Të gjithë shqiptarët sot në mbrëmje i kanë sytë nga mbrojtësi i Kombëtares, Marash Kumbulla, që do të përfaqësojë flamurin shqiptar në një finale europiane, si ajo mes Romës dhe Fejnordit. Shumë tifozë do të donin që ta shihnin atë në fushë, në të cilën ai ka nxjerrë ndeshjet më të mira të karrierës, por shanset që ai të jetë si titullar janë disi të pakta, pavarësisht se Zhoze Murinjo është plot surpriza.
Kumbulla
Ndërkohë që Marashi nuk është i vetmi që ka lidhje me futbollin në familjen Kumbulla, pasi edhe i vëllai i tij, Xhuliano, është arbitër. Ai ka folur për “Romanews” rreth finales që do të luajë mbrojtësi i Kombëtares në Tiranë. Xhuliano tregon raportet me Marashin si dhe çfarë diskutojnë kur flasin për futbollin.
Roma do të luajë një finale më 25. Si është atmosfera në shtëpinë tuaj?
Ka tension në shtëpinë Kumbulla, por është një stres që të bën mirë.
Çfarë ambienti do të jetë në Tiranë?
Do të jetë një ambient i zjarrtë, do të vijnë dy tifozëri të nxehta dhe të bukura. Në Tiranë të gjithë do të mbështesin Romën, për shkak të Marashit, por edhe sepse një pjesë e madhe e shqiptarëve është e lidhur me Italinë.
Ka pasur shumë polemika në lidhje me stadiumin. Ju çfarë mendimi keni?
Nga pikëpamja ime, është një motiv dhe një prestigj për të gjithë vendin. Për tifozët e Romës nuk do të mjaftonte as një stadium prej 70 mijë vendesh. UEFA donte që t’i jepte disi famë Shqipërisë dhe për këtë nuk e kritikoj si zgjedhje.
KUMBULLA
A ka folur Marashi për finalen që nga muaji gusht?
Objektivi ka qenë gjithmonë që t’ia arrijë. Të përfaqësojë Kombëtaren dhe Romën dhe t’u shtrojnë tapetin e kuq.
Si është raporti juaj kur flisni për futbollin?
Futbollistët nuk janë shumë dakord me vendimet e arbitrave (qesh). Flasim shumë për futbollin, por kam vënë synim që t’u hap pak mendjen që të flasin në mënyrën e duhur me drejtorin e garës.
E pyesni ndonjëherë për rregulloren?
Po, jam unë që e ngacmoj më shumë.
Si është Marashi jashtë fushës?
Është shumë i qetë. Nuk i pëlqen të dalë shumë dhe preferon të rrijë në shtëpi me familjen.
Çfarë mendimi keni për arbitrin e finales?
Më pëlqen shumë, por në këtë nivel është e vështirë të vendosësh drejtësi. I uroj fat të mbarë.
KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL