KËNGËT
Këngët e njerëzve,
janë më të bukura se ata vetë,
më të rënda se shpresa,
më të pikëllimta,
më të pareshtura.
* * *
Më tepër se sa njerëzit,
desha këngët e tyre.
Pa njerëzit munda të jetoja,
po kurrë pa këngët,
më rastisi të mos besoja,
tek e shumëdashura ime dikur,
po kurrë tek kënga,
që këndova për të,
as këngët, nuk më mashtruan
kurrë.
* * *
Cilado që të ishte gjuha e tyre,
këngët i kuptova përherë.
* * *
Në këtë botë, asgjë,
nga të gjitha ato që munda të pija
dhe të shijoja,
nga të gjitha vendet që njoha,
nga të gjitha gjërat që munda të prekja
dhe të ndjeja,
asgjë, asgjë prej gjëje,
nuk më bëri aq të lumtur,
sa këngët…
1960
DETI MË I BUKUR
Të qeshësh nga thellësitë
e së artës së syve të tu
jemi brenda botës sonë.
Deti më i bukur
është ai që nuk e kemi
udhëtuar akoma.
Fëmijët më të bukur,
ende nuk janë rritur.
Ditët tona më të bukura
nuk i kemi jetuar.
Dhe atë që desha të të them,
më të bukurën nga të gjitha,
nuk ta kam thënë ende.
HIMN PËR JETËN
Sa bukur është të jetosh,
të mund ta lexosh botën,
jetën ta ndjesh këngë gëzimi.
Sa bukur që është të jetosh
të habitesh dhe të jetosh si fëmijë.
Por është për t’u habitur, se kjo këngë e bukur,
se kjo jetë e mbushur me hare,
është bërë e ashpër,
është bërë e lirë
e kaq e pikëlluar
dhe është e dhimbshme.
Sa bukur që është të jetosh,
të të thonë buzët e njerëzve mirëmëngjes,
jetën ta bësh këngë për dashurinë,
sa bukur është që të jetosh,
të habitesh dhe të jetosh si fëmijë.
PËR KËNGËT E MIA
Nuk kam pegas me shalë argjendi
as të ardhura
-siç u thonë- të fshehta
nuk kam as tokë
asnjë pëllëmbë
vetëm një gotëz me mjaltë
si të jetë flakë e shndritshme.
* * *
Kjo është jeta ime
ajo është edhe për miqtë
përballë gjithë armiqve
brenda meje
e ruaj këtë pasuri timen,
një gotë me mjaltë.
* * *
Durim, shokë, durim
se do të vijë dita e madhe
po, do të vijë!
-Për ata që kanë mjaltin do të vijë
bleta, një e vetme,
nga Bagdati.
KJO ËSHTË E GJITHA
Jetoj në një dritëzim të fuqishëm
që përparon
plot e përplot duart e mia
me dëshirë
dhe bota është e bukur shumë
aromëzon.
* * *
Sytë e mi lakmuan
pemët
pemët që u mbushën me shpresa
dhe u veshën me uniformë të blertë
rrugica plot diell e hare vazhdon
në qilimin plot freski
dhe nga dritarja e vogël më fton
në ishujt e blertë.
* * *
Dhe as që më vjen erë ilaçesh
shtëpia e pushimit tashmë nuk vjen erë të keqe
-do të çelin karafilat
udhë e mbarë-
* * *
E ç’do të thotë nëse je në burg?
Mos u përkul!
Kjo është e tëra.
Nuk ka tjetër këshillë.
1948
KY VEND ËSHTË YNI
Ky vend që vrrullon me galop që nga Azia
dhe nxjerr para
kokën e bukur
si kërriçi
plot me hare
drejt ujrave të Mesdheut
ky vend është yni
me fytyrë të gjakosur
me dhëmbë të shtrënguar
me këmbë të zhveshura.
* * *
Si e mëndafshtë është toka jonë
është qilimi ynë
kjo toka jonë
ferri ynë
kjo parajsë
është e jona.
* * *
Dëshira jonë
tani rritet, hedh shtator
që të jetë jona
përgjithmonë
të jetojmë të lirë si pemët
si pemët e të njëjtit pyll
të vëllazëruar,
të përqafuar.
SI QEREMI
Ajri është e rëndë si plumb
Thërras Thërras Thërras Thërras.
Ejani shpejt. Ju Thërras
ta shkrijmë plumbin.
Dikush më thotë
do të marrësh zjarr nga vetë zëri yt
do të bëhesh hi si Qeremi
që u dogj nga dashuria e tij.
Kaq fatkeqësi dhe kaq pak miq
veshët tuaj janë zgavra e zemrës suaj.
Ajri është i rëndë si plumb.
Dhe unë i them:’’Le të digjem
le të bëhem shkumb e hi si Qeremi.
Nëqoftëse nuk digjem unë. Nëqoftëse nuk digjesh ti
nëqoftëse nuk digjemi ne, si do të lindë
nga errësirat ndriçimi?’’.
Është i trashë ajri si toka
është i rëndë ajri si plumb
Thërras Thërras Thërras Thërras.
Ejani shpejt ju Thërras
ta shkrijmë plumbin.
BIE BORË NATËN
E dimë që të dy, e dashura ime
se na mësuan
të kemi uri dhe ftohtë
dhe të jetojmë të ndarë.
Nuk jemi detyruar ende të vrasim
nuk na ka rastisur ende të vdesim.
E dimë që të dy, e dashura ime,
se mund të mësojmë të tjerët
të luftojnë për njerëzit tanë
dhe çdo ditë ta duam pakëz më tepër,
çdo ditë ta duam pakëz më mirë…
PËR JETËN
Jeta nuk është luaj e qesh
duhet ta marrësh seriozisht
le të themi, ashtu siç bën ketri
duke mos pritur asgjë nga jashtë dhe nga larg.
Nuk do të kesh gjë tjetër, veçse të jetosh.
Ditët tona më të bukura nuk i kemi jetuar ende
dhe, ah, më të bukurën që desha të të them,
nuk ta kam thënë akoma.
PËR JETËN
Jeta nuk është luaj e qesh
duhet ta marrësh seriozisht
le të themi ashtu siç bën ketri
duke mos pritur asgjë nga jashtë dhe nga larg.
Nuk do të kesh gjë tjetër, veçse do jetosh.
* * *
Jeta nuk është luaj e qesh
duhet ta marrësh seriozisht
le të themi ashtu i mbështetur në mur
me duar të lidhura
ose brenda në laborator
me bluzë të bardhë dhe syze të mëdha
duhet të vdesësh që të jetojnë njerëzit
njerëzit, fytyrat e të cilëve nuk i ke parë kurrë
dhe të vdesësh duke e ditur mirë
se asgjë nuk është më e bukur, nuk është më e vërtetë
se vetë jeta jote.
* * *
Duhet ta marrësh seriozisht,
ama, kaq seriozisht
le të themi të mbjellësh ullinj
në të shtatëdhjetat e tua.
Jo, aspak, që t’u mbeten fëmijëve të tu
por sepse vdekjen nuk do ta besosh
sado që t’i trembesh
gjithashtu që jeta të peshojë
më tepër në peshore.
VAJZA E VOGËL
Jam unë, jam unë që trokas në portën tuaj,
këtu ose gjetkë, trokas në të gjitha portat
oh, mos u frikoni aspak që jam e padukshme
askush nuk mund ta shohë një vogëlushe të vdekur.
* * *
Këtu e dhjetë vjet, rrija këtu
në Hiroshimë vdekja më gjeti
dhe jam fëmijë, të shtatat nuk i kam mbushur mirë
se nuk rriten fëmijët e vdekur.
* * *
Fillimisht morën zjarr gërshetat e mia të gjata
m’u dogjën duart dhe sytë
gjithë- gjithë mbeta vetëm një dorë hi
e mori stuhia edhe atë në një qiell të vrejtur.
* * *
Oh, mos mendoni se kërkoj diçka për vete,
mua askush nuk mund të më ëmbëlsojë
se fëmija që u dogj si një gazetë
nuk mundet më karamelet tuaja t’i shijojë.
* * *
Jam unë që trokas në portën tuaj, më dëgjoni,
më gostitni vetëm me nënshkrimin tuaj
në mënyrë që fëmijët të mos vriten më
dhe të kenë mundësi të hanë karamele.
ΒΟTË E VOGËL
Dhe ja, çfarë dua t’iu them tani.
Në Indi, në qytetin e Kalkutës,
i bllokuan udhën një njeriu.
I hodhën zinxhirët një njeriu aty ku ecte.
Ja, pra, përse nuk e pranoj
ta ngre kokën në hapësirat e shndritshme yjore.
Do thoni, yjet janë larg
dhe toka jonë, ja kaq, e vockël fare.
* * *
E, pra, çfarëdo që të jenë yjet
unë u nxjerr atyre gjuhën.
Për mua, më e mrekullueshmja
më autoritarja, më e mistershmja dhe më e madhërishmja,
është një njeri që e pengojnë të ecij,
është një njeri që i vënë zinxhirët.
NJERIU ME KARAFIL
Kam mbi tryezën time
fotografinë e njeriut
me karafil të bardhë
që e pushkatuan
në gjysmëerrësirë
nën dritën e projektorëve
para se të çelte agimi.
* * *
Në dorën e tij të djathtë
mban karafilin
që është si dorë drite
nga deti grek
sytë e tij të guximshëm
fëminorë
vështrojnë çiltër
nën vetullat e tyre të rënda, të zeza
ashtu padjallëzisht
siç ngjitet kënga
kur kanë dhënë betimin e tyre
komunistët.
* * *
Dhëmbët e tyre janë borë të bardhë,
Bellojanis qesh
dhe karafili në dorën e tij
është si fjala që u tha njerëzve
ditën e trimërisë
ditën e turpit.
* * *
Kjo fotografi
doli në gjykatë
pas gjykimit me vdekje.
Përktheu: ILIAZ BOBAJ