ZEMRA NUK PYET
Nuk dashurova rastësisht,
Vuajtja s’më kaploi kot,
Mendjes shpesh i thërrisja,
Por zemra s’dëgjonte dot.
NATË MËKATARE
Falmi ëndrrat
Natë mëkatare!
Ndjenjat m’i ndrydhe,
Buzëqeshjen ma vodhe,
Heshtjen përqafove,
Betimin bëre para saj,
Fati nuk do të më përkëdhelë,
Asnjëherë…
ËNDËRR E NËPËRKËMBUR
Sonte heshtja më prangoi,
Errësira më gëlltiti fjalën,
Zemra numëron të rrahurat,
Largësia ia zgjat dorën,
Ëndrrës sime të nëpërkëmbur.
MËNGJES ME DILEMË
Jam unë
Apo mëngjesi I zymtë?
Rrezja e diellit
Harroi
T’i japë shpresës shpresë,
Mjaltit mjaltë!
DHURATË PËR ZEMRA
Vetmia më shoqëron,
Malli më gris ngadalë,
Lus natën e heshtur
Të mos kursejë përqafimet,
Kur qielli fluturimthi zbarkon,
Për zemra të përmalluara.
DROMCA NATE
Mendimet udhëtojnë
Pa destinacion
Në heshtjen e kësaj nate,
Edhe shpresën e fundit,
Dallgët ma marrin
E unë thërras pagjumësinë .
Të kënaqemi .
Në mbretërinë e kësaj nate.
AUTOPORTRET
Jam e thjeshtë, natyrale,
Kurrë s’ tentova të ndryshoj.
Pasuri e kam shpirtin
Mikun drejt në sy e shikoj.
Atë që them, përherë e mbroj,
Qoftë me shkrim a me gojë,
Nuk bie ndesh me fjalën time,
Jo, nga unë – mos prit zhgënjime.
PËRTEJ DËSHIRËS
Dhe përtej dëshirës,
Zemra shumë shpreson, Ëndërr e pambaruar, Mallin tim ma shton.
Flladi i verës,
Flokun ma përkëdhel
Në shenjë dashurie,
Balluket m’i përdredh.
Velon gri muzgu
E lëshon lehtë-lehtë
Zemrën e vetmuar
Hape, o zog i shkretë!
PORTRET NË HESHTJE
Qetësi absolute.
Vetëm një yll nga lart më flet: –
– Më ke mua, ndaj mos kërko dritë! Kështu më foli ylli
dhe sytë i mbylli e prapa diellit u fsheh…
Hëna doli afër yllit ia kalli heshtjen pyllit.
NOTA KUJTIMESH
Në pentagram ëndrrash,
Shkruaj nota kujtimesh,
Të ikura në heshtje
Që këputen si gjethe
Në stinën e vjeshtës.
NGADHËNJIMI IM PARA JETËS SIME
Jeta ime
Më ishe njerkë,
Armike,
Përse më ndëshkove?
Për sinqeritetin,
Mirësinë,
Apo ndoshta
Pse nuk t’u përkula…
Të falëm, o Zot
Që më fale Më të fuqishëm, Sesa jetën time!
LUTJE PËR ERËN
Erë e lehtë e mbrëmjes,
Largoma heshtjen e trishtë.
Edhe kësaj vere
Me aromë jete – Vetmisë t’ia njoh vetminë!
DËSHIRË PLANETARE
Nuk dua t’i ngjaj diellit,
As sikurse hëna
Që shpesh nën re rënkon
S’dua të perëndoj… ,
Dua t’i ngjaj qiellit
I hapur përherë, I kaltër në dimër,
I kaltër në pranverë.
FJALËT E MIA
Fjalët e mia
As tërthorazi
Nuk u largohen
Të vërtetave të hidhura,
Vuajtjeve të pa rreshtuara,
Të rëna mbi supet e mia, Që më dëmtuan gjatë, Dekadave të errëta.
Fjalët e mia
Ndëshkimeve u bënë ballë,
U kërrusën ndër shekuj, Nga besa e dhënë.
Janë të vetmet fjalë,
Që nuk thuhen me gojë.
PROJEKT I DËSHTUAR
Deri tani ka munguar një forcë,
Që optimizmi të ngrehë zërin,
Dhe pakënaqësitë të dalin në plan të dytë:
– Unë të jem vetvetja,
Lirshëm të qes hapin në rrugë.
Fuqishëm të rrëfehem
Për atë që ndjesish ëndërroj.
TI
Ti
Për mua je mëshirim
I gjithë mirësisë
I gjithë bukurisë.
Në pushtetin tënd Shtroj me lulet rrugët Që i do ti.
STUHI
Je imja
Edhe përtej
Betimit biblik…
Kështu më thoshe,
Unë varja kokën,
Skuqesha,
Dridhesha…
Në fund,
Pa më dalë krejt shpirti,
Ashtu si e humbur, Të thashë edhe unë: TË DUA!
KRONIKË NGA STINA E BARDHË
Në këtë natë të parë janari,
Kur terri i stinës së bardhë
M’i këput ëndrrat e agimit,
Kujtimet i kam të lagura,
Me lot dhembjeje e me pika shiu.