Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë njoftoi këtë mbrëmje se u nda nga jeta Thoma Dhima, gazetari dhe zëdhënësi i saj, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Kryepeshkopit Janullatos.
Me hidhërim të thellë njoftojmë për jetëndërrimin e z. Thoma Dhima. Ai shërbeu me përkushtim pranë Kishës sonë për tri dekada, si gazetar, përgjegjës i zyrës së shtypit dhe kryeredaktor i gazetës “Ngjallja”. Ishte një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Kryepiskopit Anastas që në vitet e para të ringritjes kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Ishte gjithashtu një bashkëshort, një prind i përkushtuar dhe një koleg me frymë bashkëpunimi. Ai do të mbahet mend si fjalëpak dhe gojëmbël, i cili rrezantonte mirësi dhe si i tillë gëzonte respektin tek të gjithë.
Familja humbi një bashkëshort dhe një prind shëmbullor, Kisha humbi një punëtor të mirë dhe Kryepiskopi Anastas një bashkëpunëtor të ngushtë. Kontributi i tij në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë do të kujtohet për shumë kohë.
Në këto momente dhimbje të familjes së tij Kryepiskopi Anastas po u qëndron pranë tyre me lutje dhe ngushëllim.
Lutemi që Perëndia ta prehë shpirtin e tij me të drejtët
Shërbesa e Varrimit do të kryhet ditën e Diel datë 18 Gusht ora 12:30 në Kishën e “Ungjillëzimit” në Tiranë dhe më pas varrimi në varrezat në “Sharrë”, Kombinat.
Gazeta Nacional i shpreh ngushellimet e sinqerta familjes Dhima. Shpirti i tij u prehte ne parajse!