Gjuha jonë
Melodi është gjuha jonë, janë ca tinguj nëpër varg
Duket sikur bie shiu përmbi dhe e nuk të lag
Ca zanore kundërmojnë erë të mirë gjithandej
Paçka duken janë krijuar në rrëmujë e në betejë.
Një muzikë është gjuha jonë, plot me epsh edhe me afsh
Të qëndisura nga zoti mbi pëlhurë edhe mëndafsh
Valëvitur nga tufanet që askurrë si grisën dot
Sepse ish në zërat tanë të shpërndarë nëpër botë.
Ku e gjen kështu më bukur atë ton bashtingëllor
Që ta shkruash bukuruar ca me frymë e ca me dorë
E ta gdhëndësh ndër florinjtë me një filigranë të rrallë
E ta mbash në gjoks të hapur e ta mbash të vënë në ballë.
Dhe kur flasim atë gjuhë dridhet tel në violinë
Fjala bëhet bashkë me tinguj marin rrugë me oshëtimë
Dhe arrin në majë të malesh ku dëbora nuk ka shkrirë
Ta këndojmë siç bënë të parët plot me ndjenjë e me dëshirë.
Aq e ëmbël gjuha jonë, është e bërë për dashuri
Hedhin valle të gjithë gërmat të harlisur plot zili
Është e bërë për këngë djepi për të qeshur, për të qarë
Për ta shkruar mrekullueshëm përmbi gur e përmbi varr.
Në Myzeqe!!
Po shkrihen valë të detit, dhe toka po lëviz
Thërras njëmijë stërkala, dhe s’di se ku i nis
Thërras me mijëra ëngjëj, përgjigjen veç demonë
Kur del hëna në mbrëmje, kur shfaqet natën vonë.
Po tunden kallamishtet, nga erë ardhur nga larg
E zogjtë më bëhen shkronja, e tufë më bëhet varg
E zë thërras me dhimbje, ku shkoni o të mjerë
Si latë ashtu foletë, aty ku keni lerë.
Po vjen dhe hënë mesnate, e lyer me flori
Është hënë që pata prurë, qëkur isha i ri
E mora me një trastë, mbi shpinë edhe ndër mënd
Paçka se herë më dukej, e lyer me argjend.
Po shkrehet fushë e gjërë, e tokë rrëshket ndër këmbë
Kërkoj ca trëndafila e s’di pse gjej veç gjëmb
E mbush duart me grurë, nga arë e gjyshit tim
E kokrrat më rrëshqasin, plot dert edhe trishtim.
O dheu im i shtrenjtë, o balta ime e mjerë
Ta dish që do vij prapë, të mbjell edhe njëherë
E po se ktheva brazdën, e po nuk pata farë
Do mbjell një qiparis, ta kem për shënjë në varr.
Të flenë gjithë zogjtë e fushës, atje në mes resh
Për shpirtin tim të luten, për Zot të bëjnë meshë
Se vetë në mes ndërtova, me zëmrën time, kishë
Me trinità të shënjtë, me shpirt, me gjak e mish.
Vjeshtë e vonë
Ra një pupël që nga lart që nga qiejt me ngadalë
Kur filloi dhe borë e parë mbi lëkurë e trup të valë
Nuk e di çfarë erë e solli, cili zog e humbi mbrëmë
Ndoshta ikte arratisur nëpër arë a nëpër lëmë.
Ndoshta nata e pat zënë tek po shkonte me mërzi
Tek folezë e brakëtisur krahëngarkuar plotë me shi
Dhe dërgoi pupël të shkruar me një lajm kudo në botë
Se nuk sillte shi mbi shpinë por përsipër mbante lot.
Ngjyej puplën e harkuar nëpër venë e ndër damarë
Ku kanë mbetur pika gjaku, pjesa tjetër është e tharë
Dhe në gjethen vjeshtarake të një rrapi moshatar
Shkruaj vargje të paqëna shpirtngrysur zëmërvrarë.
Të lexoj
Të lexoj sytë e shkruar me hije,
me ca dritëza shkëlqyer në mes
Ndoshta janë veç fjalë perëndie,
pa mallkim edhe pa pendesë.
Vetëm lutjet dhe dëshirat e marra,
dhe ofshamë që s’njohu kufij
Të lexoj edhe buzët e ndara,
ku është shkruar puthmë përsëri.
Edhe vetull e ngritur është shkruar,
nëpër harqe të ngrehur mbi ballë
Po s’më vranë këtë herë jam betuar
do të mbetem i gjallë mbi të gjallë.
Dhe do ngrihem nga varri përjetë,
ndoshta tretur do jem e pa’ gjak
Mos u trëmb, se jam vetëm poet
dhe poetët të çmëndur janë pak
Sepse thonë; nëpër ëndrra kur fle,
bëhen djaj edhe ëngjëj njësoj
Ndaj dhe çohem sa nis ditë e re,
në lëkurë ca mornica lexoj…
Pëllumbat e mi
Kanë dalë pëllumbat përsëri,
krahë lagur edhe mjerë
E shkojnë e ulen mbi çati,
po presin ca të tjerë
Gugasin fort e shkundin pendë,
thërrasin zogjtë në fushë
Pastaj zënë puthen në një kënd,
me sqepatë në gushë
E nisën, marin udhë të gjatë,
kush di vallë ku të shpie
Andej matanë nga pusi i thatë,
kënetës në një hije
Ndaj u thërras me zë të butë,
më merni në mes resh
Andej të fshihem si hajdut,
bashkë me një pëllumbeshë
Andej ku zhukat hedhin gjëmb,
përkulur ndën marinë
Dhe gjurmët treten nënë këmbë,
sikur s’njohin njerinë
E ulen prapë krahëshkruar,
oborrit mbi plepishtë
Këndojnë këngë për ne të dy,
e ngrihenë sërish…
Myzeqeja e Libofshës
Që nga kodër e Libofshës
shoh një valë kur shkon në det
Fëshfërijnë kallinjtë në fushë
e lëshojnë një fllad të lehtë
Tunden rëndë ca qiparisa
bashkë me zogjtë në fole
Ca lejlekë shkojnë fluturimthi
përmbi rërë e përmbi dhe’.
Shtrihet fusha madhërishëm
e ndërprerë nga lumë i gjërë
E përflakur nën ca rreze
e s’mjafton qiell i tërë
Të ma zgjoj kur është përgjumur
e nuk do të zgjohet prapë
Me shami lidhur mbi kokë
nëpër pluhur edhe vapë.
Vrapojnë rrugët në harlisje,
bëjnë ca shënja nëpër dhe
Kryqëzohen e shkojnë tutje,
përshëndetje Myzeqe
Mbi qilim të shtruar bukur,
herë të blertë e herë të artë
Me bekim të marrë prej kohësh,
që nga Zoti atje lartë.
PËRMBI PLEP RRINË DY PËLLUMBA
Përmbi plep rrinë dy pëllumba bëjnë fole për dashuri
Nis këndon pëllumb i bardhë e ja pret pëllumb i zi
e çukiten sqep më sqep fluturojnë në ajër lirë
le të tundet degë e trashë edhe gjethet plotë mëshirë.
Dy pëllumba bëjnë folenë atje lartë mbi çati
le të djegë diell i mesditës, le të bjerë gjithmonë shi
Do kërcejnë pupëlgufuar në një valle që s’njeh kush
Do do të ulen përmbi pjergull e do puthenë në gushë.
Dy pëllumba pranë një pusi po pijnë ujë nga kovë e re
Ishin dy të dashuruar por tashmë janë bërë tre
Tjetri fluturon përreth gjithë dëshirë e ngazëllim
e thërret me zë të lartë ky këtu është qielli im.
Tre pëllumba mblidhen bashkë edhe flenë pupëlndrirë
i zë gjumi kur del hëna edhe zgjohen në të gdhirë
e vërtiten pranë oborrit e në sup më ulen shpesh
Ndoshta thonë por nuk e di, eja fluturo mes nesh.
QIRINJ PRANË IKONE.
Bëj të shuaj qirinj, ndizen ca të tjerë
Ca i fik me frymë, ca i fik me erë
E zë i kundroj tek dridhen të qetë
Tek fiken të lumtur apo ndizen vetë.
Bëj të ndez qirinj e fiken me zor
Ca i fik me sy e ca i ndez me dorë
E treten përgjysmë a digjen në rresht
Një digjet me zhurmë e një tjetër hesht.
Pastaj shkoj të fle, është natë vonë
Dritë bëjnë qirinjtë, pranë një ikonë
Rri me kokë ulur nuk e di përse
Nesër ndez të tjerë se është ditë e re.
ERË
Më bëhesh erë e ngrohtë jugu,
bëhesh stuhi
Më kthehesh re e bardhë në udhë,
mbushur me shi
Dhe herë puhizë e përkëdhelur,
ohh të ndjek pas
Bashkë me tufane të paemërt,
plot me maraz.
Më fryn mbi trup të përvëluar,
më djeg të tërë
Kur dielli kap zenith me duar,
e shkon të flërë
Dhe atëherë harbon mbi flokë,
zë loz me fije
E sjell aromat që kam dashur,
me erë magjije.
Më bëhesh erë e ftohtë veriu,
mbi mal në shpat
Sa lind pak mjergullë e zbehtë,
e mbulon fshat
Një copëz mjergulle zë pres,
e se pres dot
Të bëj shami për lamtumira,
për të fshirë lot.
Fatmir R Gjata