DISA LLOJE TË ARKETIPAVE NË ROMANIN MALËSORJA
“KARAKTERI dhe ARKETIPI në romanin MALËSORJA të Nazmi Rrahmanit”, studim letrar, Prishtinë 2021.)
Emërtimet e arketipave, nuk do t’i ndeshim gjithmonë njësoj. Ato janë mënyra e të shprehurit që simbolizojnë motivet themelore të njeriut i cili pastaj dirigjon dëshirat dhe qëllimet e veta.[1] Këto nuanca i kemi edhe në romanin Malësorja dhe kudo tjetër në fushën e letërsisë dhe të psikologjisë. Së këndejmi, janë të njohura edhe “12 Arketipat Xhungas”[2] të cilët nuk janë versioni i vetëm i ideve të Jungut. Versione të tjera përfshijnë arketipa të ndryshëm, në thelb janë të njëjtë, vetëm se me emra pak më të ndryshëm, ata nuk kanë një numër të kufizuar por shkrihen lehtësisht me njëri – tjetrin,[3] edhe logjika e tyre s’është si e zakonshmja, prandaj këta arketipa mund të përdoren edhe në shumë fusha të tjera, si në marketing, art dhe letërsi.
Shkruan: Shefqet DIBRANI
“12 Arketipat”, sipas psikanalizës[4] së Jungut
Sipas psikanalistit zviceran Karl Gustav Jung,[5] ekzistojnë 12 Arketipa të cilët shfaqen në letërsi, qoftë në tregime, novela apo në roman. Këta arketipa përfaqësojnë edhe aspekte logjike, d.m.th. karaktere dhe mite me të cilat është preokupuar letërsia, filozofia dhe gjithë bota që prej shekujve. Psikologu zviceran, Karl Jung, ka përcaktuar 12 arketipa, ata simbolizojnë motivet themelore të njeriut që dirigjojnë dëshirat dhe qëllimet tona, së këndejmi këta arketipa përshkohen hollësisht edhe nëpër romane e vepra të ndryshme letrare, duke përfaqësuar edhe karakterin dhe personazhin. Një dyzim, një ngjizje ku përafrohen me sjelljet e njeriut të zakonshëm, prandaj kudo nëpër libra letrarë, mund të fliten dhe të trajtohen njëkohësisht karakteret dhe arketipat sipas metodës së psikoanalistit zviceran Karl Gustav Jung. Pra siç shprehet edhe vetë Jungu, në çdo film, në romane ose tregime të shkruara, edhe nëse ato vepra janë kryekëput pjellë e fantazisë së autorit, përsëri gjejmë personazhe që kanë jo vetëm qëllimet e tyre të ndryshme, por kanë sjellje logjike, d.m.th. karakterin dhe pamjen fizike që lidhet me aspektin e jashtëm e që njihet me nocionin arketip, gjë që i karakterizon, i dallon dhe simbolizon ata. Njerëzit, personazhet e romanit, rolet artistike në teatër e film dhe kudo në shoqërinë njerëzore, ato i posedojnë edhe karakteret, por edhe arketipat e tyre dhe në përgjithësi kanë një përzierje nga këta 12 tipa të arketipave që janë trajtuar nga psikoanalisti zviceran Karl Gustav Jung, si pjesë përbërëse në personalitetin e individit dhe të personazhit edhe në romanin Malësorja, kanë afri me njërin prej këtyre 12 arketipave i cili do të dominojë rolin dhe funksionin e personazhit.[6]
“12 LLOJET EGO” TË PERSONAZHEVE[7]
1. Arketipi i heroinës
Më duket se karakterin e Hajries më së mirë e përshkruan psikanalisti zviceran Karl Gustav Jung, ose thuaja se Nazmi Rrahmani, (shumë më herët,) iu paska përmbajtur metodologjisë së psikanalistit Karl Jung, për ta ndërtuar personazhin e Hajries, të cilën si arketip i veprës e karakterizojnë këto vlera. Hajria, gjatë gjithë kohës ka poseduar gjallëri dhe rezistencë të pazakontë, ajo nuk është thyer e dorëzuar kurrë, ajo ka luftuar për të dëshmuar nderin dhe pafajësinë e saj.[8]
Protagonistja e romanit, udhëhiqet nga egoja “Unë dhe unë”,[9] edhe pse ajo gjithmonë dëshironte të jetonte e lumtur, fatkeqësia e ardhur nga njeriu, ia përcaktoi asaj zymtësinë e një jete përplot sfida. Ajo nuk e meritoi ndëshkimin, por pa e sfiduar veten nëpër këto rrethana, assesi nuk do të ndërtohet personaliteti i saj. Edhe pse ishte viktimë e rrethanave, përsëri ato ndodhi – ngjarje, do ta përcaktojnë fatin që do të ndikojë për ta bërë arketipin e saj Hero i veprës në fjalë. Ky personazh gjatë gjithë romanit udhëhiqet nga frika e ndëshkimit të përhershëm.[10]
Hajria përpiqej t’i bënte gjërat si duhet, në rregull dhe si duhej. Dobësia e saj ishte vuajtja dhe mërzia e përhershme për pafajësinë e saj së cilës deri në çastet e fundit nuk besonte askush, përveç sipërfaqësisht ndonjë shoqe e saj, ta zëmë Shehidja tek e cila besonte Hajria. Ajo nuk ishte e shkolluar, nuk kishte as mundësi të udhëhiqte jetën e pavarur, por vazhdimisht Hajria kishte shumë besim në veten e saj, në karakterin e pathyeshëm, që e bënin optimiste se e vërteta rreth pafajësisë së saj një ditë do të dëshmohet, andaj për këtë gjë ajo edhe jetonte. Lloji “Ego”,[11] për arketip “të pafajshëm”, sipas Jungut njihet edhe si: utopike, tradicionaliste, naive, mistike, e shenjtë, romantike dhe ëndërrimtare, karakteristika këto të cilat evidentohen në tiparet njerëzore të Hajries. Andaj dihet se ajo është Heroi – Heroina e romanit, e cila pas aq shumë vuajtjesh, përpjekjesh dhe sakrificash do ta fitojë betejën.
Hajria ishte personazhi kryesor i romanit, ishte vetë historia e një vajze Malësore, të cilën fati e mallkoi për të vuajtur aq shumë dhe aq gjatë, atë e mallkuan zakonet arkaike[12] e patriarkale,[13] dhe mentaliteti rural i zonës. Natyrisht protagonistja luftoi me guxim kundër të gjitha padrejtësive patriarkale, me vështirësi i sfidoi ato prapështi dhe intriga që ia bënin zuzarët[14] e tipit Rama, ungji i saj, i cili për interesa të ulëta e tregtoi fatin e saj. Ishin këto arsye pse ajo gjatë jetës së saj, përkatësisht përgjatë romanit luftoi për të vërtetuar vlerën e saj morale, vlerën e saj etike dhe vlerën e saj njerëzore. Tashmë ajo u shndërrua në një hero – heroinë, shembull për brezat e saj, po më shumë ky personazh, si arketip letrar ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në moralin e shumë vajzave të tjera të asaj kohe, jo vetëm në nivel zone, por kudo nëpër Kosovë, pasi romani Malësorja, për më se gjysmë shekulli ka dominuar jetën kulturore e arsimore në Kosovë, ndikimi është i pashmangshëm. Romani ka qenë lektyrë e detyruar ose libër i preferuar për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme anë e kënd Kosovës dhe për më tej edhe nëpër universitete.[15]
Hajria, “është heretike dhe kryengritëse e heshtur. Veprimtaria e saj prometheike është në shërbim të masës”,[16] kauzë e ndërtuar në shërbim të njerëzores me qëllim që njeriu i kohës duhet të kuptojë se duhej të ndryshonte dhe të përparonte, shoqëria duhej t’ua kthente shpinën veprimeve të shëmtuara, që stagnonin zhvillimin e gjithmbarshëm të shoqërisë.
Duke ndërtuar me kaq sukses këtë kompozicion psikologjik të individuales, të gërshetuar me forma praktike të veprimit përgjithësues e në shërbim të përgjithshëm, në shërbim të vlerës sociale dhe të realitetit sociologjik, si veprime psikanalitike, jo vetëm të personazheve me sjellje të ndryshme, por edhe për arketipat që vihen në lëvizje kanë realizuar psikanalizën si fenomen i veprimit, që sipas nevojës dhe proceseve të ngjarjeve janë shtjelluar suksesshëm brenda këtij romani. Një lloj ndjenje solidariteti e përkrahje në rritje e sipër që do të ndikojë në epilogun real dhe të pritur për triumfin dhe ngadhënjimin e heroit të veprës.
2. Arketipi i pafajshëm
Ky personazh është i lumtur, ai nuk përzihet në konflikte, nuk intrigon dhe nuk ia nxinë jetën askujt, përkundrazi është i dashur, i urtë dhe i sjellshëm. Ai dëshiron t’u bëjë mirë të gjithëve, por për më shumë dëshiron që jeta e Hajries të jetë e qetë, ta sheh atë të lumtur. Natyrisht edhe Ai – Ajo për vete dëshiron një mirësjellje nga të tjerët në raport me të. Ai ose ajo përpiqet t´i ruajë lidhjet me Hajrien dhe nuk dëshiron të futet në konflikt, të bëhet mjet i përfoljeve, intrigave dhe thashethemeve, dhe këtë e bën pasi ka frikë se mund të bëhet mjet i keqpërdorimit. Personazhi i tillë, përgjithësisht ka virtyte pozitive dhe sjellje të zakonshme, posedon tipare të forta dhe nuk ndryshon kollaj, me një fjalë është karakter dhe arketip i fortë dhe i arsyeshëm. Këto epitete i gjejmë tek personazhi i Shehides, një shoqe e fëmijërisë e cila, ndoshta e vetmja, gjithnjë besonte në pafajësinë e Hajries. Ajo ishte optimiste, prandaj kërkonte paqe me botën që e rrethonte.[17]
3. Arketipi i rregullt
Edhe ky arketip është i ngjashëm me individin e pafajshëm, pasi edhe ky ose kjo përpiqet të lidhet me të tjerët dhe të rrijë sa më afër halleve që ka Hajria, rrethi dhe shoqëria, prandaj ka frikë se do të bëhet mjet i përfoljeve të cilat nuk i duron, aq më tepër shpifjet dhe akuzat e paqena. Edhe ky arketip frikësohet se do të mbetet jashtë rrethit dhe nuk e dëshiron shkëputjen, prandaj me të gjithë përpiqet të mbajë marrëdhënie sipërfaqësore.
Hajria, është e vetëdijshme për pozitën e saj, për pozitën e bashkëfshatarëve të saj dhe pozitën e gruas në përgjithësi. Ajo përpiqej me sjelljen e saj të ndikonte pozitivisht dhe të përmirësonte imazhin për një grua të rregullt, punëtore dhe fatkeqe njëkohësisht. Ajo ishte e zakonshme por e vetëdijshme për fatin e saj, andaj vazhdimisht bënte përpjekje, edhe në ato rrethana ta ndryshonte gjendjen e saj, dhe sadopak të ndikonte në vetëdijesimin e shoqërisë që kryesisht merrej me shpifje e me intriga, por misioni i saj i vetëm ishte të shpëtojë djemtë e saj nga hakmarrja të cilës nuk i dihej fundi dhe natyrisht edhe ta shpallte pafajësinë e saj nga e cila kishte vuajtur një jetë të tërë. Ishte një revoltë e brendshme që shprehte pakënaqësi të gjithmbarshme, qoftë si arketip në sjellje, ose si karakter në të menduar, por më shumë si realitet i jetuar.
4. Arketipi vëzhgues – kujdestar ose përgjuesi
Edhe nga termi nënkuptojmë për tiparin që përgjon situata dhe ndodhi, gjithsesi ky arketip është i kujdesshëm dhe i ndihmon për aq sa mundet të tjerët. Karakteristikë e këtij arketipi i cili quhet edhe kujdestar, janë se shquhet për kah dhembshuria dhe bujaria fisnike të cilat janë tipare të forta, por shihet edhe nga romani se nuk janë të gatshëm për t’u futur në konflikt, aq më pak për të sakrifikuar për një çështje të caktuar, pasi vetëmohimi është dobësi e tyre, e tij, e saj. Kujdestarët ofrojnë mbrojtje më shumë për të tjerët,[18] ta zëmë Rrahimi, kushëri i Hajries, ishte një arketip kujdestari që mendonte edhe për fatin e pafat të Hajries.
5. Arketipi rebel
Ky lloj, tipar, jeton në jetën e secilit personazh, pasi rregullave të rebelimit nuk mund t´i shpëtojë as protagonistja e romanit e cila në situata të caktuara rebelohet dhe kështu jo vetëm sjellja, por edhe pamja e jashtme shpeshherë, varësisht nga situata në situatë, transformohet dhe tjetërsohet. E kjo ndodh për shkak të pamundësive për t’u bërë tjetër, për t’i zgjidhur problemet ashtu si ajo mendonte dhe ashtu si ajo dëshironte. Jeta e saj është një përpjekje për të ndryshuar atë mentalitet që e rrethon, andaj ajo është në luftë të përhershme, madje duke u shndërruar në një rebele të papërmirësueshme. Arketipi i tillë, do të stabilizohet vetëm në momentet e fundit diku në përfundim të romanit. Natyrisht rebelizmi i Hajries shpesh ishte radikal dhe i egër, i papërmirësueshëm dhe shpesh i padëgjueshëm. Ajo dëshironte të ndryshonte rrethin dhe ta kuptonin pastërtinë e saj, pasi ajo ishte viktimë e rrethanave. Sado me vonesë ajo ka sjellë ndryshime, ka bërë një revolucion të vogël brenda atyre rrethanave, ndërsa romani Malësorja, si asnjë vepër tjetër në hapësirën e Kosovës ka rrëzuar botëkuptime rreth rolit të femrës në shoqëri. Hajria, përkatësisht Malësorja do të jetojë gjatë në krahinën e Llapit dhe të Gollakut, përmendorja e saj shpirtërore është e ngritur nga shkrimtari Nazmi Rrahmani, i cili si asnjë intelektual tjetër e futi dijen e tij në funksion të një sistemi për ta ndryshuar shoqërinë, rezultatet e atyre ndryshimeve janë arritjet përgjatë një gjysmë shekulli në shërbim të edukimit dhe emancipimit të shoqërisë, dhe përgjithësisht në shërbim të emancipimit të gruas shqiptare! Ana negative e arketipit rebel është se ata mund të bëhen edhe vetëshkatërrues.[19] Një tip i arketipit vetëshkatërrues është vetë Hasani, i ati i Hajries, në kuptimin më shumë biologjik se sa shpirtëror e moral,[20] pasi “ne psikologjikisht e ndiejmë që ai nuk ka qenë në pozicionin e prindit kur shtron dilemat “çka me i ba fytyrës sime?…”[21]
6. Arketipi krijues
Përgjatë tërë romanit do të ndeshemi me personazhe, veprime e ndodhi që janë imagjinatë e autorit. Ato personazhe besojnë në idealet e tyre, prandaj kontribuojnë në ato rrethana duke e bërë jetën e njerëzve të tjerë më të lehtë, duke zhvilluar gjëra të dobishme, me talentin dhe aftësitë e tyre kanë bërë një jetë solide duke i orientuar proceset drejt një progresi brenda atyre rrethanave. Ata janë njerëz të rëndomtë, veprimet e tyre janë sa të thjeshta po aq të qeta. Në një formë a në një tjetër, krijojnë një lloj idili brenda vetes së tyre, duke u dëshmuar me stil të matur dhe sjellje të buta. Ata mund të idealizojnë jetën e thjeshtë baritore, siç ishte në fillimet e saj edhe vetë Hajria, apo Shehidja, në raste të shkurtra, ky lloj idili manifestohet edhe në bashkëjetesën e saj të shkurtër me dy burrat e saj, sidomos kur të gjitha idealet e veta, Hajria i lidhte me djemtë e saj, jetën e të cilëve e ëndërronte ndryshe nga ajo që vetë e kishte jetuar e përjetuar, duke përshkruar e ëndërruar jetën e tyre më të gjerësishme se sa realiteti që ajo jetonte dhe përjetonte.[22] Por në rrethana të caktuara këta arketipa mund të kenë funksione të tjera, veprime aspak të dëshirueshme. Mësuesi i fshatit, Hysniu, ishte njëri nga ata që dëshironte të transformojë shoqërinë në mënyrë që shoqëria të emancipohej.[23]
7. Arketipi i dashur – shoqërues
Parapëlqehet nga të gjithë, ky personazh pëlqen të jetë në marrëdhënie të mira me të gjithë, prandaj i do njerëzit, kontribuon pozitivisht në situata dhe vazhdimisht kryen punë të dobishme përreth saj. Këto veti i gjejmë edhe tek dy bashkëshortët e Hajries të cilët e kanë kuptuar Hajrien dhe kanë bërë përpjekje të jenë bashkëshortë të mirë, bashkëmoshatarët e saj, sidomos vajzat dhe shoqet e Hajries në përgjithësi janë shquar për dashuri, e dobishme për të, dhe për rrethin, dhe kjo në varësi nga situatat dhe rrethanat tejet të kufizuara të asaj kohe e cila mbulohej nga një mentalitet patriarkal dhe i prapambetur. Lumturia e tyre më e madhe ishte të ndjeheshin të qeta dhe të adhuruara.[24]
8. Arketipi eksplorues
Përfaqësohet nga individi eksplorues dhe nga personazhe të cilët gjithmonë kërkojnë t´i tejkalojnë kufijtë e mundësive të tyre për të ndryshuar gjendjen dhe mentalitetin, ata eksplorojë në ato rrethana të zymta, ku nuk flitet fare për mjetet e tjera të komunikimit përveç jetës primitive që impononte jeta në fshat dhe në fshatrat e malësisë në të cilat ashpërsia e zonës reflektohej edhe në tiparin si sjellje e gjithmbarshme. Shikuar në përgjithësi ata ose përfundojnë në humnerë pasi nuk kanë qëllim të paramenduar, aq më pak të studiuar për pasojat, prandaj kryesisht bredhin përreth, madje duke intriguar edhe për ndonjë përftim të papërfillshëm. Kjo karakteristikë përputhet me arketipin e Sylës dhe të Zymerit, të cilët ishin nxitës, për ta bindur Sabitin se duhet të hakmerret. E keqja e arketipave eksplorues,[25] është se ata kurrë nuk janë të kënaqur.
9. Arketipi laik (hoxha dhe magjistari)
Magjistarët, përkatësisht Hoxha, në romanin Malësorja, mbetet mbështetja e vetme për t’u konsultuar, për t’u shëruar a për t’u mëkuar nga komplekset sociopatologjike, psikoanalitike dhe sociopatike. Pa këto karaktere dhe arketipe nuk mund të ndërtohet llojllojshmëria e personazheve që synojnë t’i kuptojnë rregullat, zakonet dhe ligjet themelore të zonës dhe kohës që dukeshin si sjellje arkaike, por magjistarët (falltorët) dhe hoxhallarët ishin ata që reflektonin dije universale prandaj para gjithë atyre që do të konsultoheshin me ta, do të përpiqen të lënë përshtypje se ata i njihnin vlerat e përgjithshme dhe se ishin në gjendje t’i shndërrojë dukuritë dhe ëndrrat e hallexhinjve në realitet. Ana negative e këtij arketipi, gjithmonë ka qenë zgjerimi i bestytnisë, se Hoxha, disponon energji që mund t’i kthejë ngjarjet, nga ato pozitive në ato negative.[26] Edhe në këtë roman, roli i Hoxhës, duket se ishte për t´i ngatërruar problemet, ai përpiqej t’iu jepte kahe, karshi interesit të tij. “Edhe Hoxha dëshironte të flasë sa më keq për ta, sepse tash pesë vjet nuk shkonin as në drekë e as në vdekje, edhe pse ishin të të njëjtit katund. Madje, ata refuzonin edhe të falen me të, edhe t’ia japin shinikun. Ishin grindur para pesë vjetësh për një livadh, të cilin kishte dashur ta blinte Hoxha, kurse ata të shtëpisë së Tafës nuk ia kishin lënë. Vetëm sa nuk kishte krisur pushka midis tyre.”[27]
10. Arketipi i sundimtarit – mizorit
Arketipi i sundimtarit është mirë të shikohet edhe si karakter i njeriut mizor, pasi sundimi brenda koncepteve të romanit është i papërfillshëm, përveç sundimit mbi jetën e njeriut, në këtë rast mbi jetën e Hajries. Nga ky prizëm, Rama duket të ishte personazhi që mbante, ose përpiqej të mbante nën kontroll jetën e Hajries, ai përpiqej të kontrollonte gjithçka mbi jetën dhe rreth saj, andaj vazhdimisht përpiqej t’ia bënte jetën sa më të zymtë, sa më të rëndë, në mënyrë që ajo të mos interesohej për hisen dhe pasurinë që i takonte si pronë e trashëguar nga babai. Ai përpiqej ta përvetësonte pasurinë e saj, madje kishte ndikuar në tërë rrethin familjar duke e paraqitur Hajrien si një femër rebele, që vazhdimisht vepronte në kundërshtim me rregullat e shoqërisë, të zonës dhe mentalitetit të asaj kohe, gjë që qet në pah diskriminimin e pashmangshëm që i bëhej femrës e cila ishte e privuar nga të gjitha të drejtat njerëzore. Rama besonte se ai duhej të vendoste për rendin dhe fatin e Hjaries në çdo situatë. Figura e sundimtarit, është njëri nga 12 arketipat jungianë që lidhen me pushtetin. Ata, (Rama dhe Uka) nga ambicia për të imponuar vullnetin e tyre janë shndërruar në tiranë – mizorë – zuzarë,[28] “që nuk zgjedhin mjete që t’i realizojnë qëllimet e veta, sidomos ato materiale.”[29]
Rama, mbetet arketipi më i vrazhdët dhe kontrovers, që shquhet si intrigant dhe i pashpirt, pozita e tij brenda romanit është e qartë dhe roli i tij i keq në dukje dhe në veprim. Ai ka veprime të arketipit mizor, një dyzim që nuk bën njëri pa tjetrin, qoftë në veprim por edhe në mendim logjik, përmes të cilit shprehet egërsia e imoraliteti njerëzor, përmes të cilit janë zbuluar anët e errëta të njeriut, të njeriut pa shpirt, dhe kur kjo bëhet kundër femrës, e cila njëkohësisht ishte mbesa e tij, konotacioni i egërsimit merr përmasa më tragjike duke zbuluar moralin e tij tejet të shëmtuar. Përmes figurës së Ramës, autori ka arritur ta paraqesë si duhet njeriun mizor, si mendim logjik, karakterin e ulët, dhe si lëvizje vetinë primitive të zuzarit, që nuk njeh asnjë vlerë morale karshi interesit personal për ta përvetësuar pasurinë e trashëgiminë e Hajries, të cilën për këto motive e kishte katandisur duke e martuar jashtë vullnetit të saj me burra më të vjetër, (i pari sakat, e i dyti me disa gra por i thyer në moshë), kështu siç duket, Hajria pa dashje është shndërruar në një “fabrikë” për të prodhuar pasardhës për njerëzit dhe familjet e caktuara. Rama, me sjelljen e tij përfaqëson arketipin e mizorit, të pashpirtit dhe të pangopurit. Mizoritë e tij i kishte bartur në lëkurën e saj Hajria, të cilës vetë i ungji ia kishte nxirë jetën, jo vetëm me dy martesat e padëshiruara, por edhe duke përhapur gënjeshtra rreth personalitetit të saj. Në anën tjetër është “Uka mizor tek i cili trimëria e burrëria tashmë janë kthyer në vrasës primitivë.”[30] Hajria, më në fund, do të ngadhënjejë. Edhe e vërteta mbi pastërtinë e saj do të ngadhënjejë, por rrudhat në ballin e saj dhe jeta e shkatërruar do të kujtohen gjatë, shumë gjatë edhe në mbamendjen e lexuesit dhe të atyre që merren më profesionalisht me këtë vepër letrare.
11. Arketipi shakaxhiu – budallai “The jester”[31]
Arketipi që përfaqëson të marrin ose shakaxhiun, janë personazhe që shijojnë jetën më ndryshe, pasi ata mendojnë se jeta është e shkurtër, prandaj nuk merakosen për ngjarje që ndodhin për rreth. Këta arketipa, ta zëmë siç ishte Ujupi, i cili pa menduar për pasojat e pyet Imerin “me kend po fle natën?” Sjellja komike e ven atë në situatë qesharake, por do të mbajë në mend “një çykë shati në shpinë”, të cilën e kishte hëngër nga Imeri, i revoltuar me shkatë e tij. Ky arketip, si karakter njerëzor jetonte larg realitetit, prandaj kishte bërë veprime qesharake, madje duke u tallur shpeshherë me Imerin, pa i marrë pasojat seriozisht. Arketipi “shakaxhiu” priren për të prishur mirëqenien e njerëzve të tjerë, por mund të jenë edhe dembelë dhe lakmitarë.[32]
12. Arketipi i urtakut – urtësisë
Arketipi i tillë personifikohet me rolin e Aliut në këtë roman. Ai është djali i parë i Hajries, ai në të gjitha rrethanat tregohet i urtë dhe i matur. Ai, edhe në momentin kur i vëllai Sabiti tentonte ta vriste do të sillet me urtësi e maturi, sikurse në epilogun e ngjarjes, Aliu ishte personazhi më i urtë, më i mençur, më i arsyeshëm, dhe duke i poseduar këto tipare, më trim, më i guximshëm dhe arketipi më sakrifikues, epitete të trashëguara edhe nga pjesa e urtësisë dhe maturisë që posedonte vetë Hajria. Urtia dhe maturia janë pjesë e arketipit edhe te Sabiti, por duke u përballur me situata dramatike karakteri i tij përshkruhet edhe nga vetitë jostabile, ndikuese dhe vepruese, por në epilogun e ngjarjes urtësia dhe maturia e karakterit të tij rezulton me guximin provincial për të dalë nga kriza e gjakut dhe hakmarrjes të cilën ia dëshironin arketipat e tjerë që e motivonin për interesa dhe ego të ndryshme.
Urtësia si virtyt, e përshkon arketipin e Hajries e cila gjatë tërë jetës ka kërkuar mënyra për të shpjeguar të vërtetën dhe për të arritur qëllimin përfundimtar, qoftë për ta kuptuar pafajësinë e saj ose për ta mundur një zakon të pleksur në këtë zonë siç ishte gjakmarrja e cila kishte mbytur tërë zonën. Hajria nuk ishte vajzë e shkolluar, ajo nuk i përkiste ndonjë organizate përparimtare, as nuk dihet nëse në jetën e saj kishte shkuar në qytet, nuk kishte lexuar libra, nuk kishte dëgjuar radio e as kishte parë televizor, (të paktën sipas romanit,) por ajo ishte një grua intelegjente dhe e arsyeshme, shkolla e saj, akademia e saj ishte jeta, ishin vuajtjet e saj, ajo kishte sakrifikuar shumë, të paktën për t’i pajtuar marrëdhëniet e hasmëruara në mes bijve të saj, kuptohet pa fajin dhe dijen e tyre, por falë përvojës jetësore dhe inteligjencës që posedonte ajo ia arriti qëllimit për t’i përmbytur botëkuptimet e vjetra, për ta kthyer konceptin e jetës kah e ardhmja, kah dashuria kah vëllazëria. Në mënyrë analitike Hajria u tha mjaft zakoneve të vjetra të cilat i kishin shkaktuar asaj vuajtje të shumta dhe kishin lënë zonën në prapambetje të theksuar. Ajo ishte e vetëdijshme se e vërteta dhe liria ishin në anën e saj, ishin pjesë e saj e botëkuptimeve pozitive duke ngadhënjyer, roli i femrës mbi një mentalitet patriarkal dhe të prapambetur. E brenda romanit arketip i urtakut shquhet edhe Tafa, “një familjar i urtë dhe i arsyeshëm, që ka provuar të gjitha mjetet për t’u pajtuar, mirëpo ai nuk ia ka arritur.”[33]
Vlera e romanit prek edhe aspektin edukativo arsimor, rrit faktorin për një ndërgjegjësim dhe për veprime në përputhje me parimet morale, vetëdijeson popullin dhe barazon rolin e gruas në shoqëri, gjithmonë në kuadër të mundësive dhe të atyre rrethanave që është kompozicionuar koncepti dhe ngjarja e romanit. Epilogu i këtij romani shpjegon fundin e një etape historike, fundin e një mentaliteti të prapambetur, fundin e diskriminimit klasik të gruas, dhe fundin e një mentaliteti tepër arkaik të fshatarëve në zonën ku është kompozicionuar vepra, por që reflektonte realitetin e gjithmbarshëm, kjo s’ka dyshim. Në anën tjetër intelekti dhe njohuritë e tyre janë arsyeja për të jetuar, thelbi i çështjes është inteligjenca e zhvilluar të cilën e përdorin si argument logjik për t’i arsyetuar veprimet.[34]
* LEGJENDA:
1. Nazmi Rrahmani “Malësorja”, botoi “Naim Frashëri”, Tiranë 1970, shtyp. NISH “Mihal Duri”, tirazhi 10 000 copë, 256 faqe.
2. Shefqet Dibrani: “KARAKTERI dhe ARKETIPI në romanin MALËSORJA të Nazmi Rrahmanit”, studim letrar, Prishtinë 2021, me 410 faqe.
FUSNOTAT:
[1] “Cilët janë 12 arketipat dhe cili dominon në personalitetin tuaj?”, Rrjetat, 3.09.2018. http://rrjetat.com/cilat-jane-12-arketipet-dhe-cili-dominon-ne-personalitetin-tuaj .
[2] “12 Arketipat Xhungas.” https://sq.larafornm.com/twelve-jungian-archetypes-7
[3] Mësuese Aurela, “Arketipi i nënës… sipas Karl Gustav Jung”, Ese dhe projekte për studentët, 14 janar 2016.
[4] Pajazit Nushi, Fjalori i cituar, “Historia e psikanalizës ndër shqiptarë”, botoi ASHAK, Prishtinë 2010, faqe 119-120, si dhe faqe 229.
[5] Carl Gustav Jung, (Lindur më 26 korrik 1875 dhe vdiq më 6 qershor 1961 në Küsnacht / Kanton i Cyrihut.) Carl Gustav Jung, ishte një psikiatër zviceran dhe themeluesi i psikologjisë analitike. Universiteti ETH Zürich, ETH-Bibliothek. https://www.library.ethz.ch/Ressourcen/Digitale-Bibliothek/Kurzportraets/ Carl-Gustav-Jung-1875-1961
[6] “Cilat janë 12 arketipat dhe cili dominon në personalitetin tuaj?”, nga “Rrjetat”, 03 Shtator 2018. http://rrjetat.com/cilat-jane-12-arketipet-dhe-cili-dominon-ne-pe-rso- nalitetin-tuaj/
[7] Carl Golden “The 12 Common Archetypes, The Ego Types.” http://www.soulcraf t.co/essays/the_12_common_archetypes.html
– Krahaso; P. Nushi, “Fjalor shpjegues i psikanalizës,” ASHAK, Prishtinë 2010, f 69-70.
– Understanding Personality, “The 12 Jungian Archetypes”, Revista, “Moving People to Action”, 21 April 2018. https://conorneill.com/2018/04/21/understanding-personality-the-12-jungian-archetypes/
– The 12 Jungian Archetypes. https://exploringyourmind.com/twelve-jungian-archetypes/
[8] 12 Arketipet Xhungase. https://sq.larafornm.com/twelve-jungian-archetypes-793
[9] Pajazit Nushi, “Fjalor shpjegues i psikanalizës,” ASHAK, Prishtinë 2010, fq. 69.
[10] Krahaso; Prof. dr. Zejnullah Rrahmani, vepra e cituar, faqe 127-128.
[11] Ego-ja – Term i ardhur në gjuhën shqipe, nga latinishtja në kuptimin e përemrit unë (Unë – Ego.) Krahaso; Pajazit Nushi, “Fjalor shpjegues i psikanalizës,” ASHAK, Prishtinë 2010, faqe 69-70.
[12] Arkaik, mb – që është shumë i vjetër, i lashtë: traditë që nuk praktikohet, e vjetruar. P.sh. Periudha arkaike. Gjuhë arkaike. Fjalë (shprehje) arkaike. Frymë arkaike. Stil arkaik.
[13] Patriarkal – tërësia e zakoneve a e normave të vjetruara të sjelljes, të cilave u ka shkuar koha; mënyrë e vjetruar jetese; prapambetje në mënyrën e jetesës.
[14] Ai që sillet kot rrugëve, bën punë të këqija, që fut hundët kudo; ai që shkon shumë pas grave.
[15] Sabri Hamiti, “A-Zh, romanet e Nazmi Rrahmanit”, “Rilindja”, Prishtinë 1982, fq. 20.
[16] “Kompozicioni dhe personazhet e një romani”, botuar në revistën letrare “Jeta e re”, nr. 5, Prishtinë 1988, faqe 692-700.
[17] Po aty, “12 Arketipat Xhungas”,
[18] Po aty, “12 Arketipat Xhungas”,
[19] Po aty, “12 Arketipat Xhungas”,
[20] Shih; Prof. dr. Zejnullah Rrahmani, Vepra e cituar, faqe 60.
[21] Po aty, prof. dr. Zejnullah Rrahmani, Vepra e cituar, faqe 60.
[22] Shih; “Rezymeja e syzheut”, nga prof. dr. Zejnullah Rrahmani, Vepra e cituar, f. 32-33.
[23] Krahaso arketipit krijues te: “12 Arketipat Xhungas”,
[24] Po aty, “12 Arketipat Xhungas”,
[25] Po aty, “12 Arketipat Xhungas.” https://sq.larafornm.com/twelve-jungian-arche types-7936
[26] Po aty, “12 Arketipat Xhungas”,
[27] Malësorja, faqe 53
[28] Po aty, “12 Arketipët Xhungas”.
– Krahaso: Prof. dr. Zejnullah Rrahmani, Vepra e cituar, faqe 128.
[29] Po aty, Prof. dr. Zejnullah Rrahmani, Vepra e cituar, faqe 128.
[30] Prof. dr. Zejnullah Rrahmani, Vepra e cituar, faqe 100.
– Po aty, prof. dr. Zejnullah Rrahmani, faqe 128.
[31] A Classification of Character Types in Literature. https://www.aresearchguide .com/character-types-in-literature.html
– The 12 Common Archetypes”, By Carl Golden. http://www.soulcraft.co/essays/ the_12_common_archetypes.html
[32] Po aty, “12 Arketipat Xhungas”,
[33] Prof. dr. Zejnullah Rrahmani, Vepra e cituar, faqe 73.
[34] Po aty, “12 Arketipat Xhungas”…