Nga prof. dr. Klara Kodra “PËRTEJ RRËFYESIT” , në roman formimi me frymë lirike i Fran Lleshit

Romani i parë i Fran Lleshit, i cili kalon nga poezia në prozën e gjatë, mban titullin intrigues ‘’Përtej rrëfyesit’’. Ky është një roman që trajton në mënyrë të ndjeshme dhe të thellë problemin e dhimbshëm të emigracionit, por njëkohësisht afirmon edhe vlerat tradicionale shqiptare: dashurinë për punën, etjen për dije, aftësinë për sakrificë, solidaritetin, mençurinë dhe besën.
Protagonisti nuk është një figurë e jashtëzakonshme që ngrihet mbi shoqërinë e tij, por as “njeriu pa cilësi” i modernizmit. Ai mishëron besën dhe vlerat morale tradicionale pa i zëvendësuar ato me vlera të reja. Është një njeri i zakonshëm, i thjeshtë, por që paradoksalisht ka një zemër të madhe. Një njeri që beson ende në disa vlera të trashëguara nga prindërit – vlera që i shërbejnë si spirancë në detin e trazuar të jetës. Në këtë kuptim, vepra mund të konsiderohet një “roman formimi”, një zhanër që i ka munguar për një kohë të gjatë letërsisë shqiptare. Lexuesi ndjek protagonistin që nga fëmijëria dhe e sheh të zhvillohet përmes përballjes me vështirësitë e jetës.
Romani i Fran Lleshit është nga ata ku realiteti ndërthuret me fantazinë, duke i ngjarë në njëfarë mënyre romaneve të Dos Passos – të frymëzuara nga fakte reale që transformohen nga imagjinata krijuese. Që fëmijë, protagonisti përjeton dramën e një familjeje të persekutuar nga diktatura. Megjithatë, i ati, lal Luka, dhe e ëma Rina, ia ushqejnë ndjenjat e respektit për të moshuarit dhe solidaritetin njerëzor.
Në një moment kyç, i nxitur nga dashuria për të atin, fëmija kryen një veprim të dënueshëm – “vjedhjen” e portretit të udhëheqësit. Ky veprim interpretohet si sabotim nga një “armik i klasës” dhe mund të kishte pasoja tragjike për babanë, nëse nuk do të ndërhynte një komunist me shpirt të mirë, sekretari i byrosë së partisë, që shpëton situatën. Këtu, shkrimtari ngrihet mbi paragjykimet ideologjike dhe zbulon thelbin human edhe te figura e një komunisti.
Gjatë gjithë veprës, shkrimtari Fran Lleshi nuk bie në grackën e paragjykimeve ideologjike apo nacionaliste. Ai ndalet në thelbin moral të individit. Nuk paragjykon grekët si kolektivitet; përkundrazi, përmes figurave si Babis Makris dhe nënë Stamatina Tunga, shfaq dashurinë mbinjerëzore që tejkalon kufijtë dhe paragjykimet.
Figura e protagonistit, Aleks Xhani, karakterizohet përmes veprimit, dialogut dhe episodeve kyçe që e ndriçojnë karakterin e tij me një dritë të menjëhershme. Rrëfimi, edhe pse në vetë të tretë, mbart qëndrimin e autorit – një lloj demiurgu të padukshëm, por të pranishëm, që përmes ligjëratës së zhdrejtë të lirë, sjell kujtimet e heroit kryesor.
Episodi i parë çelës – “vjedhja” e portretit – zbulon jo vetëm dashurinë e madhe për prindërit, por edhe ambivalenten e fëmijës ndaj diktatorit, të cilin as nuk e adhuron si fëmijët e tjerë të indoktrinuar, por as e urren, sepse prindërit nuk e kanë edukuar me urrejtje. Dashuria për prindërit rrjedh si një rrymë e padukshme, e ushqyer nga gjaku dhe nga vlerat e larta morale që ata përfaqësojnë.
Në një moment dramatik, protagonisti është i detyruar t’i braktisë ata, jo për arsye egoiste apo përfitimi, por për të ndihmuar familjen ekonomikisht. Fjala e lalës: “Zor se më gjen më” i mbetet si një plagë e hapur për vite me radhë. Por ajo që nuk ia dha dot atdheu i varfër, nuk ia jep as vendi i huaj. Sërish, ai qëndron besnik ndaj vetvetes, nuk zë udhën e krimit, edhe pse përballet me racizëm dhe fyerje. Në një episod të fuqishëm, largohet nga një kafene kur dëgjon për një krim të kryer nga bashkatdhetarë. Ai ndjen turp dhe dhimbje. Por ndalet nga pronari grek i kafenesë, Dhimitri, që e vlerëson për virtytet e tij. Aleksi ruan në mërgim përkushtimin ndaj punës dhe guximin që e karakterizonte edhe në atdhe. Madje, shfaq heroizëm në episodin ku kalon tunelin, duke rrezikuar jetën.
Autori, ndonëse nuk ndalet në dimensionin erotik të protagonistit – çka do të shtonte ndoshta interesin e lexuesit – refuzon teknikat moderniste për përshkrimin e realitetit dhe karakterizimin. Nuk përdor monolog të brendshëm, as “penën e ndërgjegjes”, as alternimin e kohëve. Ai i qëndron besnik realizmit kritik, duke e transformuar realitetin përmes fantazisë dhe jo duke e fotografuar si në natyralizëm.
Fran Lleshi i përket asaj rryme shkrimtarësh realistë që mbeten besnikë ndaj mimezisit, por pa e eliminuar autorin nga skena. Ai zgjedh rrëfimin në vetë të tretë, që i siguron një objektivitet relativ, ndonëse me një prani të dukshme të optikës së heroit kryesor.

Në roman, detajet e vrazhda alternohen me pasazhe poetike, skenat dramatike me meditime të ngjyrosura nga lirizmi dhe malli për atdheun. Figura të dashura janë lalë Luka dhe nënë Rina, njerëz të fortë, të ndershëm dhe të dhembshur. Figura simpatike janë edhe Babis Makris dhe nënë Stamatina, të cilat ndoshta do të duhej të thelloheshin më tej.
Në epilog, mbetet e pazgjidhur pyetja pse protagonisti nuk rrëfen në vetë të parë. Kemi të bëjmë me një situatë si në dramën e Pirandellos “Gjashtë personazhe kërkojnë autorin”. Ndoshta personazhi nuk guxon të tregojë historinë e tij për shkak të dhimbjes apo një faji të pavetëdijshëm. Autori e bën atë që nuk mund ta bëjë personazhi – dhe për këtë arsye zgjedh rrëfimin në vetë të tretë.
Ky nuk është objektiviteti i ftohtë i romaneve eksperimentale, por ai i realizmit, që nuk përjashton ndjeshmërinë dhe qëndrimin njerëzor. Përtej rrëfyesit, romani i parë i Fran Lleshit, është një vepër e pjekur që i afrohet strukturave të Dos Passos dhe Truman Capote, përmes ndërthurjes së realitetit me fantazinë, përshkuar nga një ngrohtësi jetësore dhe besim te njeriu. Ndryshe nga shumë romane bashkëkohore që pasqyrojnë degradimin e njeriut dhe janë të përshkruara nga pesimizëm ekzistencialist, romani i Fran Lleshit është një vepër që ruan thelbin human, që përmes tragjedisë ngjall shpresë. Një roman që dëshmon vlerat më të mira njerëzore dhe shqiptare, një dashuri për atdheun dhe për njeriun që kapërcen kufijtë dhe paragjykimet.