Konstandin Dhamo: PORTA POTTY DHE POEZI TE TJERA

PORTA POTTY

Hi hi
Dubai !

Sheikët tashmë paratë
Për një trill të ri duan t’i hedhin ;
Ngritën kullat më të larta
Në botë
Dhe, më ekstravagantet sigurisht.
Ishujt artificialë mbi det formuan
Siç do t’i formonin
Veçse shpërthimet e fuqishëm vullkanikë…

Ah,por Ishulli – palmë dhe,
Ishujt me të gjithë kontinentet në miniaturë
Të globit,
Përplot vila të përrallshme,
Një mijë e një netët arabe
Flu – flu t’i përhitin ndër sy
Si mirazhe shkretëtire…

Hi hi
Dubai !

I galvanizuan me ar supermakinat
Ferrari Lamborghini Rolls Royce…
Të garazheve të tyre llamburitës ;
I galvanizuan edhe avionët privatë,
Të cilët në qiell
Duken sikur vinë drejt e nga dielli,
Atëherë, si t’i hedhin n’erë ndryshe paratë,
Të pashtershmet si dhe nafta e tyre ?

Ja !
Trendi i fundit viral,
Koprofilia
Krupofilia !

Hi hi
Dubai !

Miset me kurorë, blogeret,
Modelet gjithfarësoj t’instagramit
Ah, dhe cilado tjetër që zotëron
Një palë bythë për të qenë,
Të bollshme pra dhe të tonuara
Si të brazilianeve të konkursit
Miss Boom Boom,
Mund të fluturojë në Dubai
E përndezur dhe,
Me kurajë.

Koprofili
Krupofili
Hi hi
Hi hi !

Pa shihni,
Krejt i shpenguar një sociolog,
Derdhjen e pëgërave të sheikëve
Në porta potty –n tuaj
Sugjeroi të quhej ( me eufemizëm ? )
Një version i kohës i seksit oral,
Të gjertanishmit, sakaq të rëndomtë
Dhe, të demoduar…

Tekefundit,
Gjithë delikatesë,
A nuk quheni eskorta
Dhe ju, femrat argëtuese,
Pa i vajtur kujt mendja
T’ju shenjojë si prostituta
Pa le
Si kurva ?

Hi hi
Dubai !

Le të jenë tualetet e sheikëve
Lar’ n’ar shkëlqimtar,
Goja juaj,
Ajo portativja e vogël
Prej mishi të njëmendtë
Njeriu të gjallë,
Eshtë ar mbi ar
Në Dubai.

Koprofili
Krupofili !

Paratë ?
E kush pyet për to,
Hi hi
Dubai…

Koleksioni i fotove tuaja
Ndanë pishinave blu,
Në sfond të hoteleve me shtatë yje,
Tek spërdridheni të shpërfaqni
Sa më ngacmueshëm bythët tuaja,
Që i përshkon tej e tej
Filli i mikrobikinit,
Dikë e bën të gajaset tallshëm
E të shfryjë :
Ç’falsitet
Prej të varfërash
Të palumtura …
Kur ua ndjek në rrjetet sociale
Pozat që hidhni e hidhni me ngut .

Dikë tjetër, përkundrazi
Koleksioni juaj farfuritës
E nxit t’ju imitojë
Për t’ju konkurruar…
Ndërsa mua
Thjesht
Më pikëllon !

Porta potty juaj kutërbon
Edhe kur ecni rrugës mbi takat e larta
Të parfumuara mbytshëm
Me Chanel,
Madje edhe atëherë
Kur zbrisni
Nga një Maybach luksoz,
Dhe,
Rrëzëllini nga bizhutë …

Koprofili
Krupofili
Goja juaj
S’ka të larë
Bye bye Dubai…
2020

EKSKLUZIVISHT

Danten, përnjëmend
Ekskluzivisht e njohim
Me Komedinë Hyjnore,

Me Don Kishotin
E njohim ekskluzivisht
Servatensin,

Siç njohim Omar Khajamin
Ekskluzivisht
Me Rubairat.

Ekskluzivisht
Ekskluzivisht

A thua, këta gjeni
Qëlluan në shënjë
Me t’u ulur një ditë të lume
Para Letrës së Bardhë,

Në shenjë, a thua qëlluan, pa kaluar së pari
Sprova të mundimshme,
Dështime drithërues
Dhe zhgënjime …

Sot,
Pas kaq shekujsh të trazuar,
Kur çdo Kohë, logjikisht,
Ju ka lexuar ndryshe,
Siç ju lexoj ndryshe dhe unë,
Gjithsesi, kolegu juaj
Sa herë marr në dorë
Librat tuaj,

Them:
I mundët monarkët matufë dhe despotikë,
Siç mundët edhe klerikët, censorët e rreptë ,
Ndonëse ju dëbuan nga qyteti i lindjes,
Apo ju syrgjynosën larg larg atdheut,
Që t’ju harrohej emri,
Librat t’ju digjeshin,
Në zjarret asgjësues t’inkuizicionit.
Për sundimtarët
Krijimet tuaja
Veçse herezi përhapnin !

Ekskluzivisht
Ekskluzivisht.

Bota është emancipuar kursyeshëm,
Eshtë sofistikuar shumë ;
Inovacionet n’art, në shkencë
Dhe, kulturë
Ende provokojnë incidente pa fund…

Tekstet e historisë , nga akademikët
Retushoihen e retushohen pa reshtur,
Ca më tepër madje, në vendet e industrializuar ,
Me rekorde demokracie dhe,
Të hapur krejt ndaj botës.

Një përrallë të lezetshme po e bëjnë historinë ;
Rrëshqitshëm përmendet veç në ca faqe
Skllavopronaria e tejzgjatur
Ndonëse, mes zhurmës demagogjike të medieve
U çmontua monumenti narrativ
I presidentit të nderuar Abraham Linkoln,
Me atë skllavin e gjunjëzuar te këmbët e tij …

Njëherësh. me potere, Columbus Day,
U hoq nga kalendari si ditë pushimi e shenjuar për amerikanët.
Sa mirë e bukur kështu ?
Nga këndvështrimi i shekullit XXI,
Kur luftërat anekënd trnsmetohen live,
Dhe, ndiqen si video game,
Kolombin, për masakrat ndaj banorëve indigjenë
E denoncuan dhe,
E dënuan !

Po çfarë ndodh në terren ?
Punëtorët emigrantë anembanë,që s’u zunë këmbët dhe,
Rrokaqiejt dhe stadiumet e s’ardhmes ndërtojnë ;
Skllevërit e rinj janë ata, të globalizmit,
Një dublikat i shëmtuar i proletariatit klasik…
Po Holokausti, i skëterrshmi,
Çfarë thuhet tashmë për të ?
O, ndoshta asqë ka ekzistuar…

Ç’u bë vallë me Magna Carta – n
E madhe të Lirisë,
Kartën e të Drejtave të Njeriut ?
O, ajo u hodh në kosh shpërfillshëm
Nga vetë aprovuesi i saj,
Mbreti tiranik Xhon,
Ende pa iu tharë boja …

Sot, pas qindra vitesh,
Ajo fije letre e zhubrosur
Shitet n’ankand për mijëra paund…

Kolosë të letërsisë !
Historinë e vërtetë,
Tronditshëm të vërtetë
Nga ekskluziviteti i Librave tuaj
Ekskluzivisht ndiej nevojë ta mësoj,
Ndonëse aty s’ka data dhe,
Dokumente autentikë të njëmendtë s’ka …

S’goditët në shenjë, sigurisht
Me të debutuar
Para Letrës së Bardhë, një ditë të lume,
Por Frymëzimi Hyjnor sakaq
Ju kishte gjetur
Dhe, mendjen jua dritëzoi
Siç dritëzuat dhe ju më pas
Terrin e Mesjetës,
Kur edhe vetë Dielli i lartë
Dukej sikur s’bënte dritë…

Kurrkush për së gjalli
Madhështinë s’ua njohu ;
N’amshim dhe ju vetë
Për çka i dhuruat njerëzimit
Të pavetëdijshëm ikët ,
Ju, ju
T’universalizuarit !
1992

KRAVATA E KRYEMINISTRIT

Në Pragën e artë gotike
Samiti i Komunitetit Politik Europian
U mblodh ;
Kjo do të thoshte se,
Ceremonia e jakave të bardha
Dhe buzëqeshjeve që shkasin në grimasë,
Do të shfaqej sërish…

Se çfarë vendimesh do të merreshin
Së findmi në Samit,
Dihej mirëfilli sakaq, dhe s’përbënin
Lajm kushedi ;
Rutina e këtyre takimeve
Mediet veçse i përgjum…

Shefi, shefi famëmadh i kuzhinës,
Ai, çfarë çudirash të papara ekzotike,
Do t’u servirte plot elegancë
Liderëve europianë, në pjatancat farfuritëse,
Në pushim të seancave të lodhshme
Dhe të bezdisshme,
Kjo po, që përbënte
Lajm !

Dhe,
Bëjnë polifoto gjithë përkujdesje,
Sellfi bëjnë vipat e politikës ;
Ja, edhe kryeministri i Shqipërisë,
Më i gjati ndër të gjatët !
Ka fatin t’i shohë të tërë ai
Nga lart poshtë.

Këtë herë, veç
Liderëve në sallë vëmendjen
Nuk ua tërhoqi me poturet e zeza
Jamamoto
Njëmijëpaundëshe,
As me atletet e bardha
Prej basketbollisti ;

Këtë herë kryeministri shqiptar
Ka lidhur qafës një kravatë
Me një koleksion marramendës
Vaginash
Përplot ngjyrime pikante
Sipas dizajnit të Georgia O’Keeffe…

Oh, ç’kravatë fantastike ,
Si vargu i pingultë
I një haiku erotik japonez !

Tek bënin fotot,
Nxitoi e këndellur drejt vaginave
Vetë kryeministrja e një vendi boreal;
Çapkëne e mbrapshtë ajo,
Nuk ngurroi,
Gishtat e saj pianistikë t’i rrëshqiste
Dridhshëm
Mbi vaginat në gjoksin e gufuar
Të kryeministrit shqiptar !

Çfarë këqyri me vëmendje
E reja kryeministre,
Se, ndoshta gjente një të ngjashme
Me të sajën ?
( E ç’pjese të trupit s’i bëhet
Sellfi sot ?)

Pas shefes mendjehapur nordike
Dhe burrat, kolegët e saj hokatarë,
Përfshirë nga euforia shkuan në grup
T‘i shihnin nga afër vaginat .

Ah, çfarë sensi humori çlirues
Ka kryeministri shqiptar !

Por, ç’sens humori…
Me veshjen ekscentrike ai
Tek shkel pa hezituar
Protokollin etik zyrtar,
Mos shpreh ndoshta sarkazmin e tij
Përmes metaforave të look –ut ?

E thënë dretpërdrejt,
Vallë mos tallej me ne,
Me ne, vallë mos ishte i bindur
Se s’duhej t’ish serioz ?
Pyetën në një çast reflektimi
Liderët e burokratizuar europianë.

O, le të tallej ;
Gjithsesi dhe ne
Tridhjetë vite plot
Kemi që tallemi…

Në Pragën e artë gotike
Samiti u mblodh…

2022

MREKULLI TEKNOLOGJIKE

Nëse një ditë qëlloni me humor të mirë
Robotit mund t’i pozoni për t’ju
vizatuar portretin
Do t’ju bëjë euforik talenti i tij. kur
të shihni sesi ju ka
kapur në karakter, duke
iu theksuar një buzëqeshje
mirësie…

T’ardhmen tuaj, nëse doni ta dini
Një tjetër robot merrni në
dispozicionin tuaj;
Tregojini atij shkoqur dhe qartë se, kur
jeni lindur dhe ku, ç’profesion
ushtroni , ndonjë hobin tuaj, e ca
të tjera si këto…
Dhe, mos u trembni; e ardhmja juaj
nga goja e robotit , do të dalë
mrekullisht e lumtur…

Pastaj, një tjetër robot shtëpinë mund
t’jua ruajë,
Aq përfekt sa, edhe lidhjen me
policinë e bën vetë.
Nëse hajdutët u mësyjnë brenda…
Fëmijët, madje, një robot mund t’i
ketë në përkujdesje; t’i veshë e t’i
mbathë, t’i ushqejë e t’i çojë në
banjë e, më pas t’i argëtojë…

Dhe, robotët s’kanë sindikata punëtorësh ,
S’bëjnë grevë dhe s’kërkojnë rritje
të herëpashershme page,
Së paku, tani për tani …
Ku dihet ?
Nesër mund të na marrin
Pushtetin !

Po të dëshironi më tepër,
Një tjetër robot sex doll gruan ua zëvendëson ;
Deri dhe me tipare të personalizuar mund ta porosisni;
bie fjala, që të ketë fytyrën e të dashurës suaj
t’ adhuruar, me të cilën je marrë vesh
më së miri që më parë…
Dhe, do të prekeni, si dikur romantikët ëndërrimtarë,
nga dhelet dhe besnikëria e të dashurës suaj
sex doll, që ta zëvendëson përplot zell
e varacione erotikë atë,
atë të dashurën – njeri, që shpesh ,
e mbysin telashet…
Një tjetër ditë, gjithmonë, nëse jeni me
humor të mirë,
Roboti dhe vetë ju mund t’ju zëvendësojë…

1992

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here