Izet ABDYLI: Dy tregime.SHQETËSIMI I POETIT dhe KATËR JETË PËR KATËRQIND

SHQETËSIMI I POETIT

Poeti shqiptar kishte kohë që ishte akomoduar në shtëpinë e shkrimtarit të madh gjerman Henry Bell. Ai tashmë ishte adaptuar me jetën në ambientet e villave ku qëndronin edhe shumë shkrimtarë tjerë nga të gjitha viset e botës. Edhe ky kishte pasur fatin që përmes PEN Qendrës së shkrimtarëve të fitojë një bursë për qëndrim tremujor. I rastiste të takonte e bisedonte me shkrimtarë të kulturave e gjuhëve të ndryshme. Komunikimin e bënte në gjuhen frënge të cilën e njihte qysh herët. Ditët i kalonte duke shkruar, herë duke marr pjesë në aktivitete letrare që organizoheshin nga bursistet, por jo rrallë atë e vizitonin ose e ftonin në vizitë bashkatdhetar që ishin në mërgim, disa prej të cilëve i kishte edhe miq që nga koha e studimeve. Rastiste të shëtiste me biçikletë që i kishte dhuruar njëri nga fqinjët edhe fikall vetëm deri në qytetin e afërt që kishte afro dhjetë kilometra nga shtëpia Henri Bellit. Pastaj jeta e tij ishte shndërruar në një ritual që përsëritej: shkruante, lexonte, takonte ndonjë mik, merrte pjesë në ndonjë aktivitet, letrar, jepte ndonjë intervistë, dhe kështu mbyllej një ditë e shkrimtarit nga Kosova. Megjithatë ndodhi që një ditë të jetë e pazakontë për të. E pazakonta ndodhi nga një telefonatë kur pasi ngriti receptorin u dëgjua zëri në gjuhën serbokroate, njëherë hezitoi t’i përgjigjej duke ditur se njerëzit e asaj gjuhe i kishin sjell shumë vuajtje fatkeqësi popullit të tij, megjithatë si me dilemë iu përgjigj: Da. Ndërkaq tjetri pasi ju prezantua me emër e mbiemër po e ftonte për një takim. Prapë u vu para dilemës të vazhdoi bisedën apo të mbyll receptorin. Vendosi të vazhdoi duke i thënë se unë nuk ju njoh. Përgjigja ishte e menjëhershme nuk ka rëndësi, ju njoh unë. U zu ngushtë dhe pothuaj u pendua që kishte ngritur receptorin. Mendoi të jetë një kurth e ngritur apo … dhe ca drithërima ia përshkuan trupin. Megjithatë krenaria e shqiptarit e bëri t’i përgjigjej prerë. Mirë takohemi nesër në orën dhe vendin që kërkoni ju. Me kaq u mbyll biseda por jo edhe shqetësimi i shkrimtarit. Plotë mendime i silleshin vërdallë. Në fillim mendoi të njoftojë disa nga shokët e tij si Farukun, Muharremin apo Selajdinin, por prapë hoqi dorë. Pse t’i vë në sprovë njerëzit mendoi, sekush ka hallet e veta. Pastaj iu lëshoi fre mendimeve, imagjinata e tij konstruktoi takimin me njeriun e panjohur, iu bë se kishte një fytyrë të vrazhdët, se në xhepin e brendshëm të pelerinës kishte fshehur thikën me të cilën do ta godiste poetin. Tërë këto mendime po bluante i ulur në një lokal përballë kafenesë ku kishin lënë takim. Kishte ardhur gjysmë ore më herët me bibliotekisten e shtëpisë Henry Bell dhe ajo kishte shkuar në punët e veta, ndërkaq ky po sodiste njerëzit që hynin në lokal dhe po i thoshte vetes ky duhet të jetë, jo ky, jo ky …
Pastaj sytë i shkuan në orën e dorës, taman kishte ardhur koha takimit. Paksa i ndrojtur hyri në kafene vështroi rreth e çark njerëzit në tavolina, asnjëri prej tyre nuk po i jepte ndonjë shenjë apo përshëndetje. Sapo u ulë në një tavolinë buzë dritares në derë u duk një njeri afro dy metra i gjatë i cili erdhi drejt tij dhe e përshëndeti me dashamirësi. Poeti e ftojë të ulej por ai ia ktheu, jo do dalim nga këtu, sot je mysafir në shtëpinë time. Pakëz me një dozë hamendje, mirë tha dhe u ngrit. Poeti i tregoi se këtu kishte ardhur me një mikeshë, bibliotekistën e shtëpisë Henri Bell. Nuk ka problem u gjegj kroati, shkojmë ku është parkuar vetura e saj. Aty i la një letër ku e njoftonte se poeti nga Kosova është mysafir në shtëpinë time dhe do ta kthej vetë me veturë. Pa humbur kohë për pak minuta mbërrin në shtëpinë luksoze të kroatit i cili si përfaqësues i Lëvizjes së Masokut në Kroaci kishte vite që jetonte në mërgim. Ai bënte punën e profesorit të fizikës nukleare, ndërkaq e shoqja ishte primadonë e teatrit. Për ti bërë nderë mysafirit ajo kishte përgatitur ushqime tradicionale të Kroacisë. Biseda me profesorin e fizikës nukleare ishte shumë miqësore, madje ai interesohej edhe rreth rrjedha politike duke i thënë se ishte shqiptari dytë që takonte pas Enver Hadrit i cili kishte ide demokratike. Kështu i tërë ai skenari drithërues i paramenduar para takimit po përmbysej, poeti po ngazëllehej jo vetëm më mikpritjen por edhe rezonin intelektual të nikoqirit i cili i kishte bërë një nderë të veçantë. Biseda nuk kishte të sosur sikur të mos e ndërpriste një telefonatë e miqëve të tij që jetonin në diasporë dhe i kishin ardhur për vizitë. Kroati me mirësjellje e përcolli me veturën e tij deri të shtëpia Henry Bell dhe poeti në shenjë falënderimi i dhuroi disa nga librat e tij.

KATËR JETË PËR KATËRQIND

Operacioni i tokës së ndezur kishte tri ditë që kishte filluar. Makineria vrastare serbe po digjte e shkatërronte gjithçka që haste para vetës. Fshatrat e Drenicës ishin shndërruar në gërmadha. Shtëpi të djegura e të rrënuara, qindra kufoma të civilëve të shtrira pranë shtëpive apo në fusha e male në ikje për të shpëtuar jetën e tyre. Po vdekja ishte në çdo hap. Granatimet e artilerisë u kishin humbur orientimin njerëzve që kishin mësy malet e luginat. Edhe Abriasit afro katërqind veta në kërkim të një vendi më të sigurt kishin zënë vend në luginën buzë përroit. Po edhe aty kishte mësy armiku, nuk i mjaftonit djegëja e shtëpive, fushave e arave, por donte të shkrumbonte edhe malet, donte të shkatërronte edhe përrojet. Donte të shuante edhe katërqind jetë të tjera. Por kësaj radhe hesapet nuk ishin bërë mirë, apo më mirë të themi ato do të ua prishin luftëtaret e lirisë. Ata luftëtarë që në pamundësi t’i përballojnë luftës frontale, ishin ndarë në grupe të vogla dhe me aksione guerile godisnin forcat armike në befasi. Grupi kishte katër veta. Mësuesi Vesel me tre nxënësit e tij që dikur u kishte mësuar artin e leximit e tani po u mësonte artin e qëndresës. Po i vështronte me dhimbsuni por edhe me krenari nxënësit e tij para se të iu bënte pyetjen që i rëndonte si plumbi. Kësaj radhe bëri një përjashtim nuk iu tha: nxënësit e mi, por shokët e mi. A jeni të gatshëm shokë të japim jetën tonë për të shpëtuar katërqind jetë të tjera të nënave, baballarëve, motrave, vëllezërve e fëmijëve tanë që janë strehuar në luginën te përroi. Të gjithë njëzëri sikur t’i përgjigjeshin një urdhri të komandantit u betuan me një po të madhe. Atëherë për hajr na qoftë tha mësuesi. Do zëmë vend në ato istikamet që vetë natyra i ka ngritur si me porosi dhe do presim armikun derisa të afrohet sa më afër e ta godasim në befasi. I radhiti në pozicione dhe sërish iu kujtua shkolla e iu duk se po i rreshtonte për të hyrë në shkollë, por jo ata kësaj radhe do hynin në betejën për jetë a vdekje. Ata të vendosur po e pritnin vdekjen tê bindur se po shpëtonin katërqind të tjera. Në çast po shihnin mësuesin e tyre dhe kujtuan ato fjalët që u kishte thënë se: Dasmë pa mish nuk ka. Sa më afër që vinte armiku ata e ndjenin vetën më të fort. Nuk i frikësonte as zhurma makinerisë së rëndë, as ato çirrje të tyre si bisha. Urdhri i mësuesit ishte të mos qëllonin pa komandën e tij. Gjithsecili po rrinte me vështrim në nishan të armëve. Valdeti, Arbeni e Afrimi. Valdetit ende nuk i ishte shëruar plaga që kishte marr në betejën e Llapushnikut, një çast vështroi mësuesin që me mjekrën e tij të zezë sikur i kujtojë çetën e Çerçiz Topullin dhe figura tij ngjasonte me atë të Mihalit , pastaj shokun e tij Afrimin që e donte pamasë, e së fundi ndali shikimin te vëllai Arbeni që ishte ende i ri e druajti se mos frikësohej, por jo sot ai iu duk më burrë se kurrë. Mbase urrejtja për armikun e kishte pjekur para kohe. Po shikonte me pezëm se si ushtarë e paramilitarë po afroheshin drejt istikamit ku ishin vendosur dhe para se mësuesi të jepte komandën, sesi i erdhi një ndjenjë kënaqësie që sot do merrte hak për shokët e vrarë në beteja, për kryekomandantin që ishte flijuar me tërë familjen e tij. Po nuk pat kohë të mendonte edhe shumë se komanda e mësuesit zjarr, i ndërpreu mendimet dhe që të katër zbrazen përnjëherë rafalët e para, e çetnikët po binin palë palë mbi njëri tjetrin. Po ata ishin të shumtë në numër dhe kur panë shokët e tyre që u shtrinë përdhe të alarmuar zunë pozicione ashtu si munden. Po luftëtarët i lirisë shtinin pa ndërprerë mbi ta. Lufta po zhvillohej në afërsi aq të madhe saqë granatat e shkive po binin në istikamet e luftëtarëve të lirisë. Njëra nga to ra në mes të Afrimit e Arbenit dhe pothuaj dheu i mbuloi në tërësi. Mësuesi po e mbante zjarrin e po u jepte zemër të qëndronin. po edhe të mos dilnin shumë në mejdan. Por Valdet trimi kur pa që vëllain dhe shokun i mbuloi dheu, sikur pa vdekjen e tyre, edhe mësuesin me ballin përgjakur që luftonte si luan, rroki mitralozin e doli në mejdan duke zbrazur tërë rrethatoren e duke kositur çetnikët derisa trupi i tij u shpua nga plumbat dhe u shtri pranë të vëllait i cili nga dheu që i kishte rënë përmbi, por edhe copat e granatës që i kishin hyr në mish në shumë pjesë të trupit, mezi lëvizi. Pas pak Arbeni lëvizi me vështirësi dhe i pa të shtrirë pranë njëri tjetrit mësuesin, vëllain Valdetin e shokun Afrimin dhe sikur ua kishte lakmi. Sa do donte të ishte në mesin e tyre. Dëgjoi pastaj zëra në gjuhen e huaj, ndjeu dhe zhurmën e helikopterit, e në moment iu kujtua betimi i luftëtarit se i gjallë nuk duhej të binte në dorë të armikut. Në gjendjen që ishte nuk mund të luftonte. Plagët i digjnin e ndiente etje të madhe. Sikur Zoti t’i dërgonte fuqinë ai filloi zhagas të rrëshqas lugajës që dërgonte të përroi, ai shfrytëzoi rastin derisa armiku po merrej me kufomat e tyre të vrara në fushëbetejë. Nuk ishte e thënë që ai të vdiste. Dikush duhej të shpëtonte për të dhënë kumtin e rënies së trimave në altarin e lirisë. Goxha ishte afruar përroit por i ishin shterur energjitë. Kishte humbur shumë gjak. Edhe zë nuk kishte, po e mbante shpresa se të strehuarit të përroi kishin dëgjuar krismat e tyre dhe dikush do u dilte në ndihmë. Taman kur po e lëshonte fuqia ai gati si i përhumbur dëgjoi zëra shqip dhe ndjeu ca duar qe e ngritën nga toka pastaj sikur humbi në një ëndërr. Sikur po bëhej një dasmë e madhe dhe Kryekomandanti po i printe dasmës me flamur dhe po i merrte ngrykë Mësuesin, Valdetin e Afrimin. Pastaj grupi i dasmorëve po largohej e ky kishte mbetur duke i soditur pa patur mundësi t’ u afrohej. Kur skalperi i mjekut po nxirrte nga trupi tij thërmiat e granatave ai hapi sytë dhe pa familjarët përreth babai, nëna, vëllai gjyshi e kushërinjtë. I tërë trupi po i digjej. Mezi dëgjoi fjalët e gjyshit për hajrë plagët o trim. Ju u bëtë kurban i jetëve tona. Prapë ra në kllapi. Ai tashmë ishte në duar të sigurta. Mjeku po bënte të pamundurën të shpëtonte jetën atij që së bashku me tre tjerët që tashmë kishin rënë në altarë të lirisë kishin vendosur të flijohen jetën e vet për të shpëtuar katërqind jetë të tjera.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here