Albin Kurti në Tiranë, në qendër të takimeve Marrëveshja e Ohrit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në Tiranë, takime me autoritetet më të larta të vendit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti zhvilloi sot një vizitë në Tiranë ku ai u takua me autoritetet më të larta të vendit. Në qendër të bisedimeve ishte marrëveshja e arritur në Ohër në 18 mars mes Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e planit europian, e cila është përshëndetur nga autoritetet më të larta të Shqipërisë.

Gjatë takimit me zotin Kurti, presidenti Bajram Begaj vlerësoi atë që e konsideroi si “maturi dhe kurajo të treguar nga kryeministri i Kosovës, për ta pranuar planin evropian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë”. Presidenti Begaj shprehu gjithashtu besimin se “zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet plotësisht, ndërkohë do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht”.
Për kryetaren e parlamentit shqiptar Lindita Nikolla, plani evropian vlerësohet “si një pikënisje e mirë për dialogun dhe mbështesim angazhimin e BE-së dhe SHBA-së në zbatimin e aneksit të këtij Plani. Zbatimi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euroatlantike”, u shpreh zonja Nikolla në takimin me kryeministrin e Kosovës.
Pas një dreke të përbashkët me zotin Kurti, kryeministri Edi Rama shkroi në Facebook se e kishte inkurajuar homologun e tij “në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme, të Kishës Serbe, në vendet e saj të kultit në Kosovë”, duke e siguruar se “në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”, shruajti zoti Rama duke njoftuar se me kryeministrin Kurti kishin rënë dakort që mbledhja e përbaskët mes dy qeverive të zhvillohet në muajin qershor.
Dakortësimi i palëve për zbatimin e planit europian, ndonëse pa e firmosur atë, parashikon marrëdhënie të mira fqinjësore mes dy vendeve, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore si dhe përcakton se palët nuk duhet të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Marre nga Zeri I Amerikes

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here