(poezi)
1.RRËFIM EROTIK
Dora ime në dorën tënde,
mjafton që ta dëshirosh.
2.PËRRALLË E VOGËL
‘’Ah’’, tha miu,
‘’zvogëlohet bota çdo ditë.
E madhe ishte në fillim
dhe unë i dridhesha asaj,
ikja dhe isha fatlum,
që shihja nga larg
mure djathtas dhe majtas,
por shpejt ata u takuan
dhe më në fund u gjenda në një dhomë
dhe në qoshen para meje çarku’’.
‘’Thjesht duhet të përdredhosh’’,
i tha miut macja
dhe në çast e përlau.
3.E FTOHTË DHE E ASHPËR
E ftohtë është dita sot dhe e ashpër.
Retë të ngrira,
erërat zvarritin të ftohtit.
Të ngrirë edhe njerëzit.
Hapat jehojnë si metal
mbi pllakat e bakrit
dhe retë vështrojnë
liqene të bardhë.
Në qytetin e vjetër janë ngritur,
shtëpiza krishtlindjesh me drita
dhe dritare shumëngjyrëshe që shohin,
në sheshin e vogël me borë.
Një burrë ecën heshtur,
në sheshin me borë me dritë hëne
dhe hijen e tij të madhe e fryn
era mbi shtëpizat.
Njerëz që kalojnë ura të errëta,
shkojnë me nxitim në meshë,
me dritat verbuese në duar.
Në qiellin gri kalojnë re,
mbi kishat,
me kambanare gjysmë të errëta.
Dikush, që mbështetet në mur,
sheh ujin e natës,
me duart e tij në gurët e lashtë.
4.HENDVIG VAILERIT
Në diellin e pasdites,
me shpinë të anuar mbi blerim,
rrimë në stola,
duart tona varen poshtë,
pikëllueshëm hapembyllen sytë tanë
dhe njerëzit e veshur kalojnë,
me hapa që u merren këmbët mbi zhavorr,
nën atë qiell të pafund,
që shtrihet larg kodrinave,
deri tek kodrat atje tej.
5.ME HUGO BERGMAN NË PRAGË
Ka një ardhje dhe një ikje.
Një ndarje dhe shpesh asnjë rikthim.
6.FELIÇE BAUERIT NË BERLIN
Për zonjushën Feliçe Bauer,
për ta fituar dashamirësinë e saj,
me këto kujtime,
prej kohëve të hershme, fatkeqe.
- 1907/ 1908
Renda nëpër rrugica,
si vrapues i dehur,
duke u rrokullisur në erë.
8.SHTATOR 1909
Shpirt i vogël,
vallëzon dhe kërcen
në ajrin e ngrohtë, kokën kthen,
këmbët i ngre mbi blerim,
që shndrit dhe valëvitet ëmbëlsisht.
9.TETOR 1917- JANAR 1918
Nuk e di esencën,
nuk e kam çelësin,
tek fama nuk besoj,
të mirëkuptuara të gjitha,
se jam vetvetja.
Tre llojesh:
si të imitosh diçka,
të harrosh vështrimin,
të mbash fitimin.
Ose thjesht dy llojesh, se e dhëna e tretë,
e përmban të dytën.
10.TETOR- DHJETOR 1922
Dhe prapë dhe prapë në internimin e largët, në internimin e largët.
Në male, në shkreti, në vend paanë,
ia vlen të endem.