ARBEN SHEHU: FIONA DHE KRAHESHKRUARA, TREGIM

-Çohu,- i tha Fiona dhe u ngrit, duke u mbështetur në njërin krah të tendosur!
Kishte një vështrim të qelqtë, me një krisje qielli në mes. Tërhoqi fustanin nga mbrapa dhe e shkundi, disa herë. Bëri ca hapa para dhe, pas pak, ktheu kokën pas.
Igli nuk lëvizi nga vendi. Qe mbështetur pas pemës dhe po kundronte, përmes degëve dhe gjetheve të lulëzuara një copë qielli, që po ndryshonte mimikën e ca mjegullave të rralla, në trajtën e disa palacove të cirkut, që kishin pushtuar skenën e skajeve, me një purpur te theksuar, lëvizës dhe zhvendosës. Qe humbur krejt, në atë skenë abstrakte, ku puhia e kaltërsisë qe përmbledhur krejt, në një shqisë që zvogëlohej vazhdimisht, deri në njehsim.
-Po eja pra!
Sikur u përmend njëfarësoj.
-Po ku?!
-Te mbretëresha e fushës.
-Ku moj ku?!
-Te flatra e qiellit me ylbere.
-Oh mos! Të lutem, ma ke treguar disa herë! Nuk mundem! E vuri çantën, poshtë kokës, kryqëzoi duart pas dhe mbylli sytë, përkohësisht. Në frymëmarrje kishte një dihatje bari të ç’liruar nga vesa. Qe paksa i hequr, një vazhdimësi lapsi i mprehur, në bërthama qershie. Një shtëllungë e hollë ajri, që i dilte nga buzët, i dukej se po bënte ca fileto të argjënda, te gjethet që i vareshin, mbi kokë.
-Nuk mundesh?!
-Të thashë, njehërë, po!
-Mirë atëhere, unë po iki!
-Pse çfarë mendon, se do ta gjesh, prapë aty, te e njëjta lule?!
-Po aty, vallë ku tjetër?!
-Po shko, mos u mendo gjatë! Mua këtu më ke!
Fiona u step disi. Kafshoi buzën e poshtme. Sytë iu bënë më të qelqtë, si rrëkeza bore mbi mermer. Qe një statujë mishi e gdhendur, në rrëmba gjethesh. Flokët e dëndur i rrihnin shpatullat e dobët dhe të ndrojtur.
-Dhe unë nuk mundem më! Pothuaj kam tre ditë pa e parë. Gjumin e kam të trazuar, të prishur. Djersij natën, duke rendur pas. Po duart më mbesin pezull, në hapësirën bosh që nuk e zotëroj. Uff u çmenda fare, më duket se jam bërë më fiksime. Ti nuk e ke vënë re?!
Fiona mbuloi fytyrën me duar dhe shkundi flokët. Me një platitje shpendi të plagosur.
-Diçka, thjesht diçka, po nuk i jepja vetes dot një shpjegim të qartë.
-Uahh, po thjesht, s’ke qënë aspak kurioz të më pyesje mua?!
-Po ndoshta mendoja se ishin trazimet e moshës.
-Vetëm kaq, vërtet vetëm kaq?!
-Vetëm kaq. S’kam si ta mohoj.
Fiona qeshi pak hidhur, nën buzët mishtore,plot gjak.një hije mugëtire I ra, në fytyrë. Kishte një erëfryrje jo të zakontë, ku shiu dukej se i kishte ngecur në fyt. U kapërdie me vështirësi. Puliti sytë e gjelbër dhe tundi kokën, si një epilog mjegulle, që kërkon të shkarkohet diku.
-Po sikur mos ta takoj sot?!
-Nuk i dihet, asnjëherë, Fiona! Më mirë shko, mos e torturo veten kështu!
Ajo eci disa hapa të vegjël, befas u kthye dhe gati e përpiu Iglin të gjithin, me një vështrim batice.
-Po unë, po unë pse nuk jam kaq e bukur sa ajo?! Hëëë Igli si thua ti?!
Ai shtangu. Sytë iu bënë një humbellë mëllenjash. Njëfarësoj, ndjeu një ngërç te fryma. Iu rëndua dhe fjalët iu shkërmoqën në dhëmbë. Hija e pemës iu duk më e rëndë dhe më e thellë, para këmbëve të tij. U koll disi ftohtë. Mori frymë thellë, deri te rrëza e brinjëve.
“ Po ç’thua kështu Fiona,- tha gati me vete! Po bukuria nuk mund të quhet bukuri, pa fytyrën tënde”! U kapërdie prapë. S’po u besonte dot veshëve, të dëgjonte nga goja e saj fjalë të atilla! Vajzat kanë ca trille që e kapërcejnë realitetin e moshës. Ose kanë aftësinë që të phojnë disa gjëra të paqëna, ose të mohojnë të paqënat, në dritëhijet e tyre më maksimale.
Ndjeu një lloj keqardhje amorfe për të. I zënë, si në një kurth prej kashte, nga pyetjet e saj, ndjeu nje zjarrmi të brëndshme, sa filluan t’i digjnin shputat e këmbëve.
Ajo iku tutje, në një drejtim që e kishte kthimin të vështirë, thuajse të pamundur. Atij iu duk se shkoi, në pragun e një përralle, që digjte në thellësitë e veta më të errëta, ca ngjyra që nuk i përshtateshin sa duhej brëndësisë sa saj.
Qe fundprilli. Një erë e ngrohtë vërdallisej gjithandej, me gjithë puhizat e saj të ndërthurura. Qielli qe pothuaj i kaltër. Një kullesë, që në skaje kishte shtrydhur një hurmë lluqe. Fusha qe me lule të gjithfarëllojshme, por që atij, çuditërisht, në fustanin e Fionës mungonin, pothuaj të gjitha. Lulet, në fustanin e saj, nuk ngjanin me askënd, qenë tjetërsoj, të ndezura në ekstremin e tyre, sikur kishin mbirë në shpatin e një vullkani në shpërthim. Dhe një muaj, dhe fillonin provimet e maturës. Qe mbyllja sistematike e vetvetes, përkundrazi, vetëm dritaret do rrinin hapur.
Ndjeu një ngërç te qafa. Një muskul i tkurrur që po e shtrëngonte që thellë, në brëndësi. Për pak, ia dha një klithme, po u përmbajt disi. U kthye në anën tjetër, sytë iu bënë të murmë, me ca frushullima të mbartura zogjsh. Rrotulloi qafën, disa herë. Pati një çlirim të beftë. Një kokrramë eshtrash, që e çuan në një realitet tjetër, gati absurd. Të panjohur më parë, në ekzotikun e mishin, ku nuk mungonin, kurrsesi, dëshirat. Ku është Fiona tani?! E ka takuar mbretëreshën e fushës, apo është në kërkim e sipër?! Një siluetë e dhëmbshur që noton në pikun e lotit të saj. Një puhi pushi, që zgjedh qerpikët që thahen, sipër një gardhi të pagdhëndur,në mënyrë artistike.
Në fakt, në ato çaste, Fiona kishte kapërcyer një bregore të breruar. Një proskë uji i kishte lagur këmbët. Befas, u gjend te lugina e ngushtë, si vetulla e hollë e një gruaja të brishtë. Po kontrollonte, me sy të përqëndruar, gjithë hapësirën, përreth. Dukej, pak e zbehtë në fytyrë dhe po aq e tulatur, njëkohësisht. Dukej se nuk po orientohej, aq sa duhet. Bëri disa hapa majtas, pastaj para, më pas disa hapa djathtas. Dukej se po endej, në një qerthull pandehmash fluide. Fryma iu rëndua në gjoks. Bebëzat iu zmadhuan, si disqe flurudhash, pa një drejtim kryesor. Mbylli sytë përkohësisht. Me dy gishta, shtypi tëmthat e ngulfatur.
-Uauh,ç’po ndodh kështu me mua?! Pse e humbe kështu toruan Fiona?! Mblidhe veten, këtu do jetë! S’ka ku shkon tjetër?! Ç’është kështu me ty?!
Hapi sytë dhe shkundi flokët e dendur që i kishin mbuluar, një pjesë të ballit. Hodhi dhe ca hapa më tej. U rrotullua në vend. Një piruetë ere e mbështolli të tërën. Ja, në këtë anë, në këto lule rrinte zakonisht. Imponimi i dlirësisë qiellore. Mërmëritja e petales së lagur. Ku ka shkuar vallë, pa lënë asnjë shënjë?! U ul në gjunjë. Preku barin dhe lulet, aty përreth. Ngjethja e trupit filloi nga ajo prekje. Mungon te vera dhe pëshpërima. Boshësia ka honet e veta të mistershme. Ajo i kishte të gjitha tani, brënda trupit të saj.
U mek në fytyrë. Ngriti pak zërin. Po me ç’emër t’i thërriste?! Në sa rrokje përmblidhej emri i saj?! Në një, në dy, apo tre a më shumë?! Në sa?! Në mend i erdhi, përmes një reje të trëndafiltë, ku e ndeshi për herë të fundit. Qe gati e mahnitur, e shokuar, nga pamja magjepsëse e saj. Gati ecte në majë të gishtave. Kishte frikë mos e trembte. Krahët e mëdhenj, dukej se kishte zbritur, nga zemra e një ylberi. Dhe krejt papritur,qe kthyer në aerostat shumëngjyrësh që e kishin thithur lartësitë me boshësitë e tyre. Pastaj, befas, si e përmëndur po nga largësitë, midis buzëve të shtrënguara, lëshoi një klithmë tre rrokëshe. Fluturza, moj fluturza ku je?! Eja këtu te unë, se të kam shpirt e xhan! Mos më le kështu vetëm!
Uli kokën, mbuloi me duart njomzake fytyrën dhe gati shpërtheu në vaj. Tjetërsimi i fytyrës kishte marrë, anën më të errët të qiellit në stuhi. Fiona iku. Në shpirt kishte një masë brenge, të panjuhur më parë. Symurryer. Kokëvarur. Ditën tjetër erdhi prapë. Edhe ditën tjetër, edhe tjetrën. Po krahëshkruarën se pa gjëkundi. Ktheu sytë nga qielli, ngriti duart përpjetë dhe ulëriti. Aq sa zgafellat e hapësirës, iu dukën se morën zjarr dhe lanë në sytë e saj shkrumbin e zi. Kërkoi lulet, ku qëndonte vazhdimisht. I gjeti, me një lloj vështirësie. Po ajo, që e çuditi më tepër qe, se lulet dhe bari qenë rrafshuar me tokën!
Madje, iu duk se pa formën e një trupi, mbi barin e ngjeshur. Mëndja, aty për aty, i shkoi për të keq. Ndoshta, dikush qe turrur dhe qe hedhur, për ta kapur krahëshkruarën, qe magjepsur prej saj dhe, padashur, si pa të keq, kishte bërë një mishmash mjedisor. Nuk qe bindur plotësisht që e kishte kapur, mbërthyer apo jo! Por mungesa e saj, kaq ditë pa e parë, i kishte lënë një ligështim të vagullt në shpirt dhe, për më teper, i kishte shtuar dyshimet. Mornicat i pushtuan trupin, si mizat e dheut dhe ishin ngjitur me shpejtësi, marramëndëse, deri në rrëzë të qafës. I qenë tharrë buzët. Për një farë kohe, i lëpiu me gjuhë. Ashtu ngeshëm, pa e patur mëndjen. Më pas, u ul në gjunjë me një shikim të terezitur dhe filloi t’i ngrinte dhe t’i drejtonte, një nga një, kërcellin e luleve që ishin bërë njësh me tokën. Nuk e kuptoi, sesa qëndroi ashtu, në atë pozicion, por nga mpirja që pati te gjymtyrët, koha iu duk, mjaftueshëm, e gjatë. Madje, pati një bashkëbisedim goxha të gjatë, me to, sa vetëm një gjuhë yjore mund ta kuptonte.
U ngrit me një dëshirë, pa dëshirë. U hepua pak, iu morën mëndtë. Shfryu, nën buzët mehite dhe u kthye, andej nga kishte ardhur. Qe një ecje, që i ngjante një anije,pothuaj me direk të shkatërruar. Atë natë, bëri një gjumë të trazuar, ku i dukej se vallzonte me vetëtimat, në fundin e një humnere, që e kishin braktisur shpirtërat.
Të nesërmen u ngrit herët. Më herët se zakonisht. Qielli, ne skajet qe bërë, pak i vranët. Po frynte një erë, një erë e ngrohtë, sikur vinte nga qafët e përqafimeve mëngjesore. Qe e mërkurë. Një mesjavë, si hinkë e veshur me vesë, tejpërtej. Orën e parë kishte biologji. Në klasë hyri, kur po mbyllej dera. U ul te banka e saj, në anësoren e djathtë. Igli qe ulur, në fund, si gjithnjë, pranë dritares. Vështrimin e kishte hedhur, përtej xhamave, në udhën anësore, me pak kalimtarë të rastit. Mësuesja qëndronte, në mesin e klasës. Qe një bionde klasike, me një trup të derdhur, lastar dhe me ca sy të kulluar, që uturonin dritë, thellë, në brendësi të tyre. Qeshte pak, për të mos thënë fare. Qe e kursyer në fjalë dhe në nota, pak më shumë. Zbatonte një disiplinë shëmbullore. Vajti te katedra. Hapi regjistrin, bëri apelin. Asnjë nuk mungonte.
-Sot nuk do pyes askënd! Notat, pothuaj, kanë dalë. Nuk mbeti asnjë në klasë. Të gjithë, ia keni hedhur.
Në klasë u ndje një bubuzhitje, pak e zhurmshme. Dikush përplasi duart, dikush u hodh përpjetë. Disa u përqafuan në heshtje. Mësuese Genta i kundroi gjatë, pothuaj, me hap ate admirim të brëndshëm. Befas, u përmend, si nga një përplasje flatrash, në një shteg të lagur, shkoi te katedra, me hapa të vegjël, hapi syrtarin e brendshëm dhe nxorri, që andej, një katalog të lidhur bukur, me një shije të veçantë.
-Ah, për pak harrova! Sot do ju tregoj një katalog të veçantë, me po aq gjëra të veçanta brënda! Ju lutem, mos e prekni me dorë! Janë shumë delikate, të brishta, ju shkërmoqen që me prekjen e parë!
-U nis nga ana e djathtë e bankave anësore, andej ku rrinte ulur Fiona. U përkul te banka e parë. Dhe nisi ta shfletonte katalogun me kujdes. Kjo zgjati, thuajse, dy minuta. Pastaj shkoi te banka e Fionës. Bëri të njëjtën gjë. Por, kur shfletoi faqen e fundit, Fiona e ndaloi me dorë.
-Mësuese ndalo, te kjo faqe! Mos, mos, mos!
Nuk po i besonte syve! Iu errën. Diçka i ngeci në grykë. U përtyp me zor. E njohu. Qe mbretëresha e lëndinës. Krahëshkruara. Madhështorja e rrahjes së flatrave. U mallëngjye aq shumë, aq sa i iku zëri. Vibrimi gjeti strehë, te boshësia e vështrimit të saj.
-Kjo flutur është diçka e re, në këtë katalog mësuese?!
-Po.
-Ku e gjete?!
-Ma solli Neri.
-Kur mësuese?!
-Ka ca ditë.
-Atëhere, është ajo, ajo, fluturza ime!
-Fiona uli kokën. Nuk foli më. Qe në ligështimin e gjethes, kur i bie shiu i parë, pas një kohe të gjatë. Zbrazëtia, në shpirtin e saj, qe një fiord akulli, me klithma të ballsamosura. Vuri dorën te katalogu dhe e mbylli ngadalë. Më pas, ktheu kokën nga fundi bankave, atje, ku rrinte Igli. Qe zbehur dhe i thëthitur keq. Vuri dorën te mjekrra dhe terri vështrimin jashtë xhamave. Një zog matanë, dukej se po i çukiste tëmthat e fryjtur. Kur ra zilja dhe mbaroi mësimi, ndërsa po ecte rrëzë murit, në korridor, Fiona dëgjoi zërin e tij.
-Më fal Fiona, nuk duhej, kurrsesi, t’ia kisha treguar Nerit, atë mrekulli!

Tirane- Nentor 2019

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here