3 hours ago
Me përfundimin e një fushate të lodhshme dhe e ashpër presidenciale me dhjetëra miliona votues u janë drejtuar qendrave të votimit në të gjithë vendin për të vendosur nëse për katër vitet e ardhshme do të mbajnë në detyrë Presidentin republikan Donald Trump apo do të zgjedhin rivalin e tij demokrat ish-Nënpresidentin Joe Biden.
Qendrat e votimit janë hapur në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara. Në atë që historikisht është qendra e parë e votimit që hapet pas mesnate në ShBA, zoti Biden rezulton se ka fituar të pesë votat në qytetin e vogël Dixville Notch, në Nju Hepshër, ndërsa zotit Trump ka fituar 16 me 5 në qytetin tjetër Millsfield po të Nju Hepshërit. Mes pandemisë së pakontrolluar të koronavirusit, më shumë se 100 milionë amerikanë kanë hedhur votat në procesin e hershëm zgjedhor ose më shumë se dy të tretat e gjithë votave, rreth 139 milionë,të hedhura në zgjedhjet 2016. Zgjedhjet presidenciale vijnë pas një fushate të ashpër e luftarake. Dy kandidatët për president Trump e Biden kanë hedhur në drejtim të njëri-tjetrit provokime nxitëse duke akuzuar rivalin si të papërshtatshëm për të udhëhequr vendin dhe se do ta çonte atë drejt shkatërrimit.
Gjatë fundjavës, tensionet u rritën ndërsa mijëra mbështetës të fushatës se zotit Trump u mblodhën dhe demonstruan në mënyrë agresive në të gjithë vendin. Në një nga rastet, një karvan automjetesh që mbanin flamuj me emrin e zotit Trump, detyroi një autobus të fushatës së zotit Biden gati të dilte nga autostrada në Teksas. Po kështu pati bllokim tëtrafikut në autostradën e Nju Xhersi.
Zeri i Amerikes