Prof. dr. Tritan Shehu: Nënë Tereza, pasaporta më e fuqishme e vlerave dhe e qytetërimit shqiptar në botë

E Shenjta Nënë Tereza, sot, në përkujtim të ditëlindjes së Saj, mbetet një prej figurave më të ndritura të kombit shqiptar dhe një nga personalitetet më të fuqishme që shqiptarët i kanë dhënë epokës moderne.

Nënë Tereza është shumë më tepër se një emër i madh i historisë sonë kombëtare. Ajo është një figurë emblematike e njerëzimit, një simbol universal i dashurisë, mëshirës, përkushtimit, sakrificës dhe shërbimit ndaj njeriut. Përmes veprës së saj, ajo e kapërceu çdo kufi kombëtar, fetar, kulturor e gjeografik, duke u shndërruar në një ndër figurat më të njohura dhe më të respektuara të botës.

Na takon, në radhë të parë, neve shqiptarëve ta kujtojmë dhe ta nderojmë me krenari këtë Grua të Madhe të kombit tonë, e cila, përmes humanizmit të saj të jashtëzakonshëm, frymëzoi mbarë botën dhe dëshmoi se madhështia e një kombi matet edhe me vlerat njerëzore që ai i dhuron qytetërimit.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Nënë Tereza përbëjnë, në historinë dhe ndërgjegjen tonë kombëtare, një lloj “dueti” madhor, dy figura të jashtëzakonshme që, në epoka të ndryshme, i kanë treguar botës forcën, dinjitetin dhe potencialin e madh të kombit shqiptar. Skënderbeu mishëron qëndresën, lirinë dhe mbrojtjen e qytetërimit; Nënë Tereza mishëron dashurinë, paqen, humanizmin dhe sakrificën për njeriun.

Në këtë kuptim, Nënë Tereza është një nga “pasaportat” tona më të fuqishme në botë: një pasaportë e identitetit shqiptar të lidhur me mbrojtjen e qytetërimit, lirisë, dinjitetit njerëzor dhe vlerave universale.

Prandaj, përkujtimi i saj nuk duhet të jetë vetëm një akt simbolik në kalendarin kombëtar. Ai duhet të jetë një moment reflektimi mbi vlerat që ajo përfaqësoi dhe mbi përgjegjësinë tonë për t’i mbajtur ato gjallë. Në një botë që ka nevojë më shumë se kurrë për solidaritet, paqe, humanizëm dhe respekt për jetën e dinjitetin e çdo njeriu, mesazhi i Nënë Terezës mbetet jashtëzakonisht aktual.

Ajo na la një trashëgimi që nuk i përket vetëm Shqipërisë, por mbarë njerëzimit. Megjithatë, ne shqiptarët kemi një detyrim të veçantë: ta ruajmë me dinjitet kujtesën e saj, ta përcjellim veprën dhe mesazhin e saj te brezat e rinj dhe ta bëjmë pjesë të pandashme të identitetit tonë kombëtar.

Nderimi për Nënë Terezën është, njëkohësisht, nderim për Shqipërinë dhe për atë pjesë të shpirtit shqiptar që, përmes saj, u bë zë i fuqishëm i humanizmit në botë