DRITA LUSHI: NDJEHEM HERË CIRCE E HERË GRUA

QEKUR TE KAM NJOHUR

Qëkur të kam njohur
ndihem çuditshëm…
E ndërsa kam nisur të të dua,
Ndihem herë circe
e herë grua.

Shpesh, bëhem e padukshme
dhe si D(r)itë,futem fshehtas brenda teje;
Të zgjoj fjalët,
të ngatërroj mendimet,
u jap udhë fantazive,
të largoj gjumin tutje,
dhe ëndrrat t’i çel me puthje.

Ndërsa ti qesh
(kushedi ç’ëndërr sheh!)
Unë, nga d(r)itë kthehem në lumë,
E vërshoj për në zemën tënde,
Duke rrjedhur lehtë, pa zhurmë.

Pastaj,lë ca petale prilli në dhomëzat e saj,
nga ato që s’thahen kurrë,
qoftë dimër,vjeshtë, apo maj…

Ashtu e padukshme
Bëj sikur iki…
E sa herë,që ti mendon se jam larguar,
të kam mashtruar…

Fshehur jam,po aty
Tek Ty…!

Ngaterrestare

Shpesh, më pëlqen të luaj
Duke të të ngaterruar;
Ashtu si humbet gishtat ti
Nëpër flokët e mi

Jam përpjekur të të ngatërroj
ditët, në të gjitha stinët;
Të kam folur për pranverën në vjeshtë,
Dhe n’ dimër të kam sjellë detin në sy;
Të kam ngatërruar nëpër vargje,
Duke kërkuar më kot veten, “jam këtu, apo aty”?
Të kam ngatërruar sa herë të kam thënë
“të dua:
Dhe sa herë të kam thënë
“…s’të dua”.

Por, kur qëllon, vështrimi na
puthet në sy….
S’ka më ngaterrestare
Ndihem dyfish ngatërruar nga Ti…!

SYTË

Ah, sytë, sytë!
Kur janë larg, qielli ndahet përgjysmë
Kur lidhen me vështrime,
Qiejt bëhen dy
dhe bota,nis të ndërtohet nga fillimi, përsëri!
Ah, sytë..!
S’duhet ti lije peng tek unë
As unë tek ty, të mitë!

E ÇUDITSHME..

S’mbaj mend se kur kam lindur;
Ndoshta, qëkur u formua toka…
Oh, sa e lashte qe jam,
kur ende, ende jam fëmije!
Shpesh ndjehem si njëmije vjeçe
Dhe akoma me shpesh, sikur jam vjeç Një.

KERKESE…ZOTIT

Unë s’kam një zemër…
Por dy..
Një për të dhënë,
dhe një për të marrë dashuri.
Kam ende shume gjera të bukura për të bërë,
për të thënë,
për të shkruar;
Kam ende shumë emocione për të provuar dhe dhuruar;
Kam ende per tu puthur dhe ende per t’u dashuruar;
Kam ende njerez për të njohur dhe udhëtuar;
Kam ende për të qeshur me gjithë shpirt;
Kam ende grindje për të bërë me burrin që dua;
Andaj Zot, edhe 101 vite falmi mua…
(Gezuar Datlindjen Vetja ime..)

ORËT E LUMTURA TË NJË JETE…

Janë Gëzimet nga Lindjet
mes thirrmash dhe dhimbjesh uterine,
që zgjojnë një Këmbanë Jete tek njeriu
Nje “ding” që trokëllin me shpresë ditëve…

…Janë Këmbanat e Dashurisë
që bien me jehonë në zemër;
që thërrasin pas çdo “dong”u,-
një shpirt për shpirtin, një Emër.

…Janë Këmbanat
e pagëzimeve
betimeve
puthjeve
orëve të bardha,
ku ngaz’llen e ardhmja!

E më pas?
Janë “ding-dong”-(e )
që vijnë prej qielli,
fiks,në orën e mbrapme t’shuarjes së një dielli…
çastet e lumtura të një jete?
…sa një pulitje qepallash,
nga lindja, der në vdekje…!

TË DUASH NJË GRUA

S’është lehtë të duash një grua,
T’i falësh fjalë sysh dhe puthjesh;
Ledha hëne, kometash e diej
t’i ulësh në duar.

Duhet të dish të duash një grua!
Të marrësh një oaz mes shkretëtire,
Nje oaz që kaltëron (veç për ty)
tokë dashurie.

Duhet guxim të duash një grua!
Të gjesh rrugë e shtigje (të pashkelura)
që të pushtosh
të artat brigje.

Duhet të dish të mbash një grua
pasi zemrën të ka vënë në duar,
Më shumë se atë – dashurinë e saj.
Duhet të dish, të dish pra…

9.Shqetësim gruaje …

Ndonjëherë,
me mbulon si një rrobë e bezdisshme pasiguria;
nëse më do dhe sot si dje,… si mbrëmë,
nëse ke menduar për mua gjatë ditës,
nëse të gjitha fjalët m’i ke thenë me shpirt,
nëse dashuri me mua bëre dhe mbrëmë,
duke më pas’ pikërisht edhe në mendje…
nese do më japësh puthjen siç e dua unë,
nëse do më thuash fjalët përkëdhelëse që më pëlqejnë…

Ndonjëherë,
Më mundon, padurimi, malli pasiguria…
Deri sa shfaqesh përballe meje Ti
…dhe… e buzëqeshur,dashuria.

KA ENDE DASHURI…

Jashte,
ka ende,vjeshte.
Dallandyshet jane larguar te gjitha,
Kushedi ne c’ vise i kanë ngritur folete…

Brenda meje
Nje fole e vetme prej vit(esh) aty…
Pa stine, largime, shtegtime nder te tjere…
Ndertuar vec per ty…

Aty ka ende Dashuri,
Sepse…nje zemer,
mund te mbaje brenda vetes,vec nje zemer,
Por kurre dy.

PO TË LË MBI TRYEZË, KËTË POEZI

Kur s’je,
vij e ulem në poltronin tënd;
Prek letrat e shpërndara
Librat e lënë hapur…
Një rremujë që jam mësuar ta dua…
Ah, paske harruar të marrësh dhe sot,syzet e tua…

Vë gishtat mbi të tutë,
në tastat ku formon fjalë aq të bukura,
ose që të mundojnë jo rrallë,
tek lidh gërmat të nxjerrësh aty shpirt e mall..!

Ndihem ti një moment..
Ndërsa ty të bëj vetveten;

Mbyll sytë të imagjinoj ardhjen…
E befas,
Vrapoj në dritare të shoh rrugën,
Dhe vërtet shfaqesh…

Unë qesh…
Qesh…me parandjenjat e mia…
Te vërteta, sa e verteta,
E ndjenjës sime për Ty

Eh…
Te dua edhe në mungesë,
duke dashur çdo send që prek ti;
e kur shfaqesh…
ndihem dyfish në dashuri…!

Unë kam pak fjalë…
Dhe këto s’ti kam thënë kurrë..
As edhe tani…

Thjesht,po të lë mbi tryezë …
këtë poezi…!

DO TË ISHA E QETË, PO TË KISHE NJË VAJZE.

Unë do të doja që ti të kishe pasur një vajzë…

Sa here t’a them këtë, të ravijëzohet një buzëqeshje,
E largohesh tutje pa fjalë, duke marrë me vete heshtje…

E di,
s’jemi ne që percaktojmë,
gjininë e pasardhësve..

Por,
Nëse do të kishe një vajzë
Do të kishe më shumë flokë të zinj
E më pak rrudha në ballë;
Do dilje me gaz nga shtëpia
E do të ikte e gjithë lodhja në kthim,
Vetëm nga i saji përqafim;

Nëse do të kishe një vajzë
do të buzëqeshte fytyra
dhe çdo ind;

S’do të kisha merak
në trishtimin, mërzine apo vetminë,
që ndodh të kaplojnë çdo njeri

Ja pse do të doja, që të kishe një vajzë…

Por ti nuk ke vajzë…
Dhe unë, nuk jam e qetë..
S’mund te jem…!

VJESHTËN,MUND TA KTHEJ MBRAPSHT…

Sot,
është dita e fundit e vjeshtës;
Ti trishtueshëm heq sytë nga unë,
Duke parë ngultas veç pemët…

Çdoherë,
kështu trishtohesh ti…
Sa herë kjo stinë mbaron
Thua:”iku dhe një copë dashuri”

Hej, pa shiko!
Unë mund ta kthej vjeshtën mbrapsht po të dua.
Në çast, mund të të bëhem
Shtator,
Tetor,
Nëntor;

Për më shumë?
Vjeshtë mund ti bëj të gjitha stinët e tua.

Ndoshta,
dhe një vit, mund ta lëviz
e ta çoj atje ku u nis…!

trishtimi (t)ikën
qesh,më sheh,
e sytë nga pemët heq…

seshte dita e fundit e vjeshtes…

Ç’ëndërron martesë me mua?

Kot e ke që thua:” Me ty do isha martuar
nëse do do ishim të dy beqarë”
Natyrisht unë qesh, se për të qeshur është
Qesh, se s’është për të qarë.

As nje jave s’kisha për të ndenjur me ty;
E pas shtatë ditësh veten do shihje në rrugë
Ndoshta dhe pas dere do kishe ngelur ti
E unë do qeshja me një burrë që trishtohet
Kur gruaja e le të rrijë larg e për karshi.

Pra, mos ëndërro më kot
Martesa me “sikur” e ojna fjale;
Nëse Dashuria është dhe lojë,
i pranon dhe xhestet prej të marre!

Edhe nje burre

Ti, hiqesh i fortë,
sikur mendjen s’e vret;
sikur je i pathyeshëm…
i vendosur,
dukesh më shume se burrë,
në ato ç’ka thua

Por, ja..
ja që të mbahet pakëz goja,
kur flet me mua.

Ti s’je kaq i lirshëm sa dukesh
Ty, të tradhëton edhe lëkura.
Sepse dhe një burrë, mund të skuqet në fytyrë
teksa ka përballë, e në sy e sheh një Grua…

Të dua kështu…

Të dua në një mënyrë të veçantë
Jashtë trupit dhe prekjes.
Të dua jashtë saj tërësisht.
Jashtë saj që e quajnë “dashuri fizike”
Kështu të ndiej, kështu thellësisht.

Unë, në trishtim ty të dua,
Po ashtu në të gjitha gëzimet;
Por më shumë, se shumëçka
Të dua për dhimbjet.

Edhe nëse nuk qesh me ty
Të dua të qeshësh çdoherë,
Por nëse do derdhësh lot
Edhe loti im, me tëndin do bjerë.

Do jem aty, me ty
Sa herë do jesh në nevojë
E do ta ndjesh,
që edhe dhimbja do qeshë se s’ben
E shpirtin do ta lehtësojë.

Nëse e ndjen shpirtin tënd
Me të paqtë, të butë dhe të gjerë,
Aty është i shkrirë dhe shpirtin im
Veç ti di ta ndjesh këtë; veç ti.

Ja kështu të dua…

Kjo është dashuria, që s’vdes kurrë.
Sepse edhe mishi,
dhe trupi
dhe zemra
nje ditë vdesin…
e s’mbesin…

Ti,
duhet të jesh i lumtur,
që të dua pikërisht kështu
Dhe në asnjë tjetër mënyrë…!

Kështu do jem përherë me ty
Do më jesh çdoherë këtu.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here