Nënë Tereza, vajza shqiptare me emrin“Gonxhe”, rikthimi në tokën mëmë dhe një jetë e tërë që u shndërrua në një mesazh universal dashurie dhe paqeje.
Nuk do të ndalem gjatë për të rrëfyer se kush ishte Nënë Tereza. Emri i saj tashmë i përket historisë së botës. Të gjithë e njohin gruan e vogël që ia kushtoi jetën të varfërve, të sëmurëve, të braktisurve dhe atyre që jetonin në jashtë caqeve të shoqërisë. Të gjithë e njohin themeluesen e Misionareve të Bamirësisë, murgeshën që e shndërroi dhembshurinë në një moto e mision të përditshëm dhe dashurinë për qenien njerëzore në qendër të jetës së saj. Të gjithë e njohin gruan që u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1979 dhe u shpall shenjtore nga Kisha Katolike në vitin 2016.
Por ta rrëfesh Nënë Terezën vetëm përmes veprave të saj, do të ishte një përshkrim i mangët.
Për të kuptuar madhështinë e saj, duhet të kthehemi te zanafilla.
Para shenjtores së njohur në çdo kontinent, para çmimeve dhe imazheve që do ta bënin një nga figurat më të njohura të shekullit XX, ajo ishte thjesht një vajzë vogël, e lindur në Shkup, më 26 gusht 1910, në një familje shqiptare.
Emri i saj ishte Gonxhe.
Një emër i thjeshtë, delikat, pothuajse një pëshpërimë. E megjithatë, sot, duke parë të gjithë rrethin e ekzistencës së saj, duket sikur ky emër përmbante që atëherë një premtim të mistershëm.
Në naryrë Gonxhja nuk është ende lule: është një mundësi, një frymin i mbledhur në perale të vockla në heshtje, një premtim pranvere.
Ka nevojë për dritë, ujë dhe kohë; duhet të përshkojë erën dhe të ftohtin përpara se të mund t’ çelë petalet e saj.
Kështu ishte Gonxhe Bojaxhiu.
Një gonxhe e vogël, e destinuar të bëhej një lule, drita e së cilës do të kapërcente kufij, kontinente, gjuhë dhe kultura.
Fati i saj ishte i shkruar dhe i përmbledhur në një emër të thjeshtë, por me domethënie të madhe.
Të gjithë e dimë se ekzistojnë emra të veçantë që shoqërojnë një jetë.
E më pas janë emra të tjerë që, me kalimin e viteve, duket sikur e rrëfejnë vetë jetën e atij që e mbart.
Emri i Nënë Terezës, Gonxhe, i përket kësaj kategorie të sapo përmendur.
Në vetvete, Gonxhja përfaqëson atë që ende duhet të mbijë, të manifestohet; atë që jeton në thellësi të tokës, përpara se t’i shfaqet dritës.
Në brishtësinë e saj, toka që e “pret” ruan një forcë të padukshme: forcën e jetës që këmbëngul të çelë, të rritet, duke kërkuar hapësirën e vet në botë, për t’u përhapur.
Që fëmijë, Gonxhja la vendlindjen e saj për të ndjekur evokimin fetar, duke mbërritur në Indi. Atje nisi një rrugëtim që do ta udhëhiqte drejt një kuptimi të ri kundrejt varfërisë: jo thjesht si një realitet për t’u vëzhguar, por si një hapësirë njerëzore ku duhej hyrë me respekt, mëshirim dhe dashuri.
Në Kalkutë takoi njerëz që bota shpesh i shpërfillte dhe preferonte të mos i shihte: të sëmurë, jetimë, njerëz në grahmat e fundit të jetës, njerëz pa familje dhe pa çati.
Burra dhe gra që, përtej varfërisë materiale, njihnin një formë edhe më të dhimbshme vetmie: atë, të ndihesh i harruar nga gjithçka dhe nga të gjithë.
Nënë Tereza kuptoi se, përpara se të mund të ndryshohej gjendja e një njeriu, ishte e nevojshme t’i rikthehej diçkaje thelbësore: vetëdija se e donin dhe se zotëronte një dinjitet që asnjë mjerim nuk mund ta fshinte.
Misioni i saj lindi pikërisht nga kjo bindje.
Jo gjithmonë mund t’i japim një dimension zvogëlues apo ta zhdukim dhimbjen.
Por mund të bëjmë gjithçka që të mos lejojmë që dikush ta përshkojë atë i vetëm.
Pas kaq vitesh, duke shpërndarë “ushqim shpirtëror” për ata që ushqeheshin me vetminë dhe braktisjen, e imët fizikisht, pothuajse e brishtë, Nënë Tereza mbante në fytyrë gjurmët e një jete të shpenzuar pa u kursyer.
Petku i thjeshtë, i bardhë, me konturet blu, u bë imazhi i saj i përhershëm.
Ajo u trasformua në një gonxhe, rritur në kaltërsinë e qiellit, me dritën hyjnore mbi tokë.
Ajo nuk kishte nevojë për simbole pushteti. Autoriteti i saj buronte nga ajo që bënte: nga duart që përkëdhelnin, nga hapat që e çonin drejt nevojtarëve, nga aftësia për t’u ndalur përpara kujtdo që kishte nevojë për të.
Madhështia e saj nuk shfaqej përmes gjesteve spektakolare, por në përditshmërinë e thjeshtë.
Një dhomë. Një shtrat. Një i sëmurë. Një dorë për ta shtrënguar. Një vështrim nga i cili nuk duhesh8n larguar sytë, për t’i dhënë shpresë dhe kurajë.
Nënë Tereza jetoi në një epokë në të cilën pushteti po merrte gjithnjë e më shumë epërsi, e megjithatë ajo zgjodhi rrugën e kundërt: u bë e vogël në sytë e botës për të qenë e madhe në shërbim të njerëzimit.
Dhe ndoshta pikërisht ky paradoks e ka bërë figurën e saj universale dhe të përjetshme.
Të gjithë e dimë se Nënë Tereza ishte një murgeshë, një misionare, një grua besimtare dhe një figurë gjigante e simbolike e paqes.
Por ekziston një imazh që, ndoshta më shumë se çdo tjetër, arrin ta rrëfejë atë: imazhi i një Nëne.
Një nënë që nuk u përkiste vetëm shqiptarëve. Një nënë e aftë t’u fliste drejtpërdrejt në zemër njerëzve të çdo kontinenti.
Ja pse do të mbetet Nëna e Njerëzimit.
Mëmësia, në kuptimin e saj më të thellë, nuk është vetëm një lidhje gjaku. Është edhe mbrojtje, përkujdesje dhe dëgjim.
Është të përkulesh përballë atij që vuan. Është të ngresh atë që ka rënë. Është të ofrosh praninë tënde kur gjithçka përreth duket se ka humbur.
Nënë Tereza e shndërroi këtë dimension prej nëneje, në një formë konkrete shërbimi.
Ndaj figura e saj vazhdon të flasë edhe përtej kufijve të fesë katolike.
Gjuha e saj themelore ishte pikërisht ajo e njerëzimit.
E megjithatë, pas figurës së saj universale, qëndronte heshturazi një grua thellësisht e lidhur me tokën e saj.
Shqipëria ishte atdheu i fëmijërisë, i familjes dhe i kujtimeve të saj.
Ishte toka nga e cila ishte larguar.
Toka në të cilën, për dekada të tëra, nuk mund të kthehej.
Regjimi komunist e kishte izoluar Shqipërinë nga bota dhe kishte vendosur një represion të ashpër fetar.
Kërkesat e Nënë Terezës për t’u rikthyer në vendin e saj, u refuzuan për një kohë të gjatë.
Ajo nuk kishte mundur të kthehej kur kishte vdekur nëna e saj.
Nuk kishte mundur ta shoqëronte motrën në çastin e lamtumirës së fundit.
Nuk kishte mundur të gjunjëzohej mbi varret e tyre.
Ndaj, largësia nga atdheu u bë edhe largësi nga dhimbja familjare.
E megjithatë, ajo nuk pushoi së shpresuari.
Në vitin 1989, pas vitesh e vitesh pritjeje dhe kërkesash, ajo portë e madhe më në fund u hap.
Nga 14 deri më 17 gusht të atij viti, Nënë Tereza vizitoi për herë të parë Shqipërinë.
Më në fund ishte kthyer.
Vajza e largët mund të shihte sërish tokën e saj.
Gonxhja – filizi, po rikthehej te rrënjët e saj.
E imagjinoj atë çast si një nga çastet më intime të jetës së saj.
Jo si Nobelisten e Paqes.
Jo si gruan e njohur nga njerëzit më të fuqishëm të globit.
Jo si murgeshën që kishte takuar botën.
Atë ditë, ajo ishte thjesht Gonxhja.
Vajza që u kthye.
Fëmija që, pas dekadash, gjeti sërish tokën nga ku kishte emigruar.
Ajo tokë që aq gjatë i ishte mohuar, nuk ishte më një imazh i ruajtur në kujtesë.
Toka mëmë ishte përsëri nën këmbët e saj… e thërriste…
Dhe ndërsa përqafonte sërish tokën mëmë, aq shumë të dashur, dukej sikur edhe toka vetë, më në fund po njihte bijën e saj.
Nënë Tereza u përkul…
E teksa puthte tokën e saj të dashur, një lot njomi gonxhen e sapo çelur.
Por ndoshta ai lot nuk ishte vetëm një lot.
Ishte shiu i të gjitha viteve kaluar larg.
Ishte kujtimi i nënës. Ishte dhimbja e largësisë.
Ishte pritja. Ishte rikthimi.
Ishte dashuria për një tokë që, pavarësisht heshtjes dhe largësisë, kishte vazhduar të jetonte brenda saj.
Dhe këtu, historia e Gonxhes duket sikur prek misterin e shenjtërisë.
Seps në traditën e krishterë, ekziston një tjetër imazh që arrin të flasë përmes gjuhës së luleve: ai që lidhet me Shën Margaritën e Antiokisë.
Sipas një tradite agjiografike, një lule kishte çelur mrekullisht nga guri, duke u bërë shenjë e pranisë dhe dlirësisë së saj.
Guri, simbol i asaj që duket i pafrymë, pajetë, i palëvizshëm, mbin e çel kështu edhe mbi të pamundurën: një gonxhe, një lule.
Dhe atëherë na vjen natyrshëm të mendojmë për Gonxhen, Nënë Terezën..
Atje ku historia kishte lënë një çarje, një lot.
Atje ku largësia e kishte bërë tokën pothuajse gur.
Atje ku për dekada dukej i pamundur kthimi, më në fund një bijë gjunjëzohet, fundos duart nën tokë për të prekur dhe për të ndierë aromën e rrënjëve e puth dheun e saj nga ku kishte mbirë.
E nga loti çeli imazhi reflektues i lulëzimit.
Ashtu sikurse lulja e traditës së Margaritës që çeli nga guri, po ashtu edhe Gonxhja duket sikur rilindi në tokën e rigjetur; e jo më vetëm si një lule… Loti i saj u bë rrëke shiu. Toka u bë prehër.
Dhimbja u bë kujtim.
Dhe Gonxhja u shndërrua dhe mbeti Dritë Hyjnore.
Ndoshta ky është kuptimi më misterioz që përmban emri i saj: Gonxhe nuk tregon vetëm atë që ishte, por edhe atë që më pas do të bëhej.
Një gonxhe e aftë, të mbinte e lulëzonte edhe atje ku historia do të linte epitafe të gdhendura në gurë kujtese, për të gjithë ata që ishin refuzuar, mohuar, dënuar.
Me Të nuk ia dolën, sepse Zoti e rrotulloi boshti në kohën e duhur… për të tjerët dhe për Të.
Kthimi i saj nuk kishte nevojë për fjalë apo bujë.
Mjaftoi një hap.Një aromë. Një pamje. Një rrugë.
Një copëz toke.
Atdheu nuk është vetëm një hapësirë gjeografike në hartë; është përkatësi.
Është një pjesë e identitetit tonë që mbetet i gjallë edhe kur jemi larg.
Për Gonxhe Bojaxhiun – Nënë Terezën, Shqipëria përfaqësonte pikërisht të gjitha këto.
Rikthimi i saj kishte një kuptim që shkonte përtej historisë së saj personale.
Ishte kthimi i një bije që për shumë vite e kishte pasur portën e shtëpisë së saj të mbyllur përpara vetes.
Ishte kthimi i një gruaje që kishte përshkuar botën për të ndihmuar të tjerët dhe që, në fund, dëshironte vetëm të mund të shihte sërish tokën e saj.
Historia e Nënë Terezës dëshmon se mund të bëhesh qytetar i botës pa pushuar së përkituri rrënjëve të tua.
Edhe pse u bë universale, Gonxhja nuk hoqi dorë kurrë nga identiteti i saj shqiptar, ballkanik.
Përkundrazi, pikërisht ajo rrënjë e refuzuar nga diktatura, pothuajse e mohuar, u bë pjesë e forcës së saj.
Dhe sa herë flitet për Të, priremi të kujtojmë mbi të gjitha Dritën.
Për fat të keq, çdo jetë autentike njeh edhe hijen.
Pas imazhit të murgeshës së fortë, të palodhur dhe gjithmonë e gatshme për t’u dhuruar të tjerëve ndihmën e duhur, ekzistonte një dimension i brendshëm shumë më kompleks, i shënjuar edhe nga periudha përvëluese të thella shpirtërore dhe vuajtjeje.
Dhe pikërisht kjo e bëri atë akoma dhe më humane.
Paqja e brendshme nuk do të thotë domosdoshmërisht të jetosh pa mundime.
Ndonjëherë do të thotë të vazhdosh ta kërkosh atë pikërisht atëherë kur dhimbja duket se ka errësuar gjithçka.
Nënë Tereza vazhdoi t’u shërbente të tjerëve edhe në çastet kur, brenda vetes, përshkonte heshtjen.
Ndoshta kjo është një nga format më të vështira të guximit: të vazhdosh të dhurosh dritë kur nuk arrin më ta ndiesh atë brenda vetes.
Më 5 shtator 1997, Nënë Tereza kapërceu portën hyjnore.
Ajo nuk vdiq; thjesht ndërroi portë, vazhdoi të mbijë, duke jetuar përmes asaj që la pas.
Trashëgimia e saj shkoi përtej pasurive materiale.
Ajo la pas veprën e saj njerëzore, e cila vazhdoi përmes Misionareve të Bamirësisë, kongregacionit të themeluar prej saj.
Në vitin 2016, Kisha Katolike e shpalli shenjtore.
Por përtej vlerësimeve dhe nderimeve, mbetet një pyetje e përbashkët por thelbësore:
Çfarë mbetet vërtet nga një njeri kur gjithçka tjetër zhduket?
Përgjigjja është e thjeshtë.
Mbeten jetët që ka prekur.
Mbeten duart që ka shtrënguar.
Mbeten njerëzit që janë ndier më pak të vetmuar.
Mbeten gjestet e bëra kur askush nuk shikonte.
Mbetet shembulli.
Ngelet dhe do të mbetet burimi i saj i dritës, që vazhdon të çelë petale kudo në botë.
Dhe ndoshta kjo është forma më autentike e pavdekshmërisë.
E thotë vetë emri i saj…
Gonxhe. Gonxhe luleje.
Sa më shumë mendon për të, aq më shumë ky emër duket sikur merr kuptimin e një profecie.
Një gonxhe premton lindje, mirësi.
Premton vetëm lulëzim.
Nuk ka nevojë të imponohet.
Ka nevojë vetëm të çelë ndaj dritës.
Dhe jeta e Nënë Terezës ishte një lulëzim i gjatë.
U nis nga Shkupi kur ishte ende fëmijë, (një gonxhe), dhe arriti në skajet më të varfra të Indisë.
Përshkoi kontinente dhe takoi njerëz të çdo kulture.
Mori Çmimin Nobel për Paqen dhe njohu pallatet e të fuqishmëve, pa pushuar kurrë së kërkuari të varfërit.
Dhe kur më në fund u kthye në Shqipërinë e saj, nuk gjeti vetëm tokën mëmë, por edhe një pjesë të vetvetes.
Ndoshta ky është kuptimi më i thellë i emrit të saj. Gonxhe nuk ishte thjesht një emër.
Ishte një fat i madh që ruante brenda vetes një lule të vogël hyjnore. Dhe ajo lule çeli.
Çeli mes varfërisë së Kalkutës.
Mes duarve të të sëmurëve.
Pranë atyre që po vdisnin. Në buzëqeshjen e fëmijëve. Midis vuajtjesh. Në lutje. Në heshtje.
Dhe, më në fund, në tokën aq shumë të dashur prej së cilës gjithçka kishte nisur.
Sot mund ta shohim Nënë Terezën jo vetëm si një figurë të së kaluarës, por si një pyetje drejtuar së tashmes.
Të zhytur në luftëra, varfëri, indiferencë dhe vetmi, çfarë do të thotë vërtet të kujdesesh për tjetrin?
Ndoshta do të thotë të fillosh nga gjestet më të thjeshta. Nga një dorë e zgjatur. Nga një fjalë e mirë. Nga një vështrim i butë. Nga guximi për të mos e kthyer kokën në anën tjetër kur dikush të kërkon ndihmë për të siguruar sadopak ushqim.
Nënë Tereza nuk i la botës një formulë të ndërlikuar. Ajo la një dëshmi. Një jetë, të sajën… Një shembull. E mbi të gjitha, një emër:
Gonxhe. Gonxhja që lulëzoi kudo.
E njëjta gonxhe që një ditë u nis nga toka e saj dhe duke marrë me vete rrënjët, përshkoi botën.
E njëjta gonxhe që më në fund u kthye për të vendosur këmbët mbi tokën mëmë.
Dhe atëherë, ndërsa bija rigjendej në atdheun e saj aq të dëshiruar, mund ta imagjinojmë atë lot jo si një pikë të thjeshtë dhimbjeje, por si një pikëz të vogël rrebeshi dashurie.
Një lot njomi gonxhen pikërisht aty ku ishte mbjellë, dhe gonxhja lulëzoi, ashtu siç kishte bërë gjithmonë.
Ndaj, nga shpirti i saj i lënduar dhe i vuajtur, lindi një lule paqeje.
Ndoshta kjo është historia më e bukur e Nënë Terezës. Jo historia e gruas që “pushtoi” botën.
Por historia e një vajze që quhej Gonxhe, e cila mbante që në emrin e saj një premtim hyjnor të pranverës njerëzore.
Ky premtim vazhdon ende sot të lulëzojë.
Sepse Gonxhja dhe filizi i saj nuk i përkasin më vetëm tokës ku lindi apo jetoi.
Ajo i përket mbarë njerëzimit.


















