Tempulli im: Poezi nga Avdyl Sulaj

Pëllumbat mbi Gjakovë

Një tufë pëllumbash të bardhë e të zinj
nën dushin e rrezeve diellore
lodrojnë me reflekset mëngjesore
ulen e ngrihen, rrotullohen gjithë hijeshi.

Një tufë pëllumbash të zinj e të bardhë
Njwri – tjetrin ndjekin fluturim
në qiellin e zgjedhur skenë për vallëzim
një simfoni bukurie luajnë radhë-radhë.

Këtë shfaqje të hyjnishme
E kundrojnë një tufë fëmijë.
E u thonë prindërve me doçkat prej qielli:
– O, babi! O, mami! Shihni ç’mrekulli!

Gjakovë, 15 maj 2014

Tempulli im

E njerëzishmja, dashuria,
E vërteta, drejtësia.

I shenjti tempulli im
Që i falem me adhurim.

Përqafimi i Diellit

Dielli para se të kyçë
ditën me dyert e muzgut
zgjati krahët e rrezeve
dhe përqafoi malet
e vendlindjes sime.

3 gusht 2014

Xhihadisti

Allahu ekberr, Allahu ekberr 1)!
Për krime makabre
Zotin bën flamur.
Dhe robtë e Zotit,
si berra, në fyt i ther?!

Allahu ekberr, Allahu ekberr!
Mes turmave bomba hedh.
Krena dhe gjymtyrë,
bijsh të Perëndisë,
fluturon në erë?!

Allahu ekberr, Allahu ekberr!
Parzmore me eksploziv në gji,
shpërthen.
Faltoret e Zotit, kisha e xhami,
në vdektore besimtarësh,
llahtarshëm i kthen?!

Dhe djalli shend e verë
qesh me këtë refren.
Skenat kobzeza,
duartroket me brohori.

“Aaa! Sa mirë, sa mirë,
ngazëllyeshëm, ai thotë.
Sa më shumë të tillë:
Kundërnjerëz, antizot,
më duhen, në këtë botë”.

1) arab. Zoti është më i madhi.

Ura ylberore

Dy shpatmale të një lugine
ballë përballë prore
mrekullisht i bashkoi një mëngjes
ura shtatëngjyrëshe ylberore.

Shtatë shëmtitë e Botës

Ndërrime rolesh e maskash
Kush mace, kush dhelpër,
dikush tigër, dikush luan.
Shpirtkatrani shitet engjëll
Dhe horri babaxhan –

Dyfytyrësi

Globi përpëlitet halleshumë
Si shpatë e Damokleut me vezullime
ngrohja planetare,
sëmundjet shfarosëse, papunësia…
Politikanët joshin turmat,
qetësojnë popujt
me aspirina gënjeshtrash
e valiume me premtime –
Demagogji
Pusira, prita, pa numër tradhti,
pas shpine gracka, thika –
Pabesi
Pasanikët, pushtetarët,
favore pa fund.
Poste e punë të zgjedhura,
biznese e vila
e para lumë.
Skamnorët dorështrirë,
punëlypës, mërgimtarë,
udhëkryqeve të fatit,
klandestinë, ëndrravrarë –
Padrejtësi
Të pasurit, të pushtetshmit,
dhe yjet i bëjnë gjerdane
dhe hënën e diellin stoli.
Një për qind e banorëve të globit,
zotërojnë mbi gjysmën e pasurive të tij.
Varfanjakët në birucat kasolle,
barkunët, xhepshkundur, shpresëvrarë,
ferrin përjetojnë në
Pabarazi
Kërcëllima thikash, të shtëna armësh,
krisma,
të plagosur, të vrarë, viktima,
Njeriu dhunon, vret njeriun!
Egërsi
Përbindëshe me krahë avionash
e dhëmbë raketash
me këlyshët tanke
e vezët bomba.
Ngado mbjell vdekjen,
me djem mercenarë,
gllabëron njerëz, qytete, shtete.

Ajo, fatkobja e Planetit, Lufta!
Kryeshëmti
* *
*
Kur, vallë, O NJERI,
do të vësh pikat mbi këto “i i i i i i i”
(Shtatë shëmti ) ?!

Fjongoja diellore

Një re flokëbardhë
U ul lehtas në majëmal.
Dielli e bukuroi madhërishëm
Me një fjongo rrezear.

Udhëve të Diellit kalorës i jetës

Kirurgut Sokol Sulaj

Mbi gjysmë shekulli kalorës i jetës
Udhëve të Diellit, duarmrekulli.
Qindra jetë prej thonjve të Vdekjes
I çlirove, u dhe lumturi.

Këtë ditë prilli Ajo të rrëmbeu
Nëpër vetëtima, stuhi dhe shi.
Bornajat e bjeshkëve t’u bënë bluzëbardha
Zogjtë qëndisën në to shirita të zinj.

Sokolat 1) u ndalën mbi Shkëlzen
Emrin tënd cicëruan me përmallim.
Ylberi në Radeshe shtoi një ngjyrë
U mrrol me dhimbje e trishtim.

Një tufë drerësh me sytë prej qielli
Në një qafë mali mbi Dragobi.
Dhe të sëmurët dritareve të spitalit
Skurrjela lotësh derdhën për ty.

1) Shpendë që rrinë disa minuta në ajër gjatë fluturimit.

Bajram Curri, 9 prill 2014

Kohë e pakohë

Vrasës e viktima
Përballë në shtatore.

Laviret shpallen të virgjëra
Shugurohen shenjtore.

Vrasësit, hajnat, grabitësit
S’i lag lumë as det.
Ngrenë hotele e vila,
bëhen ministra e deputetë.

* * *

Kohë e pakohë,
absurdtranzicion.
Kohë e pëlleshme
për specien kameleon.

M a l i

Shtatore vigane e skulptores natyrë.
Me shall resh kokën mbështjell.
Këmbët shtrin në pyll.
Fytyrën shikon në të lumit pasqyrë.
Kur nata bie dremit në gjumë.
Shtatit në mëngjes i shton hire.
Madhështor krah maleve,
Asnjërit s’i bën hije.
Kanatat e grykave e të qafave
S’i mbyll kurrë.

Tempull rrezatues
Shpirtmadhësie dhe urtie.