Shefik Shkodra : BOTA TOKËSORE SIPËRFAQËSORE E KOHORE, POEZI

Shefik Shkodra

NGRYSJE E LEHTË E GRYKËS

Sa herë e vendos kokën në duar mendimet kryqëzohen
Orët i trajton nëpër vrima të hapura e shfaqen murana
Dhimbja ishte e kahershme e nuk shuhet lehtë dashuria

Ato veç mortja i rrëmben pa hetuar kurrë ku humbëtira!

A do të meket ndonjë puls pa dridhje gjymtyrësh e qetë
Ulëses apo shtratit të gjerë e gjatë kur shuhet fryma hiç
Në shtrojë a do del terur pa petk në gardh të atij oborrit

S’mund të dëftojë as engjëlli që të përcjellë gjithë motit!

Se ishte e vërtetë vuajtja pasi ta rinjeh bota emrin tënd
Mbeti ëndërr e përnatshme përsëritje në aq pak gjumë
Derisa filloi rrëmeti i zvargur për jetë a vdekje kësaj toke

Gjatë udhëtimit dilnin skena të paramenduara t’asaj kohe!

Krejt torturat i kishe shënuar në ditar e herbariumin e saj
E ruaje dhe e rrëfenje për shpirt e mendje deri te ai fundi
Frymës nuk i dihej në cilin çast merr kahen e rrënon trupin

Shpresa qe me gjithë zigzaget e vizatuara egon ta ruanin!

RRËZËLLIMË E DHIMBJES PËR TY

Aq shumë të deshi gjithnjë me vrull dashnor i padukshëm
Nuk i la kohë vetes për pushim as ditë as natë si në verigë –
E more nëpër këmbë e godite rëndë si paçavure plehu Zo’

Ishte krenar s’të ka hequr mendsh kurrë në asnjë vend jo!

Ka ecur pa ngrënë e pa pirë pa gjumë ëndrra i ishte bjerrë
Për ty merrte frymë i lutej Zotit – zgjatma dhe më tej perin
Jetë robi deri në takimin tënd të këndonte të shihte me sy

Qindra e mijëra meditime gjatë ndejës e para-gjumit për ty!

Mbase ishe nisur të vije me naze aq afër në zemër mëdyshje
Harronte një krah herë s’e ndiente asnjërin pranë veç vetmi
Hante duhan në vend buke e kapërdinte kafe si në inat ecje

Lodhur deri te bregu duke përtyp esëll raki në kundërmime!

Veç nuk i bëri një kërcënim jete vetes pa mëdyshje iku tutje
S’mbeti sa një pilivesë mbi një gjeth të tharë era që e lëkund
Nuk e linin çakejtë e ty dashuria të shkrepi në shkretinë kohe

I fundit shikoje për vrimë brave në joshje harroje atë dhimbje!

Dhimbja më takoi, thoshe, ishte imja si brymë e tretur vjeshte
Kur shtegtarët ikën mbi anijet oqeanike në vende të ngrohta
Ty s’të lanë çakejtë rrugës as një tubë lule për dashuri shpirti

Ta rrëmbyen strehën dëshirë mbaje valë në gji ajo në ty rri!

DHE ERDHËN PAS DREKE

U tret murtajë e mortjes pas ngecjes së çikrikut nis lëvizja
Zgjohen gjallesat si në stinën e re dhe rilindje u bë ndër ne
Dhe kënduan të gjithë si fëmijë të pajtuar pas aq vuajtjesh

Pa pëlqim me zë të bashkuar as vaj s’del ritëm këngësh!

Në qiell ngrihej tym e pluhur krejt çallgiat e korit euforik
Ai këngë donte e ruante si bukën në strajcë që në mituri
Para përfundimit zërin i morën dimërorëve do korba të zi

Ankthi pushtues e peshonte ashpër digjej në ethe i gjori!

U mbush Fusha krrokama mbi e nën vi s’kishte tjetër dalje
Kërkoi Koti kot bëri lutje të mos trazojnë të mos frikësojnë
Para muzgut heshtja po do të pëlcas cipën pisk verdhacake

E ishte tepër pos lutjes për një dhuratë saktë lule dashurie!

LUTJET E NEMURA

Dhe ti kishe vetëm një po në vagën e ngrehur të padrejtësisë
Fusha gjerë po tretet si pa lule e gjelbërim si pa kulm shtëpie
Vreshtarët po qeshnin se kishte një mbrojtje me aq fortifikime

Dashuria peng ta la ëndrrën për ta harruar në kasollen intime!

Të kujtohen ato figura të lashtësisë si përralla teshë e koteshë
Koha i ka braktisur për jetë e mot dhe i besojmë ngjashmërisë
E sot do barazojnë ndjenjën në mes të qenëmes dhe fantazisë

Përsëritjet e epokave kanë marrë shumë figura gjatë historisë!

S’prek ato shpuzoret me tejdukshmëri si një vel në puhizë agu
As s’ka mbetur dimi e shami që nuk sjell nostalgji për atë gjini
Petkat e veshja e trupit cullak do të vijojë nëpër bashkëkohësi

Grupi tarahitës e qejfli gjithnjë idhull e quajnë veten për ironi!

Vallëzimet dhe koret gëlltitën melosin pa përcaktuar si njerëzi
Atyre ua bën një arkë fundosjeje shtatë pashë në dheun e zi
Thadruan këmbë e duar urtësie në pritje peizazhi të bukurisë

Duhej qetë e pastër skenë dimensionesh kohore të lumturisë!

Bota i ndërron fjalët sa herë ndeshen uraganet me qenien tonë
S’ka kohë të merremi me qyqet e ngrata lis më lis e gur me gurë
Në vorbullën gufuese çakajtë e bastardët zihen veç për vergji

Parazitët po rrinë gati për ta dhunuar para armikut Dardaninë!

Këto fusha e male këta lumenj e liqene kjo tokë që rritë bimë
Jetë që e jetuan dhe e jetojnë pasardhësit mbi kokë këtë qiell
Stërgjyshërit të mekur u hapën torishtën dhe dyert kasolleve

Barbarizmi nguli në arë dogjën e poqën lë vdekje vendorëve!

A kam forcë edhe më të shpërthej nga dallgëzimet e turbullirë
Duke dashur të qetohen rrëmetet e ta rinjohësh këtë Fushë Ilirie
Kjo dashuri sikur mjegullohet në aurore përhitje në zgrip kllapie

S’mbetet hiç rrita kur shpirti të herret truallit të kësaj Dardanie!

Do ta hiqje cipën e dyfytyrësisë

BOTA TOKËSORE SIPËRFAQËSORE E KOHORE

Ti as veten sikur nuk e dëgjoje në ecje shpejtësie
S’e dëgjoje pranverën me bilbila e zogjtë në kor
S’e dëgjoje as qyqe mallkuar me aq tepër kukama

Ishe kalimtar i kështjellës tënde pa kulm e murana!

Ti s’e shikoje as veten në pasqyrë përtoje të vareshe
S’e vëreje as kodrën që po shembej mbi ty e botën
Ti rrëmbeje dushk e bar ilaç pa njohur ethe me flakë

Thoshe s’mund të bëj leqe saktë tash ishe aq plakë!

Vrapit me shpejtësi kurrë pa u ndalur natë e ditë
E herë ditë e natë ngarendje trok e herë ngadalë
Me drojë se vonesa do ta zë sërish rrugës muzgu

Herë nëpër suka e kodrina e herë nëpër shpatina
Ara e stërnishta e herë nëpër do shkëmbinj e male
Herë nëpër do stepa e savana terratisje në pikë dite

Dro të zë terri derisa s’i afrohemi derës foshnjarake!

Dera jote më e vjetër e kidnapuar që nga lashtësia
S’i di gjurmët kur t’i fshin uraganet e gjenit e historisë
Koha t’i ka mpakë zërin jehonat që ushtonin grykat

Pa kalorësi e pa bejte që të gjitha ishin të tuat dikur
Pa dëgjueshmëri e shikueshmëri mbete fëmijë ëndrre
Pa horizontale e vertikale si një bishë mali pakujdesje

Qyqe rremi të thatë me vesvese e harruar në vetvete!