VJESHTA NË MËRGIM. Nga ARIF BOZAXHI, Prishtinë

ZARFI

kur në sytë e zogjve
korbat shuanin etjen,
një fëmijë nga prekazi,
deshi t’ia dërgojë
njëletër diellit..!

asnjë zarf nuk ia zuri
letrën e përgjakur.

KËPUCËT E TIJ

të kujt janë
këto këpucë
që tërë natën e lume
qajnë në pragun e shtëpisë

po këta krushq mërgimtarë
diellin e kujt
janë duke varrosur
në sytë e zogjve…

DEHJA E DETIT

trupi i saj
stinë fluturash,
n’ ishullın e ullinjve,
Ku dhe deti dehej nga
aromë e luleve.

lakuriq ashtu,
na çelte dıellı
duke vallëzuar
bashkë me detin!

DËRRASAT E VETMISË

nuk di
në cilin mal
në cilin lis
rriten dërrasat
e vetmisë.

DIELLI PI UJË NË SYTË E ZOGUT

një flutur dhe një zog
m’i vëzhgojnë
ëndrrat

edhe dielli pi ujë
në sytë e zogut

GRUAJA

me bukuri
i ndez yjet
me xhelozi
i djeg pyjet

POETI

ai që mund ta ndiejë
jehonën
e hapave
të një milingone
dhe kuvendimin e bletëve
me lulet

ai është
poet

VJESHTA NË MËRGIM

të gjitha gjethet që ranë në tokë
u varrosën në varrezat e vetmisë sime
malet e mallëngjimit heshtin
si pesha e qiellit mbi supet e mia

në mërgim
as hija ime
nuk më njeh

mërgimin e bart
si këpucët e mallkimit
dhe si këmishën
e një të vdekuri në trup.

Gjermani, 2015

PËR NJË PLANET PA URREJTJE

me lulen e fjalës
rrënoj mure terri
e në mëngjes
fluturash
dal

me fjalën zemër
në agime yjesh
agoj

me zemrën pëllumb
tremb pluhurin e urrejtjes
nga kishëxhamitë
e planetit

MONA LIZA

sytë e saj simfoni yjesh

duart që e krijuan
këtë bukuri
u çmendën

buzëqeshja në fytyrën e saj
muzikë
që e shurdhoi, beethovenin

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here