Lamtumir, poet i sonetit brilant, mësues dhe atdhetar i shquar !
Të të ndrijë shpirti dhe të qoftë e lehtë balta, o nacionalist që u shkrive për shqiptarizmin!Uran Kostreci
Sapo mësova me dhembje se miku ynë i mirë, bashkëvuajtës i gjysmës së shqiptarëve, nga regjimi diktatorial I E.Hoxhës, atdhetari dhe poeti sarkastik, sot pasdite u nda nga jeta e tij plot vuatjtje.
Cili ishte Uran Kostreci?
Uran Kostreci lindi më 29 janar 1938, në qytetin e Korçës. Më 1946, kur i arrestuan babanë, të cilin e dënuan me 10 vjet burgim si kundërshtar i regjimit, ai ishte vetëm 8 vjeç. Urani arsimin fillor e mori në Korçë. Më 1957 mori diplomën e mësuesisë në shkollën Normale, Elbasan. U emërua mësues në fshatin Armen të Vlorës, ku punoi 2 vjet. E transferuan në Gramsh ku punoi dhe 2 vjet të tjera. Urani më 1961 arrestohet për motive politike, pasi tentoi të arratisej nëpërmjet liqenit të Ohrit, por përfundoi në pranga dhe u dënua me 15 vjet burgim. Gjatë vuajtjes së dënimit në kampin nr.303 Elbasan, më 9.5.1965, u qëllua për t’u vrarë nga tre vendroje.
Më 13.6.1973, pasi refuzoi ushqimin, u denoncua nga komandanti i burgut të Burrelit, Hajri Leskaj, se kishte parë “shtrembër” fotografinë e diktatorit. Në vendimin e gjykatës që e ridënoi me 8 vjet të tjera burgim, ndër të tjera thuhet:
“Vërtetohet se në këtë moment i pandehuri kishte drejtuar nga fotografia e shokut Enver, shikim që i kishte bërë përshtypje të dëmtuarit Hajri dhe iu drejtua me pyetje të pandehurit që pse e shikonte me vërejtje apo nuk i pëlqente”. Si pasojë e refuzimit të ushqimit dhe shikimit drejtuar mbi portretin e diktatorit, u ridënua edhe 8 vjet të tjera.
Uran Kostreci u lirua nga burgu i Burrelit më 13.6.1981, pasi vuajti gati 20 vjet heqje lirie (burgim). Punoi si punëtorë krahu për 1 vit e gjysmë. Prej aty internohet 5 vjet në fshatin Kurtaj të Peqinit. Në vitin 1991 themeloi gazetën “Liria”( organ mediatik i ish të përmdjekurve politikë për gjithë vendin). Urani ishte kr/redaktor i parë i saj dhe ndërkohë ishte përfshirë në lëvizjen demokratike, qysh në dhjetor 1990. U zgjodh 2 herë kryetar i P.D për Elbasanin. Në vitin 1993 punoi si mësues i gjuhës italiane në shkollën e mesme Elbasan. Më 1997 emigroi në ShBA, ku qëndroi deri në vitin 2007, u kthye në Atdhe dhe nuk u largua më.
Kostreci është nga të paktët që jetoi, prej atyre që e shkuan rininë nëpër burgjet e llahtarshme komuniste, ku ua vranë shpresat dhe ua shuan ëndrrat në qelitë më të ngushta se varret dhe më të ftohta se vdekja.
Demoni ulur në lozhat luksoze, duke duartrokitur Hamletin, me penën e ngjyer në gjak të pastër e fisnik shqiptari, firmoste vrasjet pa gjyq, burgosjet dhe internimet e gjysmës së shqiptarëve të pafajshëm. Tek fisnikët apo intlektualët e arsimuar në perëndim ai shihte rrezikun e rënies së pushtetit të tij të pathemeltë. Nga frika që e tmerronte, apo mitomania, e shndërroi Shqipërinë tonë të bukur në një vendburg, ku kishte vetëm rojëtarë dhe të burgosur. Vendi ynë i pasur si nën tokë e mbi tokë, u shndërrua në një varrezë gjigande, mbushur me varre pa emër, të cilët u bënë shtretër për gjarpërinjë e mushkonja.
Kurse Uran Kostreci mbijetoi si zotni për të treguar se sa shumë ka vuajtur ky popull që e do lirinë më shumë se sa jetën. Përherë e gjeje te “Postiqja” me filxhanin e kafesë dhe me letrat e hapura mbi tavolinë, ku ai shkruante apo meditonte… E veçanta e këtij intelektuali të mirëfilltë, me horizont dhe vizion të gjerë për një Shqipëri demokratike të tipit perëndimor, ishte i palëkundur në bindjet e tij. Mjaft i këndshëm në biseda, me shumë humor, me bashkëbiseduesin merre pjesë në polemika rreth politikës apo gjendjes së nderë të vendit të tij. I dhembsej shpërbërja e kombit, ku çdo ditë nga trojet etnike shqiptare emigronin me mijëra të rinjë, duke lënë në vend vetëm moshat e treta.
Çfarë e bënte të fortë dhe rezistentë këtë zotëri?
Me miqtë e tij Z.Uran shprehej: “Jeta na ka shumë borxhe. Ne do të jetojmë sa të marrim të gjitha shpërblimet e vuajteve të paimagjinuara për ata që nuk e kanë provuar Luftën e Klasave.” Unë mendoj se Uran Kostreci ka lëvruar këngën e një jete të mohuar përmes sonetit, duke i dhënë kuptim jetës së tij vetmitare.
Kostreci ka botuar:
Lundërtari dhe deti-1993;
Epopeja e karakalecave(poemë satirike)-1995;
Agonia e karakalecave, Pjesa II,1996;
Sonete-2006;
Pabesia ,-2009;
Epopeja e karkalecave (të dy pjesët)-2011;
Le të shohim se ç’është soneti i harruar si gjini letrare që i ka dhënë jetë Uran Kostrecit?
Soneti që është tingëllima muzikale e notave të shpirtit të lënguar e të drobitur, bëri që poeti t’u mbijetojë torturave çnjerëzore, duke u ngritur mbi vdekjen dhe u shqua si një nga qëndrestarët e rrallë të burgjeve komuniste për 20 vite rresht. Çfarë vlere letrare apo shpirtërore paska vallë soneti që bëri Uran Kostrecin t’i mbijetojë një regjimi antinatyral dhe antinjerëzor, ky poet dhe mësues atdhetar, ky publicist nacionalist, si dhe ky demokrat i tipit perëndimor? Soneti kishte kohë që nuk lëvrohej. Ai që e ringjalli, duke mos e lënë të shfarosej soneti, është poeti Uran Kostreci. Bashkë me Rilindjen e tij fizike e shpirtërore, u rilind edhe soneti shqiptar i harruar nëpër raftet e pluhurosura të bibliotekave dhe librarive. Ajo që e karakterizon sonetin e tij është vargu 13 rroksh, i cili i qëndron besnik kësaj lloj poezie.
E ky ngashërim shpirti për të shprehur njëherësh shumë antagonizma, gjeti strehë në mendimin gjenial të poetit dhe shqiptarit të madh, Uran Kostreci, i cili meriton të quhet poet disident.
Poezia e Uran Kostrecit është një vjershërim, ku analiza psikologjike e gjendjeve shpirtërore të autorit zë një vend qendror. Si formë për të paraqitur vuajtjen morale, fizike e shpirtërore të tij dhe të një populli, më të,vjetrin në botë, ai ka përdorur sonetin. Parathënien e librit “Sonete”, e ka shkruar mjeshtërisht, Mjeshtri i mendimit dhe fjalës, arkeologu i shquar, përkthyesi, Petro Zheji, i cili shprehet:” Uran Kostreci me fabulën tij të mrekullueshme, sepse ai është fabulist , të cilën e krahasoj me fabulën e La Fotenin”.Më tej vazhdon:
“ Poezia e Uran Kostrecit, është një poezi ku mbizotëron psikologjia e gjendjeve shpirtërore ë autorit. Forma e zgjedhur për ta paraqitur poezinë është Soneti, që zë një vend të rëndësishëm dhe luan rolin e një boshti koordinativ për tërë poetikën e tij. Brenda pentagramit të të cilit ai luan me virtuozizëm të gjitha variacionet e mundura rreth temës qëndrore të një përjetimi jo të zakonshëm të realitetit, atë të një njeriu me ndjeshmëri të hollë e me shpirt fisnik. Soneti, një vjershërim muzikor, ku gjuha shqipe rrjedh kaq lirshëm, kaq e lehtë dhe e ëmbël, sa të magjeps.”
Janë këto ndjesi e veçori të Sonetit të Uran Kostrecit që lexuesi pasi i ka mbaruar, u rikthehet përsëri me ëndje…Sonetet e Kostrecit e nxisin lexuesin, e edukojnë me ndjenja të holla dhe e detyrojnë të mendojë më thellë. Sonetet e Uranit bëjnë që lexuesi ta shohë botën me një sy tjetër, pa mendësi paragjykimesh mesjetare. Por gjithçka as harrohet dhe as gëlltitet, edhe pse autori përpiqet t’i japë ngjyra realitetit, ta zbukurojë përmes filozofisë në poezinë e tij, prapë mbetet si një njollë e zezë, e pashlyshme atje në vargun e tij, ngjizur në shpirtin e tij të lënduar. Këtë gjë ai e arrin përmes filozofisë, e shprehur mjeshtërisht nga autori për mes fabulës. Nga soneti “Penda”,shkëpusim një strofë mjaft domethënëse:
“Kur dielli u err n’agim të avenirit,
E jeta varej mu në fije të perit
Prej ftohmës,/ prej urisë, prej zinxhirit,
Nën ankthin e pranisë së kapterit…”U.K
Petro Zheji thotë se një poezi filozofike si ajo e Uran Kostrecit nuk bën pa simbolin për të shprehur të pashprehshmen, si Aristoteli, apo Dante Alighieri. Në sonetet e tij, vëmë re të kundërtat, si dashuria dhe vdekja, të cilat janë aq pranë njëra- tjetrës, sa duket sikur ecin paralel dhe shndërrohen në një të vetme. Ai sheh vazhdimësi, kur të tjerët shohin ndërprerje. Ai sheh unitet, kur të tjerët shohin ndarje. Madje Kostreci sipas Zhejit, ka shumë të përbashkëta me Naim Frashërin. Ai e krahason me Naimin lidhur me vizionin mistik të realitetit, ku ai shprehet Dashuria, si Perëndia, pra të dyja janë kudo dhe kurdo të pranishme. Sonetet e Uran Kostrecit kanë vlera të veçanta artistike, filozofike, ideologjike dhe shpirtërore, që e bëjnë lexuesin të mendohet. Duke njohur sonetet e Kostrecit, Kritikës profesionale i del si detyrë t’i kushtojë një studim dhe analizë të thellë e të mirëfilltë veprës së tij të veçantë. Atë që nuk e bënë me gjallje, le ta bëjnë tani pas vdekjes.
Lamtumirë, miku ynë i mirë! U gjendemi pranë familjarëve të tij. U shprehim ngushëllimet tona të sinqerta , veçanërisht mbesës të të ndjerit, Uran, znj. Keida Kostreci!
Me kosideratë të lartë!]
Vilhelme dhe Fitim Haxhiraj
Vlorë, më 12.7.2021