Dr. Mujë Buçpapaj: A KA ARDHUR KOHA PËR NJË MONOGRAFI SHKENCORE PËR DR. IBRAHIM RUGOVËN ?

Në një atmosferë solemne dhe të ngrohtë kulturore, në Tiranë, u promovua libri me titull “Dr. Ibrahim Rugova – Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës”, një botim i radhës kushtuar figurës emblemë të historisë bashkëkohore shqiptare.
Vepra, e prezantuar nga Besa Tafilaj Pinchoti dhe Korab Kastrati, në fakt ishte një përmbledhje kolektive që bashkonte zërat dhe reflektimet e rreth 70 autorëve, të cilët kanë kontribuar me shkrimet e tyre – të botuara më herët në shtypin e shkruar, në rrjetet sociale apo të hartuara posaçërisht për këtë botim – në nderim të jetës dhe veprës së presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Përgatitësit e këtij botimi kanë kryer një punë të kujdesshme dhe të mirëmenduar, jo vetëm në mbledhjen dhe sistemimin e këtyre materialeve, por edhe në përfshirjen e deklaratave dhe qëndrimeve zyrtare nga institucionet e Republikës së Kosovës, si dhe nga instanca ndërkombëtare, të cilat dëshmojnë për vlerësimin e gjerë që Rugova gëzonte në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Redaktimi i kujdesshëm dhe përzgjedhja e shkrimeve pasqyrojnë një përkushtim serioz në përçimin e një mesazhi të qartë: nderimin e figurës së një udhëheqësi vizionar.
Për studiuesit e fushës është me rëndësi të theksohet se ky libër nuk është një monografi shkencore e autorëve të kopertinës, siç u nënkuptua në promovim(në fakt në takim vetëm për librin nuk u fol nga askush), por një vëllim i përbashkët, apo me autorë kolektiv, ku ndërthuren reflektime, përjetime dhe analiza nga personalitete të ndryshme të jetës politike, kulturore e akademike.

Veprimtaria u hap me intonimin e himnit të Kosovës, i cili përmban tekstin e miratuar nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, dhe në sfond u shfaq flamuri i Kosovës i konceptuar dhe përdorur nga vetë ai gjatë periudhës së okupimit serb. Ky flamur, i dizajnuar si simbol identitar i shqiptarëve të Kosovës, kishte për synim diferencimin nga flamuri kombëtar shqiptar dhe himni i tij, në rrethana të pushtimit, si dhe afirmimin e një doktrine politike paqësore e legale për arritjen e pavarësisë.
Megjithatë, përdorimi i këtyre simboleve – të krijuara për një kontekst të caktuar historik dhe politik – në rrethana të tjera, si p.sh. në kryeqytetin shqiptar apo në realitetin e tashëm të Kosovës së pavarur, ngre pikëpyetje të natyrshme për relevancën dhe domosdoshmërinë e tyre. Në këtë kontekst, krijohet përshtypja se Rugova po paraqitet si autor i një filozofie tjetër, atë të një “kombi kosovar”, një konstrukt që nuk përputhet me qëndrimet e tij reale historike. Duhet rikujtuar se për Rugovën, bashkimi me Shqipërinë ka qenë një ndër opsionet strategjike afatgjata: fillimisht sigurimi i statusit të republikës brenda Federatës Jugosllave, e më pas – në rast të shpërbërjes së kësaj federate – pavarësia dhe bashkimi me shtetin amë.
Në këtë kuadër, vlen të theksohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), e cila ndërmori rezistencën e armatosur për çlirimin e vendit dhe për bashkimin kombëtar, e zhvilloi aktivitetin e saj nën simbolet kombëtare shqiptare – Flamurin kuqezi të Skënderbeut – dhe mbetet formacioni më i përkushtuar dhe patriotik në historinë moderne shqiptare.
Për më tepër, një çështje shqetësuese që kërkon reflektim është ajo e kakofonisë simbolike në hapësirën shqiptare: përveç himnit kombëtar shqiptar, i cili është përdorur si simbol frymëzimi edhe nga UÇK-ja, ekzistojnë edhe himni zyrtar i Kosovës, pa tekst, si dhe versioni alternativ i himnit i propozuar nga Rugova, me tekst dhe muzikë të ndryshme. Kjo shumësi simbolesh krijon paqartësi, fragmentim dhe ndarje të panevojshme kulturore, të cilat bien ndesh me synimin për unitet kombëtar dhe koherencë identitare ndër shqiptarë.

Megjithatë, autorët meritojnë përgëzime për përkushtimin dhe vizionin e tyre në sjelljen e këtij botimi publicistik, i cili jo vetëm nderon një figurë të ndritur të kombit shqiptar, por gjithashtu i kontribuon trashëgimisë kulturore dhe historike të shqiptarëve në përgjithësi.
Por në ndryshim të librit publicitik me titull “Dr. Ibrahim Rugova – Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës”, monografia shkencore është një punim i thelluar dhe i specializuar që trajton në mënyrë të plotë dhe sistematike një temë, një figurë, apo një fenomen të caktuar, duke u bazuar në hulumtime të gjera individuale dhe materiale të dokumentuara. Ajo synon të ofrojë një analizë kritike dhe të paanshme, duke kontribuar në avancimin e njohurive të mëparshme në fushën përkatëse, duke sjellë një këndveshtrim të ri, bazuar në dokumente dhe dëshmi të panjohura më parë apo të pastudiuara më parë.
Në rastin e një monografie për Ibrahim Rugovën, kjo do të përfshinte studime të hollësishme mbi jetën, veprën studimore, politike, intelektuale dhe ndikimin e tij në proceset historike, sociale dhe kulturore, të mbështetura nga burime arkivore, intervista, dokumente zyrtare dhe literaturë përkatëse.
Një monografi e tillë do të ishte një kontribut i vyer për shkencën, duke e bërë figurën e Rugovës më të qartë dhe të kuptueshme jo vetëm për specialistët, por edhe për publikun e gjerë dhe brezat e ardhshëm.
A KA ARDHUR KOHA PËR NJË MONOGRAFI SHKENCORE PËR DR. IBRAHIM RUGOVËN
A ka ardhur koha për një monografi shkencore për Dr. Ibrahim Rugovën? Unë mendoj se po. Figura e Dr. Ibrahim Rugovës përbën një prej kapitujve më të rëndësishëm të historisë moderne të shqiptarëve, sidomos në kontekstin e lëvizjes për pavarësi dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës, por edhe si historian i letërsisë, studiues i letërsisë dhe kritik i shquar. Për këtë arsye, shumë studiues dhe intelektualë janë të mendimit se ka ardhur koha që Akademia e Shkencave e Kosovës, apo edhe ajo e Shqipërisë, të ndërmarrin iniciativën për hartimin e një monografie shkencore të thelluar për jetën dhe veprën e tij.
Unë përsonalisht prej vitit 1991 deri më sot kam shkruar qindra shkrime të natyrës publicistike për dr. I. Rugovën, por edhe në dy libra publicistikë jam marrë gjërësisht më këtë figurë emblematike, jo vetëm si gazetar dhe studiues, por si mik që e kemi patur si unë dhe vellëzërit Buçpapaj.
Në dijeninë time, nuk ekziston një monografi shkencore e plotë dhe e thelluar, e nivelit akademik për Ibrahim Rugovën që të mbulojë gjithë spektrin e jetës dhe veprës së tij. Megjithatë, janë realizuar disa botime të natyrës publicistike dhe studime të natyrës së bibliografisë, që ndihmojnë në ndriçimin e aspekteve të ndryshme të personalitetit të tij, por edhe në hartimin e kësaj monografie të bazuar në kritere shkencore në të ardhmen. Mes tyre përmenden:
1. “Ibrahim Rugova – Bibliografi letrare 1961–2015” i Munish Hysenit. Ky botim është një përmbledhje e gjerë e veprës letrare të Rugovës, duke përfshirë artikuj, libra dhe botime të tjera që lidhen me të. Ky është një burim i vlefshëm për studiuesit që duan të kuptojnë më mirë kontributin e tij në letërsinë shqipe.
2. Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime: Ky botim përfshin shkrimet e tij letrare dhe publicistike, duke ofruar një pasqyrë të qartë të mendimit dhe stilit të tij. Megjithatë, ai nuk është një monografi e thelluar që analizon jetën dhe veprën e tij në mënyrë të detajuar
A është koha e duhur?
Duke pasur parasysh rëndësinë e kohës dhe nevojën për reflektim të thelluar mbi historinë tonë bashkëkohore, si dhe për të dhënë një kontribut shkencor të mirëstrukturuar për kujtesën kolektive, është me të vërtetë koha e përshtatshme që një institucion me peshë dhe autoritet shkencor si Akademia e Shkencave të marrë përsipër këtë përgjegjësi. Një monografi e tillë do të pasurojë literaturën ekzistuese dhe do të mundësojë një kuptim më të plotë dhe më të balancuar të personalitetit dhe rolit të Rugovës në
historinë moderne shqiptare.