Është viti 1909. Jemi në Jug të Italisë. Para syve shfaqet një pejzash i mrekullueshëm – shtëpi të mëdha, CACSINA kopshte të panumërta me ullinj dhe pemë frutore. Rrugët e shtruara me kalldrëm trokasin nga patkonjtë e kuajve që transportojnë drithë. Nëpër kthinat e rrugicave dëgjohen të qeshura fëmijësh që luajnë të shkujdesur. Nga një shtëpi buzë një përroi dikush del nga dera e kopshtit dhe i drejtohet fundit të gardhit, aty ku është një pirg i madh me gurë. Burri është i shkurtër dhe i dobët, aq sa duket sikur do të rrëzohet nga pesha e kazmës që mban në dorë. Dielli zbret ngadalë pas kodrave, ndërsa ai përvesh llërët dhe fillon të zhvendosë gurët e pirgut. Pastaj ulet mbi gurë dhe ndez llullën që mban në buzë. Ndërkohë në kopshtin ngjitur fqinji i thotë diçka dhe i bën shenjë në terren aty ku kishte qenë pirgu. Burri kërruset dhe nxjerr nga dheu një send të metaltë në ngjyrë floriri. Pastaj e ngre lart dhe e këqyr me vëmendje. Është një monedhë e madhe, gati sa pëllëmba e dorës. Në njërën faqe të saj duket busti i një burri me kurorë dafinash në kokë ndërsa anash është stampuar emri i perandorit Romak, HADRIANUS AUGUSTUS.
Në vazhdim historia…
Të nesërmen fshati gumëzhinte nga lajmi i papritur. Fqinji kishte hapur fjalën për gjetjen e monedhës madje mburrej që ai e kishte parë i pari. Në diskutimet midis njerëzve thuheshin gjithfarë mendimesh, të qena e të paqena. Kishte opinione që ajo nuk ishte monedhë, por medaljon, si ato që mbanin perandorët. Fjalët shkonin gojë më gojë dhe përmasat e sendit zmadhoheshin sa herë që hapej ajo bisedë – në fillim flitej për monedhë, pastaj për medaljon, madje dikush shkoi dhe më tutje duke e identifikuar atë si pllakë floriri…e kështu me radhë. Kurioziteti i njerëzve sa vinte dhe shtohej dhe burrit të monedhës dalëngadalë filloi ti bëhej jeta skëterrë. Familja e tij kishte frikë të dilte nga shtëpia. Njerëzit nuk i linin rehat, i torturonin me pyetje, ‘ku e gjetët?’ ‘si e gjetët?’ ‘ç ‘vlerë ka?’ ‘mund ta shohim?’ ‘pse jo?’… Fjala u përhap dhe në fshatin fqinjë. Kishte nga ata që bënin rrugën për të parë terrenin ku ishte gjetur monedha. Ndodhia mori përmasa të paparashikueshme derisa një ditë dikush kishte varur në derën e kopshtit një afishe me fjalët,
KËTU ËSHTË GJETUR FLORI!
Sikur e gjithë kjo të mos mjaftonte, në familje filluan grindjet, mosmarrëveshjet. Thirrjet dhe të bërtiturat e bashkëshortëve dëgjoheshin deri jashtë në rrugë. Gruaja e të zotit të monedhës ishte bërë e padurueshme – për çdo gjë që nuk shkonte në shtëpi ia vinte fajin monedhës. Madje një natë, ajo kishte zbritur poshtë në kopsht dhe kishte ndezur një qiri pikërisht aty ku i shoqi kishte gjetur monedhën. Është e mallkuar, i kishte thënë të shoqit me lot në sy. Më tha filania, do ta kenë hedhur qëllimisht në kopsht tek ne, për të na bërë keq! E di ti kush është filania?… Ja, ta them unë, është shtriga e fshatit, ajo që banon përtej rrugës, tek ajo kasollja e vogël. Po, po pikërisht ajo… Mos u habit! Të gjithë e dinë që ajo merret me magjira…Duhet ta heqim qafe sa më parë atë monedhë, përndryshe do të na shkatërrojë jetën. Thirri mendjes! E sheh se çfarë po ndodh, apo jo? Qëkurse ka hyrë ajo monedhë në shtëpi, djali i madh ka zënë shtratin, ne të dy vetëm zihemi dhe nëna ime është në buzë të varrit. Ç’pret? Hiqe atë send të mallkuar nga shtëpia! Hidhe! Jepja dikujt!
I lodhur nga ajo histori fshatari filloi të hartonte një plan – si ta hiqte qafe monedhën dhe bashkë me të dhe vëmendjen e publikut prej tij. Pasi e shkoqiti këtë mirë e mirë vendosi t’ia dhuronte fqinjit, pikërisht atij që e kishte parë monedhën i pari.
‘Do t’i bëhet qejfi!’ mendoi ndërsa trokiti në derën e shtëpisë ngjitur.
Fqinji u habit nga zemërgjerësia e atij që në fshat kishte famën e dorështrënguarit. Gjithsesi surpriza e gëzoi pa masë. Kishte ditë që e shihte në ëndërr atë monedhë. Kushedi sa para do të bënin me atë thesar! Ndoshta do të blinin një fermë të madhe, të jetonin brez pas brezi pa kokëçarje…Edhe familja e tij fluturonte nga gëzimi. Më në fund fati i kishte trokitur në derë!
Shpejt fjala mori dheun që burri i monedhës ia kishte dhuruar atë fqinjit të tij. Kurioziteti u shtua akoma më shumë. Njerëzit në fshat filluan të vrisnin mendjen përse vallë ia kishte dhuruar monedhën fqinjit? Tani vëmendja e publikut u shpërngul tek tjetri. Thashethemet, përgjimet, ndjekjet, ngacmimet deri dhe kërcënimet u bënë çështje të ditës për familjen fqinje. Gjithkush do të donte të ishte në vendin e tij dhe për këtë ziliqarët ishin gati të bënin gjithçka për t’ia arritur qëllimit të tyre. Kështu dikush tha që e kishte parë gruan e tij të çonte monedhën në bankë. Ai e kishte ndjekur deri në hyrje të bankës dhe e kishte parë pastaj të dilte që andej me një thes me para. Të nesërmen në kafene, i zoti i monedhës e përgënjeshtroi lajmin e rremë. Monedhën e mbaj vetë. Gruaja ime nuk ka punë me të! i tha kafexhiut në lokal kur ndjeu shikimin gjithë smirë të njerëzve përreth.
Kishin kaluar disa ditë nga shpërngulja e monedhës nga njëra derë tek tjetra. Ndërsa tensioni rritej gjithnjë e më shumë brenda dhe jashtë shtëpisë, gruaja e fqinjit e humbi durimin dhe e bindi të shoqin të shkonte në bankë për të depozituar monedhën kështu do ti vinte fundi asaj historie. Edhe atij kjo zgjidhje iu duk e përshtatshme. Kështu të nesërmen herët në mëngjes shaloi kalin dhe u nis. Megjithëse rruga për në sheshin kryesor, aty ku ishte banka, nuk ishte e gjatë, atij iu duk sikur nuk kishte të sosur. Nuk kishte pasur asnjëherë aq frikë në jetën e tij. Në të dalë të shtegut, aty ku kryqëzoheshin rrugët e fshatit, burri ndjeu një dhimbje të fortë në qafë, si shpim dhe pas pak humbi ndjenjat dhe ra në tokë ndërsa kali i tij iku revan nëpër fusha.
Nuk dihej me siguri se çfarë kishte ndodhur, por të nesërmen qarkullonin fjalë që burri ishte sulmuar nga kusarët të cilët i kishin marrë ç ‘kishte. Dikush e kishte parë të gjorin ndërsa po e kthenin në shtëpi me barelë. Thuhej që nga ajo ditë ai kishte mbetur i paralizuar. Edhe në fshat nuk u fol më për monedhën. Tragjedia i kishte qetësuar gjakrat. Në fund të fundit më mirë askush sesa dikush, kishte thënë kafexhiu duke marrë aprovimin e klientëve në lokal.
Kaluan javë, muaj… akoma asnjë lajm për monedhën e vjedhur. As në bankë nuk kishte ndonjë të dhënë për depozitimin e saj. Megjithatë thonë që herët apo vonë e vërteta del në shesh dhe kështu ndodhi atë të diele, shtatë muaj pas grabitjes të monedhës.
Atë ditë katedralja në qendër të fshatit ishte mbushur plot e përplot me njerëz. Ishte festa e Zonjës së Shenjtë. Në fund të meshës, kur u dha dërgimi, shërbestari, një burrë i shkuar në moshë i njohur nga të gjithë për besnikërinë e tij ndaj kishës, ndërsa kalonte nga njëra radhë tek tjetra për të mbledhur ndihmat, vuri re që dikush hodhi në koshin e ndihmave një send të pazakontë, që nga larg dukej si monedhë floriri.
Pas meshës, prifti, Don G.C. sugjeroi që monedha të ekspozohej në vitrinën e kishës si pjesë e pasurisë artistike dhe kulturore të fshatit.
Thuhet që akoma sot e kësaj dite shumë vizitorë shkojnë për të parë atë send të çuditshëm që banorët e fshatit ia kishin vënë epitetin, ‘MONEDHA E SHERRIT’


















