Hapja e shkollave dhe mësimi i gjuhës shqipe në trojet kombëtare, vepra më e madhe pas Pavarësisë.
Çështja e kolaboracionistëve në Shqipëri ka qenë një temë e kahershme dhe e nxehtë që ka pasur edhe shumë privacione të padrejta ndaj të etiketuarve nga sistemi komunist që erdhi në këtë vend pas luftës antifashiste në Luftën II Botërore. Me të drejtë mund të thuhet se në çdo vend kolaboracionistët u dënuan dhe morën pagesën e punëve të padrejta që bënë ndaj atdheut të tyre. Nën këtë këndvështrim, profesori Arben Puto në një shkrim në gazetën “Telegraf” kërkon të përfshijë në këtë grupim edhe një personalitet shqiptar si Ernest Koliqi. Me dashje, pa dashje ky pohim më ngacmoi për të thënë disa fjalë në vend të replikës, por të detyruar në lidhje me këtë përfaqësues të arsimit mbarëkombëtar.
Po të shihet me vëmendje, Ernest Koliqi, ka qenë ministër sekretar shteti i Arsimit që nga 12 prill 1939 deri më 3 dhjetor 1941. Është kjo një nga periudhat kur në Shqipëri u krye një nga aktet më të mëdha pas shpalljes së Pavarësisë, siç ishte dërgimi i mbi 400 mësuesve në të gjitha trojet shqiptare për hapjen e shkollave dhe mësimin e gjuhës shqipe. Me plot gojën do ta cilësoja këtë akt edhe si një shtrirje e Pavarësisë së trojeve kombëtare në të gjithë hapsirën ku flitet shqip, por që për arsyet e pas Konferencës së Londrës më 1913, këto troje mbetën jashtë kufinjëve shtetërorë të trungut shqitpar. Në këtë kuptim, Ernest Koliqi nuk është vetëm një figurë e shquar e arsimit mbarëkombëtar, por edhe një figurë e shquar e letërsisë dhe kulturës. Ka një bibliografi të tërë me emrin e tij. Ka arritur maja në vitet ‘30.
Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, zëri “E. Koliqi” zë një vend të dalluar, me një vlerësim veçanërisht të lartë. Ai është “një figurë poliedrike, me kontribute të shumanshme, një nga personalitetet e spikatur të kulturës shqiptare në shek. XX”. Çmohet “për kthesën e letërsisë shqipe drejt modernes”, e cila u realizua në veprën e përbashkët me treshen e madhe të kohës, L. Poradecin, M. Kutelin dhe Migjenin. Veprës së E. Koliqit i shtohet një faqe e ngjeshur e veprimtarisë së tij gjatë okupacionit italian. Në postin e ministrit të Arsimit, në qeverinë e Shefqet Vërlacit, Koliqi nuk ishte thjesht një kolaboracionist. Ai e shndërroi veten në një pishtar të shquar të përhapejs së arsimit shqiptar që u duk edhe si një mision i kryer i këtij ministri me një shërbim të madh për kombit. Ndoshta misioni më i madh në shekullin XX në lëmin e arsimit, por edhe misioni më dobiprurës se çfarëdo misioni tjetër në shërbim të kombit që ishte bërë pas shpalljes së Pavarësisë.
Duhet thënë se vendimet historike merren nga burra historikë, kudo ku ato janë shfaqur në çdo vend të botës. Kjo vlen veçanërisht edhe për personalitetin e ish ministrit të arsimit Ernest Koliqi në kohën kur ai u bë dishepull i shqiptarizmës. Në këtë kuptim, përsëri jam i deytyruar të them se këmisha e zezë e Koliqit as që kishte të bënte fare me fashizmin e kohës, por ishte më shumë një veshje për të maskuar misionin e tij madhor, përballë ngjyrave të këmishave të fqinjëve tanë grekë e serbë që kërkonin çngjyrosjen e flamurit kuq e zi. Në këtë pikë çfarë mund t’i thuash këmishës së Ernest Koliqit që në pamje dukej e zezë dhe në brendësi ishte e bardhë dhe që flakëronte me ngjyrat e flamurit tonë. Këtu qëndron edhe masdhështia e Koliqit dhe e atyre të ashtuquajturve “Kolaboracionistë”, si Mitat e Mhedi Frashëri e si shumë e shumë të tjerë burra që nuk pranuan të vishnin këmishën e pushtimit komunist e bashkë me të edhe pushtimit serb e rus, kinez dhe kuban.
Unë them se të gjithë ata që bashkëpunuam me komunizmin dhe u bënë pjesë e mashtrimit të popullit me idenë e “të hëngurit me lugë floriri”, që doli me parrullën e madhe “bashkim pa dallim feje, krahine dhe ideje” në Konferencën e Pezës më 1942 dhe që më pas e bënë këtë vend det e tërmet me diktaturën staliniste të Enver Hoxhës, duhet të quhen me plot gojën “kolaboracionistët e komunizmit”. E them kështu se dëmi që solli instalimi i një diktature që kombit i bëri veçse keq, është më e keqe se fashizmi që në një periudhë të shkurtër zbatoi qëllimet e tij në këtë vend. Si bir i një antifashisti që jam, (im atë u internua në kampet famëkeqe të shfarosjes së masë në Mathauzen dhe në Dakao, ashtu si edhe shumë të tjerë), kam nderim për luftën e një populli dhe dëshmorët e tij. Por kur këta dëshmorë që ranë për një ideal u tradhëtuan në mënyrën më barbare, atëherë këtu kemi të bëjmë me një shpërdorim me dashje të së drejtës që të jep populli dhe që përbën një tradhëti shumë e shumë herë më të madhe se sa çdo lloj tradhëtie tjetër. Aq më keq kur këtë ta bëjnë brenda vetes dhe në emër të një ideali që nuk është i tillë.
Le të kthehemi tek problemi.
Ky është edhe thelbi i replikës me Arben Puto, sepse kur ishte kryetar i Helsinkit Shqiptar, nuk di se çfarë të drejtash mbrojti ky njeri dhe cili ishte misioni i tij në urdhërat e Enver Hoxhës në kohën e diktaturës. Kuptohet, për t’i shërbyer sistemit me çdo çmim dhe këtu kemi të bëjmë me një shërbim ndaj një pushtimi si komunizmi, përballë të cilit Ernest Koliqi ishte një apostull i dijes dhe i arsimit. Do të doja t’i thoja Arben Putos se ajo për të cilën Koliqi dhe ata normalistë që shkuan në trojet mbarëkombëtare luftuan për shkollën dhe gjuhën shqipe ishte një mision që binte ndesh me qëllimet e mbrapshta të UDB serbe që nuk donte asnjë shkollë shqipe, asnjë flamur shqiptar, asnjë fjalë shqipe, ndaj dhe vrau në Tivar mbi 4 mijë kosovarë në bashkëpunim me komunistët shqiptarë, ndaj dhe urdhëroi humbjen e eshtrave të Gjergj Fishtës dhe shuarjen e emrit të figurave katolike që ishin në ballë të luftës kundër shkjaut. Në këtë pikë profesor Puto nuk prononcohet sepse ai vetë ka qenë pjesë e misionit komunist për të realizuar qëllimet serbe. Prandaj edhe koncepti për “kolaboracionizmin” duhet të ndryshojë në kohë dhe në hapsirë. Unë nuk mund të jem kolaboracionist sepse kështu do diktatori për qëllimet e veta.
Ishin vite lufte, vërtet, por gjithsesi ata që drejtonin jetën publike të këtij vendi ditën të shfrytëzojnë gjithshka në shërbim të kombit. Vendimi i marrë në atë shtator 1941 nga ish ministri i arsimit i asaj kohe, Ernest Koliqi, është gdhendur në kujtesën e brezave si një akt sublim i një shqiptari të madh. Vërtet ishte luftë, por shkollë gjithsesi bëhej, ashtu si dhe sot. Ndryshimi qëndron në atë se shkollat shqipe nuk ishin të konfirmuara në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri, pikërisht atje ku gëlonte shqiptarizmi, se institucionet shkollore shqiptare ishin të ndaluara nga pushtuesit shekullorë serbo-grekë. Dhe çfarë ka këtu për kolaboracionizëm të Ernest Koliqit, që duhet të cilësohet se kështu do Arben Puto apo ata që i bën fresk diktatorit ?!
Ata ishin rreth 400 normalistë morën me vete bekimin dhe uratën e një ministri që nënshkroi vendimin prej shqiptari që djemtë dhe vajzat e arsimuara në Normalen e Elbasanit apo Shkollës teknike amerikane të njogur si “Shkolla e Fullcit”, të hapnin shkolla ku të mësohej shqipja dhe të shkruhej gjuha e ëmbël naimjane. Vërtet ishte luftë, por ministri i arsimit i asaj kohe i shpalli luftë asimilimit të shqipes në trojet tona shumë shekullore. 400 normalistët nga e gjithë Shqipëria, pjesa më e madhe nga Elbasani, u kthyen në shqiponja të gjuhës dhe të këndimit, duke hapur shkolla në Prizren dhe në Tetovë, në Podgoricë dhe në Prishtinë, në Gostivar dhe në Gjakovë, në Ulqin dhe në Filat, vetëm e vetëm të fitohej beteja e shqiptarizmit. Dhe çfarë ka këtu për koalboracionizëm ?!
Ernest Koliqi ishte ministri i arsimit i kohës që sfidoi kohën dhe bëri atë që të meritonte nderimin e brezave të të tërë nxënësve që dolën nga bankat e shkollave shqiptare, atje, ku i thonë bukës bukë dhe ujit ujë. Për dhjetra vjet shqipja triumfoi si ajo manushaqja bukuroshe e Naimit që çeli mes ferrash antishqiptare për të kundërmuar si lahuta e malsisë që mbushi vendin me burrni. Askush tjetër nuk kishte bërë një akt të tillë, akt i cili rradhitet krah Shpalljes së Pavarasisë, rradhitet krah Mbretërisë Shqiptare, ashtu siç do të doja ta renditja krah lëvizjeve të mëdha që sjellin po aq ndryshime të mëdha në jetën e një vendi. Çdo normalist apo student i shkollës së Fullcit kishte me vete në çantën e tij një vendim ministror të një njeriu të madh, vendim i cili u jepte krenari, dinjitet dhe i bënte mësuesit e trojeve shqiptare ambasadorë të shkollës shqipe. Nuk ishte e pakët, aq më tepër e lehtë që në mes të pushtuesve greko-serbë të hapje shkolla shqipe. Dhe çfarë ka këtu për koalboracionizëm ?!
Simbolikisht do të përmendja 2 nga njerëzit që sot nuk jetojnë ma si Mehmet Gjevorin që lindi si djalë Elbasani dhe u bë bir i Kosovës në Prishtinë. Ai e nderoi ministrin e tij si nxënës i Harri Fullcit dhe u bë kryemësuesi i Kosovës, i nderuar dhe i respektuar me madhështi nga brezat e nxënësve që ai mësoi. Ndësa Jonuz Balla, ky bir malësori tashmë në kujtesën e brezave normalistë, kujtonte me nderim atë vit të shenjtëruar, siç e quan ai, që iu besua ai vendim i madh që të shkonte në Tetovë e Gostivar, në Manastir dhe kudo që e lypi nevoja dhe të hapte shkolla shqipe. Ai, ashtu si dhe Mehmet Gjevori, çuditërisht që të dy ndrruan jetë në moshën 95 vjeçare, u persekutuan nga regjimi sllavo-komunist, por ata, si dhe 400 normalistët e tjerë, një pjesë e të cilëve formuan edhe familje në tokat shqiptare, e kishin hedhur farën e rilindasve dhe ajo kishte zënë rrënjë. Nuk mund të harrosh dhjetra dhe dhjetra arsimtarë që në ato vite lufte me një flamur kuq e zi në gji, mes peripecive të kohës shkuan atje, ku e kërkonte momenti historik, duke i qënë mirënjohës ministrit të tyre Ernest Koliqi. Dhe çfarë ka këtu për koalboracionizëm të Ernest Koliqit ?!
Dhe vitet shkuan e shkuan plot 80 dhe ai akt historik i këtij burri ka mbetur në qerthullin e tranzicioneve i panderuar për vlerat që mbart, aq më tepër që bëjmë fjalë për një vendim të shkruar shqip nga një shqiptar, për një vendim të nënshkruar nga nje ministër shqiptar për një Shqipëri të Vërtet që duhej dhe duhet të flasë shqip. Nuk di se ç’duhet bërë për t’i dhënë vendin e merituar figurës së ministrit të arsimit Ernest Koliqi, që do të ishte edhe një rehabilitim i persekutimit që ju bë atij nga falangat slllavo komuniste. Kur mendon se persekutori tipik stalinist Enver Hoxha, njeriu që nuk mbaroi njëherë një shkollë të lartë, e mohoi vepërn e Ernest Koliqit dhe e shpalli atë heretike, kjo të sjell në kujtesë kryqëzimin e Jezu Krishtit dhe mohimin e shenjtërisë së veprave të madha, aq më tepër që si e tillë ishte edhe shqiptarizmi. Kur mendon dhe shikon se si pas 80 vjetësh kujtohet Konferenca e Pezës, konferencë e cila vendimet i mori të mëdha, por realizimin e pati antishqiptar, këtu vihen ballë për ballë mes tyre Ernest Koliqi dhe Enver Hoxha, njëri ministër arsimi i Shqipërisë së Vërtetë, tjetri diktator i Shqipërisë së cunguar, njëri dishepull i shqiptarizmit, tjetri udhëheqës i anti shqiptarizmit. Nëse Konferenca e Pezës kishte si postilat “bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje, krahine dhe ideje”, ato mbetën vetëm gjashtë fjalë që nuk u bënë kurrë realitet, janë gjashtë fjalë që u kthyen në të kundërtën e tyre dhe bënë atë që do të mbetet si postulati më i nëpërkëmbur, i cili dhunoi shqiptarët, i pushtoi ata më 29 nëntor dhe e ktheu këtë vend në një ferr ku humbi dinjitet dhe e katandisi këtë vend dhe këtë popull në geton e Europës, ku shqiptarët u kthyen në kavie eksperimentale të një çmendurie me emrin Enver Hoxha. Të harrosh Ernest Koliqin dhe akt-vendimin e tij madhor në shërbim të kombit dhe të kujtosh Konferencën e Pezës, si mbledhjen ku u sanksionua obskurantizmi komunist, kjo është një lloj si të rikthehesh në diktaturë. Pikërisht këtu duhet të mendohemi se cilët janë kolaboracionistët e vërtetë.
Është mëkat dhe gjynah i madh të bësh krahasim mes Ernest Koliqit dhe Enver Hoxhës, se është një lloj sikur të vlerësosh Judën para Jezusit apo Profetit Muhamed. Janë dy epoka që vërtet ndryshuan, njëra solli bardhësinë e arsimimit të bijve të kombit kudo ne trojet shqiptare, ndërsa tjetra solli robërimin e bijëve të shqipes. Krahasimin e bëj vetëm si një kujtesë për këdo dhe kushdo qoftq ai sot, ministër arsimi apo kryeministër, politikan apo president se, rikthimi i kujtesës historike për Ernest Koliqin është rikthim në vlerat e vërteta. Ndërsa rikthimi i kujtesës diabolike për Enver Hoxhën është rikthim në diktaturë, duke nëpërkëmbur dëshirën e një populli vërtet për liri dhe demokraci dhe jo për drapër dhe çekan. Enevr Hoxha e mohoi , e shpërfilli, e denigroi Ernest Koliqin, ndërsa vepra e ministrit të arsimit Ernest Koliqi u lartësua vetiu se e tillë ishte ajo. Kurse një popull i tërë e errësoi , e denigroi e poshtetëroi dhe e urren emrin Enver Hoxha, se i tillë ishte ai. Kam bindjen se gjithnjë do të ketë vlerësim për aktet e mëdha që e përbëjnë kombin siç është gjuha, arsimi, të mbrujtura me shqiptarizëm.