ALI PODRIMJA : METAFORA E JETËS SIME, POEZI

Ali Podrimja u lindi në Gjakovë në1942. Studjoi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jeton aktualisht.Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën “Jeta e Re”.
Më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.
Në vitet ’80 e ’90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999).
Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë kombëtare. Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie.
Përgatiti materialin për botim Hiqmet Meçaj

BUKURIA

Zgjata dorën në livadh lulen me këputë
“Mos – fqiu im i dashur më bërtiti-
-do të vyshket!
Qita hapin, kalin e bardhë me mbërri-
-vashën e ëndërruar kaherë.
“Mos! – përsëri m’u gjegj fqiu.
Unë qava me mall edhe atëherë.
Hodha dorën në gjithësi me pikëllim-
Çel e mshel sytë dritë m’u bë.
“I lumi ti!” – dikush më bërtiti në përqafim
e kurrgjë tjetër s’pashë as ndjeva.
Sot e atë ditë, kudo e kërkoj fqiun tim të mirë.

ME JETUE
(Tim bir, Lumit)

Erdhe në jetë
Nuk ka më nevojë për kuje, lutje
Kryesorja të jetosh
Këtë gur ta hedhësh më larg se Unë
Prandaj:
Bukën ta pjekësh dy herë nën saç
Ujin ta ziesh deri në shkallën 99
Derisa të mbetesh ti i vetmi kërthi në ajër
në kohë kosmos.

VRIMA E PARË FYELLIT TIM

ç’gurron guri në gurinë
gur guri ndër gurë më i guri
gur i gurëzuar pranë gurit
gurth i nguruar rreth gurit
gurron guri në gurë gurësh
guro guroje gurin në gurinë
ç’guri pranë gurit gur guri
vrimë e parë e fyellit tim.

EPIKA

Me shekuj kam shitur gjakun
E jam rritur me gjakun e shitur
-Me shekuj kam hëngër veten
E ditur s’kam të qesh me veten e tepruar…
Miq,
Kosova është gjaku im që nuk falet!

HIJA E TOKËS

Ara e misrit është kallur
(nata si kalë hamshor vrapuar ka
jashtë e brenda shtëpisë sime
me mua vrapuar ka
e ara e misrit kallur është)
dhe livadhi rrëzë shtëpisë
dhe vreshta ime e vogël
dhe plepi.
gjithë natën e lume kallur janë
me sytë e mi të përgjakur
Ara e misrit është herrur
Plepi ka rënë
Dhe zogu im i mbramë.
Unë kam kafshuar etjen
Deri sa vdekja pikon
– O, si ta ndjell atë zog të bardhë,
si të bëhem dritë, o vëlla, mbi varrin tënd?
Medet, na i dogj krejt
Fushat e bukës
Dhe livadhet tona

GURI

(Pres me ditë tres përditë)
hudh gurin në hapësi
sizifi plak me mund
prapë e hudh dhe e hudh
valë e më valë e i gjallë
pres me ditë tres përditë
hapësi e hapësi kërkon
rrënjë lëshon në mundësi
në pamundësi erna tremb
hudh gurin në hapësi
hapësi çpon e çpon
kohëra e kohëra përgjak
dhe mund Sizifin plak.

METAFORA E JETËS SIME

nëse s’flas
jeta ime s’ka qetësi
fiala ime bëhu Unë
heshtja të të mos shtypë
në gurë
rnulliri
nëse s’flas
jeta ime s’ka qetësi
fjala ime bëhu Unë
plaga ime
le të marrë
frymë thellë

SHTAT LËSHON NJË LULËKUQ

heshtja ime është më e vjetër
se unë e më e fortë
se vdekja ime
ajo është pamundësia ime
heshtja kur fle
numëroj yjet
luaj me hije luaj me thika
e një fushë të bardhë
shtat lëshon
një lulkuq
se heshtja ime
ka peshën e gurit të mallkuar
dhe gjuhën e njeriut të gozhduar në shkëmb

NJË DITË

një ditë heshtja
do të më gjuajë
me eshtra të mia
ose do çmendem duke rrënuar.

MËNGJESI

Me çka të të peshoj
me sy apo me zemër,
me çka?
Kaltria jote
botën
zgjoi.
Me çka të të peshoj
me sy apo me zemër,
me çka?
Êndrra jote
dritaret e jetës
m`i hapi.

JE SI SHPIRTI IM

E pakufi je
si shpirti im, e pakufi-
e unë pash e m`pash
mundohem të të bi,
në grykë të shkëmbit
t`gurrëzohem,
në pishnaje të malit
të bëhem syri yt…
E pakufi je, e pakufi
si ime frymë.

NJË UDHËTIM

Në buzë tua
sa herë vdiqa
prej mallit-
ti u betove
në kokë time
dhe zot tjetër s`njohe…
Nxora sy
maje kodre
kur zë më lëshove
e në udhëtim
të zbulova oj-
herë t`urtë, herë t`sertë.

UNË DO TË DUA

Po të rrëzohet
edhe i mbrami i Kullës gur-
unë do të dua.
Po të shuhet
edhe i mbrami i Vatrës zjarr-
unë do të dua.
Në fushë të mejdanit
po të mbesë
edhe i fundit i Trollit burrë-
unë do të dua…
NATA
E lehtë dhe e butë
si hapi im
është nata në ty.
E dashur dhe e vrullshme
si kraharori i gruas
është nata në ty.
E qetë dhe e frikshme
si shikimi i vajzës së dashuruar
është nata në ty.

LINDJA E MADHE

Që syrin e djathtë të më shohësh,
i shpirtit krua
etjen ta shuash.
Që jeta e vdekja ime,
bën ç`duash!

ME QENË

Të jesh shqiptar
e vdekja të mos të gjejë
edhe në skaj të botës
e pamundur është
Të jesh shqiptar
e ndonjë qen të mos të ndjek
deri në varr
e pamundur është
Shqiptar të jesh
botën varr të mos e kesh
e pamundur është
e pamundur
Në trupin tim
plaga më e thellë
sa më afër
Bregut

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here