Agim Bajrami: KUR TI NUK JE KËRKUND, poezi

PONTE DI PIAVE (TREVIZO)

Qielli mbetet sërish i kaltër
S’ka gjë se shiu, sa ka filluar
Më duhet pak të ndal vetveten
Të thith këtë ajër të parfumuar

Nën urë rrëshqet një lumë i madh
Që sytë gjithmonë i mban nga deti
Çdo valë e tij është një ditar
Ose një varg nga Ungareti

Një ditë si kjo, ka qenë patjetër
Kur buzë këtij lumi ai qëndroi
Dhe shkroi me ngut mbi një copë letër
“Asnjë i huaj s’do kalojë”

Ndofta për këtë i zoti i kafes
Më sheh nga larg me sy cinik
Unë këtu vërtetë jam një i huaj
Por s’ngjaj aspak me një armik

Kam ardh të pi një gotë me verë
Pastaj me prillin gjatë të bredh
Në këtë qytezë prej bëmash lufte
Dhe rrugëve me polen të verdhë

Qielli vazhdon të mbetet ai që ka qenë
Me re gazmore, ngjyrë blu
Unë s’mund të shkoja diku tjetër
Pa qenë më parë njëherë këtu !

TAKIM ME PULËBARDHAT

E vetmja histori e kësaj dite ,
ishte takimi me pulbardhat
Në bregun e qetë prej drite
Ku fshihen vitet, muajt dhe datat

S’i ndjeva kur m’u ulën pranë
(Se mua e bardha më verbon )
Unë prisja të më çonin fjalë
Me celular a telefon

Por vonë, shumë vonë, më erdhi mendja
Se pulëbardhat janë prej ajri
Ato nuk njohin alfabete
Dhe s’kanë kurrfarë celulari

Mbi krahë ca det kishin akoma
Dhe një stuhi që s’kish filluar
Unë për këtë i çmoj kaq shumë
Dhe jam përjetë i dashuruar

E vetmja histori që ia vlen të kujtohet,
ish mbërritja e pulbardhave
( Dashnoret e bardha të erës )
Përqafimin e tyre e ndjej ende mbi gjoks
Dhe s’besoj se do më ndahet , gjithë verës

KUR TI NUK JE KËRKUND !

Shiko se ç’ndodh, kur unë trokas
Dhe ti nuk je kërkund
Një shi i fortë fillon në çast
Dhe era gjithçka shkund

Muajt bëjnë sherr me njëri tjetrin
Sepse askush s’i ndan
Rikthehet vjeshta me patjetër
Me qiej qaramanë

Unë ulem në divan i lodhur
Me një roman në duar
Ky është një rit që e bëj kot
Se s’kam për ta lexuar

Te gjitha shqisat më bllokohen
S’më punon më as truri
Më duket vetja kaq i vockël
Sa një thërrrime gruri

Më tej hedh sytë në dritare
Drejt teje vij me mend
Me një shqetësim, që nuk më ndahet
Se mos të ndodh gjësend

Dhe ti patjetër kështu ndihesh
Për këtë as që dyshoj
Ne na dallojnë shumë gjëra bashkë
Por mallet janë njësoj

TI e di ç’ndodh, kur s’je aty
Dy sytë më ngrijnë si xham
Gjithë ajri sh’ndrrohet në mërzi
Dhe unë jam dhe nuk jam !

GENES
(Mbesës sime )

Portreti yt më ngjan me lulet
Mbështjellë nga flladi pranveror
Këtë qiell që përmbi sy të ulet
Mund ta krijojë veç një piktor

Me diellin flet dhe buzëqesh
Dhe sytë i vesh me ëndërrim.
Çdo stinë që ngjyra hedh mes nesh
Ka moshën tënde, padyshim

Ti merr prej saj atë ç’ka ndritë
Dhe ecën para, pa ngurruar
T’i bësh të tuat lumturitë
Sepse për ty u kanë krijuar

Ndaj ëndërro dhe qesh përherë
Dhe këngen derdhe si një lumë
Nëse ndonjëherë qielli ka erë
Të siguroj që s’do zgjasë shumë

Portreti yt më ngjan me lulet
Mbështjellë me fllade dhe me jetë
Këtë qiell që mbi ty përkulet
Mund ta krijoj veç zoti vetë.

KAPELE DIMRI !

Udhëtoj drejt panverës , me një kapele prej dimri
( Pak e çuditshme për njerëzit e tjerë )
Dhe pse bashkë me lulet , thonë se marsi mbërriti
Unë s’kam besim asnjëherë

Dhe kam të drejtë për të dyshuar
T’i vështroj gjërat qetësisht
Vërtetë që shkurti është larguar
Por pas ka lënë ende një ” bisht ”

Mbas shkurresh ende ka pak dimër
Ja ndjej firomën që këtej
Të fundmen forcë që i ka mbetur
Kërkon një rast që ta shpërthej

S’do ta pranoj që i erdh fundi
Dhe kalendarët njoftojnë pranverë
Fuqitë e errta janë të tilla
Qe ta ngrejnë kurthin pa u ndjerë

I ngjajnë patjetër kësaj reje
Që shetit vetem në vetmi
Vitin që shkoi u sul drejt meje
S’ngopej, duke më hedhur shi

Udhëtoj drejt pranverës me një kapele dimërore
(Dikur do ta flak padyshim )
Duke pritur që marsi të me rrokë për dore
Dhe kjo re, t’më kërkoj ndjesë me shkrim.

NDROJTJE !

Druaj t’i them pyllit, se nuk je më i blertë
Së shpejti kjo erë do të thajë
Do trishtohej dhe mund të më urrejë
A thua se për këtë, kam unë faj

Druaj ti them dimrit, se s’të kam kurrë për zemër
Se humorin ma prish kurdoherë
Sepse e di mire, që do më shohë disi shtrembër
Dhe acar do me hedhi nën derë

Druaj t’i them diellit, se s’më ngroh si më parë
Dhe rrezet i ka si me dhëmbë
Sepse e di mire, që do më fusë ndonjë të sharë
Dhe mua kjo gjë do më dhembë

Druaj t’i them detit që je bërë më i egër
Dhe s’je më ai, që njoh unë
Sepse e di mire, që do të preket në sedër
Dhe do më nis menjëherë një furtunë

Druaj ti them.vetes, je zbardhur si borë
Dhe rinia ka mbetur shumë pas
Sepse nga inati mund të më verë edhe “dorë ”
Dhe unë gjakftohtësinë do humbas.

TË PREMTOJ !

Të premtoj , që do të vij me urbanin e parë
(Gjer atëherë ti s’duhet të mërzitesh )
Duhet të më presësh diku në një bar
Ose në një stol të blertë pritjesh

Mund të porosisësh ç’të sheh syri
(Në banak ke gjithçka dëshiron )
Mjafton që të ndihesh sa më mirë
(Një pije më tepër s’më harxhon)

Si gjithmonë e bukur dhe e qeshur
Me flokët që lozin nëpër erê
Ti lesh gojë hapur gjithë klientët
Të mbetet pa fjalë çdo kamarier

Duke përpëlitur lehtë qerpikët
Dhe me sy nga udha papushim
Unë e di , që ty të lodhin pritjet
Por ky s’mund të jetë faji im !

Të premtoj që do të vij patjetër
(Aq më shumë që malli është midis )
Dhe pse do mundohem ta mbaj veten
Dhe ndonjëherë vështrimin ta përmbys

Vetëm mos më thuaj , ke ndryshuar
(Kjo gjë do mi shtonte keq mërzitë )
Mund të kthej nga rruga i zemêruar
Dhe atëherë ta dish , është faji yt

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here