SAZAN GOLIKU: MEGJITHATË, BOTA RROTULLOHET, POEZI

MARR FRYMË

Sa shpejt vrapon koha në pleqëri!
Sa mbyll e hap sytë, me fshi djersën e verës,
të qesh në fytyrë dimri.
Sa shumë më hahet edhe pse duart nuk bëjë asgjë.
Më duket sikur dje i preva thonjtë e duarve
(se të këmbëve m’i pret gruaja).

Jam varur në një degë të tharë ahu
dhe mbahem fort e ankthshëm
dhe pse e di që herëdokur kjo degë do të thyhet
dhe për habi, jam i kënaqur që marr frymë.
21.12.2022

MISTERI

Çmenduria – e njeriut apo e njerëzimit?
Përgjigjet prifti: I njeriut.
Përgjigjen dijetarët: E njerëzimit.
“Bota rrotullohet rreth Zotit, – tha prifti.
“Bota rrotullohet rreth vetes, – thanë dijetarët.
“Atëherë pse Bota është kjo që është?” –
Pyeti një fëmijë.
4.7.2025

PRANVERORE

Nuk e di pse jam kaq optimist
edhe pse kur shkruaj, kontradiktat
ma pushtojnë mendjen, lufta
nis të më rrah mendimet,
të më përgjak vorbullën e njenjave
që më lindin si poezi të thara.

Në qoftë se i ashtuquajturi shpirt ekziston,
ai më jep krahë të dashuroj jetën
me gjakim rinor, me ëmbëlsi fëminore.

Kur qetësia thyhet si një gotë gëzimi,
kur fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve
shpërthejnë dyert dhe qetësinë e sëmur pleqërore,
bindem se vdekja është një shpifje,
një gogol i frikshëm pa kuptim.

SHTËPIA E ËNDËRRUAR

Ky oxhak pesëdhjetvjeçar
kurrënjëherë nuk nxori tym.
Katërkëndësh si një kullë
atje lart qëndron i ftohtë
si një grua shterp fatkeqe.
Dy vëllezër e ndërtuan
dhe me duar, dhe me zemër
një shtëpi të ëndërruar.

Nëna dhe baba kishin ikur nga kjo botë.
Vëllai i madh u përthith nga kurbeti,
e hodhi gurin pas dhe s’e ktheu më kokën.
Vëllai i vogël shkoi në luftë për liri
dhe u kthye në lapidat lavdie.
Ky oxhak pesëdhjetvjeçar –
dëshmi e hidhur e fatit kobzi.
1.7.2025

PËRSIATJE PLEQËRORE

Më del gjumi herët, por me zor ngrihem syenjtur –
nga pleqëria apo nga sëmundjet tinazare
që të bluajnë përbrenda si ushtarë të vdekjes?

Ditën e pres me ngazëllim,
por nuk di ç’të bëj me të.

Ç’është drita e dita për atë që e pret nata
si kënaqësi e përjetshme e moqenies?

Me shigjetën kibernetike të guximit
vras kotësinë. Dal në udhën e madhe
dhe fluturoj e fluturoj me krahët e padukshme të dritës
në askund.
28.6.2025

TALLJE

Nga ikonat e tavanet me arabeska
po meken së qeshuri shenjtorët e imamët kur shohin
ata që falen e luten ditën për të larë mëkatet e natës,
që luten e falen të dielave e të premteve,
për të shplarë mëkatet e javës,
që nuk lënë biseda e fjalime pa përmendur Zotin,
duke u betuar për Zotin
ata që nuk besojnë në Zot.

KUSHTIM

Dua të hedh në letër ca vargje për ty
Anton Papleka, por nuk i hedh dot.
Si ka mundësi, them me vete,
të dalë nga shkëmbi një lule aq e brishtë,
me mirësjellje të lindur,
i kthjellët në mendime si Lumi i Currajve,
këmbëngulës mbi librat e ëndërruar
si gjëmbaçi i bjeshkës që s’i tutet as akullit as zhegut.
Dua të hedh në letër ca vargje për ty,
por më mirë po lexoj vargjet e tua.
25.6.2025

ELEGJI

Asaj i vdiq nëna, kur ajo ishte vetë nënë.
Nuk e kishte menduar se herëdokur
nënën nuk do ta kishte më.

Lotët e hidhur të pikëllimit
iu përzien me dallgët e kujtimeve:
të prapësive të fëminisë,
të marrëzive të rinisë,
të shqetësimeve për fëmijët…

Asaj i vdiq nëna
dhe lotët s’ia ngjallin dot më.
23.6.2025

MES TYRE

Një mjegull e murrme u shtri mes dashurisë…
Grimca akulli notonin si gjilpëra
mes zëmërimit e mërisë të atij e të asaj.
Po gëlltisnin hirin e zjarrit të dashurisë…
Nga ai zjarr kishte lindur një djalë Feniks
i braktisur, i vetmuar, i harruar nga ndarja.
19.6.2025

ARSYE E PAARSYESHME
Fabul

Fija e barit të gjelbër pyeti barin e verdhë kokoçelin:
“Pse m’i helmon rrënjët e pafajshme?”
“Se jam helmues, se jam i fortë se ti!”
– iu përgjegj kokoçili me mburrje
dhe harroi se lulja e Gojë Ujkut
kish pas qenë edhe më helmuese ai.

RRAPI NË DIMËR

I vetmuar në lakuriqësinë e tij.
Vetëm një korb pendërënë e viziton herë-herë
duke krokatur një këngë të plagosur.
Vetëm era e marrosur vërshëllen
mes degëve të mardhura si zogj pa krahë
që mbajnë në zemër ëndrrën
për pranverën e gjelbër, të nesërmen.
11.5.2025