Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit la sot në fuqi dënimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për ish Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Ish Prokurori i Përgjithshëm është dënuar me 2 vjet burgim dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike, pasi u shpall fajtor nën akuzat për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.
Po ashtu atij do t’i konfiskohen edhe disa prona të vëna paraprakisht nën sekuestro 4 sipërfaqe toke, gjithsej 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.
Zoti Llalla nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme gjyqësore, ndërsa avokati i tij, Sokol Haziaj, tha se ish kryeprokurori gjendet në regjim spitalor. Avokati e quajti vendimin të padrejtë dhe tha se se do të ankimohej në Gjykatën e Lartë.
I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse zoti Llalla gjendet në Shqipëri apo ka udhëtuar jashtë vendit, avokati Hazizaj tha se nuk e dinte ku ndodhej klienti i tij, por e përfaqësonte atë procedurialisht në bazë të prokurës dhe deklarimit të tij para gjykatës.
Ndërsa dokumentat mjekësore, që flasin për gjendjen e rënduar shëndetësore të ish kryeprokurorit avokati shtoi se ato ia sillnin në mënyrë periodike zoti Llalla dhe familjarët e tij.
“Dokumentat mjekësore të zotit Llalla, epikrizat, janë në formën origjinale të kërkuar nga ligji, janë marrë rregullisht nga qendra spitalore të Shqipërisë dhe Turqisë, ia kam treguar Gjykatës, por ajo nuk i ka marrë në konsideratë” – tha zoti Hazizaj.
Ai shtoi se edhe në seancën gjyqësore të 9 shtatorit kishte paraqitur në gjykatë një epikrizë të re me datë të freskët të fillimit të muajit.
Ish kryeprokurori Llalla nuk mori pjesë as në seancën gjyqësore të 9 shtatorit në Gjykatën e Posaçme të Apelit, kur edhe aty avokati deklaroi se mungesa vinte prej gjendjes së tij së rënduar shëndetësore.
Avokati shtoi se në Gjykatën e Lartë do të kërkonte ndryshimin e vendimeve të dy gjykatave të mëparshme dhe së dyti pezullimin e ekzekutimit të arrestit për shkaqet shëndetësore.
Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, shkroi në rrjetet sociale se ndjehej mirë që shikonte se drejtësia po punon kundër zyrtarëve të korruptuar. “Prokurorët duhet të vazhdojnë të ndërmarrin veprime kundër zyrtarëve, pa marrë parasysh sa të lartë apo të fuqishëm, të cilët keqpërdorin pozitën e tyre për t’u pasuruar. Askush nuk është mbi ligjin” – shkruan ambasadorja amerikane, Yuri Kim.
Vendimi i Gjykatës së Apelit është i formës së prerë dhe sipas procedurave, prokuroria urdhëron policinë të kryejë menjëherë arrestimin e të dënuarit.
Sipas rregullit, ankimi në Gjykatën e Lartë nuk pezullon arrestimin e tij, dhe procesi gjyqësor mund të vazhdojë paralel me burgosjen e të dënuarit.
Zoti Llalla u dyshua fillimisht për të paktën katër vepra penale; mosdeklarim i pasurisë, mosdeklarim i të hollave në pikat kufitare, shpërdorim i detyrës dhe pastrim i parave.
Por në fund të hetimeve gjithçka u reduktua te mosdeklarimi i pasurisë, i cili dënohet nga gjobë deri në 3 vjet burgim.
Hetimi pasuror ndaj zotit Llalla u bazua në të ashtuquajturin ligji Antimafia, sipas të cilit, barra e provës për të dëshmuar se pasuritë e sekuestruara janë të ligjshme, i takonte ish Prokurorit të Përgjithshëm.
Sipas gjykatës, pasuritë e tij janë rivlerësuar nga 2 deri 16 herë, duke bërë që vlerat e tyre të kapin shifra të larta.
Zoti Llalla u largua nga detyra në përfundim të mandatit në dhjetor të vitit 2017. Pak muaj më pas, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se i kishte ndaluar atij dhe familjes së tij, hyrjen në Shtetet e Bashkuara, duke shpjeguar se Sekretari i atëhershëm i Shtetit Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni. Ai u bë zyrtari i parë shqiptar ndaj të cilit autoritetet amerikane zbatuan ligjin 7031, për përcaktimin e personave të përfshirë në akte të rënda korruptive. Më pas ky ligj u zbatua dhe ndaj ish deputetit Tom Doshi, ish kryetarit socialist të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako e së fundi dhe ndaj ish kryeministrit Sali Berisha. Edhe ndaj tyre, dhe familjeve të tyre, është marrë e njejta masë ndalimi për hyrjen në territorin amerikan
Ish Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, bëhet po ashtu i pari zyrtar i lartë që dënohet me burgim nga institucionet e reja të dala nga Reforma në Drejtësi.