Qeveria e Kosovës kufizon lëvizjet – presidenti e cilëson veprim kundërkushtetues

 

Të hënën mbrëma qeveria e Kosovës vendosi kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, si masë për të penguar zgjerimin e koronavirusit, duke nxitur reagimin e presidentit Hashim Thaçi i cili tha se kjo paraqet shkelje të rëndë të Kushtetutës së vendit.

Në një mbledhje të qeverisë është vendosur që të “ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga 24 mars 2020 gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë”.

Mes tjerash sipas vendimit të qeverisë “lëvizjet në rrugë bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët. Ndalohen tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura — përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët. Në rast të vdekjeve, në varrim mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit”.

Presidenti i Kosovës organizoi një konferencë për gazetarë pak para orës 23 duke e cilësuar këtë veprim të qeverisë si kundër kushtetues dhe u bëri thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të mos e respektojnë vendimin e qeverisë.

Ai tha se të martën do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese që ta shpallë kundër kushtetues këtë vendim, që e cilësoi “të rrezikshëm për qeverinë dhe qytetarët e vendit. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij sonte kanë shkelur në mënyrë flagrante kushtetutën e Republikës së Kosovës. Është e papërgjegjshme institucionalisht dhe në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Vendimi për kufizimin e lirë të qytetarëve paraqet shmangie nga të drejtat dhe liritë e njeriut që garantohen me kushtetutën e Kosovës. Kufizimi i lirive dhe të drejtave të qytetarëve mund të bëhet vetëm nëse shpallet gjendja e jashtëzakonshme, e gjendjen e jashtëzakonshme mund ta shpall vetëm Kuvendi i Kosovës. Një gjendje e tillë nuk ekziston”, tha ai.

Ai tha se “qytetarët nuk janë të detyruar t’i respektojnë vendimet anti kushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë, e ripërsëris, qytetarët nuk janë të detyruar t’i respektojnë vendimet anti kushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë. Nënvizoj, as policia e Kosovës as organet e sigurisë nuk duhet të zbatojnë këtë vendim anti kushtetues të qeverisë sepse kështu edhe vet bëjnë vepër penale, e përsërisë as policia e Kosovës as organet e sigurisë nuk duhet të zbatojnë këtë vendim anti kushtetues të qeverisë sepse kështu edhe vet bëjnë vepër penale. Vendimi i qeverisë është pa efekt juridik të zbatueshëm dhe është i pazbatueshëm në tërë territorin e Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, shkroi ndërkaq se “thirrja e presidentit për mosdëgjueshmëri është shqetësuese. Zyrtarët që bëjnë thirrje për mos-zbatimin e vendimeve qeveritare, ligji i dënon”.

Ai shtoi në një postim pas mesnatës se “vendimi i qeverisë për masa dhe kufizim të lëvizjeve bazohet tek Neni 55 i Kushtetutës, paragrafi 1, dhe tek Ligji nr.02/L-109 për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Prandaj, presidenti nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin. Qytetarët duhet të bashkëpunojnë dhe së bashku t’i zbatojmë masat, që ta fitojmë luftën kundër coronavirusit”, shkroi ai.

Në nenin 55, pika 1 të Kushtetutës së Kosovës thuhet se “të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj”.

VOA

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here