Kishte një kohë të gjatë që qëndroja i shtrirë me duart nën zverk, nën hijën e një peme të madhe me dëgë të gjelbëruara. I robëruar nga instinkti e i nxitur nga kureshtja e paqartë, me sy të zgurdulluar vështroja lëvizjet e çakorduara të disa kandrrave, të cilat dukeshin sikur qëllimisht sorollateshin rreth trupit tim. Zukatjet e tyre të thekshme filluan të depërtojnë në brendësi të kokës sime e pastaj të m’i gërryejnë si uji i nëndheshëm të gjitha organet. Një mendje e tërbuar nga tortura më lutej të ngrihesha nga vendi e t’i mbytja ato insekte të marra një nga një. Sapo përgatitesha për një veprim të këtillë të pakuptimtë, hetoja se trupi më ishte shkallmuar sikur të kisha udhëtuar përtej shtatë bjeshkëve. Dikur më kaploi bindja se nga qëndrimi i gjatë i shtrirë në tokën e ftohtë trupi kishte filluar të shndërrohej në dhe të zakonshëm. Fillova të dyshoja se kurrë më nuk do të mund të ngritesha në këmbët e mia. Diçka më thoshte të kredhesha në një letargji të këndshme, nga e cila nuk do të zgjohesha pa u ndërruar stinët tri ose katër herë. Disa çaste u sorollata me mendje duke kërkuar humenerën e mbushur me letargji, e cila nuk do të më lëshonte nga kthedrat e veta për një kohë tepër të gjatë. Në gjysmë të rrugës përpara më dilte një mal i madh, i mbushur me kafshë të egra, të cilat ulëronin me klithje të tmerrshme. Fillova të xhindosem me veten pse nuk isha në gjendje të dëboja një stinë të njëtrajtshme, e cila më rrinte pezull mbi kokë dhe sikur më vështronte me sy të verbër. Sa më shumë që e urreja atë peizazh të zvedhur nga ngjyrat aq më shumë ai ngulitej në thellësinë e zemrës sime. Kur u binda se gjumi i amshueshëm kishte vdekur në gjysmë të rrugës me njëqind mundime, mezi arrita të ngrihem në këmbët që më dridheshin e të cilat më dukeshin sikur të ishin prej dheu. Para meje shtrihej një peizazh i vjetër, i cili aty qëndronte që nga koha kur isha lindur e i cili i shëmbëllente një pikturës surealiste, ngjyrat e së cilës krijonin një ambient adimensional. Nga neveria e atij peizazhi të pajetë filluan të më përzihen jo vetëm mendtë, po edhe zorrët në bark. Duke më udhëhequr një forcë e padukshme fillova të arratisem nga ai ambient i neveritshëm. Si një kërmill i vogël zura të zvarritem nëpër një hapësirë të boshatisur, e cila në të dy anët rrethohej me lisa të nxjerrur me rrënjë e me gropa të mbushur me ujë të turbullt. Vonë hetova se nga një skaj i qiellit të copëtuar binte një shi i prajshëm, por i ftohtë, i cili më depërtonte brenda lëkurës së trupit. Mbi shpinë bartja një natë të frikshme, e cila nuk dihej kur kishte filluar e as kur do të përfundonte. Afër një përroske të shterur u ndala pa e ditur as vetë pse veproja kështu. Përtej errësirës që valëvitej nga era u dëgjua një klithje e heshtur që i shëmbëllente fishkëllimës së erës së tërbuar… O Zot, është një zë i ëmbël i foshnjës, më tha vetvetja ose një qenie e padukshme që gjendej pranë meje. Foshnja e gjorë qante e nxitur nga një trishtim i egër, pasi kishte kuptuar se kishte ardhur në jetë pa dëshirën e saj. Ndoshta kërkonte që të kthehej mbrapa nga kishte ardhur e pastaj të refuzonte të lindte… I zgurdullova sytë e pastaj vështrova në të gjitha anët për të parë foshnjën. Vetëm atëherë e kuptova se nga shtëpia kisha dal para shtatë ditësh për të kërkuar foshnjën. Mirëpo, trupin e saj nuk e shihja askund. Në të gjitha anët shihja murin e trashë që kishte krijuar errësira e gjallë, e cila më ngjitej nëpër fytyrë si rrëshirë. U mundova ta qetësoj mendjen duke i thënë se atë klithje të ëmbël e plot melankoli e kishte trilluar një shpirt i keq, i cili tash e një kohë të gjatë më vinte pas kudo që shkoja. Vazhdova të çapitem përreth përrosckës së shterur duke shpresuar se do ta shihja foshnjën të shtrirë në tokën e ftohtë. Përsëri nga një hapësirë që nuk arrija ta përcaktoja zuri të shpërndahet ajo klithje e zgjatur. Kësaj radhe dukej sikur një bishë e tërbuar po lëshonte ulërima të dhembshme. Dëshiroja ta ktheja kokën mbrapa, por më ndalonte frika se do të shihja një ujk të vjetër, i cili do të hidhej me tërbim mbi trupin tim. Një mendje e marrë më tha: ky ujk mund ta ketë ngrënë foshnjën e gjorë, të cilën një ditë e lashë afër një kroi të shterur e pastaj ika prej saj si prej djallit… Jo, i thashë vetes i mllefosur, jam duke e kërkuar një foshnje tash e disa vite, por nuk po mund ta gjej askund! Sytë kanë filluar të më vërbohen duke e kërkuar e shpirti po më digjet flakë… Pas një kohe të shkurtër ulërimat e tërbuara u fashitën përtej errësirës që ishte thinjur e plakur shumë. Një peshë e rëndë rrëshiqiti nga zemra që rrahte me ritëm të çakorduar…
Të nesërmen ose ndonjë ditë më vonë kur u zgjova nga gjumi i rëndë i vdekjes, i thashë vetvetes: jam nisur të takoj një qenie të dashur, e cila më ka premtuar se do të ma dhuroj një foshnje të bukur, por nuk e di saktësisht në ç’kohë e në ç’vend duhet të takohem me të! S’e di pse ajo foshnje më ishte bërë obsesion e pastaj më ishte rrënjosur në shpirt. Disa herë i kisha thënë vetes: nëse nuk e takoj atë foshnje do ta vras vetveten, sepse jeta pa të nuk ka kurrfarë kuptimi…! Derisa e vështroja lisin e madh, i cili ishte i mbuluar nga degët e zhveshura, përsëri nga një anë e papërcaktuar m’u duk sikur jehoi zëri i dashur i foshnjës, i cili më shkaktonte gëzim e dhembje në të njejtën kohë. Një zë i largët në vetvete më thoshte se në një kohë të shkuar ajo foshnje kishte qenë në duart e mia, por një ditë ishte zhdukur në mënyrë të mistershme. Tash e shumë kohë s’bëja gjë tjetër përveç se e kërkoja në të gjitha anët. Më mbante shpresa se edhe ajo më kërkonte në të gjitha drejtimet. U mundova me sy të zgurdulluar ta shoh trajtën e saj, por gjithkund shtrihej një zbrazëtirë e paanë… Vazhdova edhe më tutje të zvarritem kuturu nëpër atë hapësirë të çngjyrosur. Përsëri filloi të më fliste zëri i mendjes së tërbuar, i cili më thoshte: takimi për të cilin ëndërron tash e një kohë tepër të gjatë është i trilluar nga një shpirt i keq, ashtu siç është i trilluar edhe personi me të cilin mendon të takohesh! Ajo qenie e dashur ka kohë që është zhdukur nga bota, madje as varri nuk i dihet!… Megjithatë unë vazhdoja të besoja marrëziasht se patjetër do të takohesha me atë qenie që duhet të ketë pamje engjëllore. Ajo duhet të më pret në një fushë të mbushur me lule të bukura. Nga pritja e gjatë ka filluar të vërbohet, madje edhe të dobësohet aq shumë sa është gati të vdes. Me sytë e mendjes shpesh në imazh e trilloja një fytyrë të qeshur, e cila në thellësinë e zemrës ruante një dashuri të madhe. Sa herë që lëshohej mbrëmja dhe nuk shihte afër vetes trajtën time, nga dëshpërimi i nxirrte sytë dhe e prente gjuhën. Nuk e di pse gjithnjë rrugët ngatërroheshin në mes veti, kështu që asnjëherë nuk e gjeja rrugën që më shpinte tek ajo. Zvarritesha nëpër do rrugë të boshatisura, të cilat në vend që të më shpinin tek ajo, më largonin gjithnjë e më shumë prej saj. Duhej të takohesha patjetër me të, madje në mos i gjallë së paku i vdekur. Nëse nuk takohemi në këtë botë patjetër do të takohemi në ferr. Nëse nuk arrij të takohem i gjallë, atëherë do të më përcjell një errësirë e gjallë, e cila do të ushqehet me jetën dhe me kohën time. Vetëm kur të shoh sytë e saj do të mund të gjej dritën e diellit dhe të përjetoj lumturinë e kësaj bote… Një ditë tjetër kur u gjenda në një mal të mbushur me lisa të mëdhenj, sërish një polifoni tingujsh m’u përplasën në fytyrë duke më shkaktuar dhembje e mallëngjim. Afër meje përsëri jehonte vaji i një foshnjës së posalindur, e cila qante me ngashërim. E ktheva kokën mbrapa me dëshirë që ta shihja trupin e saj. Në vend të saj pashë një gropë të thellë, e cila i shëmbëllente një varrit të hapur para shumë kohësh. Duke dashur të gjeja burimin prej nga shprëndahej vaji i ëmbël i foshnjës, e kërkova pa frymë nëpër të gjitha anët. Mirëpo, trupin e saj nuk mund ta gjeja askund. Vaji dhe klithjet e saja vazhdonin të jehonin në të gjitha drejtimet bashkë me një erë të tërbuar, të cilat më përplaseshin fytyrës pa kurrfarë mëshire. E gjithë kjo i shëmbëllente një ëndrrës së vjetër në të cilën kisha zënë të vdisja në heshtje absolute. Një mendje e marrë më thoshte se kishte ardhur çasti i kobshëm kur duhet të çmendesha tri e më shumë herë, ngase takimi i shumëpritur nuk do të ndodhte kurrë. Ai i përkiste një kohe të perënduar. Dëshiroja ta hapja tokën e të hyja në të për së gjalli, ngase dëshpërimi ishte tepër i rëndë. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpëtoja nga pesha e madhe e ankthit që vazhdimisht ushqehej me jetën time. Si për inatin tim vaji i foshnjës vazhdonte të vinte pas meje duke më shkaktuar dridhërima të pafundme. Shikoja në të gjitha shkurret, në majet e lisave, mbi sipërfaqen e ujit të përroit… Mirëpo, foshnjën, e cila priste dikë ta rrëmbente e pastaj ta dërgonte në shtëpi, nuk e takoja askund. Vaji i saj zuri të më gërrynte pjesët e brendshme të kokës, kurse zemrën ma copëtonte me një thikë të mprehtë. Me sytë e mendjes së turbulluar e shihja trajtën e saj: një trup të vockël e të zhveshur, dy sy të vegjël që shndrisnin si yjet e natës, dy faqe si molla, dy duar të vockëla… Një mendje e marrë më tha: foshnja të pret ty deri në vdekje!… Për ta qetësuar mendjen i thashë vetes: zëri i foshnjës nuk ekziston në botën reale! Atë e ka trilluar një shpirt i keq që tinëzisht ka hyrë në shpirtin tim! Mirëpo, mendja nuk qetësohej nga fjalët e mia….
Hyra në një kasolle të braktisur, me shpresë të madhe se aty ishte strehuar foshnja e gjorë. Mirëpo, çdo gjë ishte vetëm një kurth që vetvetja ma përgatiste. Kur dola jashtë nuk shihja asgjë, madje as rrugën nga zvarritësha i dërrmuar. Një zë i egër më thoshte se gjithnjë kisha jetuar jashtë kohës reale, jashtë botës dhe brenda ëndrrave, të cilat gjithnjë më mashtronin shpirtin. Zëri i foshnjës së paqenë ishte bërë pjesë e pandashme e asaj që quhej “jetë!” sa që dyshoja se edhe pas vdekjes nuk do të më ndahej…
Pas një kohe të gjatë, atëherë kur njëren këmbë e kisha mbi dhe e tjetrën nën dhe, me kaploi dyshimi se foshnja nuk ekzistonte me trajtë konkrete, por ekzistonte vetëm zëri i saj, i cili një Zot e di nga jehonte dhe a jehonte fare. Nuk e kuptova kurrë pse zëri i saj i thekshëm i përzier me një vaj të ëmbël vinte pas meje. Nuk e kisha të qartë çka kërkonte prej meje pasi gjithnjë fshihej nga unë. Ndoshta kërkonte të më hakmerrej për diçka që nuk kisha bërë e ishte dashur të bëja ose për diçka që kisha bërë e nuk ishte dashur të bëja…
Kur pas një gjumi të mbushur me ankthe e ëndrra të shqetësuara u ngrita, e pashë veten se gjendesha pranë një lumi të qetë. Me sytë e përgjumur m’u bë sikur në një skaj të syprinës së lumit e pashë foshnjën e zhveshur, të cilën e kërkoja tash e një kohë të gjatë nëpër gjithë botën. Zemra sikur më doli nga kraharori. Nuk qenkëshka aq i pafat sa kam menduar! më tha vetvetja. Ky është çasti më i lumtur në jetën time! i thashë vetvetës me zë të ngazëllyer. Para syve të mi po hapej një botë e re që i shëmbëllente parajsës…. Fillova të vrapoj si i marrë drejt qenies së dashur. Mirëpo, sa më shumë që vrapoja errësira bëhej më e dendur, kurse qenia bashkë me foshnjën që e mbante në duar zhdukeshin në velin e saj, derisa u tretën sikur të mos kishin ekzistuar kurrë.
Vaji i thekshëm i foshnjës vazhdonte të jehonte përtej mosqenies me ritëm të njëtrajtshëm…