VARGJET E MIA SI FËMIJTË E PLEQËVE
Vargjet e mia
janë si fëmijtë e pleqeve,
pa i marrë
kush perdore në shkollë,
pa i çue kush në park
a në plazh asnjë dite.
Emrin e prindërve
duan ta harrojnë kur prezantohen,
askush nuk u tha djali i bosit,
i presidentit
a vajzë e shefit te policies.
Çuditem që disa i duan…
Duke fshire puthjet e pleqeve me dore janë rritë.
As dasma nuk bejnë kur martohen,
as ditëlindje nuk festojnë,
pa babë e nanë nuk bëhet vallja,
e paret lumë per orkestren nuk hidhen,
edhe pse fëmijë pleqesh,
pa silikon i kanë faqet e gjinjtë….
ANI, ANI…VDEKJA KA NISË ME ARDHË
Vdekja ka nisë me ardhë…
Kapuçët e gjunjëve me eshtnit e kembëve kanë nisë me u zanë,
rezët e dyerve
kanë ngelë pa vaj,
ditë e natë rrinë tuj cijatë…
E prapë kurr nuk ndalem,
deri në fund kam me ecë.
Vdekja ka nisë me ardhë,…
Kurrizi nuk është ma drejt,
mullar bari
njanue prej bore,
hangër fundin
prej dhenëve n’trolli
pa e sos dimri krejt.
E prapë ashtu me kurriz të kthyem
deri në fund nuk do të ndalem, kam me ecë.
Vdekja ka nisë me ardhë…
Gjyksi gjuhet hucla,
kërcet kokrrizi n’shikulla n’bjeshkë,
fryma hyn e del ngadal
pa u ndie
si postagjia nën brrylë t’lokës,
n’margëz t’oxhakit tuj u zhagitë poshtë e përpjetë.
E prapë do të marrë frymë deri në fund,
kurr nuk do të ndalem,
kam me ecë.
Vdekja ka nisë me ardhë…
E kryet ka nisë t’ushtoj,
vegshi me çorbë plancash n’prush tuj u derdhë,
hini e avulli nuk le me i pa veringtë e oxhakit vjerrë.
E prapë kryet do ta çoj deri në fund,
me kryet lart kurrë nuk do të ndalem,
kam me ecë.
E në fund,
kur trupin tim ta mbulojnë me dhe,
vdekjes do i them kot e ke moj bushtër,
e n’gjuhën time të dytë,
fak ju ( fuck you ).
Mbaje trupin tim ku të duash,
e kur të duash,
në vendlindjen time
shpirti im ka me ecë.
KUAJT E EGËR
Në gurrën time të muzës
pi ujë bashkë me kuajt e egër.
Vrapojnë
me vargjet e mia
pa shalë e pa fre.
Duke ju hedhë kokrra drithi e kripë në rrasa,
pa dashtë i zbusë,
i trembë.
E harroj,
nuk mbetën ma trima
vargjet e mia.
Sepse,
kuajt e egër
nuk janë të egër më.
VAJZAT E BUKURA
Arti i vërtetë a magji
derdhë në krahët e tyre,
mbi lule e gjethe fluturojnë në ditët plot diell të pranverës.
Larg në fluturim
marrin gjithçka me vete,
moshën nuk jua njohim,
as emrat, as adresën,
…vetëm bukuria e tyre
në sytë tanë mbetet.
Nga lart shikojnë gjithë botën,
e ne mbetemi me sy prej tyre gjithë jetën.
Vetëm të bukura janë fluturat,
si askush tjetër në botë
ato nuk kanë emër tjetër…
TEK BLINI I POETIT
( me rastin e Një vjetorit te vdekjes se poetit Sejdi Berisha )
Erdhën zogjtë,
sot ata nuk çukitën,
paluan flatrat e heshtën…
Kaluan një vit,
pa ciu, ciu n’ato degë blini,
e sot, pika loti
u nxori syri.
Me ciu, ciu u turren prapë drejt qiellit,
tani edhe me kengë në gojë,
poeti e kishte lenë tekstin e saj,
aty në Pejë tek Blini.
Numri 53….?!
Kerkova nje express
në kafe Europa,
më dhanë një numër 53
E piva atë numbër
dhe dola…
Kush hyri në kafe,
kush doli..?!
Numri 53,
në Tiranën time
me vete me mori…
MEDALJET E VYSHKURA
Gardhet e rrëzuara
zogjtë kanë ikë,
shtëpi të vjetra,
dyer e dritare shkyer.
Blloqe të mykura,
konspekte të verdha,
germa fshirë
në marimangë raftesh thyer.
Avlitë,
me tesha të vjetra n‘qyshke
plot harrna e kopsa zboresh,
kapuça vullnetarësh me yll,
të djegura e të shkyeme hedhur nga era, kundërmojnë kalbësirë.
Oborret me hapat e shekujve avulluar përtej deteve e oqeaneve,
heshtur rrinë.
Kujtimet gumëzhojnë në ëndrra,
valët e celularëve
qiellin e kanë nxirë,
në oborre
lloj lloj barishtesh, brushtullash e lulesh të trembura kanë mbirë.
Për të nesërmen
a kështu nis lavdia…
Vetëm kujtime,
flamur i shpalosur në valle, medalje të vyshkura,
në qafë të kërrusura,
si zilet e shurdhta
në qafë të rjepura dhishë.
A MATET ÇMENDIA
Tymnajë
prej një grunishteje
e pa korrë,
e pa mbjellë.
Prej flakëve
poligonet flakërojnë,
topat gjëmojnë,
njerëzit matin çmendinë
me britma deri te retë
të vdekurit heshtin në varreza
kqyrin njëri tjetrin
e pyetin veten
me pse?!
E DUA NJË ROSA PARKS
Një “Jo” i tha Rosa Parks poshtrimit.
Pa bërtitur,
Pa nerva,
Pa u shtyrë.
Duke shikuar nga dritarja….
Një “Jo” i thanë të gjithë ata që ishin si Rosa,
të lodhur duke u dorëzuar….
Amerika dëgjoj,
e nisi lirinë me një grua
që ndejti ulë,…
me dinjitet,
me guxim.
E dua një Rosa Parks
të lindë në vendin tim.
Ulë ti thotë “Jo” racizmit,
që po boshatis trojet tona.
Ulë ti thotë “Jo” denigrimit.
E dua një Rosa Parks,
që me “Jo” pa bërtitur
i tha “Po”,
më të fuqishmen “Po” për drejtësinë krejt botës e njerëzimit.
E dua një Rosa Parks.
ME MUNGON SHTRATI IM
Natë për natë,
muaj për muaj
e vite për vite
ana ime e krevatit
ka mbetë bosh
Edhe pse e shtrij trupin,
edhe pse e shtrij kryet,
gjumi që kur ika atë ditë prej vendlindjes
ka marrë ikjen
Kjo pagjumësi po më vret,
Do të doja të flija
në shtratin tim
DUKE PRITË MOTMOTET
Prushi në oxhak,
nuk do të shkrehet,
cungat e lisave të prerë
nuk duan ti shkrijnë shpejt rrathët,
duan ta mbajnë gjithë natën,
në kërcitjen e gotave, fëshfërimen e erës,
cicërimen e zogjëve.
Raftet e bredhave në guzhinë
rrinë hap,
“Ah” e “Oh” të druvarve duareshkë përcjellin si në gryka ushëtimen.
Në shtratin e mesnatës shkundjet e pemëve në trupa ndihen,
ajri mbushur me lëng gëzimesh dridhet,
tund perdet e trishtimit,
çelë dritaret e mëngjesit të parë,
uron si nusën e re
për mirëseardhjen ditën.
Majet e bredhave,
larat e borës ne shkrepa çelin të parat sytë e gëzimit,
dritën….
Analizë kritike e ciklit poetik “Ani, ani… vdekja ka nisë me ardhë” të Sami Mulajt
Cikli poetik i Sami Mulajt përfaqëson një poetikë të rezistencës ekzistenciale, të ndërtuar mbi një gjuhë të drejtpërdrejtë, dialektore dhe thellësisht metaforike, ku subjekti lirik lëviz midis kujtesës, trupit të konsumuar nga koha, atdheut të humbur dhe refuzimit të nënshtrimit moral. Poezia e Mulajt nuk synon zbukurimin estetik, por artikulimin e së vërtetës përmes një realizmi poetik të ashpër, shpesh brutal, por gjithnjë njerëzor.
Në qendër të ciklit qëndron trupi si arkiv i historisë personale dhe kolektive. Në poezinë “Ani, ani… vdekja ka nisë me ardhë”, degradimi fizik (gjunjët, kurrizi, fryma, koka) nuk është thjesht shenjë e plakjes biologjike, por metaforë e një jete të rënduar nga puna, malli, përjashtimi dhe migrimi. Përsëritja insistuese e vargut “kam me ecë” ndërton një diskurs stoik të qëndresës, ku ecja shndërrohet në akt ontologjik: të jetosh do të thotë të mos ndalesh, edhe kur vdekja është tashmë në lëvizje.
Një tjetër bosht tematik i rëndësishëm është margjinaliteti, i artikuluar me ironi dhe empati në poezinë “Vargjet e mia si fëmijtë e pleqëve”. Këtu poeti ndërton një alegori të krijimit artistik si krijesë pa mbrojtje sociale, pa patronazh, pa pushtet dhe pa trashëgimi simbolike. Vargjet, ashtu si fëmijët e pleqve, rriten pa ceremoni, pa festë dhe pa legjitimitet institucional, por pikërisht për këtë arsye mbartin autenticitet etik dhe estetik.
Motivi i kujtesës dhe harresës shfaqet fuqishëm në poezitë “Tek blini i poetit”, “Medaljet e vyshkura” dhe “Me mungon shtrati im”. Kujtesa nuk është nostalgji romantike, por një hapësirë e dhimbshme e mungesës, ku objektet (blini, numri 53, shtrati, medaljet) funksionojnë si shënjues semiotikë të një identiteti të copëzuar. Medaljet e vyshkura, veçanërisht, përfaqësojnë ironinë e lavdisë së konsumuar, ku heroizmi i dikurshëm mbetet vetëm si relike në qafa të kërrusura, pa kuptim për të tashmen.
Në dimensionin shoqëror dhe politik, poezia “E dua një Rosa Parks” shënon një hapje intertekstuale universale, ku poeti kërkon një figurë të rezistencës morale për realitetin e vet. Refuzimi pa britmë, “Jo”-ja e qetë, shndërrohet në akt suprem të dinjitetit njerëzor, duke e zhvendosur poezinë nga ankthi individual drejt etikës kolektive të drejtësisë.
Stilistikisht, Mulaj ndërton vargje të lira, me ritëm të brendshëm, të mbështetura në imagjinatë konkrete rurale (oxhaku, drutë, bari, kuajt, bjeshkët), duke krijuar një poetikë tokësore, ku gjuha lidhet fort me vendin, trupin dhe përvojën. Dialekti nuk është zgjedhje folklorike, por strategji estetike për të ruajtur autenticitetin e përjetimit.
Në përfundim, ky cikël poetik përfaqëson një poezi të ndërgjegjes, ku vdekja, malli, kujtesa dhe rezistenca bashkëjetojnë në një diskurs të ngjeshur dhe të sinqertë. Sami Mulaj afirmohet si një zë poetik që nuk kërkon të shpëtojë botën, por të dëshmojë për të, dhe pikërisht në këtë dëshmi qëndron fuqia e tij artistike
Poetika e Sami Mulajt mund të krahasohet, në plan shqiptar, me lirizmin e Ali Podrimjes, sidomos në mënyrën se si trupi, mungesa dhe atdheu i humbur shndërrohen në kategori ekzistenciale dhe jo thjesht tematike; si te Podrimja, edhe te Mulaj fjala është e zhveshur nga ornamentet dhe e ngarkuar me dhimbje të përmbajtur etike. Në plan ndërkombëtar, afërsia më domethënëse shfaqet me Charles Bukowski-n, jo për cinizmin urban, por për realizmin e ashpër, refuzimin e hipokrizisë estetike dhe insistimin në të vërtetën personale si akt rezistence; megjithatë, ndryshe nga Bukowski, Mulaj e ankoron poezinë në kujtesën kolektive, në vendlindje dhe në moralin komunitar. Në këtë kuptim, poezia e tij qëndron në një udhëkryq midis lirizmit tragjik ballkanik dhe realizmit ekzistencial modern, duke ruajtur një zë të veçantë dhe të dallueshëm.
Urime Sami për këto poezi të reja!
Dr. Mujë Buçpapaj


















