-Përshëndetje nga nju jorku, znj. Bajame!
-Përshëndetje z.Dalip Greca!
-Tek shfletoja këto ditë Gazetën lokale të Lushnjës ” Ora e Fjalës” që lindi në vitet e para të demokracisë, më ra në sy një shkrim i imi në faqe të parë me titull: “Një grua paralajmëron: Do të digjem me gjithë fëmijët nëse policia më nxjerr forcërisht nga shtëpia”!
Intervistoi: Dalip Greca
-Si e kujtoni ju znj. Bajame, atë përballje me policinë dhe pushtetin e kohës?
-E kujtoj si një histori mjaftë tronditëse z. Dalip. Historia e asaj dite ishte më e tmerrshme se gjithë internimi, dhe më tronditëse nga sa e kishit paraqitur juve në faqen e parë të gazetës”Ora e Fjalës”.
Si e qetësuam policinë?!
Policinë e qetësoi bidoni me benzinë që u derdh gjatë korridorit ku përveç tre fëmijëve të mi që tashmë kishin këmbët e zbathura mbi të, kishin edhe policët të cilët ikën me vrap kur panë shkrepësen në duart e mia gati për ta ndezur. Do t’isha djegur me të tre fëmijët e mi të mitur, pikërisht, atë ditë qershori të vitit 1993, në rast se: ju të medias dhe z. Myftar Brehama do t’ ishit vonuar edhe pak minuta.
–Më kujtohet zonja Hoxha, fare mirë ai moment tronditës. Po si e pati zanafillën?
– Qershor i vitit 1993. Akoma vazhdonim të vuanim në kampin e përqendrimit në Savër, të Lushnjes. Aty, kishim kryer si çift, burrë-grua, një dënim të tmerrshëm 70 vjet internim dëbim, me prindër të burgosur dhe të pushkatuar.
Kaluan dy vjet që prisnim shtetin të na hiqte nga kampi dhe të na jepte një apartament sipas ligjit që nxori:Kush ka bërë 25 vjet, internim dëbim, i takon një apartament falas sipas frymëve. Po ne me tre fëmijë, që kishim kryer 70 vjet, internim dëbim?!! Por dhe si çdo qytetar tjetër, që e përfitojë një banesë. Donim të jetonim larg kampit dhe atyre që na shihnin ende si armiq, dhe duke menduar se neve do të përfitonim jo vetëm lirinë, por dhe shumë gjëra të tjera, urrejtja për ne qe rritur aq shumë, sa ishin gati të na vinin para skuadrës së pushkatimit. Dhe tani mendoj:Kishin të drejtë, si mund të jetonin ata pa ne! Pa krahun e punës falas, pa skllevër? Kush do t’ju a bënte punën e rëndë paskëtaj?!! Kë do demaskonin nëpër mbledhje, kë do diskriminonin e ofendonin pa pushim? Kë do shfrytëzonin në të ardhmen, kë?!! Me kë do merreshin? Si do ta nxirrnin kotheren e tyre që deri atëherë e kishin qyl?! Punonim ne, dhe ata bënin qejf duke tundur zinxhirin nëpër zyra e nëpër mezhda kanali ku ne punonim tekstualisht si skllevër.
Im shoq thoshte: Do presim ligjet! Shteti demokratik ka për të na stabilizuar edhe neve por duhet pak kohë. Unë e prita atë kohë të parashikuar, dhe ajo kohë nuk dukej të vinte, dhe as do dukej ndonjëherë ajo dritë jeshile.
Një paradite me lot në sy i drejtohem tim shoqi: S’po vjen ajo ditë dhe s’ka për të ardhur për ne! Po nuk lëvizëm vetë, me forcat tona, këtu do mbetemi! Ti s’je i zoti, ti po pret atë që s’do të vijë kurrë! Ai dëgjoj revoltën time, por një copë herë të gjatë nuk foli. Heshtja e tij s’po më pëlqente dhe përsëri u ndjeva me zë pak më të lartë, që s’ishte në natyrën time, por që isha aq shumë e revoltuar, e prekur nga ngjarjet, nga padrejtësitë që kishin nisur të bëheshin, nga korrupsioni që kishte marrë udhë për mos u ndalur kurrë, dhe vazhdova: Kampi po boshatiset nga të internuarit, ikën, ikën të gjithë nga sytë këmbët! Vetëm ne tre- katër familje të pa zonjat kemi mbetur. Kopshtet e fëmijëve në Lushnje janë adoptuar nga qytetarët, nga ata qytetarë që kanë shtëpi private, që kanë apartamente, që s’ju ka marrë shteti asgjë, që s’ju ka prekur as fijen e flokut, dhe po përfitojnë. Po përfitojnë padrejtësisht, e ne?! Ne që na mori shteti jetët, pasuri e shtëpi, që na shkatërroi katër breza, si po rrimë duar kryq? Nga kush shpreson? Unë me nënën tënde, Berishën e kemi takuar rastësisht të parat, na prezantoi i nderuari, daja im, atdhetari Idriz Basha, dhe ndër të tjera, kur e mori vesh Berisha se kush ishim, dhe se ku ishim akoma, na tha duke iu drejtuar nënës tënde: Prisni loke edhe pak ditë, do t’ju heqim që andej. Kaluan dy vjet e ai s’u kujtua më as për mua e as për nënën tënde të thinjur e të plakur burgjeve dhe internimeve për 45 vjet. Ai vetëm premtoi.
Pas fjalëve të mia im shoq doli jashtë dhe kur u kthye pasdite rreth orë 15:00, m’u drejtua:
-Zemra, lajmëro te Azem Neza, se sonte natën do të adoptojmë një kopsht që e studiuam bashkë me Lin Kontin, i cili edhe ai ndodhet i pa strehë. Kopshti ishte pa fëmijë. dyert e dritaret ia kishin vjedhur, por ne do t’i zëmë me batanije apo çarçafë, verë është, vetëm të largohemi që këtu!
Në mesnatë kopshti dy kat, u adoptua. Katin e parë e mori roja i kopshtit që e ka edhe sot, dhe dy familje të tjera të pa internuara, që jetojnë dhe sot brenda tyre. Kurse Lin konti, ish i internuar si ne, nuk mori dot. Ne dy familjeve të internuara na mbeti vetëm kati i dytë, që kishte dy hyrje me dhomë- paradhomë, pa kuzhinë, pa dyer e dritare.
Në mëngjes arriti policia me zhurmën e saj, dhe duke na kërcënuar, duke na thyer ç’kishim, na kthyen në kamp. Natën ne përsëri të dy familjet nga Kampi hymë në kopsht. Përsëri policia e alarmuar arriti duke na tërhequr fëmijët bashkë dhe ne e na kthyen përsëri në kamp. Natën përsëri ne hymë në kopsht. Kjo u përsërit disa ditë-net me radhë. Një mëngjes siç e dini dhe ju zoti Greca, Unë e kisha mbyllur të vetmen portë që kishte mbetur ajo e jashtmja me shufra hekuri, me shumë çelësa dhe pranë derës, kisha vendosa një bidon të mbushur me benzinë. Këtë herë thashë: Të gjallë s’do na kthejnë më në ferr! (Kati parë largohej sa shihte policinë)
Mëngjesi erdhi i zhurmshëm si asnjëherë. Unë me fëmijët do luftonim me policinë e cila si mizë dheu e nxiu oborrin e madh. Makinat e policisë venin e vinin plot me policë dhe e nxinë edhe më oborrin. E pse mos të vinin, ishin të ngujuar armiqtë, terroristët, e duhej forcë e madhe policore. Ata kur e panë se dera qe mbyllur me shumë çelësa, vendosën supin e tyre për ta shqyer derën e për të kapur terroristët e vegjël që doçkat e tyre ishin të mbërthyera pas shufrave të hekurta të portës e po dridheshin. Këmbët e tyre të vogla, të zbathura shtrënguar fort pas pllakave të dyshemesë ishin mavijosur. Ishin tre fëmijët e mi. Kur pashë se dera po shqyej, kapa bidonin e benzinës dhe e derdha nëpër korridor, te këmbët e fëmijëve por dhe te këmbët e policëve arriti benzina. Në sekondë bërtitën dhe u larguan kur panë shkrepësen në duart e mia. Ata u larguan disa metra. Më vonë pasi u alarmua i gjithë qyteti, media dhe bashkia, kërkuan dialog me mua.
– Hape derën! – më urdhëroi komandanti i policëve.
-Jo, nuk e hap dhe mos tentoni!
Pasi kishte rënë një heshtje pas telefonatave të pa fund me eprorët e tyre, u dëgjua përsëri zëri i tij po këtë herë pak më i butë:
– Hape derën, duam vetëm të bisedojmë…
-Të bisedoni? Pse?! Pas këtyre bëmave doni të bisedoni me mua?!! Uaa! Kur u zbutët zotrote?! Jo, nuk e hap derën, largohuni!
– Nuk ju nxjerrim, morëm urdhër nga lart, ju do qëndroni, nuk ju lëviz më njeri.
– Largohuni! Thirra unë që brenda shufrave të portës.
– Kemi urdhër t’i qetësojmë gjërat, hape derën të futemi vetëm tre policë.
– Nuk e hap! Provojeni po deshët, rrëzojeni portën me sup.
– Vetëm do bisedojmë…
– E hap derën vetëm në besën e Myftar Brehamës, dhe të Gazetarit Dalip Greca. -Thashë unë. S’vonoi shumë erdhi i pari Myftari që asaj kohe ishte i veshur oficer policie. Djalë i internuar që ishim rritur bashkë. Ai pas hekurave unë brenda i thashë:
-Në besën tënde Myftar!
– Ç’është ajo fjalë, moj Bajame! Ne u rritëm bashkë internimeve…Dhe pashë se si atij iu mbushën sytë me lot.
– Vetëm në besën tënde mund ta hap derën, Myftar!- thirra unë, me një zë vajtimi. E dija se ai s’mund të kishte ndryshuar e të na hidhte poshtë neve të shtypurit. S’mund të hidhte poshtë një jetë të tërë në vuajtje e mjerim, për ato pak muaj që ishte punësuar. Isha e bindur: Ai më parë pranonte të zhvishte atë uniformë, se sa të dëmtonte akoma bashkëvuajtësit e tij. Ai pasi largoi policinë, përsëri u afrua te porta. Nisi t’u flasë fëmijëve me një dashuri të paparë, dhe vogëlushët e shihnin në bebe të syrit gjithë dashuri dhe një shpresë shpëtimi u lindi dhe pse vazhdonin të dridheshin nga tmerri që përjetonin gjatë një jave. Pastaj u kthye nga unë, duke më zgjatur dorën nëpërmjet shufrave prej hekuri, tha:
– Në besën time, Bajame! Unë nuk hezitova, i zgjata dorën vëllazërisht:
– Në besën tënd Myftar! Shtrënguam duart dhe pas tij shoh dhe juve Z. Greca. Hapa derën dhe ju bashkë me mua e fëmijët e tmerruar, u ngjitëm në katin e dytë ku ne do të banonim në të ardhmen.
– Ç’ndodhi me shtëpinë, a u bë e juaja?
– Ç’të të tregoj më parë more gazetar i nderuar. Që nga ajo ditë neve jetuam shumë vjet aty, duke ndërtuar shkallët prej betoni me firmën “Shkreli” se roja që zuri katin poshtë, na i bllokoj shkallët, s’na linte të kalonim. Ne u detyruam me firmën “Shkreli” të ndërtuam shkallët prej betoni, në një periudhë që s’kishim as bukë për fëmijët sepse ishim të dy pa punë. Pas shumë vitesh me forcat tona, mbuluam dhe çatinë se nisi të pikonte e gjithë shtëpia. Sa për dyer e dritare qëndruam gjatë pa to. Pastaj i vendosëm dhe ato. Vitet po ecnin, fëmijë po rriteshin, fituan konkurse dhe vajza e madhe vajti në liceun artistik në Tiranë, por, pa bursë shteti. Aq ngushtë ishim sa nuk i paguanim dot shkollën. Vajza 14 vjeçare, pa lejen tonë ishte tërhequr nga mensa, nuk hante më atje për të kursyer ato çika para që ne i merrnim borxh, sepse i duhej që me ato para, të blinte edhe penela, telajo e bojëra. Një ditë kuzhinierja më takon e më thotë: Fute vajzën në forcë sa më parë, se po të vdes nga uria. Unë ndiqja studimet e larta në Elbasan dhe u punësova në arsim, në Pirrë, për disa vjet. Gjendja ekonomike tepër e rënduar, tre fëmijë në shkollë, im shoq, pa punë. Vajza mbaroi liceun dhe nisi studimet e larta në akademinë e lartë të arteve figurative dega grafikë. U desh të fitonte partia socialiste që vajza jonë të përfitonte një bursë nga shteti për në universitet. Ia di shumë për nder bashkisë, Mirela Lipes, dhe shefit të arsimit Fatbardh Rustemi, njerëz me zemër të madhe, që nuk u kursyen por, dhanë ndihmën e tyre të menjëhershme. Kur vajza ishte në vit të dytë të akademisë, im shoq u punësua në ambasadën amerikane. Ashtu keq e keq u tërhoq në Tiranë gjysma e familjes. Unë mbeta në Lushnje me djalin në gjimnaz, e vajzën e vogël në tetëvjeçare. Së fundi dhe unë u pushova nga puna nga shefja e kuadrit. Shefi i seksionit të arsimit Fatbardh Rustemi, njeri me principe të larta demokratike, urdhëroi që unë të mos largohesha nga puna. Tashmë ishim edhe kolegë, dhe anëtarë të lidhjes së shkrimtarëve. Së fundi, shtëpisë në Lushnjë ia vura çelësin dhe u nisa për në Tiranë, ku familja ime kishte zënë një hyrje të vogël me qira. Unë ndër kohë merresha me gazetari, dhe kisha botuar disa libra, në prozë dhe në poezi.
-Kanë kaluar 25 vite që nga ajo ngjarje a e hipotekuat sipas rregullave dhe ligjeve shtëpinë?
– Jo, nuk është hipotekuar akoma. Punën e zgjatur e merr lumi…Ne lëvizëm. Nuk ishim më të internuar. Ajo shtëpi ishte shtëpi halli një dhomë-paradhomë, kurse ne, ishim tre kurora. Por, ishim të sigurt që ajo banesë ishte bërë e jona, e s’e luante më as topi. Dhe që një ditë jo të largët, do na jepnin hipotekën. Ne kemi paguar me faturë matjet e banesës, dhe kemi plotësuar dokumentet e nevojshme për hipotekë sipas ligjit. Po për ne, kishte ardhur koha të lëviznim, të kërkonim sipas aftësive një jetë më të mirë, në kushte më të mira.
–Po ç’ndodhi më pas?
– Edhe në Tiranë punët nuk shkuan aq mirë. Premtimin se do na jepnin shtëpinë sipas ligjit, e do të na i jepnin në Tiranë, nga instituti i ish të përndjekurve politik dështoi. Nuk u mbajt dot fjala e dhënë. I kisha shkruar Berishës një letër që nga kopshti ku banoja, ku ia kisha qëndisur të gjitha të vërtetat, dhe se kërkoja shtëpinë që ma jepte ligji, e drejta ime, dhe që s’po vinte ajo e shkretë ditë. Mora përgjigje të paraqitesha te instituti i të përndjekurve, përgjigjen e kam ruajtur, e kam edhe sot si dokument, po shtëpi jo! Pra, na mbeti kopshti. Kur s’ke pulën, do hash sorrën!
-D.m.th. ?
– Domethënë, sot ma kanë marrë edhe kopshtin.
– Si ta morën?! E pamundur! Kush ndodhet sot atje?!
Tani brenda kopshtit banon një çift jevgjish, të cilët shitën apartamentin që përfituan nga ligji…shteti, dhe kanë dhunuar banesën time. Ishte e tmerrshme. Kur shkova të hapja derën e të hyja në shtëpinë time, e gjeta të okupuar.
–U je drejtuar instancave përkatëse?
– Sigurisht që po, kam shkuar në polici disa herë. Më kanë pritur mirë, por kryetari më tha kur vajta për herë të dytë, a të tretë, po pres vendimin e Bashkisë.
– Bashkia sigurisht mbrojti të drejtën tuaj?
-jo, nuk është ashtu. Nënkryetarja e bashkisë, u soll shumë ashpër me mua. Kam shkuar nga Tirana me qindra herë, kam pritur para bashkisë me orë të tëra, dhe asnjëherë nuk jam lejuar të takoj Kryetarin e bashkisë. Si duket kjo shoqëri ka vendosur t’na dënojë përjetësisht.
– Zonja Hoxha A mund ta përshkruash betejën tuaj të dështuar për ta bërë tuajën me letra shtëpinë? Cili është pozicioni i organeve të pushtetit dhe ato ligj-zbatuese?
-Nën-kryetarja e bashkisë Teuta korreshi, me kompetencat e saja, i ka lëshuar asaj një dokument ku thotë:Kopshti është i shtetit. Dhe ajo me këtë në dorë thotë: banesa është e imja, s’është më e familjes Hoxha, është e imja. Teuta korreshi, më ka penguar të takohem me kryetarin e bashkisë, zotin Tushe. Një rast isha në zyrën e saj, kërkova që t’më lirohej banesa se do banoja vetë. Ajo pa pikën e logjikës më tha:
– S’kemi ku ta çojmë atë, por, po u privatizuan, shtëpia është e jotja.
– Moj zonjusha,Teuta,- i thashë – nuk dua shtëpi pas vdekjes, kam kaq kohë që pres të më lirohet banesa ime, dua të futem në shtëpinë time! S’keni të drejtë të na nxirrni ne përjashta, e të mbroni fajtorin. Bëhu vetëm një herë e drejtë në jetën tënde moj vajzë! Jam pensioniste, dhe me raport mediko-ligjor e sëmurë nga kempi-epror. Nuk mund të vazhdoj të paguaj qiranë në Tiranë. Teuta u ngrit e më tha:
– Mbaroi takimi me mua! Kam mbledhje me kryetarin, tani, prandaj ik!
– Më lejon t’ia shtroj problemin kryetarit?
– jo, s’ka mundësi! Dil tani! Sakaq kishim mbërritur te paradhoma e kryetarit ku bëra të hyja. Ajo me Arturin, që të dy më mbërthyer e s’më lanë të hyja në zyrën e tij. Unë përsëri tentova edhe pse ata më kishin kapur nga krahët. Me një forcë të çuditshme u shkëputa nga krahët e tyre dhe shtyva derën. Sakaq e pashë veten para kryetarit të zhvatur prej tyre. Ata s’më mbajtën dot! Por çantën nga supi mundën t’ma zhvatin dhe e mbajtën. U futa por fryma po më merrej. Kryetari i bashkisë, e pa skenën vetëm kur unë u futa ashtu e ç’përfytyruar.
– Si hyre kështu, dhe pse? – pyeti njerëzishëm kryetari.-po sikur të të nxirrja jashtë?
– E dija, se një djalë si ty, nuk do ta bënte kurrë një xhest të tillë.-i thashë. Ia shpjegova të gjithë problemin, të gjithë padrejtësinë që më ishte bërë deri atëherë. I thashë: varësit e tu më kanë penguar gjithnjë të takohem me ju. S’kisha rrugë tjetër. Dy personat, burrë grua, që më kanë dhunuar shtëpinë, që më kanë vjedhur çdo gjë që kisha brenda, që më kanë zhdukur dhe shumë dokumente e të gjitha librat e shkrimet e mia të pa botuara, kanë zhdukur të gjitha pikturat e vajzës, kanë konsumuar edhe 500 mijë lekë të vjetra ujë, dhe nuk i kanë paguar. Ujin e kanë hapur në emrin e tim shoqi, që ai s’është më. Kanë shpenzuar dhe s’i kanë paguar. Ndërkohë që unë te ujësjellësi e kisha mbyllur ujin.
-Ma vërteton këtë?-tha kryetari.
-Po, -i thashë.- po më parë, më duhet të marr çantën tek Teuta dhe Arturi që ma zhvatën. Atje e kam faturën. Sa mora çantën, kur hyra, kryetari po fliste me ujësjellësin ku vërtetoi thëniet e mia, dhe se ai çift ordiner, kudo që kishte jetuar nuk kishte paguar ujin. Pastaj i thashë: Ju i keni dhënë dhe një letër asaj, ku në të shkruhet:Kopshti është i shtetit.
-jo, unë s’kam lëshuar asnjë letër rreth kësaj, dhe s’kam dijeni.
– Atëherë, e di unë z. kryetar. Pyete Teutën, ajo e di pse e ka ndezur këtë konflikt.
– Shko se këtë punë do ta zgjidh unë.- më tha kryetari.
– Më në fund besoj se kryetari e ka çuar në vend këtë padrejtësi?
– Pas kësaj dite, s’jam lidhur dot me kryetarin dhe s’e kam takuar dot, e pamundur! Jam lidhur shumë herë me Teuta Korreshin në telefon, deri sa më në fund, e lodhur prej saj, iu drejtova gjykatës. As atje nuk gjeta zgjidhje. Çifti dhunues i shtëpisë, paraqiti gjatë gjyqit letrën që i kishte dhënë bashkia, dhe unë, e humba gjyqin. Çifti evgjitë, që bëri allishverishe e matrapazllëqe me apartamentin e përfituar falas nga shteti, e shiti, dhe tani ai vazhdon të jetoj në banesën time pa kokëçarje , kurse unë, e ardhur nga persekutimet më çnjerëzore, nga internimet e tmerrshme, nxirrem jashtë! E bukur drejtësi!
– Po familjet e tjera që nuk ishin të përndjekura politikisht e që përfituan banesat nga forca juaj, ku janë tani, i kanë hipotekuar shtëpitë?
– Çuditërisht asnjë nga ato familja nuk është ngacmuar. Edhe pse s’jetojnë të gjitha aty, i kanë kyçur dyert, dhe jetojnë të qetë atje ku kanë vajtur. Hyrjet nuk ua ka ngacmuar askush. Si duket tek unë…Unë di të them me keqardhje se edhe sot ndodhem në pritje të lëshimit të kësaj banese të okupuar, dhomë paradhomë. Për ne s’çau kokën asnjë dikaster te të cilët unë jam drejtuar vazhdimisht. Është turp e faqja e zezë për ata që nuk bënë drejtësi! Pa shtëpi akoma edhe pas 29 vjetësh demokraci?! E tmerrshme!
Instituti i të përndjekurve politik s’mund të bëj dot asgjë, nuk ka më fonde për strehim. Ndoshta jam e vetmja familje e persekutuar që ndodhem në mes katër rrugëve, ku kaloj nga një shtëpi me qira në tjetrën.
Ju sot, jeni një poete, një shkrimtare e njohur, që keni botuar 20 libra, që midis tyre dhe një libër dokumentar me 600 faqe, dhe librat e tu janë përkthyer në shumë vende, a s’ka ndikuar sado pak pozitivisht kjo?
. Mendoj se ky është shkaku i vuajtjeve në vazhdim z. Greca. Siç e ndoqe, këtu shkojnë mirë antivlerat.
Kërkesa dhe mesazhi juaj për organet ligj-zbatuese?
– Çfarë të them zoti Greca, ligji ishte Maliqi. Një fshat që duket s’do kallauz!