Komunistët na masakruan, sepse kur i pari i fisit pyeti ‘Me kë do mbesë Kosova pas Luftës’…
Publikohet historia e panjohur e familjes së madhe Metaliaj me origjinë nga Dragobia e Tropojës, të cilët pasi kishin mbështetur Fan Nolin për shkak të lidhjes familjare që ata kishin me Bajram Beg Currin, edhe gjatë periudhës së Monarkisë, nuk patën konflikte me Mbretin Zog, pas ndërmjetësisë së Tahir Hoxhës, dhëndrit të Metaliajve, që ishte ushtarak i lartë dhe besnik i Mbretit. Angazhimi i familjes së madhe Metaliaj në Luftën Antifashiste duke luftuar me armë në dorë me forcat nacionaliste dhe ato partizane, deri në territorin e Jugosllavisë së asaj kohe. Si nisi konflikti dhe “çarja” përfundimtare e asaj familje të madhe me tradita patriotike me regjimin komunist të Enver Hoxhës që pas mbledhjes me kreun e komunistëve kosovarë, Fadil Hoxha, në fshatin Dragobi, në pranverën e vitit 1944, kur i pari i tyre, Sali Jaha, e pyeti atë se me kë do bashkohej Kosova pas mbarimit të Luftës, gjë e cila solli më pas masakrimin e asaj familje që pati 3 burra të pushkatuar, 7 të burgosur, 5 të arratisur dhe 15 familje të internuara.
“Në pranverën e vitit 1944, në krahinën tonë u bë një mbledhje e madhe ku morën pjesë disa nga krerët komunistë të asaj treve dhe bashkë me ta ishte dhe kreu i komunistëve kosovarë, Fadil Hoxha. Në atë kuvend ku morën pjesë të gjithë burrat e katër fshatrave të zonës sonë, Fadil Hoxha me krerët e tjerë të dërguar nga Partia Komuniste Shqiptare, u shprehën se fitorja e tyre ishte punë ditësh dhe të gjithë ne malësorët që ishim aty duhet të bashkoheshim rreth asaj Partie dhe vëllëzërve jugosllavë me në krye Josif Broz Titon. Ata e cilësuan Titon dhe Jugosllavinë si “Vëlla të Madh” të shqiptarëve dhe kush ishte kundër tyre, ishte dhe kundër Shqipërisë. Ndërkohë që ata na kërkuan t’u jepnim besën për ato fjalë që binin erë tradhëtie, i pari i familjes sonë, Sali Jaha, që megjithëse ishte rreth 75-vjeç, u ngrit në këmbë dhe sipas të gjitha rregullave të kuvendit të burrave, kërkoi leje për të folur. Pasi iu dha fjala, ai i i’u drejtua Fadil Hoxhës dhe të gjithë komunistëve të tjerë që drejtonin atë mbledhje, duke u shprehur: ‘Desha me thanë, mirë se na e fituem luftën, po Kosova me kë do të jesë (mbetet) pas kësaj’?! Një nga ata që ishte më afër Fadil Hoxhës, u përgjigj: ‘Kosova mbeti me Serbinë, por ne jemi vëllezër me jugosllavët dhe nuk kemi që të ndame’. Pas kësaj, Sali Jahës, i rëshqitën disa pika lot prej syve dhe duke e përmbajtur veten, i’u drejtua atyre duke u thënë: ‘Paçi faqen e zezë, se ju e paski shit Kosovën’! Pas fjalëve të Sali Jahës që u miratuan në heshtje nga shumë prej të pranishëmve në atë kuvend, mbledhja u prish. Ndërsa Fadil Hoxha ishte duke ikur, ai la porositë që të shikohej qëndrimi i atij burri dhe emrin e tij e shënoi me laps në bllokun që kishte me vete”. Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për Memorie.al është 76-vjeçari Mal Metaliaj, njëri nga pinjollët e familjes së njohur nga Dragobia, me banim në SHBA-ës, i cili rrëfen të gjithë historinë e asaj familje të madhe, ku të parët e saj luftuan me armë në dorë kundër turqëve e serbo-malaze-zëve, e më pas u persekutuan nëmënyrën më barbare nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Po kush janë Metaliajt, cila është origjina e asaj familje dhe si rrodhi historia e saj që nga periudha e pushtimit osman, në vitet e Monarkisë së Zogut, në kohën e Luftës Antifashiste dhe pas ardhjes së komunistëve në pushtet?
Metaliajt e Dragobisë, shtëpi pushke dhe bujare
Origjina e familjes Metalia apo siç është njohur ndryshe edhe me mbiemërin Jahelezi, është nga fshati Dragobi i rrethit të Tropojës. Ai fshat malorë të cilin e përshkon mes për mes rruga që lidh Malësinë e Mbi-Shkodrës me atë të Gjakovës që të shpie në Pejë-Prishtinë etj, është tepër i përmëndur prej burrave të shquar që ka nxjerrë në thellësitë e shekujve. Një një prej tyre ka qenë edhe Bajram Curri, apo siç njihet ndryshe “Plaku i Maleve”, që mbeti i vrarë në vëndin e quajtur Shpella e Dragobisë, e cila prej asaj ngjarje ka hyrë dhe është bërë mjaft e famëshme në historinë e Shqipërisë. Familja Metalia, apo siç e njohin ndryshe banorët e atyre anëve rrëzë Alpeve të Veriut “Jahelezajt”, është autoktone dhe jeton në atë fshat që prej disa shekujsh. Sipas disa gojdhënave të mbështetura edhe në breznitë e asaj familje, mendohet se të parët e saj janë vendosur në atë fshat që përpra periudhës së Skënderbeut, ndoshta që nga viti 1380-të. Ky fakt lidhet edhe me anën besimit fetar të asaj familje e cila fillimisht ka qenë e besimit katolik dhe më pas nga faktorët e rrethanat e ndryshme ajo është islamizuar. Burrat më të moshuar të familjes Metalia, të cilët jetojnë në fshatin Dragobi, në Mamurras të Kurbinit si dhe në SHBA, në memorien e tyre i kanë ruajtur deri në ditët e sotme të gjithë emrat e të parëve të trungut të saj. Mendohet se i pari i tyre është quajtur Kol Maçi, i cili ka lindur në fillimin e shekullit të XIV-të. Pas tij vijnë me rradhë: Prek Kola, Curr Preka, Ali Curri, Met Alia, Elez Dema, Jah Elezi dhe Sali Jaha, i cili është dhe i fundmit nga burrat e asaj familje që është njohur si kryetar i atij fisi. Nga një degë e trungut të familjes Metalia, ka qenë edhe Bajram Curri, babai i të cilit, Shaqir Curri, ka qenë kushëri i parë i Jah Elez Currit të Dragobisë, një prej burrave më të përmëndur dhe më në zë të familjes Jahelezi. Burrat e moshuar të familjes Metalia, rrëfejnë se vetë Bajram Curri, ka lindur në qerre, kur familja e tyre ka qenë duke u shpërngulur prej dyndjeve të hordhive osmane në atë krahinë. Jah Elez Curri, i cili ka lindur rreth vitit 1820-të, ka qenë një ndër burrat më të famshëm të atij fisi dhe ai është tepër i njohur si prijës e komandant i malësorëve të asaj krahine në luftrat kundër ushtrive osmane dhe atyre serbo-malazeze. Ndër betejat kryesore ku ai u bë tepër i njohur dhe mori emër të madh, kanë qenë ato të zhvilluara në Plavë Guci, si edhe më pas në Kosovë. Si rezultat i atyre luftrave, ai ka pasur një popullaritet të jashtëzakonshëm, jo vetëm në zonën e Dragobisë, por edhe në të gjithë Veriun e Shqipërisë. Figura e Jah Elez Currit është përjetësuar edhe në folklorin e asaj krahine dhe është përcjellë deri në ditët e sotme nga lahutarët e famshëm në këngët tepër karakteristike të asaj treve që shtrihet në Veri-Lindje të Shqipërisë. Në një nga këngët që i kushtohen Jah Elez Currit, midis të tjerash thuhet:
“Jah Elezi në goxhup të dhisë
si dragua i ka dalë para ushtrisë”
Thuhet se kjo këngë që i kushtohet atij prijsi ushtarak të dragobiasve, është kënduar që prej 170 vjetësh. Për Jah Elez Currin tregojnë, se ai nuk e hoqi pushkën nga dora deri në ditët e fundit të jetës së tij, edhe pse mbante më shumë se nëntë dekada mbi supe. Në vitin 1912-të kur Plaku i Vlorës, Ismail Qemali shpalli pavarsinë e Shqipërisë, Jah Elezi u zgjodh si delegat i asaj krahine për të shkuar në Vlorë, por për shkak të pamundësisë prej moshës së thyer, ai dërgoi djalin e tij të madh, Zeqir Elezin, i cili më 28 nëntor mori pjesënë ngritjen e flamurit. Vajtja e Zeqir Elezit në ‘Shpalljen e Pavarësisë’ në Vlorë, është përjetësuar edhe në filmin “Nëntori i Dytë”, ku ai është personifikuar me emërin Shpend Dragobia. Jah Elezi vdiq në vitin 1918-të në moshën 98-vjeçare dhe pas vdekjes së tij, vëndin e kryetarit të fisit e zuri Sali Jaha, njëri nga nëntë djemtë e tij. Si për koeçidencë, edhe Sali Jahës i lindën nëntë djem, ashtu si gjyshit të tij. Familja e njohur tropojane Jahelezi (Metalia) ka pasur një miqësi të ngushtë me shumë familje të tjera fisnike, si Sokoli e Shkodrës dhe Syky e Bregut të Matës. Në kullat tre katëshe të saj në fshatin Dragobi u pritën dhe u përcollën shumë burra me emër, si: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Muharrem Bajraktari, Brahim Jakup Sokoli, Gjon Nik Syku etj. Po kështu kulla e Metaliaj-ve në fshatin Dragobi, ka qenë gjithmonë e hapur dhe strehë e të gjithë udhëtarëve që u binte rruga të kalonin andej. Thuhet se çdo natë në një nga dritaret e asaj shtëpi qëndronte një dritë e ndezur, ku shtegtarët qëndronin dhe thërrisnin: “O i zoti i shtëpisë, a pranoni miq”. Gjatë viteve 1920-‘24, të gjithë burrat e familjes Metalia që ishin të aftë për pushkë, ndoqën pas dhe u bënë mbështetja kryesore e Bajram Currit. Ata e mbështetën Currin edhe në qershorin e vitit 1924, kur ai sulmoi Krumën dhe udhëhoqi një pjesë të kryengritësve që rrëzuan qeverinë e Shefqet Vërlacit. Edhe pse Metaliaj-t kishin mbështetur forcat fanoliste në Kundërrevolucionin e Qershorit 1924, me rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet në dhjetorin e atij viti, ata nuk patën asnjë konsekuencë prej tij. Përkundrazi, Metaliaj-t, u përkrahën prej Mbretit Zog, e gjithashtu i dhanë atij përkrahjen e mbështetjen e tyre të pakursyer. Në pajtimin e Metaliajve me Zogun, thuhet se ndikoi edhe një nga oficerët më besnikë të Mbretit, Tahir Hoxha, me të cilin Metaliaj-t e kishin një miqësi të ngushtë familjare dhe më pas e bënë dhëndërr, duke i dhënë për grua një nga bijat e tyre. Që në vitet e para të vendosjes së Monarkisë së Zogut, shumë nga djemtë e familjes Metalia, përfituan të drejta studimi e bursa shtetërore e ndoqën mësimet në shkolla të ndryshme, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Sali Jaha (djali i Jah Elezit) i çoi nëpër shkolla të nëntë djemtë e tij. Më i madhi i tyre, Jah Salihi, mbaroi gjimnazin e Shkodrës, në Konviktin “Malet tona”, ndërsa djali tjetër, Adem Salihi, mbaroi studimet për Teologji në Egjypt dhe kur u kthye në Shqipëri, shërbeu si Kryetar i Komunitetit Myslyman të Qarkut të Kukësit. Djali tjetër, Mustaf Salihi, mbaroi shkollën “Normale” të Elbasanit dhe për shumë vjet shërbeu si mësues në përhapjen e arsimit shqip në zonat e thella të Veriut. Po kështu në “Normale”-n e Elbasanit studioi edhe Abaz Salihi. Përveç këtyre dhe disa djemve të tjerë nga familja Metaliaj, që pas mbarimit të shkollave shërbyen në administratën e Mbretërisë, një nga më të njohurit e atij fisi ka qenë edhe togër Met Jaha, i cili u bë Komandant i Postës së Xhandarmërisë për katër fshatrat e asaj zone: Grykë-Valbonë-Dragobi-Kolmakshaj. Met Jaha qëndroi për shtatë vjet në atë detyrë dhe ai është njohur nga të gjithë banorët e asaj treve, si burrë trim, i drejtë dhe me karakter tepër të fortë. Gjatë viteve të pushtimit nazi-fashist të Shqipërisë, i gjithë fisi Metalia e mbështeti Lëvizjen Antifashiste dhe shumë prej burrave të saj luftuan me armë në dorë në brigadat partizane. Madje që në ditët e para të prillit të vitit 1939, Adem Salihi, i cili në atë kohë shërbente si Kryetar i Komunitetit Myslyman të Qarkut të Kukësit, i mblodhi të gjithë nxënësit që mësonin në Medresenë e atij qyteti dhe i’u mbajti një fjalim kundër pushtimit fashist, duke u thënë atyre që të mos gënjeheshin nga ato lule që sollën italianët, se ato nesër do ktheheshin në plumba. Ndonëse gjatë viteve të Luftës, Metaliaj-t me në krye Asim Jahën, u njohën si nacionalistë dhe mbështetën Tahir Hoxhën, tre nga djemtë e Sali Jahës, u rradhitën në brigadat partizane. Gjatë atyre viteve, shtëpia tre katëshe e Metaliaj-ve në Dragobi (me 25 dhoma) priti e i’u dha bukë si partizanëve të Sadik Bekteshit ashtu edhe nacionalistëve të Tahir Hoxhës e Muharrem Bajraktarit. Ndodhte që brenda një nate, në kullën e madhe të Metaliaj-ve, në një kat të rrinin partizanët dhe në katin tjetër, nacionalistët. Në mbledhjen e famëshme të Bujanit që u mbajt në fundin e vitit 1943 dhe fillimin e vitit 1944, mori pjesë edhe Asim Jaha, pasi ishte një nga krerët më në zë të nacionalistëve të asaj krahine. Sali Jaha, i cili vdiq në vitin 1957, ishte i pari i fisit Metaliaj dhe njëkohësisht edhe i fundmit nga burrat që udhëhoqën atë si kryetar fisi, sepse pas ardhjes së komunistëve në pushtet, ai fis u ndoq e u persekutua në mënyrën më barbare dhe shtëpisë së tyre në Dragobi, iu vu flaka. Pas kësaj shumë nga djemtë e burrat e asaj familje u detyruan që të shpërngulen me dhunë që andej e përfunduan burgjeve e internimeve si dhe u arratisën jashtë Shqipërisë për të shpëtuar kokën. Sot e kësaj dite në fshatin Dragobi të Tropojës, ndodhen rreth 70 shtëpi nga fisi Metalia (Jahalezi) pasi pjesa tjetër kur u kthyen nga internimet, u grupuan në qytezën e Mamurrasit, ku jetojnë edhe sot.
Metaliajt, mbështetën Luftën Antifashiste
Gjatë periudhës së Luftës, 1939-‘44, familja Metalia u lidh e gjitha me Lëvizjen Antifashiste dhe shumë nga burrat e saj morën pjesë me armë në dorë në formacionet ushtarake nacionaliste dhe partizane. Lidhur me këtë, Mal Metalia dëshmon: “Gjatë periudhës së pushtimit fashist të Shqipërisë, e gjithë familja jonë Metalia-j, apo siç është njohur ndryshme: “Jahelezi”, e mbështeti pa rezerva luftën e armatosur. Në atë kohë, Metalia-jt njiheshin si mbështetësit kryesorë të Tahir Hoxhës, (ishte dhëndër i fisit tonë Metalia-j) i cili kishte qenë kolonel i Mbretit Zog dhe ishte kreu i nacionalistëve për gjithë krahinën e Tropojës. Disa nga burrat më të njohur të familjes sonë, si Met Jaha e Azem Jaha, ishin me forcat e Tahirit dhe Sim Jaha, ishte krahu i djathtë i tij. Ndonëse familja jonë njihej si nacionaliste, tre djem të tjerë të fisit tonë, Jaha, Mustafa dhe Abaz Salihi, u rradhitën me armë në dorë në brigadat partizane. Ata ishin vëllezër dhe djemtë e Sali Jahës. Njëri prej tyre, Abazi, arriti dhe u bë komisar batalioni në një nga formacionet e mëdha partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Enver Hoxhës, që shkuan për të luftuar në territoret e Jugosllavisë.
Gjatë periudhës së Luftës, në kullën e madhe të Metaliaj-ve në fshatin Dragobi, kanë bujtur dhe janë mbajtur me bukë si partizanët e Sadik Bekteshit, ashtu dhe nacionalistët e Tahir Hoxhës e Muharrem Bajraktarit. Kur mbaroi Lufta, dy djemtë e Sali Jahës, Abazi e Mustafa, që kishin luftuar në Jugosllavi, u kthyen në shtëpi, ndërsa i treti, Jah Salih Metalia, nuk u kthye dot, pasi autoritetet jugosllave i kërkuan Komandës së Shtabit të dy Divizioneve partizane që ishin në Jugosllavi, që ata t’u dorzonin menjëherë Jah Salihin, për të dhënë llogari se pse kishte luftuar kundër forcave serbe. Jaha kishte shërbyer për disa kohë si Kryetar i Komunës së Junikut dhe kjo gjë u bë shkak që komunistët serbë e pushkatuan atë pa gjyq në burgun e Pejës. Psuhkatimi i Jah Salihit erdhi dhe për shkak se ai kishte organizuar luftën dhe kishte mbrojtur me armë në dorë Komunën e Junikut, kur forcat sllavo-komuniste të Titos sulmuan territoret e Kosovës”, kujton Mal Metalia, periudhën kur fisi i tij u lidh i gjithi me Lëvizjen Antifashiste, duke luftuar deri në territorin e Jugosllavisë së asaj kohe.
Konflikti me Fadil Hoxhën
Pas vrasjes së Jah Salihit nga komunistë serbë në Jugosllavi, një tjetër nga djemtë e asaj familje, Sim Jaha, do humbte jetën, por kësaj rradhë nga komunistët shqiptarë në vëndlindjen e tij. Me ekzekutimin e Sim Jahës, prej forcave partizane në vitin 1944, marrëdhëniet e familjes së madhe Metaliaj me komunistët, filluan të tronditeshin dhe morën një çarje të madhe. Asim Jaha Metaliaj, njihej si një ndër krerët nacionalistë më në zë, pas Tahir Hoxhës dhe ekzekutimi i tij publik nga ana e komunistëve, (së bashku me Haxhi Belin), ngjalli jo vetëm zëmëratën e fisit të tij, por dhe të gjithë asaj krahine, ku ai kishte një autoritet të padiskutueshëm. Ato konflikte në mes familjes Metalia-j dhe komunistëve u acaruan akoma dhe më shumë në mbarimin e Luftës, kur ajo mësoi të vërtetën e vrasjes së Jah Salihit, prej komunistëve jugosllavë në Burgun e Pejës. Lidhur me atë se si rrodhën ngjarjet më pas me familjen Metalia-j, pas vrasjes së dy djemve të tyre dhe çfarë qëndrimi mbajtën komunistët që erdhën në pushtet ndaj tyre, Mal Xhemal Metaliaj, dëshmon: “Konflikti dhe çarja e madhe në mes familjes sonë dhe komunistëve, kishte filluar që në pranverën e vitit 1944, përpara vrasjes së Sim Jahës. Si rezultat i atij konflikti që ne patëm me Fadil Hoxhën dhe përfaqësuesit e Partisë Komuniste Shqiptare, katër muaj më pas ata u hakmorën duke ekzekutuar Sim Jahën. E vërteta e atij konflikti qëndron kështu: Në pranverën e vitit 1944 në fshatin tonë Dragobi, që ishte dhe qëndra e gjithë krahinës, u bë një mbledhje e madhe ku morën pjesë disa nga krerët komunistë të asaj treve dhe bashkë me ta ishte dhe kreu i komunistëve kosovarë, Fadil Hoxha. Në atë kuvend ku ishin mbledhur të gjithë burrat e katër fshatrave të zonës sonë, Fadil Hoxha me krerët e tjerë të dërguar nga Partia Komuniste Shqiptare, u shprehën se fitorja e tyre ishte punë ditësh dhe të gjithë ne malësorët që ishim aty duhet të bashkoheshim rreth asaj Partie dhe vëllëzërve jugosllavë me në krye Josif Broz Titon. Ata e cilësuan Titon dhe Jugosllavinë si “Vëlla të Madh” të shqiptarëve dhe kush ishte kundër tyre ishte dhe kundër Shqipërisë. Ndërkohë që ata na kërkuan t’u jepnim besën për ato fjalë që binin erë tradhëtie, i pari i familjes sonë, Sali Jaha, që megjithëse ishte rreth 75-vjeç, u ngrit në këmbë dhe sipas të gjitha rregullave të kuvendit të burrave, kërkoi leje për të folur. Pasi i’u dha fjala, ai i iu drejtua Fadil Hoxhës dhe të gjithë komunistëve të tjerë që drejtonin atë mbledhje, duke u shprehur: ‘Desha me thanë, mirë se na e fituem luftën, po Kosova me kë do të jesë (mbetet), pas kësaj?! Një nga ata që ishte më afër Fadil Hoxhës, i’u përgjigj: ‘Kosova mbeti me Serbinë, por ne jemi vëllezër me jugosllavët dhe nuk kemi gjë të ndame’. Pas kësaj, Sali Jahës, i rëshqitën disa pika lot prej syve dhe duke e përmbajtur veten, i’u drejtua atyre: ‘Paçi faqen e zezë, se ju e paski shit Kosovën’. Pas fjalëve të Sali Jahës që u miratuan në heshtje nga shumë prej të pranishëmve në atë kuvend, mbledhja u prish. Ndërsa Fadil Hoxha ishte duke ikur, la porositë që të shikohej qëndrimi i atij burri dhe emrin e tij e shënoi me laps në bllokun që kishte me vete”, dëshmon Mal Metalia, lidhur me atë ngjarje të vitit 1944, kur i pari i familjes së tyre, Sali Jaha, akuzoi përfaqësuesit Partisë Komuniste Shqiptare dhe kreun e komunistëve kosovarë, Fadil Hoxhën, për shitje të Kosovës. Kjo gjë u bë shkak për prishjen përfundimtare të Metaliaj-ve me komunistët, të cilët më pas filluan dhe raprezaljet ndaj tyre.
Nga 1946-ta, Metaliajt në burgje e internime
Pas asaj ngjarje ku Sali Jaha foli hapur në kuvend të burrave kundër tradhëtisë që ishte bërë me Kosovën, komunistët nuk u mjaftuan vetëm me ekzekutimin e Sim Jahës dhe Jah Salihit, por ajo ishte vetëm prologu i një hakmarrje të madhe që kishte nisur ndaj asaj familje të njohur. Lidhur me këtë, Mal Metalia dëshmon: “Pak kohë pas vrasjes së Sim Jahës, në prillin e vitit 1946, forcat partizane erdhën në fshatin tonë dhe i vunë zjarrin kullës së madhe të Sali Jahës, (dy e tre katëshe me 25 dhoma), pasi më parë na kishin nxjerrë jashtë vetëm me rrobat e trupit, rreth 70 pjestarë të familjes sonë të madhe. Pas djegies së kullës, ata filluan arrestimet duke filluar nga djemtë e Sali Jahës që përfunduan nëpër burgje dhe internime. I madhi Adem Sali Jaha u dënua me 12 vjet burg, po me 12 vjet u dënua edhe Mustaf Sali Jaha, ndërsa Abaz Sali Jaha u dënua në fillim me tre vjet, por bëri vetëm tre muaj dhe u lirua. Jakup Sali Jaha, ndonëse ishte në moshën 60-vjeçare, u dënua me 20 vjet burg. Pas burgosjes së tyre, familjen tonë e shpallën kulake dhe reaksionare e komunistët i paralajmëruan të gjithë bashkëfshatarët tanë që të mos guxonin të na shkelnin më në shtëpi. Pas çdo dënimi që jepej për cilindo nga burrat e familjes sonë, pushteti komunist i sekuestronte dhe të gjithë pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme. Si rezultat i kësaj, rreth 70-të veta nga fisi ynë mbetëm pa shtëpi dhe u detyruam të fusnim kokën ku të mundnim, pasi kullave tona të shkrumbuara as guxonim dot t’i afroheshim. Pak kohë më vonë ajo kullë e madhe u bë qëndra e kooperativës me të gjitha zyrat përkatëse”, dëshmon Mal Metaliaj lidhur me hakmarrjen e komunistëve ndaj familjes së tyre që në prillin e vitit 1946 ku pasi ia dogji kullën e madhe, burgosi dhe internoi shumë nga pjestarët e atij fisi.
Goditja e dytë në 1957-ën
Sikur të mos kishte mjaftuar ajo goditje e madhe që ndërrmorën komunistët ndaj familjes së madhe nacionaliste Metalia-j, rreth 11 vjet më vonë, në 1957-ën, ata filluan përsëri një goditje tjetër ndaj saj. Lidhur me këtë, Mal Metalia dëshmon: “Në vitin 1957, vdiq i pari i familjes sonë Sali Jaha dhe pushteti komunist i pengoi njerzit që të merrnin pjesë në varrimin e tij. Por edhe mbas gjithë atyre presioneve që u bënë, në varrimin e Sali Jahës morën pjesë një numër i madh njerzish, gjë e cila i tërboi fare komunistët. Në atë kohë, komunistët kishin në plan për të bërë edhe një goditje tjetër ndaj fisit tonë dhe për të shpëtuar prej saj, tre djemtë e Sali Jahës: Jakupi, Xhemali dhe Mustafa, u detyruan dhe u arratisën jashtë Shqipërisë e dolën në Jugosllavi. Jakupi mori me vete dhe djalin e tij 10-vjeçar, Xhaferrin, ndërsa babai im, Xhemali, mori me vete dhe vëllanë tim, Muharremin, që ishte 9-vjeç. Pasi qëndruan pak kohë në Jugosllavi, ata fituan azilin politik dhe shkuan në SHBA-ës, ku jetojnë dhe sot. Si hakmarrje ndaj kësaj arratisje, komunistët na arrestuan ne, tre djemtë e tjerë të Xhemal Sali Jahës: Rizain, 19 vjeç, Imerin, 17 vjeç, dhe mua që në atë kohë isha vetëm 14 vjeç. Pas arrestimit tonë, dhjetë familje të tjera nga Metaliaj-t u internuan në fshatrat e Myzeqesë, nëpër kampet e punës së detyruar. Pas internimit të tyre, mua së bashku me dy vëllezërit, Rizanë dhe Imerin, na nxorrën në gjyq në Shkodër. Vëllai i madh, Rizai, u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua, ndërsa Imerin e dënuan me 25 vjet dhe mua vetëm me 10 vjet. Pas mbarimit të gjyqit, ne na çuan nëpër burgje dhe unë isha më i vogli (14 vjeç) nga të gjithë të dënuarit politikë të Shqipërisë dhe të gjithë më thërrisnin: “Mala i vogël”. Ditën e parë që isha në qeli, më erdhi kapterri dhe më pyeti se përse nuk e kisha marrë bukën që na jepte burgu. Unë i’u përgjigja se nuk kisha lekë për ta blerë, sepse kujtoja se edhe aty buka shitej”, kujton Mal Metalia, atë kohë kur pas arratisjes së babait të tij, Xhemalit, atë me dy vëllezërit e tjerë i arrestuan dhe të madhin, Rizanë, e pushkatuan.
Persekutimi i familjes Metaliaj deri në ’90-ën
Ndërsa një pjesë e madhe e fisit Metalia-j ndodheshin nëpër kampe të ndryshme internimi, njëri prej tyre, Adem Sali Metalia, (ish- Kryetar i Komunitetit Myslyman të Qarkut të Kukësit) aty nga fundi i viteve ’50-të, u lirua dhe u vendos në qytezën e vogël të Mamurrasit. Pas vendosjes së tij me gjithë familje në atë sektor ku punohej për tharjen e kënetës së Thumanës, në vitet që pasuan aty filluan të grumbulloheshin edhe familjet e tjera të atij fisi që mbaronin afatin e internimit. Lidhur me këtë dhe me persekutimin e mëtejshëm të fisit Metalia, që do të vazhdonte deri në fundin e viteve ’80-të, Mal Metalia dëshmon: “Aty në qytezën e vogël të Mamurrasit që në ato vite nuk kishte asnjë dallim nga fshatrat, pas lirimit nga internimet u grumbulluam 13 familje nga fisi ynë. Kjo gjë ishte e detyruar pasi dhe aty në internim ishim, e ne nuk na lejonin të kalonim më larg Laçit. Për të shkuar në Tropojë, duhet të merrnim leje në polici. Gjatë gjithë atyre viteve që ne qëndruam në Mamaurras, ishim të detyruar të punonim vetëm në ndërrmarjen bujqësore (Fermë) dhe për fëmijët e fisit tonë nuk u akordua asnjë e drejtë studimi për në shkollat e larta. Hija e luftës së klasave ne na ndiqte kudo, madje Sigurimi i Shtetit na ndërhynte deri tek krushqitë që duhet të bënim. Kur u fejova unë në ato vite, Sigurimi i Shtetit, thërriti vjehrrin tim, Hysen Dak Hotin dhe i bëri presion, duke in thënë se përse ma kishte dhënë vajzën mua. Hyseni i’u përgjigj atyre se: vajzën i’a kishte dhënë shtëpisë së Sali Jahës dhe nuk kishte ndërmënd ta prishte atë miqësi. Edhe pas qëndrimit burrëror të Hysen Dak Hotit, Sigurimi nuk hoqi dorë dhe organizoi rininë që ta prishte fejesën tonë. Por populli i Mamurrasit ne na përkrahu shumë dhe bashkëshorten time Xhevahiren, e ndihmuan që të punonte në bujqësi. Unë vetë, deri nga fillimi i viteve ’80-të, punoja si usta në Fermë dhe në atë kohë me ndihmën e shokut dhe mikut tim, të ngushtë, Mark Alia, (ish-i burgosur politik), të cilin e kam akoma si vëlla, mezi munda të rregullohesha në punë si bojaxhi në Ndërrmarjen Komunale të Laçit. Vetëm pas shëmbjes së regjimit komunist, ku i gjithë fisi ynë i përkrahu pa asnjë rezervë ndryshimet demokratike, ne Metaliaj-t mundëm që të integroheshim disi në jetën shoqëroro-politike të vëndit dhe djemtë e fisit tonë të shkonin në shkollat e larta dhe të shërbenin me devotshmëri e përkushtim kudo që i caktuan. Historia tragjike e familjes sonë, tërhoqi vëmëndjen e ambasadorit të parë amerikan, në Shqipëri, Rajerson, i cili u bë mik i familjes sonë dhe na ndihmoi që të krijonim lidhjet e kontaktet e humbura me njerzit e tjerë të familjes që ishin arratisur e jetonin prej vitesh në SHBA”, e përfundon rrëfimin e tij, 76-vjeçari Mal Metalia, pinjoll i një prej fiseve me të kaluar patriotike, që për afro gjysëm shekulli me rradhë, u masakrua në mënyrën më barbare nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Emrat e të pushkatuarëve, burgosurve dhe internuarve nga fisi Metalia
Të pushkatuar
Asim Jah Metalia
Riza Xhemal Metali
Jah Sali Metalia
Të burgosur
Jakup Sali Metalia
Adem Sali Metalia
Mustafë Sali Metalia
Mal Xhemal Metalia
Imer Xhemal Metalia
Asim Jah Metalia
Abaz Sali Metalia
Të arratisur
Jakup Sali Metalia
Xhemal Sali Metalia
Mustafë Sali Metalia
Xhaferr Jakup Metalia
Muharrem Xhemal Metalia
Të internuar
Met Jah Metaliaj, familjarisht
Zenel Met Metalia, familjarisht
Ismail Met Metalia, familjarisht
Selim Met Metalia, familjarisht
Ali Met Metalia, familjarisht
Nezir Met Metalia, familjarisht
Ibrahim Bajram Metalia, familjarisht
Abaz Sali Metalia, familjarisht
Feriz Sali Metalia, familjarisht
Isa Sim Metalia, familjarisht
Riza Sim Metalia, familjarisht
Ragip Bash Metalia, familjarisht
Islam Sadik Metalia, familjarisht
Isuf Sadik Metalia, familjarisht
Bek Sadik Metalia, familjarisht