Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç po takohen në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në përpjekje për të zbutur tensionet ndërmjet të dyja palëve, që pasuan reagimet serbe ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit mbi përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.
Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell i cili takoi fillimisht ndarazi të dy udhëheqësit, tha se është është koha që Kosova dhe Serbia të ecin drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet tyre.
“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë dëshmuar sërish se është koha të ecim drejt normalizimit të plotë. Pres që të dy udhëheqësit të jenë fleksibil dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët”, shkroi ai.
Një takim trepalësh i shkurtër po pasohet nga takimet dypalëshe të cilat po mbështeten nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Bisedimet e sotme pasuan tensionet e 31 korrikut në veriun e Kosovës ku grupe protetsuesish bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave. Diplomatët perëndimorë thanë se takimi i sotëm duhet të sigurojë shmangien e tensioneve më 1 shtator për kur është shtyrë zbatimi i vendimeve të qeverisë.
Të mërkurën kryeministri Kurti tha se ‘shtyrja është bërë më 31 korrik për datën 1 shtator, dhe me atë rast kemi dëshmuar – me datën 1 gusht – se nuk konfiskojmë dokumente, siç ka qenë fushata e dezinformimit. Në anën tjetër, është e mundshme që më 1 shtator nuk do të lëshojmë dokumente, sepse edhe Serbia do të heqë dorë prej lëshimit të dokumenteve në vendkalimet kufitare me Kosovën. Ne dëshirojmë marrëdhënie reciproke”, theksoi ai.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç shkroi sot se shpreson për ndonjë marrëveshje çfarëdo qoftë, “ndonëse fare nuk besoj”.
Forcat paqeruajtëse të NATO-s kanë shtuar praninë e tyre në veri në pritje të rezultateve të bisedimeve dhe kanë paralajmëruar se janë të gatshme të ndërhyjnë nëse rrezikohet qëndrueshmëria.
LEXONI EDHE KËTË
Stoltenberg: Palët të përmbahen – NATO-ja e gatshme të ndërhyjë nëse rrezikohet qëndrueshmëria në Kosovë
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që u shpall me mbështetjen perëndimore, duke llogaritur në përkrahjen e Rusisë dhe të Kinës, ndonëse i ka shpallur integrimet evropiane synim të saj. Por një aspiratë e tillë kushtëzohet me një marrëveshje normalizimi të marrëdhënieve me Kosovën.
Marre nga Zeri i Amerikes