Bashkia e Elbasanit dhe Bordi Editorial Ndërkombëtar i gazetës “Nacional”, tituj nderi dhe Çmim për poetin dhe prozatorin e mirënjohur
Nga Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
· “Të kujtonte një Esenin shqiptar të ndrojtur”- Nga Dritëroi, te Llazar Siliqi, Petro Marko, Moikom Zeqo e Lutfi Turkeshi, si e vlerësojnë Shefki Karadakun në dokumentarin artistik që u shfaq në Akademinë Përkujtimore para 100 personaliteve të letrave, si edhe në ekranin e Radiotelevizionin Publik Shqiptar, në kanalin RTSH3
Në 81-vjetorin e lindjes dhe 1-vjetorin e ndarjes nga jeta, shkrimtari i mirënjohur Shefki Karadaku, autor i 10 romaneve, 12 novelava e 13 vëllimeve me poezi, me të cilët ka hyrë me dinjitet në fondin e artë të letërsisë shqipe, është vlerësuar gjatë një Akademie Përkujtimore për produktin e tij letrar mjaftë cilësor.
Në këtë event të organizuar nga Qendra Kombëtare e Artit dhe Letërsisë “Nacional” dhe Federata Shqiptare e Veteranëve, merrnin pjesë dhjetra personalitete të spikatura krijuese në rang kombëtar, mes të cilëve artistet e Popullit Tinka Kurti e Margarita Xhepa dhe Prof.Bujar Kapexhiu- Nderi i Kombit.
Në çelje të këtij eventi mbresëlënës, më shumë se 100 shkrimtarë e artistë, familjarë dhe të afërm, që kishin mbushur sallën “UNESCO” të Muzeut Historik Kombëtar, ndoqën me interesim të jashtëzakonshëm dokumentarin artistik “ADN-ja e pandryshuar e Shefki Karadakut”, realizuar sipas skenarit tim, nga regjisori i talentuar Bledar Linza. Të pranishmit në sallë provuan emocione të ngrohta kur në filmin dokumentar kushtuar këtij kolosi të letrave shqipe, ikona e teatrit e kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa – Nderi i Kombit, interpretonte mjeshtërisht disa nga poezitë e lirikut famoz Shefki Karadaku, ndërsa për profilin krijues dhe vlerat ideoartistike të prozës e poezisë së tij, flisnin personalitete të letrave e publicistikës si: poeti Sadik Bejko, prozatori e publicisti Xhevat Mustafa, shkrimtarja dhe gazetarja e mirënjohur Kozeta Mamaqi, poeti e publicisti Sakip Cami, sidhe gazetari Hyqmet Zane nga Elbasani.
Prof.Bujar Kapexhiu: Profili i Karadakut, në një dokumentar mjaft cilësor
Për nivelin e lartë artistik, ndërthurjen mjeshtërisht të fjalës artistike me intervistat e ilustrimin me imazhet filmike e fotografike, duke përcjellë kështu një profil shumëdimensional të shkrimtarit Sh.Karadaku dhe mesazhet aktuale të veprës së tij letrare, dokumentari u vlerësua nga skenaristi, aktori dhe regjisori i mirënjohur Bujar Kapexhiu sidhe nga shkrimtarët e shquar: Dr.Mujë Buçpapaj, Sulejman Mato, Agim Pipa, Andon Andoni, Sakip Cami, Arben Iliazi, Kozeta Zavalani, Qazim Shehu, Josif Daja, Demir Rusi, Barie Çupi, Nafie Jella, Nexhbedin Basha etj.
Prof.Dr.Saemira Pino, e emocionuar u shpreh: “Mësova shumë për një njeri të letrave, që për fat të keq, kisha lexuar diku veç disa tregime të tij te ‘Nëntori’. Doja t’ju uroja sidomos për dokumentarin shumë të mirë të realizuar nga Ju kryesisht. Urime dhe arritje të tjera…”
Ndërsa Faruk Myrtaj, shkrimtar, novelist, poet dhe përkthyes, që prej vitesh jeton e punon në Kanada, pasi e ka parë dokumentarin të transmetuar të enjten në darkë nga Radiotelevizioni Publik Shqiptar -kanali RTSH 3, shkruan: “Nderime për Shefki Karadakun. Njeri i rrallë, familjar i shkëlqyer, lirik i llojit të parë. Bravo dhe më tej për bashkëshorten e tij Nadiren, si mbështetëse dhe frymëzuese e përjetëshme e tij. Ta kujtojmë siç ishte!”
Në dokumentarin artistik “ADN-ja e pandryshuar e Shefki Karadakut”, veçanërisht Znj.Kozeta Mamaqi, e njohur për potencialin e saj krijues si gazetare, esesite dhe tregimtare, solli në vemëndjen e publikut momente prekëse të viteve kur punonte bashkë me Shefki Karadakun në revistën Ylli, duke evidentuar krijimtarinë poetike e prozaike me të cilën Karadaku cilësohej si një nga zërat e rinj më të preferuar nga lexuesi, madje si Khajami i ditëve tona.
Karadaku lindi për të krijuar artin e tij
Studiuesi i njohur i letrsise, shkrimtari dhe botuesi Dr. Mujë Buçpapaj, ne falen e tij tha se “Në këtë përvjetor të ndarjes nga jeta të mikut tonë Shefki Karadaku kemi rast për të risjellë fuqinë e veprës së tij letrare, si një koërpus origjinal prej 35 veprash ne prozë dhe poezi, e cila mendoj se pati dhe ka nj ndikim në letërsinë tonë kombëtare.
Si studiues, kam vënë re se vendi i Shefki Karadakut në letërsinë shqiptare nuk është përcaktuar kurrë në mënyrë të kënaqshme nga kritika letrare dhe historianët e letërsisë dhe kjo mendoj për shumë arsye.
Së pari Karadaku ishte një poet dhe prozator i rrallë që shkroi jashtë rrjedhave zyrtare dhe metafizka e harmonisë së tij krijuese nuk u vinte për shtat koncepteve të kritikës standarte të realizimit socialist.
Kjo kritikë nuk i dha vendin e merituar, por edhe Shefkiu ishte nënçmues si ndaj kritikës ideologjike ashtu edhe ndaj asaj klanore dhe të çorientuar të pas viteve 1990”.
Në emër të Art Klub “Dibra”, Dibër e Madhe, Z. Hysen Kosovrasti, shkrimtar nga Republika e Maqedonisë së Veriut, në përshëndetjen që i solli Akademisë Përkujtimore, ndër të tjera shprehet: “Shefki Karadaku erdhi disa herë, si i ftuar special në qytetin e Dibrës së Madhe. U njohtua me shumë poet nga të gjitha trojet shqiptare, Tirana, Burreli, Peshkopia, Dibra, Kosova…, sidomos me kryetarin e klubit, Nebi Samarxhiu. Ata, disa që i njihte, e respektuan pa masë, sepse Shefki Karadaku është ndër intelektualet e rrallë që mori mbi supe përgjegjësi të rënda , në veçantësi ai punoi me shumë dinjitet në fushën e krijimit letrar si në prozë ashtu edhe në poezi”.
Prozatori Andon Andoni, autor i disa vëllimeve me tregime e romane, pasi ka lexuar dhe analizuar romanin e Sh.Karadakut “Puthja e ngrirë” (të vlerësuar nga kritika letrare si një nga kryeveprat e tij) shprehet veçanërisht për natyrën moderne në portretizimin e personazheve.
Sakip Cami – shkrimtar, poet dhe publicist i njohur, e konsideron Shefki Karadakun një shkrimtar të spikatur si në poezi edhe në prozë, në novelat dhe romanet e tij me subjekte dhe personazhe që të mbeten në kujtesë. Sipas tij, e veçanta e prozës së Karadakut është poezia e shkrirë brenda saj me figura letrare dhe artistike që të mrekullojnë. Karadaku ka shkruar e botuar 10 libra me novela e 10 romane ku do të veçoja romanin “Puthja e ngrirë” , një roman i shkruar në vitet 1990 – 1991 që trajton egërsinë e diktaturës komuniste që po jepte shpirt duke vrarë e plagosur dhe kjo e dhënë nëpërmjet një çifti të rinjsh, Rrok Delisë dhe Zibelit, të ciëve falangat komuniste ua ngrinë puthjen dhe ua mohuan dashurinë duke i vrarë në kufi.
Shkrimtari, dramaturgu dhe publicisti Arben Iliazi e vlerëson Shefki Karadakun një zë emblematik të lirikës shqiptare. “Duke e riparë nga optika e pas pesëdhjete e ca viteve krijimtari, veprën poetike të Tij, mund të themi se Karadaku është një poet i spikatur i letrave shqipe, që paraqitet me atributet e origjinalitetit të tij të patjetërsueshëm. Ai nuk është i ngjashëm me askënd, është plotësisht dhe thellësisht vetvetja. Karadaku lindi për të krijuar artin e tij. Eshtë ndër të paktit poetë, i cili që në fillim synoi origjinalitetin dhe jo imitimin, konstruktoi vetveten, për të mos qenë i ngjashëm. Shefki Karadaku s’do të bëhet kurrë Mit. Ai do të mbetet poet i përjetshëm i Dashurisë. Dhe duke qenë i Përjetshëm është Profetik. Ndërsa lexuesit e tij do mbeten të mrekulluar në çdo kohë, në çdo epokë…”, -shprehet ndër të tjera z.Iliazi.
Nderimi nga kryebashkiaku Gledi Llatja i Elbasanit
dhe Qendra Kombëtare e Artit dhe Letërsisë “Nacional
Me sugjerimin e ikonës së Teatrit e Kinematografisë shqiptare, aktores së madhe Margarita Xhepa – Nderi i Kombit, si dhe në konsiderim të propozimit të bërë nga Qendra Kombëtare e Artit dhe Letërsisë “Nacional” dhe Federata Shqiptare e Veteranëve, kryetari i bashkisë së Elbasanit, Z.Gledian Llatja vlerësoi në 81-vjetorin e lindjes dhe 1-vjetorin të ndarjes nga jeta shkrimtarin Shefki Karadaku me titullin e Nderit “Mirënjohja e qytetit”, me motivacionin: “Për konributin e shquar si shkrimtar, vepra e të cilit është përçuese e historisë, kulturës, traditave e cilësive identifikuese të trevës së Elbasanit, koorpusi letrar i të cilit përbën një thesar të çmuar që rrezaton dritën e artë në historinë e leërsisë shqipe”.
Çaste vërtetë emocionuese për bashkëshorten e shhkrimtarit të Madh, Znj.Nadire Karadaku, kur nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, Z.Artur Guni i jep asaj këtë titull të lartë nderi.
Dhe Nadirja, një nga gratë e njohura intelektuale të kryeqytetit, e karakterizuar nga shpirti i saj i veçantë krijues, do të falenderonte përzemërsisht qytetarin e parë të Elbasanit, si dhe oganizatorët e pjesëmarrësit në këtë Akademi Përkujtimore.
Vetë Z.Guni, po atë ditë do të shkruante në faqen e tij në facebook: “I privilegjuar, të merrja pjesë sot në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, në Akademinë Përkujtimore kushtuar shkrimtarit të mirënjohur elbasanas Shefki karadaku, organizuar nga Nderi i Kombit Margarita Xhepa e shkrimtari e publicisti Halil Rama. Në emër të kryetarit të Bashkisë Elbasan, Z.Gledian Llatja, familjes së shkrimtarit të mirënjohur elbasanas Shefki Xhaferr Karadaku i dorëzova titullin e akorduar “Mirënjohjë e qytetit (pas vdekjes).”
BORDI EDITORIAL NDËRKOMBËTAR I GAZETËS “NACIONAL” E NDERON KARADAKUN ME “ÇMIMIN PËR VEPËR JETËSORE
Shkrimtari Shefki Karadaku u vlerësua në 81-vjetorin e lindjes dhe 1-vjetorin të ndarjes nga jeta edhe nga Bordi Editorial Ndërkombëtar i Gazetës “Nacional” me “Çmimin për vepër jetësore”, me motivacionin: “Vepra e tij, si shprehje e vuajtjes dhe guximit krijues, ndërthur bukurinë lirike, me narrativën tragjike të ekzistencës, fuqinë epike me kërkimin e së vërtetës, e cila ka ushtruar ndikimin më të madh në letërsinë bashkëkohore shqiptare, me mesazhe të forta për gjithë njerëzimin”.
E bija e tij, Albana – një notere e njohur , e respektuar dhe e vlerësuar nga qytetarët e klientët e saj në kryeqytet, do të shprehej e ngazëllyer pas marrjes së këtij çmimi nga Dr.Mujë Buçpapaj, një nga poetët, publicistët, analistët dhe politologët më të mirë në rang kombëtar. themelues dhe drejtues me kompetencë e profesionalizëm i kësaj qendre, si dhe i gazetës “NACIONAL”, në të cilën gjatë 10 viteve të fundit është botuar pjesë nga krijimtaria poetike e prozaike e Shefki karadakut si dhe disa analiza të mirëfillta për veprën e tij dinjitoze letrare.
TË MËDHENJTË E LETRAVE PËR KARADAKUN…
Shefki Karadaku me korpusin e tij letrar ka hyrë denjësisht në historinë e letërsisë shqipe. Nëse patriarku i letrave shqipe, Dritëro Agolli, vlerëson konceptimin popullor të realitetit në përmbledhjen “Meloditë e Shkumbinit” të Shefki Karadakut, ku evidenton gjuhën e pasur të vargjeve të tij të ngjashme me motivet popullore, si “Vajza e mullixhiut”, “Nata e fundit e aksionit” e të tjera…, Kallulli shprehet për pleksjen bukur e me forcë të ngjyrave, e heroikes me tragjiken, të fëlligështisë e dobësisë morale të armiqve të egër. Adriatik Kallulli për një nga poezitë më të njohura shkruan se poezia e Shefki Karadakut është në shumë raste një poezi pikturë, ai e ndien që lexuesit i duhet shprehur në një mënyrë të tillë që të parafytyrojë me kthjelltësi atë që ka parë një herë poeti. Shembulli tipik për këtë është poezia “Kënga e karrove të drithit”, ku gëzimi për korrjen, për bollëkun e grurit, shprehet me një kuadër plot lëvizje: “Kur të fillojë të bredhë nesër dielli,/Në largësinë e fushës, si lejlek,/ Atëherë, pas karrove të drithit,/Udhën e kaltër të arave do ndjek…”
Po ashtu, poeti ynë Llazar Siliqi do të shprehej se, “kur më 1967 Shefki Karadaku doli me vëllimin e tij të parë, ‘Këngën e karrove të drithit’, ne u gëzuem që radhët e poetëve shqiptarë u shtuan me një poet të ri, me një lirik të qetë e të ambël, me ndjenja të holla, me dorë piktori të akuarelit”.
Ndërsa shkrimtari i madh Petro Marko, pasi ka lexuar novelën e Shefki Karadakut, të titulluar “Rrugët e para” shprehet: “Sikur ta kishte këtë botim në vargje dhe ta kishte pagëzuar po me këtë emër, ne përnjëherësh do të thoshim: poeti, pasi njeh rrugët e para të jetës, ka zbuluar në to fenomene dhe tinguj, ose ngjyra të reja dhe tani po na i dhuron me dashuri…”.
Moikom Zeqo – Shkrimtar, studiues, do të shkruante në Gazeta “Drita”, 30 janar 1994 ( libri “Feniks” përmbledh ditarët e tij intimë poetikë ,vitet 1972-1985) se: Poeti Shefki Karadaku, i njohur në vitet ‘60 si një talent i vërtetë lirik, të kujtonte një Esenin shqiptar të ndrojtur, tepër modest, me trillet origjinale të imazheve të vendlindjes së tij. Lirika e tij imazhiniste qe e ngrohtë, plot ndjesi fusharake, me një romantikë të pranueshme, po me arketip figurash popullore…
Dr.Lutfi Turkeshi, gazetar dhe studjues nga Republika e Maqedonisë së Veriut, jo më kot, e vlerëson Shefki Karadakun si “Khajamin e ditëve tona”. Në këtë konkluzion ai arrin pasi ka lexuar romanet “Puthja e ngrirë”, “Një mijë vjet dashuri”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Filantropi”, “Panagjerikus” e të tjerë, dhe vëllimet poetike “Kënga e korrave të drithit”, “Melodi të Shkumbinit”, “Ylberi”.“Lumi me njëqind zemra” e “Feniks” të poetit e shkrimtarit Shefki Karadaku, i cili asnjëherë nuk do t’i nënshtrohej jetës edhe pse e vuante atë…
“Si feniks, shkëlqen me ide kuarci duke ndërtuar “udhë betoni”… I tillë është poeti Shefki Karadaku. Tërë vargjet e poemës ‘Feniks’ janë të harmonizuara estetikisht në të gjitha nivelet e të shprehurit emocional, individual, stilit origjinal dhe figuracionit. Këto poezi janë shprehje e një personaliteti poetik jo të zakonshëm…
Ka poeti edhe idilin e vet të vendlindjes që është “… me çuka, rrape-qiparisa dhe subtropiku mund t’i flasë qershisë, por jo ajsbergë…”. Por, ka poeti edhe dashurinë e shprehur si Naimi e Çajupi: “Të këndoj ty bukuroshe si alku, unë s’jam poet i vjetër melik, po zemra po aq e lashtë sa dheu, përpara teje rreh si det antik…, që pastaj të vijojë: ‘Po zemra e kërkon nudon e bukur, le të jetë ajo si mbretëreshë, që nëpër gjoksin e saj malli i shkurtër si tajfun floride të përqeshë…’. Si të përfundojmë?! Shkurt, poezi e veçantë, e jashtëzakonshme, e bukur… Është e tillë poezia e poetit Shefki Karadaku… Është shumë refleksive, sa më shpesh ta lexosh dhe rilexosh, gjithnjë do të nxjerrësh ndonjë ndriçim nga qielli me plot yje lirike të poetit të madh. Pra, kjo lirikë është identiteti poetik si katarzë”, shkruan Dr. Lutfi Turkeshi-Gazetar, studiues (“IDENTITETI SI KATARZË” – gazeta “Fakti”, 8 mars 2001, Shkup).
Petraq Risto si redaktor i romanit “Puthja e ngrirë” vlerëson ndërthurjen plot dritë dhe hije, si një afresk bardh e zi nga autori, të lirizmit, heshtjes, frikës, rebelimit, ankthit, jetës, dashurisë…. Edhe Moikom Zeqo nuk e ka të vështirë për të deklaruar se Shefki Karadaku është një poet nga më të spikaturit në lirikën shqiptare. Shefki Karadaku portretizohet si një nga shkrimtarët e dalluar të kohës.
Karadaku është një nga përfaqësuesit më të spikatur për gjininë e lirikës ku absorbohen përvojat e poetikave tradicionale me ato moderne e avangardiste evropiane dhe realizohet kundërvënia ndaj traditës letrare. Tipare të futurizmit, ekspresionizmit, surrealizmit, madje dhe krepuskolarizmit janë përthithur dhe pasqyruar në poetikat e këtij autori.