I akuzuar dhe nën hetime, Qorrziu ishte tretur në mendime duke tjerrë ditët e jetës së tij të deridjeshme dhe vetja i dukej krejt fatkeq. I mbyllur në qeli kishte filluar të dyshonte edhe në origjinën e vet! Duke menduar për dënimin që po e priste si vrasës i shumëfishtë pa e vrarë askënd, mendja i kishte ikur nga realiteti i zi, të cilit edhe vet i kishte kontribuar me shumë të zeza. I vetmuar në birucë kujtonte rrëfimet e gjyshit të tij për njëfarë Çaushziun, që i kishte rrasur dajak zijoshët gjatë pushtimit perandorak, por as ato nuk i bënin shumë përshtypje. I kujtoheshin thashethemet sesi po ai Çaushziu kishte dhunuar edhe shumë gra, por ato as nuk kishin guxuar ndonjëherë t’i tregojnë dikujt për këtë. Pëshpëritej se shumë fëmijë të Zezës ishin krejt melez, dhe baba biologjik i tyre ishte vet Çaushziu. Flitej hapur, se në mesin e atyre fëmijëve, edhe vet babai i Qorrziut ishte pjellë bastard i dhunimit.
Hetues me do farë letrash, me një diplomë dhuratë nga shokët, Qorrziu kur kishte marr detyrën e hetuesit iu kishte dukur sikur po fluturonte. Shokët i kishin thënë, se kjo letër{diplomë} mund t’i shërbente për punë, por edhe si mbulesë, nëse dikush shfaq rastësisht ndonjë ankesë, për shkollimin e tij. Tash kur kishte në rënë në burg, diploma nuk kishte kurrfarë vlere, por çka është më keq, ai nuk po shihte derë shpëtimi nga ky kurth në të cilin kishte rënë me dorën e vet. I dukej që për të gjitha të zezat i ka faj syri të cilin ia kishte verbuar dikush natën, në oborrin e vejushës në fshatin Shurrëpelë..
Qorrziu kishte filluar të dyshonte se edhe vet mund të ishte kopil, biri i një babai po ashtu kopil, i rritur në rrugë. Mund të jem shërbëtor dhe autor i çdo të zeze që është dëgjuar në Zezë?! Me dorën time shënova emrin tim, në raportin e hetimeve, po i thoshte vetit në heshtje, aty në dhomë, ku britmat e Komisarit me zë të lartë, dëgjoheshin edhe jashtë në rrugë.
Kishte britma, por akoma nuk kishte dhunë ndaj hetuesit të akuzuar. Në një dhomë hetuesie me shokun e deridjeshëm, tash Komisar, me të cilin kishte kaluar rininë, po përballej për diçka, që kurrë nuk e kishte ëndërruar. Në atë kthinë hetimi, gjithçka i dukej e zezë. Ngujuar në errësirë të plotë, kishin filluar t’i humbin të gjitha shpresat që të dal i gjallë prej aty. Nuk kishte as më të voglën shpresë, se do të mbarojnë ndonjëherë pyetjet, që ia shtronte Komisari, të cilat as nuk i kuptonte fare. Pikërisht ky Komisari që po e merrte në pyetje ishte ish shoku i tij i pandarë, por që tash ishte tjetërsuar fare. Paramendonte veten plak të kërrusur në burg, të cilin do ta kenë harruar moti të gjithë zijoshët.
Krejt këto përsiatje ishin më tepër halucinacione të Qorrziut në çaste të vështira, kur njeriu humb lidhjen me realitetin që e rrethon
Komisari ishte një zijosh i paskrupullt që nuk kishte lënë të zezë pa bërë. Të gjithë e mbanin mend si zijoshin më të zi, që ka lindur ndonjëherë në Zezë. Të zezat e Komisarit zijosh, i cili po e merrte në pyetje, deri tash nuk e kishin penguar asnjëherë Qorrziun.
I ngatërruar me biografinë e vet si në rrjetin e merimangave, kishte harruar fare hetimet për të cilat e kishte caktuar Komisari! Pa menduar fare ai kishte shënuar emrin dhe mbiemrin e vet në raportin zyrtar të hetimeve.
I kishte bërë tërkuzë një mori ngjarjesh që kishin ndodhur në shtëpinë e vejushës qysh para një shekulli. Në atë shtëpi, edhe më vonë kishin ndodhur vrasje e rrahje pafund. Aty iu kishte ngatërruar lëmshi. Për herë të parë pas njëqind vjetësh Qorrziu kishte shënuar emra konkret të njerëzve që mund të kishin dorë në vrasjen enigmatike. As që i kishte shkuar mendja për kohën që kishte kaluar, që kur kishte ndodhur krimi. Kishte shkruar edhe emra e mbiemra konkret, por që kishin lidhje me krimin e moçëm, por që kishin lindur shumë më vonë. Për emrat e ngjashëm të përtërirë aq shumë herë sipas traditës, as që i kishte shkuar mendja fare.
Në gjendje transi, në zyrën e hetuesisë, Qorrziut iu kujtua dita kur u pranua në detyrën e hetuesit. Atëherë as nuk i kishin kërkuar asnjë fjalë për biografinë e tij. Ky fakt ia çrregulloi fare baraspeshën e mendimeve. Tash mund të më akuzojnë edhe për fshehjen e biografisë, tha vet me veti, gati me zë.
Imagjinonte çka të shkruante në biografinë e tij1 E dinte mirë se Komisari e njeh më të gjitha të zezat! I dukej që nuk kishte çka të shkruante tjetër nga ato të liga që ia njeh edhe Komisari.
Derisa Qorrziu po mendonte çka të shkruante, Komisari i bërtiti me zë të lartë pse nuk ka shënuar asnjë fjalë për biografinë e tij kur i ka dorëzuar dokumentet për punë?!
Qorrziu frikësohej që pasi të shkruante biografinë, të gjithë do të kuptonin edhe historinë e gjyshit të tij, për të cilën i kishte rrëfyer i ati. Gjyshi i tij kishte qenë një çaush i mbretit që i kishte hipur në qafë gjithë fshatit. Mbi të gjitha, akoma nuk kishin pushuar thashethemet për oreksin e tij për gra! Qorrziut i shkoi mendja se edhe vetë Komisari mund të ishte hiq më pak se një melez, por t’ia thoshte këtë në sy nuk ia mbante. Nuk kishte as guximin më të vogël që ta kundërshtonte edhe me një fjalë ish shokun e tij, i cili sot i dukej aq i largët, sikur të mos e kishte njohur kurrë në jetën e vet.
Në këtë situatë, sikur i erdhi keq nga vetvetja, pse nuk ishte martuar akoma, megjithëse kishte mbi 40 vjet. Për gjithë këtë kohë, tash po e akuzonte vetëm syrin që e humbi tek vejusha, ku shfrynte topet ndonjëherë. Ëndërronte dasmën që nuk e bëri kurrë. Paramendonte edhe këngëtarë e këngëtare të bukura duke kënduar e duke u përdredhur si të çmendura, gati lakuriq. Vetën e paramendoi të veshur me uniformë të re, krejt të bardhë. Ëndërroi për pak edhe kolonën e makinave që po ia sillnin nusen. Sa më shumë që po kalonte koha aty në zyrën e hetuesisë, gjithnjë e më tepër pushtohej nga kujtimet rinore, herë- herë të bardha, e herë-herë krejt të zeza.
Tash kishte futur vetën në dosje për një vrasje që kishte ndodhur para një shekulli. As hetuesit të akuzuar e as Komisari nuk po merreshin me datën e krimit. Emrat që kishte shkruar hetuesi fakir në raport ishin temë kryesore. As djalli nuk dinte se kush mund ta ketë kryer atë vrasje para një shekulli, ndërsa sot, Qorrziu ishte fajtori kryesor, me emër e mbiemër. Ia numëronte vetit të metat dhe ato nuk kishin fund. Pse mori këtë detyrë, kur as shkronjat nuk i dinte të gjitha.. Kishte filluar ta kritikonte veten sesi u mashtrua me atë letër, që i thoshin diplomë fakulteti, por që derën e atij institucioni nuk e kishte parë asnjëherë.
Ndihmë as shpresë më nuk kishte. Tashmë ishte i akuzuar për vrasje. Se në çfarë gjendjeje kishte rënë nuk po e shihte mirë akoma. Shoku i deridjeshëm, tash Komisar, po e merrte në pyetje për vrasje të pandriçuara për më shumë se një shekull. Dy ish shokë , tash ishin përballë njëri tjetrit, por në pozita krejt të kundërta! Njëri – Komisar i hetuesisë, ndërsa tjetri, ish hetues, tashmë i akuzuar për vrasje.
Komisari kërkoi prej tij që ta shkruante biografinë njëqindvjeçare, që nga gjyshi e këndej, me çdo pikë dhe presje. Po si ta shkruante këtë, kur kishte plot dyshime për origjinën e të parëve të tij mbushur thashetheme? Qorrziu nuk mund të thoshte saktësisht se origjina e babait të tij ishte e dyshimtë, apo e vërtetë. Kishte dëgjuar shumë histori plot dyshime edhe për origjinën e gjyshit e të babait të tij. Për biografinë e vet mund të shkruante qindra faqe përgojime, që kishte dëgjuar, nga të cilat iu kishte mërzitur edhe jeta.
Komisari ishte humbur në mendime duke shikuar Qorrziun e djersitur nga përpëlitjet. Në një çast, pa një pa dy, e urdhëroi të ulet! Mbi tavolinë, para të akuzuarit vendosi disa letra të bardha dhe një laps. Tash duhet ta shkruani gjithë biografinë që kur të ka lindur nëna i tha prerë Komisari, Qorrziut.
Vetëm këtë urdhër kishte pritur Qorrziu. Më nuk e shihte as karrigen që kishte para syve. Komisari nuk foli më asgjë.
Çka të shkruante në letër Qorrziu, kur duhej të tregonte vetëm për thashetheme të pafundeta që ishin të zakonshme në Zezë, që prej kur këndej kalëronin hordhitë perandorake. Kishte dëgjuar shushurima sesi Çaushziu mund të ketë pasur origjinë tatare, uzbeke, kirgize apo edhe çeçene kur ka ardhur me ushtrinë perandorake. Ndoshta prej andej mund ta ketë pasur origjinën edhe gjyshi i tij, mendonte i gjori. Zijoshët thoshin hapur se Çaushziu kishte origjinë nga Kaukazi. Prej andej, sipas thashethemeve, mund të kishte origjinën edhe vet Komisari, por këtë Qorrziu nuk kishte guxim t’ia thotë aty, në fytyrë.
Komisari priste që Qorrziu të fillonte të shkruante diçka në letër për ta gozhduar me pyetje e akuza të reja! Ai nuk gjente qoftë edhe një fjalë me të cilën do të fillonte të shkruante biografinë e tij, e cila pastaj lehtë mund të futej në dosje, e prej andej të shfrytëzohej në çdo rast kundër tij. Letra e bardhë që kishte përpara i dukej e zezë katran!
Kishin kaluar orë të tëra dhe gjysma e natës po afrohej. Në letër nuk bëri asnjë vizë. I hutuar fare, as nuk kishte diktuar largimin e Komisarit nga dhoma. Nuk kishte ide se ku të përplasej ashtu i dërmuar nga lodhja dhe gjumi. Plandosi ngadalë kokën mbi tavolinën që kishte përpara, dhe ashtu fjetur e zuri mëngjesi.
Zgjimi i nesërm me kokë mbi tavolinë, nuk e kishte kthjelluar fare nga mendimet e zeza. Letra e bardhë qëndronte aty përpara ku e kishte vendosur Komisari. Mori lapsin dhe vendosi të shkruante krejt çka t’i vjen ndër mend.
“Unë kam dëgjuar se gjyshi mund të ketë pasur origjinë tatare apo uzbeke, ndërsa baba origjinë nga Çaushi selxhuk, për të cilin kishin pëshpëritur të gjithë zijoshët”!
Si t’i zbërthente të gjitha këto përgojime e thashetheme, që ishin përsëritur në Zezë, brez pas brezi, ditë e natë, për këtë nuk kishte as dije as fuqi. I shkonte mendja që mund të bënte edhe ndonjë gabim tjetër, që pastaj do të shërbente për zgjerimin e akuzës. I dukej se ato fjalë që shkroi janë fare pak dhe nuk thonë asgjë!
Po mendonte se martesa dhe jeta sikur zijoshët tjerë që kanë mbetur në Zezë, do të ishte shumë më e mirë për të. Tash, së paku nuk do ishte i akuzuar, sikur mos të ishte bërë hetues. Edhe po të mos ishte martuar, mund të kalonte ndonjë natë tek vejusha, tek e cila nuk kishte shkuar që nga ajo natë kur humbi syrin nga goditja, që mori nga një njeri i panjohur në oborr të huaj. Sapo iu kujtua se si ishte rritur në skamje, i shkuan lotët. Çdo vajtim i fatit të zi, ngujuar aty në birucë ishte krejt i kot. Më nuk do t’i besonte askush për asgjë. Çdo përsiatje tjetër për të shkruar diçka në letër, vetëm ia nxinte jetën edhe më tepër. Lëshoi lapsin nga dora që më nuk i punonte. Sesi e futi veten në kurth, këtë nuk po mund e arsyetonte me asnjë fjalë. Po të shkruante për qindra vjedhje që kishte bërë vet në Zezë e rrethinë, do të mjaftonte për çfarëdo akuze. Koka i vlonte nga kurthet e zeza që mund t’ia kurdiste vetës.
Rrejë e vidh natë e ditë për shumë vjet, kungulli nuk noton gjithmonë mbi ujë, i tha vetit, duke kujtuar shumë vjedhje të zeza, që kishte bërë në Zezë, e për te cilat nuk ishte dënuar asnjëherë. Iu kujtua si kishte vjedhur edhe veglat më elementare që kishin zijoshët për jetë dhe për punë. Aty në dhomën e hetuesisë, po i kujtoheshin shumë pompa të ujit që ua vodhi zijoshëve nëpër bunarë. Iu kujtuan edhe batanijet e jorganët e gjumit që ua kishte vjedhë të afërmeve dhe fqinjeve! Iu kujtuan deri edhe lodrat e fëmijëve që kishte vjedhur, duke i lënë pa gëzimet e tyre të vogla që kishin. Nuk e kishte harruar as vdekjen e babait të tij në një aksident komunikacioni. Iu kujtua edhe momenti kur erdhën zijoshët për ta varrosur babin e tij, dhe kur u rrahën mes tyre sapo panë gjerat e vjedhura në shtëpinë e Qorrziut. Qe bërë aty rrëmujë e madhe nga rrahja mes zijoshëve, kur po i ndanin gjërat e vjedhura, pasi nuk merreshin vesh se cila e kujt është, dhe si ka mundësi që të gjitha këto t’i ketë vjedhur vetëm Qorrziu.
Po djallëzitë e Qorrziut ishin më të mëdha! Atë ditë varrimi, arriti t’i bindte zijoshët se ky nuk i ka vjedh ato gjëra, por i ka blerë lirë nga stërshitësit në rrugë. Kështu, Qorrziu pat shpëtuar, siç thuhet pa ferrë në këmbë, dhe as nuk e akuzoi kush ndonjëherë. Se kur do të binte në lak pas gjithë atyre të zezave që kishte bërë, nuk e kishte paramenduar kurrë! Kur qe pranuar në detyrën e hetuesit, kishte menduar se shpëtoi pa asnjë dënim. As atë ditë që shkroi emrin e vet në raportin e hetimeve, nuk i shkoi mendja se biografia e tij mori fundin e merituar!