Rafaela Prifti: Përtej lojës: Udhërrëfyesi i Kosovës drejt fitores në Kupën e Botës FIFA 2026

 

Si mundet një vend pa njohje universale të sigurojë një vend në skenën më të madhe të botës?

Kosova është në prag të historisë duke synuar sigurimin e një vendi në Kupën e Botës 2026, ngjarjen më prestigjioze sportive në botë. Rruga e saj drejt afirmimit ndërkombëtar përmes sportit ofron një model të rrallë për analizë – një rrugë që Juan Manuel Montoro e shqyrton duke theksuar një përzierje unike të talentit, diplomacisë dhe vizionit.

Kombëtarja e Kosovës ka arritur për herë të parë në fazën play-off, vetëm në fushatën e saj të tretë kualifikuese. Kosova duhet të fitoi ndeshjet e radhës: së pari kundër Sllovakisë në Bratislavë më 26 mars, dhe më pas në Prishtinë më 31 mars do te luaj kundër Turqisë. Rëndësia e këtij momenti nuk mund të mbivlerësohet.

“Përtej lojës, ky moment shënon një kthesë të thellë në rrugëtimin e vendit drejt njohjes ndërkombëtare, me një ndikim të fuqishëm të brendshëm. Simbolet e identitetit të Kosovës – flamuri, himni, ekipi – nuk janë më përfaqësime abstrakte të shtetësisë; ato janë përvoja të gjalla të përbashkëta që përcaktojnë një epokë të re për vendin dhe popullin e tij,” thotë Juan Montoro, kandidat për doktoraturë në Universitetin e Lozanës, Zvicër.

Ai prezantoi një përmbledhje të tezës së tij në Konferencën ASEEES 2025 në Uashington DC, e cila tërhoqi vëmendjen time dhe çoi në disa orë bisedash telefonike. Montoro beson se “fjala kyçe që mungon në shumicën e narrativave për Kosovën është ‘agjencia e saj në sport’”.
“Kjo ka rëndësi sepse sfidon idenë se shtetet ekzistojnë fillimisht politikisht dhe vetëm më pas simbolikisht. Në rastin e Kosovës, agjencia simbolike përmes sportit parapriu dhe ndihmoi në konsolidimin e agjencisë politike. Ka të paktën dy shembuj në botën e sportit, si Qiproja Veriore dhe Sahara Perëndimore, që nuk kanë arritur të bëhen pjesë e turneve ndërkombëtare,” shpjegon Montoro.

Ai shton se “futbolli zakonisht shihet si një produkt i vonshëm i shtetësisë. Kosova është përjashtim. Sporti në Kosovë ka funksionuar si një laborator i agjencisë shumë kohë përpara se të sigurohej sovraniteti politik. Duke filluar nga ligat paralele të futbollit në vitet 1990 deri te angazhimi strategjik me federatat ndërkombëtare, Kosova ka vepruar si subjekt politik edhe kur i mohohej njohja formale.”

Fillimisht, Montoro identifikoi pesë faza të historisë së futbollit të Kosovës, por ka shtuar një të gjashtën duke marrë parasysh zhvillimet e fundit.

Merita për nivelin ku ndodhet sot futbolli i Kosovës i takon disa aktorëve dhe figurave ndër breza. Guximi themelor i figurave si Erroll Salihu, i cili në vitin 1991 u shkëput nga sistemi jugosllav dhe ndihmoi në krijimin e një lige të pavarur kosovare nën kushte kërcënimesh, represioni dhe diskriminimi strukturor. Pa këtë shkëputje, nuk do të kishte kujtesë institucionale mbi të cilën të ndërtohej. Së dyti, udhëheqja simbolike dhe politike e të ndjerit Fadil Vokrri ishte vendimtare në përkthimin e rezistencës së brendshme në legjitimitet ndërkombëtar. Ai e kuptoi se futbolli ishte një gjuhë diplomatike. Së treti, drejtimi aktual meriton vlerësim të qartë. Federata e Futbollit të Kosovës nën Agim Ademin ka ofruar stabilitet institucional dhe vizion afatgjatë, ndërsa trajneri Franco Foda ka qenë jashtëzakonisht efektiv në ndërtimin e një skuadre konkurruese – të fortë si brenda ashtu edhe jashtë fushe. Aftësia e tij për të identifikuar, bindur dhe integruar lojtarë nga diaspora ka qenë vendimtare në shndërrimin e identitetit transnacional në forcë sportive. Natyrisht, vetë lojtarët – shumë prej të cilëve ndjekin trajektore komplekse diasporike – kanë kthyer zgjedhjet personale në arritje kolektive. Pozicioni aktual i Kosovës është rezultat i tri dekadave guximi, strategjie dhe qëndrueshmërie.

Interesi i Montoros për Kosovën nisi në vitin 2019, kur ai ishte pjesë e një projekti mbi marrëdhëniet kulturore që shqyrtonte perceptimin e kosovarëve për Spanjën dhe botën hispanike, veçanërisht në kontekstin e mosnjohjes së Kosovës nga Spanja. Para kësaj, tema e tezës së tij master ishte Shkupi dhe ndërtimi i identitetit kombëtar maqedonas.
“Ajo që më bëri përshtypje në Kosovë ishte se për herë të parë hasa një shoqëri ku çështjet e njohjes janë realitete të jetuara – ku ndodh që shteti yt, vendi i pasaportës tënde, nuk figuron në databazat ndërkombëtare apo madje as në aeroport,” thotë Montoro.

Që nga viti 2019, ai ka bashkëpunuar në projekte të lidhura me Kosovën, duke vërejtur një kalim gradual nga diplomacia kulturore drejt diplomacisë sportive.
“Në të vërtetë, deri në vitin 2023, kjo linjë kërkimi kishte pushuar së qeni thjesht një interes akademik dhe ishte kthyer qartësisht në një pasion.” Tema e tij e preferuar e diskutimit me miqtë dhe kolegët u zhvillua gradualisht në tezën e doktoraturës në Shkencat e Sportit në Universitetin e Lozanës, e cila fokusohet në rrugën e Kosovës drejt agjencisë ndërkombëtare përmes sportit.

Montoro thekson disa përfundime të rëndësishme nga historia sportive e Kosovës:

  • Anëtarësimi ka më shumë rëndësi sesa njohja: pjesëmarrja në FIFA dhe UEFA e ka shndërruar Kosovën nga një rast i kontestuar në një pjesëmarrëse të zakonshme. Rutinat krijojnë legjitimitet.
  • Agjencia ushtrohet, nuk dhurohet: Kosova veproi sikur i përkiste këtij sistemi shumë kohë para pranimit formal. Institucionet u përshtatën me këtë këmbëngulje.
  • Simbolika zgjat më shumë se debatet politike: flamujt, himnet, ndeshjet dhe renditjet qarkullojnë më shpejt dhe më qëndrueshëm sesa deklaratat diplomatike.
  • Lidhja me simbolet kombëtare forcohet me kohën: fillimisht të parë me skepticizëm, simbolet shtetërore të Kosovës u konsoliduan përmes mbrojtjes së tyre në arenën ndërkombëtare, sidomos përballë protokolleve të mosnjohjes nga vende si Spanja. Ekspozimi i vazhdueshëm dhe mbrojtja kolektive i kthejnë simbolet në përkatësi të jetuara.
  • Mbështetja për më shumë se një kombëtare: besnikëria e dyfishtë në sport është reale. Nga përvoja personale, ai thotë se si uruguaian me pasaportë italiane, baba i fëmijëve spanjollë dhe doktorant në Zvicër, “ndihem i përfaqësuar edhe nga Kosova”.

Kosova mbetet një rast unik në sportin ndërkombëtar bashkëkohor – dhe për këtë, bilbili i fundit tashmë është dëgjuar.

Juan Manuel Montoro, MA, Universiteti Katolik i Uruguait, është kandidat për doktoraturë në Universitetin e Lozanës, Zvicër.