ARJANA FETAHU GABA, poetesha shqiptaro-amerikane rrëfen jetën e saj njërëzore dhe letrare

:AMERIKA U DHA NJË TJETËR DIMENSION POEZIVE TË MIA

1.Arjana kur keni filluar të merreni me poezi dhe sa ju kanë përkrahur mësuesit tuaj të letërsisë për të vijuar në këtë rrugë?

-Arjana Fetahu Gaba: “Me thënë të drejtën unë në fillimet e mia të para dalloja në hartimet që shkruanim për tema të ndryshme që na jepte mësuesi.
Zakonisht hartimin e shoqëroja me ndonjë varg të rimuar se më dukej që i jepte më shumë vlera, por pa ditur që unë kisha ndonjë dell poeti.
Nuk kam patur ndonjë shtytje, por profesorin e letërsisë nga mënyra se si e shpjegonte lëndën, e adhuroja. Ndoshta kjo ka qenë edhe dashuria për poezinë, letërsinë në tërësi.
Madje, kur kam qenë në moshën 8 apo 9 vjeç, bashkë me një shoqen time të ngushtë jemi përpjekur të shkruanim një fabul për një lepur që ishte dembel.
Mirëpo, vetëm një strofë mundëm të shkruanim. E kujtoj sa herë dhe konkluzioni im në atë moshë ishte se nuk bëja për atë punë.

2.Duket që suksesi juaj i parë në letërsi ishte një një veprimtari kulturore ndërkombëtare në Brindisi të Italisë në vitin 1993. Çfarë kujtoni nga kjo veprimtari dhe sa ndikoi ajo në rrugëtimin tuaj letrar?

-Arjana Fetahu Gaba: “E mbaj mend si tani zanafillën e këtij rrëfimi.
Asokohe kisha filluar të shkruaja poezitë e mia të para. Ndoshta 10 a 12 poezi.
Një pasdite një e afërmja ime që ishte moshatare me mua dhe një vajzë e talentuar në pikturë, më sjell një ftesë konkursi që zhvillohej në Brindizi të Italisë me ndihmën e Qendrës Kulturore Lushnjë, ku mund të merrnin pjesë krijues, artistë, nga të gjitha moshat me talentet e tyre, qofshin poetë, piktorë, skulptorë….
Ajo dhe familja më shtynë që unë të merrja pjesë në atë konkurs.
Duheshin 20 poezi dhe 3 nga këto të përkthyera në gjuhën italiane.
Ishte një punë e madhe!
Duhej t’i plotësoja 20 poezi, plus përkthimi!
E falenderoj mikun tim poet Xhorxhi Siso për mbështetjen e madhe që më dha në atë muaj të stresuar do të thoja, si dhe profesorin Sazan Guri mikun tim familjar për një përkthim perfekt të 3 poezive në gjuhën e huaj.
I dorëzova poezitë në Lushnjë në takimin që bëhej me artistët dhe pata fatin e madh të takoja shkrimtarin e madh Agim Shehu. Dhe, nuk i harroj fjalët e tij: “Do të ecësh përpara vajzë”!
Në poezinë e parë që kisha shkruar për Çamërinë, “Do të vijë dita Çamëri!”, shkrimtari duke ma redaktuar aty shpejt e shpejt e nënshkroi me emrin e tij.
E ruaj si të shtrenjtë atë ditë në kujtesën time! Isha thjesht një vajzë përpara një porte të lartë dhe me frikën nëse hapej.
Një mëngjes, ishte mësuesja ime e matematikës që më takon në rrugë dhe me uron për çmimin e parë.
E kishte dëgjuar në lajme, ndërsa unë e befasuar dhe e gëzuar nuk po u besoja veshëve!
E falenderova dhe iu hodha në qafë!
Mora çmimin po në Lushnjë dhe mbaj mend që drejtori i Shtëpisë së Kulturës më uron dhe më thotë:
“Është hera e parë që në çmimin e parë nuk paraqitet personi”.
E kishin festuar shumë bukur te restorant “Blerimi” në periferi të qytetit të Lushnjes.
Për mua pak rëndësi kishte.
Isha e lumtur dhe mendoj se ai çmim ndërkombëtar ishte për mua fillimi i rrugëtimit nëpër vargjet poetike”.

3. Si e kujtoni femijërinë dhe rininë e hershme në qytetin tuaj të lindjes, sa nostaligji keni për këtë fazë të jetës?

-Arjana Fetahu Gaba: “Qyteti i Fierit, është një nga dashuritë e mia!
Në rrugët e tij unë kalova një fëmijëri dhe një adoleshencë të bukur, të pastër dhe plot ëndrra.
Qytet me njerëz të mirë, të butë dhe të përkushtuar për artin.
Kujtoj Shtëpinë e Pionierit plot gumëzhima fëmijësh dhe veten time atje, si një pjesë e asaj jete të bukur.
Kujtoj fëmijërinë time kur mblidheshim e luanim deri vonë; lojë luftash, litar, kala dibrançe, me toka, me shpata, majë pemëve plot me fruta të pjekura, dashuri gjyshërish e të qeshura pafund!
Nata na gjente përjashta të gjithëve në pushimet verore.
Në ato këngët e bukura të festivaleve në kohëra të vështira, kishte poezi brenda vargjeve dhe melodi e zëra të mrekullueshëm!
Lëvizte jeta ndryshe.
Këngët e festivaleve i këndonim pa mbaruar nata finale.
Tjetër kohë, të tjerë njerëz.
E dua shumë qytetin tim, dhe shpesh ëndërrat me të i shoh”.

4. Në vitin 1996 emigruat në Shtetet e Bashkuara të Amerikes. Si ishte jeta në këtë shtet të madh, pas kaq vitesh a është realizuar për ty ëndrra amerikane?

-Arjana Fetahu Gaba: “Emigracioni është i vështirë për të gjithë. Ishte i vështirë edhe për mua dhe familjen time.
Isha vajzë e re dhe më prisnin shumë të panjohura. Nuk lashë vetëm Atdheun, ndryshe nga se si të ikësh tani që je i përgatitur me shumë gjëra, por lashë gjithçka në jetët tona.
Lekë jo, gjuhë jo, dokumenta jo, miq jo dhe kur dëgjoje dikë që fliste shqip të bëhej zemra mal.
Ishe si i hedhur me parashutë për t’u përplasur e jo të uleshe butë në një tokë të huaj.
Por duhej durim dhe atë e kalita gjatë rrugës, ditë më ditë!
Kam qarë nga malli, për gjithçka që lashë atje, por vazhdova deri sa kaluan vite e vite të tërë! Plot 27 vjet!
Atyre vështirësive të para i dha tjetër ngjyrë lidhja ime me Albanin bashkëshortin tim durrsak. Sot kemi 3 djem të mrekullueshëm, dashuritë tona Jon 23 vjeç, Adriatik, 20 dhe Alban Junior 10.
Ëndërra amerikane?!
Nuk di si të të them për një jetë të qetë dhe të lumtur ka qenë edhe ëndërra ime shqiptare.
Është e njejta ëndërr por nuk diskutohet që me kushte të tjera jetese është Amerika.
Di të them që familja ime që kam sot ka qenë ëndërra ime.

5.Keni botuar librat poetikë “Më zgjo në shpirtin tim një flutur”, 2019 shtepia botuese Morava dhe “Sa do të doja, 2021, shtëpia botuese “Enja”. Çfarë jeni duke shkruar tani?

-Arjana Fetahu Gaba: “Sapo kam përfunduar vëllimin e tretë me poezi.
I duhet një titull… Po më mundon shumë gjetja e tij sepse dua të më personifikojë mua dhe muzën që shkrova këtë libër.
Pastaj as shtëpinë e botimit nuk e kam vendosur.
Katër muaj më parë dolën dy këngë të reja me tekstet e mia dhe një këngë e bukur del këtë pranvere po e shkruar prej meje, me një bashkëpunim dinjitoz të aktorit Reshat Arbana, i cili e hap këngën me disa vargje të Fan Stilian Nolit, kompozitori i mirënjohur Edmond Zhulali dhe mikja ime këngëtarja Mimoza Gjikolaj.
Teksti i radhës është pak ndyshe nga këngët e tjera. Tani ky tekst eshtë për kompozim dhe besoj se del këtë verë.
Për më gjatë, le t’ja lemë kohës që të kem ç’të them radhën tjetër (qesh).”.

6. Çfarë dëshironi të shtoni tjetër?

-Arjana Fetahu Gaba: “Eh… Shumëçka do të doja të shtoja. Duke nisur që nga begatimi i atdheut tonë, kujtesa, nderimi, për historinë tonë të lashtë dhe të re, kaluar nëpër vite vuajtjesh, ikjesh sikurse unë dhe familja ime e që për fat të keq vijon ende, kur më shumë e kur më pak.
Kujtesa e theksoj, monumentale për qindramijëra jetët e humbura të shqiptarëve në viset etnike të Shqipërisë që mbetën jashtë atdheut tonë nga Konferenca e Londërs në 1913.
Për Çamërinë time, Follorinën, Kosturin, Konicën të pushtuara nga Greqia, për Kosovën, Luginën e Preshevës, Nishin, Vranjën nën pushtimin serb, Manastirin e alfabetit të gjuhës që flasim dhe krijojmë vargje, krejt trojet tona në shtetin e sotëm të maqedonasve, Malësinë, Plavën, Gucinë, Vuthajn, Tuzin, Podgoricën që i mban Mali i Zi, arbëreshët në Itali, shqiptarët kudo që jetojnë.
Për Shqipërinë londineze që Tropoja e Vermoshi, deri në Konispol të larë me gjak shqiptarësh fëmijë, pleq, gra e burra.
Këtë do ta shtoja si dhimbje të pamatë të popullit tim.
Falënderime “Nacional” për këtë mundësi shprehjeje në çdo rast”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here