta shihje, po që i përkiste një familjeje me origjinë kulakësh. Ja, shfrynë, përse nuk dalkan fëmijët tanë në ekran, ua zënkan vendin birbot e reaksionarëve; po lufta e klasave ku është…?
-Ta qaj hallin.
-Eh! Veç këtij problemi kemi edhe një tjetër: na duhet të gjejmë sa më shpejt dy uniforma pionieri të mirëmbajtura dhe të hekurosura; së paku ato dy çupat e sëmura i përkasin formacionit orkestral, sepse po të ishin soliste, do të na dilnin telashe më të mëdhenj.
-Posi! Veç shumë mirë që nxënësit do të jenë të gjithë të veshur njëlloj, pra me divizën e pionierit. Dëgjomë mua tani; na ka qëlluar të xhirojmë fëmijë, por edhe të rritur, të veshur për faqe të zezë (qajmë hallin midis nesh, hë?), megjithatë vërejtjet i kemi ngrënë ne te Televizionit…
-S’të pyeta, çfarë të broçkullisi ajo kolegia jonë, aman?
-Më tha se, nuk e mbante vendi gjersa të interpretonte nxënësi i saj i mrekullueshëm.
-Shih! Në punë është e zonja dhe korrekte, por a e di ti kush është ajo?
-Jo, sot e pashë për herë të parë.
-Ke dëgjuar patjetër për atë basketbollistin, që e gjetën të vrarë me një plumb pas koke brenda një bunkeri të ushtrisë, diku në rrethinat e Tiranës, po? E pra, ai djali i ri ka qenë dashnori i kësaj mësueses sonë, e cila njëherësh kishte marrëdhënie të ngushta edhe me atë zëvendësministrin e brendshëm bukëshkalë, që tashmë pale se ku ha dhe bashkë me komplotistët e tjerë të pushkatuar…
-Këtë nuk dija unë, kush ishte ajo femra e sherrit; më kishin rrëfyer se bëhej fjalë për një muzikante dhe, kaq.Eh, u sakrifikua një qytetar i respektuar për shkak të një pushtetari fshatarak, që ra një ditë mes kryeqytetit i etur dhe me sy të çakërdisur; mirë që e qëruan ndyrësirën! O, kishte vënë dorë ai edhe në disa këngëtare të njohura; mesa duket, atje në katund do t’i ketë adhuruar egërsisht dhe me përulësi të plotë së largu artistet dhe, kësisoj, me të marrë një post gjithsesi të rendësishëm, nisi t’i trembë ato, së pari me lloj-lloj intrigash, e më pas i shtinte në dorë.Kështu e hamendësoj unë një skemë mashtrimi, po ku ta dish saktësisht sesi ndërsehej ai tartakuti. Nuk duhet lënë pa thënë se, ka pasur edhe nga ato mistrecet, që u pëlqente vetë të ishin kodoshet e tij, duke shpresuar se do të përfitonin mbështetje dhe paprekshmëri atje ku punonin…
-Nuk i fal Partia maskarenj të tillë jo, por këtë zuskën tonë, përse na e lanë plluq këtu në shkollë?
-Hë, më thuaj! -e ngacmova drejtoren, këtë grua ende të bukur, tashmë rreth të pesëdhjetave, e martuar dhe me fëmijë, e cila, edhe ajo nga ana e saj, ishte përfshirë dikur në disa romanca dashurish, që pas kaq vitesh, u përpunuan letrarisht e u shtuan gjithë fantazi sipas klisheve të telenovelave…
-Këtyre ngjarjeve të neveritshme nuk u bëhet kurrë jehonë në shtypin tonë komunist, kështu që do apo nuk do, ato përhapen vesh më vesh deri edhe të tjetërsuara, por mua si drejtore e institucionit që jam, njëherësh edhe si sekretare partie e organizatës-bazë së shkollës, më porositën nga Lart, që të mos e largonim nga puna, madje të tregohej kujdes që të mos e provokonin, apo ta fyenin; ehu, ka mëse një vit ky muhabet…
-Mund ta kenë cilësuar si njërën nga viktimat, që u morën në qafë prej atij zëvendësministrit kriminel, që thonë se i torturonte për vdekje të burgosurit. Veç kësaj, familjarët e kësaj mësueses suaj mund të kenë miq me peshë në qeveri…
-Ku ta dish, ku ta dish; plotësojnë njëri-tjetrin në njëfarë mënyre të dy variantet, por le të shtojmë edhe një të tretë: po sikur ta ketë infiltruar vetë në rrethin e zëvendësministrit sigurimi i shtetit, krahu i shëndoshëi tij, ai me partishmëri, për t’u dhënë informata të dobishme?
-E përse jo? -e mbështeta, ndërkohë që nuk e përmbajta dot të qeshurën.
E moj shoqja drejtore, përse ta rekrutonte sigurimi muzikanten tuaj? Planin për ta asgjësuar shemrin e tij basketbollist, ai maskarai do ta ketë kurdisur në fshehtësi bashkë me nja dy mvartës, laro besnikë, që do t’i ketë sjellë (sipas traditës tashmë) nga fshati tij i origjinës, për t’i pasur të punësuar në ministri…
S’i thashë gjë më drejtores, gruas ende të bukur, por ku kishte arsyetim që nuk përmbysej në diktaturë? Kështu që, ndoshta gaboja unë, rëndë madje.
Kisha një ngasje veç: atë zyshën e muzikës me leshra të kërleshura, desha ta njihja nga afër, që të mësoja çfarë ishte përtej asaj çka dëgjova të thuhej për të…
Koncert për violinë e orkestër.
Ditën e dytë, para se të nisnim punën, vajta e u mbështeta te parvazi i një dritareje në katin e trëtë të ndërtesës, ku ndodhej edhe salla modeste e orkestrës, tek e cila kishim vendosur kamerat, mikrofonët, prozhektorët dhe, këqyra përjashta.
Përtej murit t’oborrit të shkollës, një ekskavator mbushte radhazi kamionët me mbeturinat e ca shtëpive përdhese prej qerpiçi, të rrafshuara sakaq, ashtu si edhe avllitë që i rrethonin dhe, ndërkohë punëtorët po thurnin me shpejtësi një gardh me tela vetëtitës gjëmborë. Hehe, kjo do të thoshte se, ndërtesat e reja aty, do t’i ngrinin të burgosurit ordinerë.
Të burgosurit ordinerë…
Tek e zhvendosa vështrimin mbi oborrin e shkollës, vura re një bojaxhi, i cili, pasi përzieu me shkop gëlqeren brenda një fuçie, futi kovën dhe e mbushi plot. Ishte i spërkatur i tëri me gjithfarë bojërash, teksa në kokë kishte rrasur një bustinë me fletët e gazetës Zëri i Popullit, e cila i binte gjer te syzet me qelqe të trashë.
Sesi m’u duk ky bojaxhi! Dua të them, jo si një bojaxhi i njemendtë dhe, në kësi mëdyshjesh, të funksionon së pari intuita.
Dale…
Kur u nis për të hyrë në shkollë me kovën në njërën dorë dhe me një furçë të madhe te tjetra, iu lëshuan disa nxënës, që po luanin futboll me një portë, duke thirrur në kor:
-O burgaxhi, o armik i popullit, o renegat…
Njëri prej tyre i gjuajti me top pas shpine, por bojaxhiu edhe këtë herë nuk reagoi; siç duket të sharat që kalamajtë i mësonin nga të rriturit, i degjonte shpesh dhe ndoshta priste që ata të hiqnin dorë, ngaqë ai i shpërfillte…
Eh, kush qenkësh bojaxhiu, vetë regjisori LM i Teatrit Popullor, njëri nga më të talentuarit dhe më të vlerësuarit!
Që kishte vënë në skenë sa e sa drama të autorëve shqiptarë dhe të huaj!
Logjikisht m’u kujtua ai fizikani kinez, të cilin, meqë guxoi t’i kundërshtonte aksionet e Revolucionit Kulturor, e syrgjynosën të riedukohej në një fermë derrash dhe i rrasën në dorë Citatet e Maos, të cilat duhet t’i mësonte përmendsh…
Fatkeqësisht, ata libërthat e citateve dhe stemat me portretin e monarkut komunist, me atë nënqeshjen që fshihte çdo mendim, specialistët kinezë me rroba doku gri (të angazhuar n’industrinë civile dhe ushtarake) i shpërndanë ngado në Fanarin Ndriçues të Europës, domethënë në Shqipëri, gjersa komunistët shqiptarë, u kujtuan dhe thanë: daleni more se kemi mësimet e shokut Enver ne…
Mirëpo, si nuk e njoha menjëherë LM? Si ta njihja? E ku të vete mendja të dallosh një regjisor, me të cilin ke bashkëpunuar gjatë xhirimeve të dramave të vëna në skenë prej tij, tek e sheh pa pritur e pa kujtuar me zhele në trup, më kovë e furçë ndër duar, ndërsa në kokë me një kapele prej letrës së Zërit të Popullit, e cila, disa vite të shkuara u nxi me shkrimet që dënonin krijmtarinë e tij artistike?
Edhe dyshimin, nëse po shihja apo jo një bojaxhi profesionist, ma shkrepi intuita, e thashë një herë këtë…
Regjisori i madh i teatrit,
Që tek pinim kafen pas xhirimit
Ndiente nevojë të përmendte
Konstantin Stanislavskin
Dhe Bertold Brehtin,
Të cilëve u gjente nuanca të përbashkëta
N’ide…

S’ka pasivitet për aktorin në skenë,
Portreti i tij, këmbëngulte LM,
Nuk duhet të jetë i zbrazët
Dhe, pa mendim,edhe atëherë
Kur nuk dialogon…

Eh, mjeshtër i regjisë,
Edhe tani që trazon gëlqeren
Merret vesh që mediton e mediton…
Ti, Artisti i Popullit,
Nderi i Kombit,
Që dole partizan
Kur ishe katërmbëdhjetë vjeç,
I dobët dhe shtatshkurtër
Aqsa në terren të thyer
Qyta e pushkës të prekte dheun…

U dënove me njëmbëdhjetë vite burg
Drejtpërdrejt me porosi t’Enverit
Për liberalizëm të tejskajshëm dhe
Vënien në skenë të veprave armiqësore…
Dhe pate fat, çfarë fati se!
Kryetar i trupit gjykues, që të dha
Dërrmën e fundit
Qëlloi ish komandanti yt
Me të cilin luftove në një llogore
Për çlirimin e Atdheut…

Tek do të lyesh shkollën lart e poshtë, (shkollën e brezave të ardhshëm…) me siguri do të stepesh një çast, kur të ta shpojnë vështrimin gjembat e telave prej hekuri përtej oborrit, ashtu siç ma shpuan edhe mua.
Janë po ata gjemba prej hekuri, që rrethojnë Shqipërinë dhe, të rrethonin edhe ty, atje në burg, por ja që të ndoqën pas si makth, a thua se do të gjendesh befas sërish i mbyllur mes tyre!
Pale kur t’ia behin të burgosurit (ordinerë) për të hapur themelet e pallateve nën vëzhgimin e rreptë të rojave! Ti e di me ç’pikëllim do t’i shohësh…
Kështu, patjetër kështu, por unë nuk do të dëshiroja ta ndeshja nëpër shkallë apo kudo gjetkë LM bojaxhi. Me siguri edhe ai nuk do të donte të më takonte mua.
Si?
Por ne asqë e njihnim njëri-tjetrin!
Koncert për violinë e orkestër…

1990