Jusuf Buxhovi: NEVERIA DHE VETËNEVERIA… Tregim. (Një bisedë e imagjinuar me Shopenhauerin)

Lexuesi i zellshëm i Shopenhauerit, me veprën e të cilit që prej dyzet e sa vjetësh ishte ushqyer shpirtërisht dhe thuajse kishte kaluar kohën më të madhe në mundimin se ç´paraqet në të vërtetë bota si vullnet e përfytyrim dhe si pasqyrohet ajo në vetëdijen tonë individuale dhe shoqërore, kishte zënë të bashkëbisedonte me të rreth ndjenjës së neverisë dhe vetëneverisë, që ai e kishte zënë ngoje kur vlerësonte realitetet nëpër të cilat kalone, që i vinin gjithnjë e më dëshpruese.
Natyrisht se për lexuesin e zellshëm, bashkëbisedimi i vonshëm me filozofin e dashur dhe thuajse të vetëm, me të cilin pareshtur merrej, sikur me përpikëri ndiqte rrugën e ngritjes dhe të dëshpërimit shpirtëror të vetë autorit, nëpër të cilën ai kishte kaluar, nga shpjegimi se çfarë paraqet bota si vullnet dhe përfytyrim, e deri tek sqarimi se ky kuptim dhe vetëkuptim përfundon me vlerësimin e pashmangshëm të pranimit të ndjenjës së neverisë dhe të vetëneverisë…
Por, ai nuk dëshironte të pajtohej me ndjenjën e neverisë dhe të vetëneverisë, edhe pse kishte bindjen se mësimet e filozofit nuk i luante as topi. Sepse, druante se ashtu do t’i shembej besimi në atë që më së shumti e kishte ushqyer shpirtërisht dhe e kishte mbrojtur nga trysnia e jashtësisë së zhveshur nga vlerat e qëndrueshme, që përditë e më shumë rrezikoheshin nga jovlerat.
Në atë përpëlitje mendjeje me filozofin, një ditë madje do t’i bëhej se ai do t’i shfaqej dhe me të do të bisedojë – pse neveritej kur atë e kishte pranuar si çështje të vetënjohjes së veçantë, si një katarsis të domosdoshëm nëpër të cilin duhet kaluar secili? Ia kishte shtruar pyetjen se mos kjo ka të bëjë me atë të pritshmen, që mund të jetë edhe e papritshme e pritshme, njëherësh, kur ideali zëvendësohet me të kundërtën, gjë që filozofi ia kishte kthyer se pikërisht për këtë bëhet fjalë…
LEXUESI: “Po nëse thuhet se edhe e papritshmja është e pritshme, siç është, në disa rrethana, edhe e pamundshmja e mundshme, atëherë ku është këtu kuptimi i keqkuptimit?…”
FILOZOFI: Tek sjellja e atij që duhet të bëjë dallimin midis të lejueshmes dhe të palejueshmes, midis të mirës dhe të keqes, dhe këtë ta shprehë haptas, pa hezitim në vend se të fshihet pas heshtjes…
LEXUESI: “Mos kjo ka të bëjë me atë se nganjëherë edhe heshtja flet vetë, se ashtu shfaq mosmiratim dhe refuzim madje?
FILOZOFI: Këtu zaten i kanë rrënjët edhe ato përdorimet dhe keqpërdorimet e njohura, nga ato se ajo si e artë paraqet refuzim dhe në tjetrën anë miratim, që shfrytëzohen në drejtimet e kundërta…
LEXUESI: “Megjithatë, dikur flisnit për heshtjen si virtyt, apo jo?…”
FILOZOFI: Kjo vlen kur kërkohet që vendin e saj t’ia zërë jovlera, si krah i së keqes, kur kërkohet deklarimi për marrëzinë…
LEXUESI: “Por, si të bëhet dallimi midis njërës (si vlerë) dhe tjetrës (si jovlerë), kur ato varen nga fuqia e ushtrimit të pushtetit mbi to?…
FILOZOFI: Matën me atë ku ideja e parë nënkupton sistemin e vlerave, ndërsa tjetra, promovimin e antivlerave si vlera…
LEXUESI: “A nuk duket kjo si njëfarë kundërthënie e pashmangshme, ngaqë për dikë ndërtimi, nënkupton vlerë, ndërsa për tjetrin, rrënimi, poashtu paraqet vlerë dhe arsyetohet me atë se nuk mund të ketë vlerësim pa zhvlerësim dhe anasjelltas, që pastaj e gjitha të shpjegohet edhe me parimin e ndryshimit, më të rëndësishmin ndër dhjetë sosh të dijeve të vjetra?…”
FILOZOFI: Parimi i ndryshimit nuk do të thotë rrënim. Përkundrazi, kjo ka të bëjë me përmirësimin e së së vlefshmes në një proces të përhershëm zhvillimor. Në të kundërtën, kthehet në rrënim…
LEXUESI: “Thuhet se e reja nuk vjen ndryshe?…”
FILOZOFI: Po të ishte fjala për ato që çojnë përpara, pra kur të vlefshmen e bëjnë edhe më të vlefshme, kjo do të ishte e pranueshme. Në të vërtetë, absolutizimi i së resë si zhvillim, jashtë asaj që ndryshimi të zëvendësohet me vlerë , që ka të bëjë me vendosjes e më të mirës, kjo paraqet rrënim, zhvlerësim të së vlefshmes…
LEXUESI: “Kur jemi te kjo çështje, Ju vlerësoni se për fat të keq, e keqja përherë gjen më shumë pëkrahës dhe se kjo paraqet arsye për neveri, që e shihni thuajse kudo… Mos do të thotë kjo absolutizim i së keqes?
FILOZOFI: Dëshpërimi im ka të bëjë pikërisht me ndjenjën e neverisë që po e përjetoj si vetëneveri…
LEXUESI: “Po pse ashtu, or?…”
FILOZOFI: Sepse, edhe unë jam qenie njerëzore…
LEXUESI: “Duket se kështu pranohet disfata e idealit të vendosjes së pushtetit të më të mirës në dobi të pushtetit të së keqes?…”
FILOZOFI: Vetëm me vetëneveri mundet neveria… Bëhet ai vetëpastrimi i domosdoshëm i qenieve të vetëdijshme…
(Nga “Jeta Lakuriqe”, 2009)
….