KONFLIKTI ME VARGUN IDHNAK.   POEZI NGA  TAHIR BEZHANI

 

Konflikt i heshtur nisur moti

Erë tymi ndihet  unëve që zihen në  flakë

Plot dashuri  rrëzon në thellësi

Fjalët ndezën si bar i tharë maleve

E shkrumbnaja  le pas vija  tymi

Rrugëtime të djegura qiellnajës

Kacafyten mendimet të egërsuara

Në portën e daljes ngatërrohen vetëtimave

Si të iki nga vetvetja e djegur

Pa thënë asnjëherë  “lamtumirë”?!

E di,kur çmendesh ti o  vargu im rebel

Dridhet floknaja e bardhë,

Shkrihet  bora në bjeshkë, ujëvarë

Ti nuk humb rrugë,kthehesh  e çakërdisur

Në strehoren  e flakës strukesh padiktueshëm

Ngrohesh si zog i llastuar në gjirin e nënës

Shikohemi thekshëm, të lemerisur   tmerreve

Njëri i uritur, tjetri i kallur etje, larë në djersë

Sërish rrugëtimi  mes flakëve vazhdon

 

O varg i dehur, idhnaku im bonjak

Lufta e fundit humbet

Bukuri pa emër quhet mbarimi

Le porosinë kohës e ik nga unë

Sidoqoftë, nuk u pajtuam kurrë

Rebelimi vazhdon prushnajës

Kënga  jehon pa shtjerrë zërin, vrapon

Maratonë  nëpër kohë

Djegur mbetëm baladave, shpuzë

Fjalë të  pathëna u kallen furtunave

Të drynuara qelive të zemrës

Përgjithmonë….

 

 

Gjakovë,09 gusht,2021

 

 

 

 

 

 

 

TAKIMI ME HIJEN E MIKUT

 

( Mikut, M.GJ, që përjetoi 30 ditë komë nga virusi)

 

Takova mikun hije, e përqafova

Kishte rrugëtuar gjatë ëndërrimeve për jetën

Buzëqeshje e frikshme ia kishte shtrembëruar  gojën

-Vij nga atje lart- më tha dhe mbaroi fjalën

Modernizimi i sëmundjeve-i fola, pastaj  heshta

Çudira  ishin gërshetuar mendimeve të befta

Nuk po vdiska  njeriu nga nemitje e xhelozi

Dashuria për jetën u gozhduaka  në palcën e ashtit

Ardhka pas gjollave të kripës,

Aromës së luleve, dashurisë

Pranverave me flutura bojqielli

Pas kujtimeve të zhuritura furtunave

Edhe hija të çmall, si fotografi e lagur

Si lumenjtë e mallit që shuajnë zjarrin e zemrës

Të papritura sjell kjo jetë!

Takova mikun tim pas komës së gjatë

Përqafova hijen e ardhur nga larg, siluetë

Përjetova  tmerrin e lumtur përgjumjeve- me tha

U ndamë sypërlotur në mesditë

Rruga mbeti  zbrazët, ecte hija e mikut

Djersët vlonin nga temperatura e lartë

Ngricat nuk përkundin  miqësinë…

 

Gjakovë,08.gusht

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here