Hajrullah Hajdari: PSE ASIMILIMI I SHQIPTARËVE NË TIVAR NUK KA TË NDALUR!?

Edhe shqiptarët që janë aty, nuk deklarohen si shqiptarë!

Nga Hajrullah Hajdari

Tivari është një qytet i lashtë, fillimisht i vendosur 5 km nga deti në rrënzët e malit Rimia. Gjetjet arkeologjike konfirmojnë se jeta në këtë zonë daton që nga kohët parahistorike ilire. E kaluara historike e këtij qyteti ilir nuk ndryshon shumë nga qytetet jera shqiptare në bregdetin e Adriatikut dhe ndan fatin e tyre deri në Kongresin e Berlinit (1878), kur ky qytet përfundimisht shkëputët nga trungu amë- Shqipëria.
Plot gjashtë (6) muaj para vendimit famëkeq të Kongresit të Berlinit ushtria malazeze sulmoi pa mëshirë Qytetin e Vjetër të Tivarit.Ushtria malazeze përdori metodat më të tmerrshme të luftës, madje popullsisë civile iu ndërpreu edhe furnizimin me ujë.Qyteti u dogj dhe u shkatrrue tërësisht. Nga 600 shtëpi sa kishte ky qytet i vogël, asnjëra nuk shpetoi. Gjysma e tyre u bënë shkrum e hi ndërsa të tjerat u shndëruan në germadha. Vetëm në një xhami u gjeten dyqind (200) gra e fëmij të vdekur. Gazetari freng Auguste Meylan këto veprime fashiste për kohën, i komenton kështu:”Kamë parë shumë rrethime të tjera, por s’kishnja pa kurrë një gjë kaq të tmerrshme sa ky qytet i mjerë i Tivarit, ku s’ka mbetur asnjë shtëpi në këmbë….”
Edhe pse rezistenca për mbrojtjen e Tivarit, me pjesëmarrjen e shumë shqiptarëve vendas, shkodranë e ulqinakë, gjatë dimrit të vitit 1877/1878 ishte heroike, qyteti më 10 janar 1978 ra në duart e Malit të Zi. Aneksimi i këtij qyteti zyrtarizohet me vendimet e Kongresit të Berlinit. Kështu Tivari u bë qendër e vemendjes e shtypit të kohës dhe qyteti i parë shqiptar që u shkëput nga trungu amë – Shqipëria.

VETA E PARE:

Në kushtet e krijuara nga shkatërrimet e luftës dhe dëshira për të mos u dorëzuar malazezve dhe jetuar nën Malin e Zi, një shumicë e madhe e popullsisë iku nga Tivari dhe u vëndosën, shumica e tyre në Shkodër por edhe në Durrës, Elbasan e qytete të tjera duke lënë gjithçka që u kishte shpëtuar nga djegja dhe shkatrrimet e luftës. Mbi 284 familje e kishin lëshuar Tivari prej të cilëve 83 familje nuk u kthyen kurrë. Pasuria e tyre u zaptua nga malazezët dhe kurr nuk u dëmëshpërblyen. Ato që u kthyen i gjeten malazezët në tokat e tyre shumica e të cilëve nuk dolën dot nga pronat e shqiptarëve tivaras.
Familjet që nuk u kthyen në Tivar ishin pothuajse të gjitha të kombësisë shqiptare. Kjo vërtetohet nga një protokol i familjeve të vitit 1977 dhe atyre që nuk janë në Tivar në maj të vitit 1879 (DACG, MUD,f.4nr.1106). Po përmendi vetëm disa nga ata: Emin begu, Mulla Sala, Dul Beqiraga,Haxhi Ahmeti, Selim Ademi, Salo Misherri, Usejn Zoja, Smajl Jusufi, Eto Pera, Osman Kacila, Omer Kërçiku, Haxhi Lanica, Avdullah Kaca, Met Harapi, Demo Zeka, Daut Kadija, Dem Salihu, Nelo Zemra, Jusuf Tafula, Mujo Mushica,Omer Kërçiku, Halil Ahmeti;Mahmut Spica….Edhe emrat e familjarëve që ishin kthyer po ashtu vërtetojnë përkatësin shqiptare si: Ali beg Qorri, Mustafë Haxhi Jusufi, Jaho Dervishaga, Haxhi Ala, Sulo Suma, Huso Shestani, Dul Buza, Can Spahia, Ahmet Kaca, Fazli Goca, Mahbub Arapi, Alush Kasmi, Ramo Kraina (Kraja), Rustem Ishma, Musto Tafica Rexhep Fazlija, Braho Korda, Mehmet Dibra….
Të ngushtuar nga rrethanat politike të brendshme dhe frika që i kishte përfshirë shqiptarët në Tivar, ata filluan gradualisht të përshtatën me kushtet e reja të jetës që diktonte pushteti malazez. Filluan të ndjekin shkollën në gjuhën malazeze, por të pakët ishin ata që arrinin të përfundonin mësimin fillor. Një pjesë e tyre, duke mos u pajtur me këtë realitet u larguan nga Tivari dhe vazhduan rrugëtimin e shpernguljes, rrugë që fatkeqësisht nuk ka të ndalur as sot e kësaj dite. Përveç shpërnguljes, si rrjedhojë e mungesës së shkollës në gjuhën amtare, filloi edhe procesi i asimilimit të shqiptarëve në Tivar.
Sipas regjistrimit të pjesshëm të popullsisë në Mal të Zi, në vitin 1879, Tivari dhe Zalefi së bashku numëronin 507 familje me 2302 banorë, prej të cilëve 1365 muhamedanë ( pothuajse të gjithë shqiptarë) dhe 448 katolikë (po ashtu shqiptarë) ose 78,75% të popullsisë ishin shqiptarë. Në Tivar, sipas këtij regjistrimi, jetonin 489 qytetarë të fesë pravosllave ose vetëm 21,24 % të popullsisë duke shtuar se në Tivar 16 familje me 82 anëtarë ishin registruar si romë. Regjistrimet e mëvonshme të popullsisë në Mbretërin SKS-së (1921,1931) nuk japin shënime të sakta për strukturën kombëtare apo etnike të popullsisë.Regjistrimet e popullsisë në RSFJ (1948,1953,1961,1971,1981), shqiptarët në këtë qytet. pothuajse u asimiluan tërësisht.

VETA E DYTË:

Fundin e Luftës së Dytë Botërore shqiptarët e pritën me shpresa për shprehjen dhe rikthimin e integritetit dhe identitetit shqiptar! Por, Tivari, fatkeqësisht, edhe një herë u bë qendër e mizorisë dhe tmerr për shqiptarët. Pikërisht, me 1 prill të vitit 1945, në këtë qytet, dikur shqiptar, ndodhi tragjedia më e madhe e njohur si “Masakra e Tivarit”! Vendngjarja Monopoli i Duhanit në Tivar. Në këtë masakër të paparë deri atëherë, ndaj shqiptarëve kosovarë të mobilizuar me dhunë e të paarmatosur u masakruan me shufra hekuri duke i goditur në kokë, gjoks apo në shpinë dhe nga këto goditje mbetën të shtrirë për vdekje rreth 100-150 veta. Por kjo nuk ishte e gjitha. Ndaj tyre shtihej me të gjitha llojet e armëve të zjarrit si: me pushkë automatike, mitralozë, mortaja, bomba dore, revole e tjera. Oborri dhe sheshi i Monopolit u mbuluan me lumë gjaku që i ngjante një kataklizme të vërtetë, ndërsa ndërtesa u shndërrua në gërmadhë, me qindra kufoma shqiptarësh brenda saj!. Shënime të sakta për numrin e të masakruarëve të pushkatuarëve nuk ka por mendohet se në Tivar dhe gjatë rrugës për në këtë qytet u vranë mbi 3.500 shqiptarë kosovarë.
Po pse masakra ndodhi bash në Tivarë!?Qëllimi dhe arsyet janë të shumta, por kjo nuk ndodhi rastësisht. Shqiptarët në Mal të Zi në vitin 1944 dhe në fillim vitin e 1945, duke kujtuar të kaluarën e hidhur nën sundimin serbo-malazez, kishin shprehur dëshirën e tyre për t’iu bashkuar shtetit shqiptar. Kjo dëshirë e tyre duhej të shuhej përfundimisht. Pra, shtypja e ndjenjës kombëtare nëpërmjet masakrës ishte një ndër qëllimet e ultraracistëve serbo-malazez të cilët besonin se masakra do të jetë një mësim i mirë për shqiptarët e këtyre trojeve.Rrjedhimisht, në regjistrimin e parë të popullsisë në Jugosllavi, në vitin 1948, në Tivar si shqiptarë u regjistrun vetëm 26 persona, ndërsa në regjistrimin e vitit 1981 vetëm 102 persona! Po ku shkuan, çu bë me shqiptarët!? Shumica mbetën aty fizikisht, por nuk u identifikuan kurr më si shqiptar! Një pjesë e tyre emigruan por pjesa më e madhe e tyre u asimiluan duke u regjistruar si malazezë apo myslimanë.

VETA E TRETË:

Fillimi i demokracisë në fillim të vitit 1990, të intelektualët shqiptarë ngjalli shpresën se tani më shqiptarët autoktonë apo të ardhur ndër vite në Tivar do t’a kuptojnë përkatësinë e tyre kombëtare shqiptare. Por jo! Rezultatet në këtë drejtim janë fare të vogla. Megjithate lufta në Bosnje e sidomos në Kosovë bëri që disa shqiptarë, sidomos të fesë myslimane, të këtij qyteti të ndërgjegjsohen. Kështu në regjistrimin e popullsisë të vitit 2011 si shqiptarë u deklaruan 250 persona! Është interesant të ceket se në këtë regjistrim , në pyetjen “përkatësia fetare” u deklaruan “katolikë” plot 3.043 persona. Dihet se kroatë apo katolikë kroatë ka shumë pak në Tivar, pra shumica e tyre janë shqiptarë. Pra, shqiptarët janë aty por nuk deklarohen si shqiptarë
! Pse është kështu?
Edhe pse shqiptarët ishin popull shumicë në Tivar, në këte qytet asnjëherë nuk u hap shkolla më mësim në gjuhën shqipe! Duke u nisur nga parimi se “nëse do t’a shkatrrosh një popull, mos i hap shkollë në gjuhën amtare” mund të konkludohet se mësimi në shkollë vetëm në gjuhën malazeze i shqiptarëve autekton si edhe i atyre të vëndosur këtu nga Ulqini, Ana e Malit dhe Kraja, është një ndër arsyet kryesore të asimilimit të shqiptarëvë këtu.
Me qëlloi një herë që të marr në telefon një vendasin tim. “Alo” i thashë”, “Molim” m’u përgjigj një voglushe! Vazhdoja t’i flisja shqip dhe i tregova kush jam! “ Majko, majko, neko od onih vašhih te traži“ (“Nënë, nënë, dikush nga ato të tuajt të kërkon”). Pasi u paraqit nëna e pyeta për sjelljen e vajzës dhe e pyta se a e din ajo kush janë “ato të tuajt”!? “Po ashtu ka mësuar në shkollë, gjithë ditën mëson dhe luan me shoqet e saja malazeze. Por as nuk guxojm të themi kush jena”! m’u përgjigj. Mbeta i dëshpruar, por edhe një herë e vërtetova se mungesa e shkollës në gjuhën shqipe është një handikep i madh për këto shqiptarë të mbetur në Tivar.
Megjithate, viteve të fundit mbase ka levizur diçka në këtë drejtim.Shumë shqiptarë me prejardhje nga Kraja dhe Ana e Malit, me rastin e martesave kanë filluar t’i organizojnë dasmat në restorantet e Ulqinit me këngë shqipe madje disa përdorin edhe flamurin kombëtar shqiptar.

VETA E KATËRTË:

Duke pasur parasysh të gjitha rrethanat politike të së kaluarës dhe të tashme dhe politikën asimiliuese të pushtetit malazez ndër vite, i takon faktorit politik shqiptar në Mal të Zi që sa më parë të nxisë një iniciativë për hapjen e së paku një paraleleje në gjuhën shqipe. Përndryshe asimilimi i shqiptarëve në Tivar nuk ka të ndalur.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here