AT GJERGJ FISHTA PËR DEDË GJON LULIN. Nga Frank Shkreli

 

Sivjet, 6 prilli shënoi 110-vjetorin (6 Prill,1911) e ngritjes së Flamurit Kombëtar nga Heroi i kombit, Dedë Gjo’Luli — për herë të parë në pothuaj 500-vjet të pushtimit turko-osman në trojet shqiptare. Ngritjes së Flamurit Kombëtar të Shqiptarëve i pati paraprirë Kryengritja e Malësisë së Madhe, një kryengritje kjo që zgjato nga marsi deri në gusht të vitit 1911 dhe që mund të thuhet se një kryengritje e tillë nuk kishte ndodhur më parë në trojet shqiptare, qysh prej kohës së Gjergj Kastriotit-Skënderbe. Në këngën e 28-të të “Lahutës së Malësisë”,epopesë tonë kombëtare, i madhi i letrave shqipe, At Gjergj Fishta i këndon trimërisë së Dedë Gjo Lulit dhe malësorëve të tij:  Deda niset me një grusht malësorë për në Rapshë të Hotit, për t’u takuar me plakun Marash Ucin, të cilin e njofton, por të merrte edhe pëlqimin e tij për kryengritjen –sepse me djemtë që kishte me vete, kishte vendosur t’i binte Turkut para afatit të caktuar nga paria e maleve. Dedë Gjon Luli ngarkon Marash Ucin me detyrën që të lajmërojë për këtë nismë kombëtare, fiset Shkrel e Kastrat, pasi ushtarët e tij ishin vetëm 20 — “me shtatë pushkë e një allti”. Kryengritësit malësorë marrin nën kontroll postet e mbretit dhe zënë robër 60 ushtarë anadollakë të cilëve kryengritsit u marrin armët dhe i nisin për Shkodër. Luftimet pëlcasin aty këtu, ndërsa Fishta përshkruan me zotësinë e tij prej poeti, se si rojet turke bien e dorëzohen anë e mbanë Malësisë. Me të marrë vesh për luftën e malësorëve, Sulltani dërgon në Shkodër 70 taborënën komandën e Turgut Pashës kundër malësorëve por malësorët nuk dorëzohen. Paria e maleve mblidhet me Luigj Gurakuqin në krye dhe vendosin t’i përgjigjen Pashës me barut, sipas Gjergj Fishtës: “Mësyn Turku me furi, e pret Malësia me trimëri”, këndon At Gjergj Fishta në vjershën 28-të të “Lahutës së Malësisë”. Vendi kallet flakë: gjëmojnë male e kodra, ushtojnë gryka e humnera, fishkëllejnë plumba e gjyle topash. Ethem Pasha mësyn Kelmendin nga ana e Gucisë dhe malësorët tashti gjenden mes dy zjarreve, por nuk ligështohen. Forcat dërmuese anadollake fitojnë, por toka lahet në gjak dhe shtrohet pëllëmbë për pëllëmbë me ushtarë të vdekur anadollakë. Evropa habitet nga trimëria e malësorëve dhe më në fund kontinenti i vjetër e sheh vendosmërinë e shqiptarëve për të jetuar të lirë në trojet e veta, pas pushtimit osman prej 500-vjetësh, interpreton Fishta:

Në këtë 6 prill kujtojmë pra me fjalët e Poetit Kombëtar, At Gjergj Fishtës, kryengritjen e Malësisë së Madhe dhe Dedë Gjon Lulin, i cili me aktin e ngritjes së Flamurit Kombëtar për herë të parë në 500-vjet të pushtimit osman, tregoi guximin dhe trimërinë e tij dhe të bashkluftëtarëve të tij malësorë, të sfidonte perandorinë osmane — më të madhja e asaj kohe dhe kolonializmin e institucioneve të saj në trojet shqiptare — duke ndryshuar përgjithmonë historinë e Kombit shqiptar dhe duke i çuar shqiptarët drejtë fillimit eventual të lirisë shoqërore dhe pavarësisë politike.

 

Megjithëse ngritja e Flamurit Kombëtar nga Dedë Gjo’ Luli dhe malësorët ishte hedhur në harresë nga regjimi komunist për arsyet e tija ideologjike, gjë që nuk ka ndryshuar shumë as këto 30 vjet post-komunizëm – ngritja e Flamurit në Deçiq të Malësisë së Madhe, sot e kësaj dite, mbetet një akt i madh historik e patriotik, që do të kujtohet gjithmonë me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale të malësorëve dhe të Kombit shqiptar, në përgjithësi, kundër pushtuesve të huaj dhe armiqëve shekullorë të kombit, atëherë dhe sot.

 

Megjithkëtë, rëndësia e rolit historik të Dedë Gjon Lulit, e Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit kombëtar në Deçiq me 6 prill, 1911 nga Dedë Gjo’ Luli me malësorë, është seajo ka meritën se konsolidoiedhe hovin që kryengritja i dha idesë së Lidhjes së Prizrenit për një Shqipëri të lirë e të pavarur, për një Shqipëri që brenda kufijve të saj do të përfshinte të gjithë ata që e konsiderojnë veten bijë e bija, nipa, stërnipa e mbesa të Gjergj Kastriotit — Skënderbeu. Një meritë tjetër e këtyre burrave, është se kryengritësit malësorë i erdhën në ndihmë kombit në çastin kur mendohej se raca shqiptare po jepte shpirt, e ndarë dhe e harruar nga bota perëndimore, nga ajo botë ku e kishte vendin dhe që, fatkeqsisht, sot e asaj dite mbetet ende një ëndërr e pa realizueshme për shqiptarët. Dedë Gjon Luli me malësorët e tij i erdhën në ndihmë tokës arbërore, atëherë kur dukej se shpresat e shqiptarëve për liri e pavarësi po zhdukeshin dhe kur fqinjët, lakmues të tokave shqiptare — nëpër kancelaritë e Evropës — bërtisnin duke thënë se nuk kishte komb shqiptar.

 

Malësorët e vitit 1911, jo vetëm që u bënë simboli i Rilindjes Kombëtare, por ata ishin edhe dallëndyshet që paralajmëruan pavarësinë kombëtare të shqiptarëve, e cila u shpall një vit më vonë. Ata ishin lajmëtarët e kombit që njoftuan Evropën dhe botën se toka e Gjergj Kastriotit, më fund, kishte zot.

 

Në përpjekjet etyre për liri e pavarësi, Fed Gkon Luli due malësorët e tij gjetën mbështetjen e Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, të cilët të inkurajuar nga lufta e malësorëve kundër armikut janë takuar me Dedë Gjonin për të përpiluar Memorandumin historik që, ndër të tjera, përmbante kërkesat e Malësorëve dhe të gjithë Shqiptarëve, për një Shqipëri me administratë në gjuhën shqipe dhe për buxhet të vetin. Mund të ishte ky fillimi i një përpjekjeje, që sot do ta quanim “ndërkombëtarizim të çështjes shqiptare”, dukepasqyruar dëshirën e të gjithë shqiptarëve për liri e pavarësi.Ishte pra një mesazh i fuqishëm për atë kohë, por edhe për sot se shqiptari dëshiron të jetojë në shtëpinë e vet, zot i fatit të vet – pa ndërhyrje due influenca nga jashtë — në paqe e siguri me fqinjët, si pjesë e familjes së madhe evropiane.

 

Në botën aktuale shqiptare të koncesioneve ekonomike, publiko-private, të interesave të shumëllojshme personale e partiake, përfshirë interesat dhe influencat e huaja që nuk prajnë kurrë duke vepruar kundër interesave shqiptare — është mirë të kujtohet me këtë rast se kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit në Deçiq me 6 prill, 1911, u bë thjesht për ideale të larta kombëtare. Ato përpjekje nuk ishin ndërmarrje për përfitime të përkohshme personale, krahinore, fetare ose ideologjike, por ishte një luftë për jetë a vdekje — për mbijetesën dhe lirinë e kombit shqiptar– dhe si e tillë kishte qëllime dhe objektiva të interesit mbarë kombëtar, për ruajtjen e identitetit dhe të vlerave e karakteristikave që kanë dalluar gjithmonë shqiptarët nga të gjithë popujt e tjerë: nderi, besa dhe burrëria!

 

Frank Shkreli

 

AT GJERGJ FISHTA: PËR MONUMENT TË DEDË GJO’ LULIT

“Vllazën shqiptarë! Atje mbi karpa (shkëmbij) nji çetë Lekë fatosa të Hotit dilte trollit e shpijet vet, e mirë mbërthye në armë, thik ngjeshej  malit përpjeta, si njajo reja e murrme, kërcenuese ngjitej në rribë t’Eurit a t’Akvilonit  shungullues, para se të shkref  përmbi dhe të mjeruem thellimi. Nji burr zeshkan, i përmbledhët e ngërthye vetllat si dy shlliga t’idhta, kur mnershëm njëna me tjetrën kukzohet, u ka pri i atill.  Fëtyra e tij, nji bri alpet   të  thepisun, syni i tij vullkan tanë zjarm e shkëndija, thue se prej si tash po shkrepë vetima e zharriste ajrit po lvite  rrufeja.  Ashtë Ded Gjo’Luli, që vu sy me vdekë, a shqiptar i lirë me mbetë, me ata kreshnikë petrita të Maleve të Mdhaja –burra motit veç që i bante lokja shqiptare- bjen në e mbi “kaki” të Deçiqit, ngul Flamurin e Shqipnisë – kuq e zi; zjarm e dekë – nji be ai rreh, nji be të madhe po rreh ai në sy të qielles e të dheut, se rob shqiptari per nën thember mizore të Turkut ma kurr, jo, kurr ma do të gjimonte, e as nën thembër të atij sllavi te mnieshëm. M’atë be të shugurueshme ngeli në habi Europa; Cetina u trand e u dynd tan pezëm e mni Stambolla; edhe prej Deçiqit në Veleçik të madhnueshëm nisi me vlue e rrebtë nji luftë e përgjkashme e përnjimend titanike.  Shkumë gurgulloi gjaku nëpër dolomie estalagtita të zgavrave t’errëshme, e kah qiella u çue, po, tym e shkendi, e vigëm nanash, e vaj foshnjesh të flakrueme në zjarm, e ankime e gjamë të varruemësh, e nji zhurmë e nji krizme rrotash, e kualsh topash, e nji bubullime e menerëshme, thue po të rroposet për nën kambë rruzullimi.  Edhe malsori muejt (ia doli).  E kje m’ateherë që verigat e randa të robnisë sonë pesëqindvjetore u këputen e zojë e lirë e me vedi duel Shqipnija. – Po mos të ishte kenë që malsori jonë, Konstitucjonit të Turkisë e të ktej i’u gjet me pushkë në faqe kundra turkut, Shqipni sod nuk do kishte e na edhe sod do të gjimojshim për nën thember të ndonji tirani të ri.

 

Vllazën shqiptar! na sod jemi të lirë; por martirët fatosa të lirisë tonë kombëtare kalben të harruem nën dhe, kur trupat e tyre të bam kortar prej anmikut, mos t’i ketë shpuplue e grisë mbi dhê orrlat e shkerbetë e egra.  E po a përnjimend se nipat e stërnipat tonë, mbas ndonji stinet të terrnueme (tjetër), ma ata nuk do të dijnë as emnin e atyne burrave të pavdekshëm që u fituen lirinë dhe u falën Atdheun? Para se fli vehten të bante malsori, na Atdhe s’kem pase rob kem kenë, e raje e skllav e kurrgja tjeter.  Jo, për Zotin! se marre e turp për ne do t’ishte e nji dam i madh për Atdhe, po u qitë në harresë emni, e gjallë në nipni tonë s’u mbajt ideali, që kreshnikët e maleve tona i shtyni, flie me bamun vedin per mizori t’anmikut. Jo, po: do të hupë Shqipnija, diten që sysh ta dar (harroi) shqiptari njatë idealin e Ded Gjo’Lulit …”.  (Antologji Shqipe, shkruar anga Fishta me 1924, botuar nga Filip Fishta, shtëpia botuese “Kristo Luarasi”, Tiranë 1935) — marrë nga një shkrim i historianit dhe autorit malësor, Ndue Bacaj, me rastin e 110-vjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar në Deçiq.

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here