Përmallimi i trajtësuar në varg estetik, ndjeshmëri dhe edukim
(Shtegtim analitik në universin poetik të Kismete Hysenit, përmes librit “Vargu im” – poezi të zgjedhura, botoi URA, 2025)
Kismete Hyseni është njëra prej autoreve më në zë që e përfaqëson me dinjitet gruan shqiptare, intelektualen e mirëfilltë, nënën, mësuesen, e cila i flet botës me ndershmëri, me dashuri, por edhe me guxim krijues. Pena e saj është fjalë për kujtesën, për fëmijët e sotëm dhe ata të ardhshëm, një penë që i këndon shpresës, që kujton dhe nderon… Në letërsinë shqipe, figura e Kismete Hysenit mbetet një gur themel i një tradite që kërkon rrënjë të forta dhe po ashtu degë të hapura drejt botës. Ajo nuk shkruan vetëm për fëmijët, ajo shkruan për humanizmin. Dhe pikërisht, te kjo qëndron edhe vlera e saj më e thellë. Kismete Hyseni vlerësohet si një nga figurat më të spikatura të letërsisë bashkëkohore shqipe për fëmijë, një autore që ka arritur të krijojë një botë të veçantë poetike dhe rrëfimtare përmes një gjuhe të ngrohtë, të dëlirë dhe thellësisht njerëzore. Letërsia për fëmijë, ku ajo nisi rrugëtimin e saj krijues, u pasurua ndjeshëm nga fryma e re që solli pena e saj. Ajo u afrua me fëmijët jo si një zë që mbizotëron me mirëdashje apo që moralizon, por si një bashkudhëtare që ua njeh shqetësimet, botën imagjinare dhe përjetimet e tyre reale. E lindur në Pejë dhe e formuar profesionalisht në Prishtinë, ajo bart në vepër përvojën e mësimdhënëses, të studiueses, të mërgimtares dhe mbi të gjitha, të nënës e shkrimtares që i drejtohet brezit të ri me një zë të sinqertë dhe prekës. Kjo ndjeshmëri, e përshkruar në mënyrë të thellë karakterizon tërë veprat e saj të deritashme, duke na bërë me dije që poezia dhe proza e saj të mos jenë thjesht artistike, por edhe edukative, me një diskurs mikpritës (inkluziv) dhe shoqëror në vetvete. Vargjet e saj janë të ndriçuar nga dashuria për fëmijët, për gjuhën amtare dhe për historinë. Në librat e saj kudo përfshihet një lirizëm i kthjellët, metafora të ndjeshme, që kapin jetën e përditshme dhe e transformojnë atë në poezi. Ajo di të ndërthur estetikën me etikën si dhe përjetimin personal me përvojën kolektive, duke ndërtuar tekste që flasin njëkohësisht për përkatësinë, për ëndrrën, për mungesën dhe për kthimin. Prandaj, duhet kujtuar, që nuk është rastësi, që disa nga librat e saj janë vlerësuar në mënyrë të veçantë, qoftë me çmime letrare, qoftë me përfshirje në kurrikulat shkollore, ndër të cilat vlen të përmendet vepra “Hana në karrocë”, në të cilën shfaq ndjeshmërinë e jashtëzakonshme ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta, duke e bërë këtë libër një mjet ndërgjegjësimi dhe mësimi. Në poezitë e përfshira në tekstet shkollore, ajo flet me gjuhën e fëmijës, por është shumë e kujdesshme ndaj thjeshtësive të zbrazëta, ajo ruan të paprekshëm figuracionin, ritmin, dhe thellësinë poetike, si vlera shquese.
Hyrje në përmbledhjen poetike “Vargu im”
Libri “Vargu im” (poezi të zgjedhura) i autores Kismete Hyseni, është një antologji në vargje e krijimtarisë saj ndër vite, ku paraqet një nga arritjet më delikate dhe domethënëse të poezisë shqipe bashkëkohore për fëmijë, siç u tha edhe më sipër për veprat e saj në përgjithësi. Nisur nga lista e plotë e titujve, ajo na jep një pasqyrë të pasur të strukturës dhe përmbajtjes që ka libri. Me gjithsej 84 poezi që përshkojnë tema nga natyra te familja, nga kurbeti te atdheu, nga loja te legjendat… kjo përmbledhje poetike krijon një mozaik emocionesh dhe mesazhesh që vijnë nga zëri i krijueses, e cila komunikon me brezin e ri, me dashuri e përkushtim. Lirisht mund të thuhet se, kjo përmbledhje nuk është thjesht një libër vargjesh të shkruara vetëm për këto qenie të njoma, por është një vepër thellësisht lirike, e ndërthurur me kujtesë personale, me ndjenja atdhedashurie dhe malli për vendlindjen . Mbi të gjitha thurur me dashurinë për fëmijët, për heronjtë e librave të saj, që shumë herë janë emra real si Ylli, Hana, Erika, Adriani, Dita, por edhe emra fëmijësh të tjerë me të cilët flet autorja dhe e përçon porosinë tek “të gjithë fëmijët e planetit”, siç thotë vet ajo. Pikërisht kjo lidhje personale dhe emocionale e çon poezinë e saj përtej kufijve të letërsisë për fëmijë, përtej letërsisë edukative: ajo bëhet poezi e frymës kombëtare, e kujtesës shpirtërore dhe lidhjes së fëmijës me rrënjët. Në përgjithësi, kjo përmbledhje, megjithëse e thjeshtë në paraqitje, mbart në vete një ngarkesë të thellë emocionale dhe edukative. Kjo vërehet që në strofën hyrëse të librit:
I thashë çupës krejt çka pashë,
Fjalë për fjalë e pikë për pikë,
Lulëkuqe, këso, sikur tonat,
Kishin çelë edhe në Amerikë.
Autorja shpreh dhembjen dhe përmallimin, kur sheh se ‘Lulëkuqe, këso, sikur tonat kishin çelë edhe në Amerike”. Shpreh edhe krenarinë për arritjet e tyre atje ku janë, prandaj ajo as vuan as nuk ligështohet, por ngre zërin poetik, thërret me të madhe për dashurinë par vendlindjen, për ruajtjen e lidhjes me atdheun dhe vendlindjen, kudo që çelin lulëkuqet e saj, lulëkuqet e kombit shqiptar. Kjo strofë hyrëse, aq sa është e thjeshtë po aq është edhe e fuqishme, njëkohësisht. Poezia e përmbledh terë thelbin emocional të veprës: përvojën e kurbetit, lidhjen me vendlindjen dhe mundësinë se (lulëkuqet) mund të lulëzojë edhe larg, në Amerikë. Ky katërvargësh (katrenë) strukturohet mbi një rimë të pjesshme të tipit b–b, ku vetëm vargu i dytë (pikë) dhe i katërt (Amerikë) realizojnë lidhje fonetike, ndërsa vargu i parë (pashë) dhe vargu i tretë (tonat) qëndrojnë jashtë sistemit rimor, duke krijuar një konfigurim të lirë dhe asimetrik të tingullit. Kjo lirshmëri ritmike, që shmang skemat tradicionale të rimës së përkryer, përkon me natyrën e brendshme të tekstit: një ligjërim i qetë rrëfimor, si një ninullë, që ruan ngjyrimin e një komunikimi të drejtpërdrejtë e emocional. Zëri lirik artikulohet në vetën e parë, me një ton të butë dhe të përmbajtur, i cili përçon një përvojë personale përmes një akti ndarjeje dhe dëshmie ndaj një tjetri të afërt, në këtë rast çupës. Brenda këtij konteksti, lulëkuqja, si figurë qendrore, ngrihet përtej përfytyrimit natyror dhe shndërrohet në simbol të kujtesës, përkatësisë dhe nostalgjisë atdhetare, duke ruajtur identitetin e saj edhe në një hapësirë të huaj si Amerika. Vargu i fundit, që shënon lulëzimin e “tonave” në një truall të largët, përmban një përthyerje poetike të mallit dhe të shpresës, duke i dhënë strofës një përmbyllje me ngarkesë ndjeshmërie të tej zgjatur. Kësisoj, strofa, megjithëse e ndërtuar mbi një formë të thjeshtë, përmban një tension të brendshëm estetik ndërmjet kujtimit dhe të tashmes, rrënjës dhe degës, që e bën atë të veçantë në ndërthurjen e tonit rrëfimor me dimensionin simbolik.
Zëri poetik i poetes Hyseni, bulëzon dritaret e një bote fëminore sikur butësia e një puhize, ku fjalët nuk janë vetëm tinguj, por bëhen edhe bartëse të vlerave, të mallëngjimit, të dashurisë dhe të përkatësisë. Libri, ndonëse me motivim të qartë për fëmijë dhe të rinj, mbetet gjithashtu një rrëfim i brendshëm i autores, një formë e butë rrëfimi për të kaluarën, për dhimbjen e ndarjes, për mërgimin dhe mallin, por edhe për dritën e shpresës që mbjellin fëmijët, si shkëndija të dritës e bartës të ëndrrave. Poetika e saj është ndër më origjinalet në letërsinë tonë për fëmijë: me metafora të njoma, me ritmika të çiltra, me simbole që rikrijojnë kuptimet nëpër gjuhën e fëmijës. Kështu që, ky libër meriton të lexohet jo vetëm nga fëmijët, por edhe nga prindërit e arsimtarët, si një mjet ndërlidhjeje mes brezash dhe si thirrje që kujtesa kulturore duhet kultivuar me dashuri, e kurrsesi me imponim.
Përgjatë kësaj analize do të synojmë të shqyrtojmë tematikat dhe motivet kryesore, tonin lirik, figuracionin poetik dhe vlerat estetike e edukative të poezive të veçanta që përbejnë trupin e kësaj vepre të rrallë në fondin e letërsisë sonë për fëmijë.
Tematika dhe motivet kryesore në përmbledhjen “Vargu im”
Në zemër të përmbledhjes “Vargu im” qëndron një motiv i qëndrueshëm dhe i shumëfishtë: dashuria për fëmijën dhe për atdheun, të shkrira në një ndjeshmëri që tejkalon përditshmërinë. Poezitë artikulojnë përmes një zëri të brendshëm të autores mallin për vendlindjen, dhimbjen e mërgimit, përvojën e ndarjes dhe ruajtjen e kujtesës kulturore, gjithnjë nëpërmjet përfytyrimeve të thjeshta dhe të kuptueshme për fëmijët. Po ashtu, tema të natyrës, të miqësisë, të dashurisë për kafshët, lulet, qiellin dhe yjet janë të pranishme në libër në mënyrë të natyrshme, duke krijuar një univers të gjallë poetik për fëmijët, ku bota e vërtetë dhe ajo imagjinare bashkëjetojnë.
Nëpërmjet një rendi që s’është veç numerik, por edhe i ndjesisë, kemi ndalur mbi disa nga më domethënëset. Andaj, për qëllime analitike, kemi ndjekur një renditje të brendshme në përzgjedhjen tematike. Ndërsa tema udhëtare që i prin udhës poetike, si pikë e nisjes tematike është:
1. Atdhedashuria dhe përkatësia.
Në shumë poezi, poetesha K. Hyseni ndërton një përfytyrim të ndjeshëm dhe të thellë të atdheut, jo vetëm si hapësirë gjeografike, por edhe si prekje shpirtërore. Atdheu është vend i ëndrrës, mall i pazëvendësueshëm, është gjuha, nana, gjyshja, shtëpia, qielli, lulet… Kjo temë shfaqet me intensitet në disa nga poezitë. Po pasqyrojmë poezinë “Aty nis atdheu”, në të cilën, autorja e vendos fillimin e atdheut jo në një hartë, as jashtë disa kufijve të ndarë politikisht, por në një vend të shenjtë, Prekazin, te shtëpia e Adem Jasharit:
Në Prekaz, moj bijë
Te Adem Jashari
Aty nis atdheu
Atje shko ma së pari! (f. 5).
Pjesëzat mohore “mos” dhe një “jo” luajnë një rol kyç në ndërtimin e tonit, kuptimit dhe strukturës emocionale të vargjeve. Ato nuk shërbejnë vetëm si ndalesa gramatikore, por ngrihen në funksione të shumëfishta estetike, simbolike dhe ideore. Së pari, mohimi përsëritës krijon një strukturë ndalimi dhe orientimi: vajza nuk duhet të ndalet në vendet e zakonshme të një rikthimi (në hije, te krua, pranë shtëpisë), sepse atdheu nuk fillon më aty. Ai nis atje ku është bërë flijimi për të, në Prekaz, te Adem Jashari. Kjo lloj qasjeje e çon poezinë përtej përshkrimit emocional, drejt një udhëzimi të shenjtëruar, ku çdo ndalim është një hapësirë reflektimi dhe përuljeje. Mohimet i japin vargut një ton solemn dhe ceremonial. Në vend të një përshëndetjeje të butë për rikthimin, lexuesi përballet me një listë ndalimesh, të cilat krijojnë tension poetik mes të zakonshmes dhe të jashtëzakonshmes. Ndërkohë që në mënyrë natyrale do të pritej që rikthimi të shoqërohej me përqafime, pushim nën hije apo freski në krua, këtu çdo veprim i tillë përjashtohet. Kjo zhvendosje e pritjes emocionale e përforcon ndjesinë e shejtnisë dhe nënkupton se ky vend nuk është më thjesht tokë, por është tokë e shenjtëruar nga gjaku. Përdorimi i pjesëzës “mos” në çdo varg, krijon një ritëm të brendshëm, pothuaj liturgjik, si një amanet i përsëritur që nuk lejon harresën. Ai shërben njëkohësisht si strukturë ritmike dhe thellim emocional, duke e bërë poezinë të ngjajë me një lutje të ndaluar, një kujtesë të heshtur që flet me autoritetin e dhimbjes. Në thelb, kjo poezi përmes mohimit e spastron tablonë nga gjurmët personale për të ngritur në qendër kujtesën kolektive, vendin e sakrificës, pikën nga ku duhet të fillojë përkthimi i ndjenjës së atdheut. Është një ftesë për të mos e kërkuar më atdheun në gjurmët intime, por në themelet e lirisë së përgjakur.
Ndërsa poezia “Atdheu” ngjan me një psalm të butë për vendlindjen. Poetja arrin të përshkruajë një përvojë universale të mërgimit përmes figurës intime dhe të ngrohtë të çupës që flet me shtëpinë e saj të braktisur. E thjeshtë në formë, por e thellë në ndjenjë, kjo poezi është një shembull i përkryer i mënyrës se si letërsia për fëmijë mund të ruajë fuqinë për të artikuluar ndjenja të mëdha:
Ngadalë, kur t’bie nata
Heshtin rrugët e gjata
Do të vi, tek ti, atdhe
Atje e kam shtëpinë
Atje e gjej qetësinë. (f. 84)
Krejt poezia ndërtohet mbi motivin e mallëngjimit për vendlindjen, të artikuluar me një zë të përmbajtur dhe të ngrohtë, që ndjek stinët e shpirtit më shumë se ato të natyrës. Në qendër të vargjeve është përjetimi intim i ikjes dhe dëshira për rikthim, që poetja e kthen në një thirrje të përsëritur në secilën strofë të poezisë me të njëjtin varg: “Do të vi, tek ti, Atdhe.” Ky refren i ngjashëm me lutjen përkujton ritmin e përzemërt të një fëmije që kërkon ngrohtësinë e shtëpisë së humbur. Kurse zëri që flet është i brishtë, përplot mall, por i qëndrueshëm në vendosmërinë për t’u kthyer. Ky zë nuk ngrihet me thirrje të larta, por pëshpërit në mënyrë të ëmbël, thuajse fëmijërisht, duke e bërë poezinë të ndjehet si një ninullë shpirti. Struktura e rregullt e vargjeve, e ndarë në katër strofa të shkurtra dhe ritmike, thekson këtë përfytyrim të qëndrueshëm të kthimit. Metaforat që lidhen me natyrën, si “puhi e lehtë”, “bilbilat”, “trëndafilat”, “qershitë në kopsht”, krijojnë një përshkrim të idealizuar të atdheut, ku çdo detaj të emocionon. Këto figura nuk janë vetëm peizazhe, por mbartin kujtime, përkatësi dhe dëshirë. Motivi i “shtëpisë nën lendinë” është shumë më tepër se një vend fizik, është vendi i origjinës, i identitetit, i paqes së brendshme. Ndërkohë që ritmi i poezisë është fare i butë, si një përsëritje që ndërton ndjesinë e ritmit të frymëmarrjes, një frymëmarrje e cila gjithmonë ndalet tek fjala “atdhe”. Kurse tonaliteti është i përmbajtur, por jo i ftohtë, është një përzierje e harmonizuar mes mallit dhe shpresës.
Ndërsa te poezia në tri pjesë “Atdheu” (f. 54-55), kemi të bëjmë me një trini (triptik) poetik të strukturuar në mënyrë të përkryer, ku çdo pjesë është një dimension i përjetimit atdhetar: personal, natyror dhe kolektiv. Në pjesën e parë, “Atdhe është nëna”, gjejmë një ndërthurje të dhimbjes me përkatësinë, këtu atdheu nuk përkufizohet me kufij gjeografikë, por me marrëdhënie intime e të përditshme: fytyra e motrës, gërsheti, loti, varri i babait:
Atdhe është nëna
Është dhembja
Është kënga plot vaj
Atdhe është gërsheti i motrës
Janë sytë e saj.
Atdhe është shtëpia
Është ëndrra, fëmijëria
Është loti në mërgim
Atdhe është varri i babait
Është varri im. (f. 54)
Është poezia më e prekshme dhe emocionale, pasi përmes fjalëve të thjeshta përshkruhet ndjesia më e thellë: të jesh larg nga vetvetja dhe ta ndjesh atdheun si mungesë, si nevojë, si plagë, si vaj, si ëndërr…
Në pjesën e dytë, “Atdheu është Yll”, poezia merr një ton simbolik dhe natyror. Atdheu përfytyrohet si ujë i pastër, si ara me grurë, si lulëkuqe në prill, duke e vendosur përkatësinë kombëtare në kontekstin e një peizazhi të dashur dhe të përjetshëm. Këtu, natyra bëhet përmendore e padukshme e ndjesisë kombëtare dhe çdo imazh merr vlerën e një shenje të identitetit:
Atdheu është jetë
Është dritë dhe nurë
Është ujët e kulluar
Është ara me grurë.
Atdheu është Diell
Është lulëkuqe në prill
Atdheu është Hanë
Atdheu është Yll. (f. 54)
Tek pjesa e tretë, “Atdheu jemi ne”, vargjet shndërrohen në manifest të përbashkët, ku përkatësia merr formën e një bashkimi shpirtëror. Është poezi që tejkalon mallin dhe simbolin për të dhënë një mesazh për vetëdijen qytetare dhe identitetin e përbashkët:
Atdheu është liria
Është dhembja,
Është dashuria.
Atdheu është ky dhé,
Atdheu jam unë, je ti
Atdheu jemi ne. (f. 55)
Pra, sikurse shihet, atdheu nuk është vetëm kujtim, por është prania jonë e përbashkët, veprimi ynë i përditshëm. Të qenët së bashku është vetë mënyra më e thellë për të qenë në atdhe!
Vazhdojmë me poezinë “Lërmë të vij me ty, moj Hanë” e cila përbën më vete një udhëtim imagjinar me aromë malli, ku fjalët udhëtojnë më shpejt se trupi. Gjuha është e butë, lirike, si një përkëdhelje mbi trupin e Shqipërisë. Vargjet ndërtojnë një peizazh emocional ku qytetet nuk janë vetëm vende, por ndjenja, si këto:
Lërmë të vij me ty, moj Hanë,
Ta shuaj mallin në Tiranë,
Të falem, rend, me fushë e kodër,
Që nga Shkupi deri në Shkodër.
Lërmë të vij, moj Luleborë,
Sa ta puth flamurin në Vlorë,
Sikur loti yt i pastër,
Të pi ujë në Gjirokastër.
Unë po vij, ti më bëj dritë
N’Pogradec a në Mirditë,
Me këta sy ta shoh lirinë
Të marrë ngryk krejt Shqipërinë… (f. 6)
Tirana si etje, Shkodra si frymëmarrje, Gjirokastra si lot i pastër. Përdorimi i metaforave të ndritshme (“të pi ujë në Gjirokastër”, “si pëllumb në imagjinatë”) e bën mallin më shumë se thjesht ndjenjë, e bën një formë udhëtimi të brendshëm. Është një poezi që nuk kërkon të shkojë diku fizikisht, por të afrohet përmes ëndrrës dhe dashurisë.
2. Malli dhe mungesa është tematika dhe motivi që pason. Poezitë me këtë përmbajtje janë të përshkuara nga një mall i brendshëm për tokën e largët, për vendlindjen, për afërsinë fizike me të dashurit, si tek poezia “O Yll”: Kjo poezi është më thellë qenies, më refleksive. Është një bisedë me një shpirt që ndoshta endet në errësirë, dhe një thirrje për të mos mbetur në vetmi. Vargjet e saj e shpalosin me shumë finesë atë që shpesh fshihet pas heshtjes: dhimbjen që s’thuhet, mungesën që dhemb në trup. Autores i mjafton një imazh – përkëdhelja e munguar në ballë për të përshkruar një botë të tërë të thyer. Poezia merr tonin e një lutjeje të ëmbël: “Shpejto Yll, për hatrin tim!”. Kjo nuk është thjesht kërkesë për kthim, por nevojë për përqafim emocional. Poezia flet për shërim, për rikthimin tek e njohura, tek ajo që të zbut plagët.
Ndërsa “Fjollë, moj Fjollë” është një poezi që vesh dhimbjen me borë dhe heshtje, që nuk klith, por ngjall trishtim të përmbajtur dhe të thellë. Ajo është një himn i nënshtruar i mërgimit fëminor, një protestë e heshtur kundër humbjes së lidhjes me gjuhën, vendin dhe fëmijërinë. Të çudit fakti se si arrin poetja ta bëjë dhembjen të bukur, megjithëse pa e zbukuruar kurrë. Motivi i trenit dhe i dimrit është gjetje shumë me vend, sepse treni që “u nis me zhurmë” është mjeti i largimit fizik, por edhe simboli i kalimit nga një jetë-vend në tjetrin vend. Ai bart me vete fëmijërinë e plagosur, ëndrrat e pambarimta dhe një ndjenjë të thellë zbrazëtie. Dimri nuk është vetëm stinë në këtë poezi, ai është gjendje shpirtërore. I ftohtë, pa ngrohtësi njerëzore, ai “ngrin dhe shkrin pa mëshirë”, duke përfaqësuar egërsinë e një bote që nuk e pret. Duke e lexuar ke ndjesinë e shkëputjes dhe dhimbjes, andaj, edhe mund të quhet “elegji për ikjen e një fëmije nga vendlindja” e bërë jo me britma, por me një heshtje therëse. Fjolla, një emër që ngjason me dëborën dhe butësinë, shndërrohet në simbol të fëmijës së rrëmbyer nga realiteti i mërgimit. Vargu që përmend dorën në xham dhe zhurmën e trenit është vizualisht tronditës heshtja e saj përplaset me zhurmën e ndarjes:
Në xham vure dorën e vogël,
Me shumë zhurmë treni u nis.
Prapa të mbet vendlindja e vrarë,
Ëndrrat e bukura të fëmijërisë,
Zemër e thyer e nënëlokes,
Derë e hapur e shtëpisë… (f. 13)
Përderisa në disa poezi tjera kemi pasur një shpresë që vjen në fund, këtu te kjo poezi ndjesia është më e ngurtë, më e fiksuar në kujtim. Vargjet nuk përshkruajnë vetëm ikjen, por pasojat e saj të vazhdueshme:
Ti u rrite në dhe të huaj,
Thonë se shqipen e flet vështirë. (po aty)
Autorja flet në mënyrë të dhimbshme për një vajzë, ku tregon shkëputjen gjuhësore, kulturore dhe emocionale të saj. Kështu që, Fjolla nuk është thjesht vetëm një fëmijë, ajo këtu përfaqëson brezin e tretur në heshtje, fëmijët e mërgatës që, ndonëse kanë rrënjë, rriten larg dhe pa mundësinë për t’i ndjerë ato rrënjë. Në strofën e fundit, poezia kthehet në një thirrje, jo si mallkim, por si lutje:
Mos lejo që prapa diellit
Të të zërë nata përsëri!
E di mirë se të ka marrë malli,
Prandaj ik më shpejt se era.
Eja, çupë, sa s’ke harruar,
Në atdhe si vjen pranvera. (f. 13)
Ky varg është një paralajmërim që shkon përtej një individi; është thirrje për ruajtje të kujtesës, për kthim në dritën e identitetit, para se harresa të bëhet e pakthyeshme!


















