Janë shkruar tani në luftën e Ukrainës, nën bombardimet ruse në kryeqytet, në Kiev, në një dhomë që dritaret i ka të mbuluara me raftet e librave që të mos duket drita jashtë, se pranë saj predhat kanë shkatërruar shtëpi të tjera.
Po shkatërrohet një vend sovran, me kulturë dhe traditë, me njerëz të lirë që duan t’i largohen gjithnjë e më shumë të kaluarës së tyre, kur kishte një perandori komuniste me qendër Moskën, me tiranë në krye si Lenini dhe Stalini dhe pjellat e tyre si me Putin sot, që vazhdojnë deri dhe në Shqipërinë e vogël me enveristët.
Por do te doja të flisnim për poezinë, sado pak, megjithëse ka një thënie se kur gjëmojnë topat, muzat heshtin. Në fakt realitetet kanë treguar dche të kundërtën. Shqipëria e di, se kur kishte letërsi të realizmit socialist, fshehtas pati dhe letërsi ndryshe, poezi qe dolën nga burgjet dhe internimet. .
Dhe ja, më erdhën disa poezi nga lufta, nga Ukraina, të shkruara nën bombardime dhe ndoshta ne po i botojmë për herë të parë. M’i ka d:erguar vetë autori i tyre, poeti Dmytro Chystiak, burrë i ri te nja 35 vjetët, profesor në Universitetin Kombëtar “Taras Shevçenko” në Kiev, me shumë libra të përkthyer në shumë gjuhë e me shumë çmime letrare, por nuk do të flas për to, mjafton shembëlltyra e njeriut Dmytro Chystiak që po qëndron nën bombardime, kur po vriten njerëz me mijëra e bëhen gërmadha për një çast pallate, institucione, spitale, teatro, etj, teksa miqtë e Dmytro Chystiak nëpër Europë, në Azi e Amerikë e kanë ftuar të ikë nga andej.
Jo! Ai po rri pranë luftëtarëve të vendit të tij, që po luftojnë për ardheun dhe Europën, sipas tij, mes qytetarëve dhe saktificave të pabesueshme, i përkushtuar në këtë luftë, ndërkohë i lidhur me shumë televizone jashtë vendit, ku jep intervista me frengjishten e tij “excellent”, (edhe foton e poetit e nxora nga ekranet e një televizoni të huaj) dhe tregon gjendjen dramatike, shkaqet dhe historinë, të ardhmen që do ta fitojnë me gjak, duke dhënë sa më shumë shpresë njerëzore.
Teksa në televizionet tona akademikë dhe politologë të rëndomtë arrijnë deria atje sa mundohen ta justifikojnë agresionin rus, nga që NATO paskërka kaluar “gardhin”, sepse paskësh “gardh” liria e popujve dhe sovraniteti i vendeve e ndonjë me dinakëri kërkon të vendosë Putinin djathtas më shumë se majtas, kur ai si i çmendur po bombardon sa djathtas dhe majtas dhe po s’e ndalën, ai nuk do të ndalet nëpër Europë dhe botë me turr stalinisto-hitlerian, teksa bashkëpunëtorët e nazizmit i quajne pafalshëm kuislingë, ndërsa ata të stalinizmit, që tradhtuan interesat e atdheut në kohë paqeje nuk i dënojnë si kuislingë, etj, etj, por unë desha thjesht tani t’i bashkohemi besimit të poetit ukrainas Dmytro Chystiak dhe të popullit të tij edhe me anë të poezisë, të shkruara tani nën bombardime duke u shtuar atyre dhe disa të mëparshme me një si ndjesi parandjenje për ç’po ndodh. Por është më e madhe parandjenja e fitores për të qenë njerëz të lirë në një vend të lirë.
.
DMYTRO CHYSTIAK
TOKË E GJALLË
In memoriam,
për Anastassiya Kobzina dhe Ilia Solovyov.
І
Gjyshi im vdiq pa asnjë fjalë për luftën.
Pa asnjë fjalë për luftën gjyshja ime vdiq.
Ndaj urisë dhe punës dhe frontit
Ata lëshuan disa fjalë të ashpra dhe aq.
9 Maji ishte festa më e madhe e tyre,
Këngët e tyre, lotët e tyre pa asnjë fjalë për luftën.
“Unë nuk do të flas, Zoti im!
Jo më, jo më. Ju hedhim
Në karroca për në varrezën masive”.
Fjalët e gjyshes pranë varrit të saj.
ІІ
Pranë rafteve të mia të librave, nën bombardime,
Uniforma e gjyshit, mbuluar me medalje,
Shpata e tij (17 vjeç, në Shcholkovo afër Moskës,
Pastaj në Detin e Veriut, kaq shumë të vrarë
Në këtë tokë akulli, pastaj kënga,
Futbolli, Kakhovka dhe Kievi, dashuria e jetës së tij
Që më bën të buzëqesh edhe sot),
Medaljet e gjyshes sime, bijë e luftës
(Fëmijëria në kolkhoz, gjithçka për frontin,
Dhe një gjerman që miqësisht thotë “fshihu!”,
Në rajonin Vinnytsa një dimër i tërë,
Në papafingo ajo fshihet dhe nazistë s’ka më
Pastaj këngë dhe socializëm dhe rënia,
Dhe kërkimet i tij për urinë e madhe me Stalinin),
Ata qëndrojnë ende bashkë, me
Dy republika motra, në raftet e librave,
Nën bombardime, pastaj shpërthimet.
ІІІ
Kjo tokë dimërore është e gjallë, e thellë.
Asnjë fjalë për luftën, në varrin e tyre të përbashkët.
Predha i zgjon siç bëri në shenjtëroren Babi Yar,
Dhe dalin nga bota tjetër, por unë e di,
Ata nuk janë në anën tjetër, por bashkohen
Me tonën. Dhe gjyshja ime vazhdon
Me vullnetarët dhe gjyshi im me marinarët,
Nga ana jonë, ata që ndjekin Kozakët,
Ata që shmangin frikën dhe hedhin veten
Të pambrojtur në tanke, në stepa,
Si në kohën e helenëve, në këtë tokë të vjetër
Ku “Lavdia!” bie, gjëmim pas gjëmimi.
ІV
Kjo tokë dimërore është ende e gjallë, aq larg.
Gjyshi im nga Shçolkova lufton,
Gjyshja ime nga Haysyn vazhdon,
Pas tyre, errësirë mbi errësirë,
Dritë mbi dritë, botë pas botëve,
Kumbime, përgjakje, mbi kryqe rriten
Trëndafilat e Jeruzalemit Qiellor,
Gjaku i tyre bashkon Kostandinopojën dhe Kievin,
Rubedoja e qyteteve të ringjallura,
Shekull pas shekulli, tempull pas tempulli,
Për të ujitur pemën tonë të përbashkët
Përballë një pranvere që po shquhet së fundmi.
Kiev, Mars 2022
V
* * *
Kaq shumë duar na mbanin në pranverë,
Por të tuat janë hapur për Pashkë.
Kush e ktheu rrjedhën në humnerë
Dhe tingulli ndrit i dënuar në flakë.
Zëri yt i qetë e ftohu gjakun,
Oferta e rëndësishme e bëri të bukur.
Bisha mes yllësive e kërkon gjahun
Dhe trupi ynë – një rreze e këputur.
Bora bie dhe ç’shtiza vërviten
Dhe tokat shkrihen në ujrat anëve.
Fytyrat dridhen në fjalët që ikën
Dhe lutem në rrjetën e krahëve.
VI
* * *
Dritë e agimit do sjellë heshtje.
Ende fle me krahët e hapura,
Fryma gjithnjë e më etëshme
Mes blerimeve të lagura.
Stuhi purpuri janë përqafimet,
Prarime rrushi në dritare,
Fryma e detit në blu hidhet
Në kufijtë e tu delikate.
Ç’shi do t’na e ndriçojë
Ditën e kuqërremtë erracake.
Përpara se drita të shuhet,
Zëri mbytet në përmbytje balte…
Por nëse dita nuk vjen më
Në kufijtë e tu delikate?
VII
* * *
E di që do të mjaftonte gjesti i dorës,
që të zhduken zogjtë fërgëllues
Që pluhurosin me ar shkumën e këtyre ujërave.
Rrugës tënde s’i duhet më jehona,
por nuk di si të të le,
Dhe muri i muzgut lejon
Dritën tënde smerald,
Brigjet hapen në vështrimin tënd,
Pavarësisht psherëtimës së lamtumirës në fjalët e tua
Ndërsa ti i adhuron këta zogj valltarë
Ndjej ngrohtësinë tënde kundër viteve
Që papritmas bërtasin dhe qajnë në brigje,
Por drita jote smerald ende rrjedh
Deri sa ne të kthehemi
Në zogj hijesh dhe floriri mbi lumin ku lindëm.
VIII
Pret perëndimin e diellit,
po këtu është dielli i korbave
dhe zëri i borës është këtu,
megjithatë kufijtë të lënë të qëndrosh,
kape tingëllimën e qiejve
dhe përndrite kalimin tënd të përulur,
para se të përndriten humnerat.
IX
TI ECËN MBI VARRE
Për Michel Otten
Ti ecën mbi varre
Dhe zëri i artë i kopshtit
Kumbon për të vdekurit e gjallë:
Guri i varrit të pret me vitin e pagëzimit
dhe e gjithë jeta s’është veçse një rrugë
drejt gjetheve të vdekura…
Kaloi varret:
shkretëtira të frikës dhe të lojërave
dhe ja, në sytë e tu sërish
është ajo freski e së shkuarës që vjen.
Fëmijë diellorë përshkojnë lumenjtë e fildishtë.
X
* * *
Po të sjell jargavanët e mbrëmjes
Që të vdekurit kishin mbjellë:
Kur shiu i artë do të na bashkojë
Do t’më rrëmbesh me një ëndërr të përflakur
Që do të përziejë çastin dhe do ta ndryshojë
Dhe jargavanët e mi nuk do të kenë më lotë.
Përktheu Visar Zhiti
Poeti Dymtro Chystiak