ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim: Uashingtoni është serioz në luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë

24 shtator, 2021
Ilirian Agolli

Në Tiranë, ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, e sapokthyer nga Uashingtoni, zhvilloi sot një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Pas takimit me zotin Basha, ambasadorja Kim deklaroi se SHBA është e gatshme për të bashkëpunuar me PD, dhe e di që PD-ja ndodhet në një pozitë të vështirë reformimi, në një proces tranzicioni, dhe shtoi se shpresonte që PD të dalë më e bashkuar dhe më e fortë nga kjo rrugë tranzicioni, në mënyrë që të fitojë sërish zgjedhjet.

“M’u duk jashtëzakonisht e rëndësishme të vija menjëherë në Partinë Demokratike për të ndarë me zotin Basha atë që kam mësuar nga Uashingtoni dhe për nga sot e tutje. I thashë zotit Basha se Uashingtoni mbetet i angazhuar për të punuar akoma më ngushtë me Partinë Demokratike. SHBA ka patur një marrëdhënie shumë të fortë e të veçantë me PD qysh nga fillimi. Ne ishim aty kur Partia Demokratike erdhi në pushtet për herë të parë dhe shpresojmë që të jemi në kushtet që të festojmë kur ajo të vijë në pushtet përsëri” – tha ambasadorja Kim.

Ajo shtoi se PD-ja ndodhet në një çast të vështirë, në një proces tranzicioni, dhe shtoi se shpresonte që PD të dalë më e bashkuar dhe më e fortë nga kjo rrugë tranzicioni, në mënyrë që të fitojë sërish zgjedhjet.

Ambasadorja amerikane theksoi se demokracia përkufizohet nga të pasurit e një partie opozitare të fortë dhe që lulëzon.

“Për sa i përket Uashingtonit, ne jemi seriozë në luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, jemi të gatshëm që ta sulmojmë atë, pavarësisht rangut, nivelit, apo partisë”, – tha ambasadorja Kim, pas takimit me zotin Basha.

Ajo quajti të gabuara dhe fyese disa raportime, sipas të cilave, përcaktimi për raste madhore të korrupsionit ka qenë një sulm kundër stabilitetit të Shqipërisë.

Diplomatja amerikane kujtoi se më 6 maj 1920, “kur gjithë bota donte që Shqipëria të zhdukej nga faqja e dheut, Presidenti amerikan Uillson tha se Shqipëria duhet të qëndrojë dhe do të qëndrojë e fortë”. Zonja Kim si atëherë edhe tani Shqipëria duhet të jetë më e fortë, sovrane dhe demokratike.

“Për të gjithë ata që përpiqen të vendosin SHBA-të kundër popullit shqiptar iu them se e kanë gabim. Populli shqiptar e di se ju e keni gabim. Qëndrimi ynë është se sovraniteti, pavarësia dhe demokracia e Shqipërisë nuk do të ndryshojnë asnjëherë. Qëndrimi ynë është që rëndësia e Partisë Demokratike kurrë nuk do të ndryshojë” – tha zonja Kim.

Ambasadorja amerikane theksoi se është me rëndësi të madhe që Partia Demokratike u kthye në parlament me forcë të plotë, sepse janë për t’u bërë shumë veprime për të zhvilluar zgjedhje më të mira herën tjetër, për të trajtuar gjithë mangësitë që janë shënuar në raportin e OSBE/ODIHR-it. Po ashtu ajo përmendi reformën territoriale dhe luftën kundër korrupsionit.

“Ka rëndësi për të gjitha këto që Partia Demokratike të jetë e fortë, e bashkuar, që të bëjë përpara, por nuk mund të ecet përpara me një këmbë në të shkuarën. Ne presim që të ecim përpara me Shqipërinë, me popullin shqiptar, me Partinë Demokratike drejt së ardhmes” – tha ambasadorja Kim pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të opozitës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here