Nis fushatën zgjedhore koalicioni “Bashkë Fitojmë”

Ilirian Agolli

Zeri i Amerikes

Koalicioni “Bashkë fitojmë” i tre forcave politike PL, PDK dhe PBDNJ, të cilëve u është bashkuar edhe ish kryeministrit Sali Berisha me ndjekësit e vet, nisën sot fushatën zgjedhore, ku theksuan premtimet e tyre për zgjedhjet vendore të 14 majit.Në tubim morën fjalën me radhë kandidatët për kryebashkiakë të koalicionit dhe në fund folën politikanët kryesorë, të gjithë nën lajtmotivin “Ndryshimi fillon nga duart tuaja”.
Kryetari i Partisë së Lirisë, ish presidenti Meta premtoi ndryshimin e qeverisjes vendore në dobi të qytetarëve dhe ndërprerje të abuzimeve me fondet publike.
“Ky vend anëtar i NATO-s, ky vend 100% pro europian kontrollohet në mënyrë të paligjshme dhe absolute nga një klikë në të gjithë pushtetin vendor. Pushtet absolut do të thotë korrupsion absolut dhe ashtu është e gjithë Rilindja socialiste. Koha e ndryshimit ka kaluar me kohë. Është koha për revolucion me votë, i cili do të sjellë përmbysjen e korrupsionit absolut, transparencë dhe llogaridhënie absolute”, tha zoti Meta.
Ish kryeministri Sali Berisha akuzoi Partinë Socialiste për qeverisje të korruptuar dhe të kapur në çdo nivel të administratës nga rryshfeti dhe klientelizmi.“Ju sot jeni kampionët e lirisë, kampionët e fitores. Kjo është arsyeja pse Edi Rama është tmerruar, Erion Veliaj është tmerruar. Një dyshe famëzezë, që ditën lëpihen, kurse natën i bëjnë gropën njëri-tjetrit”, tha zoti Berisha.
Fushata e Partisë Socialiste ka lajtmotivin “Vetëm përpara, kurrë mbrapa”, ku në pjesën e dytë përfshin edhe në sigël non gratën amerikane të ish kryeministrit Berisha.
Gjatë një tubimi sot në Rrogozhinë, kryetari i kësaj partie dhe kryeministri Edi Rama, i quajti ish kryeministrin Berisha dhe ish presidentin Meta ata politikanë të së shkuarës, të izoluar dhe të zhytur në halle personale.
“Ata nuk kanë as vula, as emra. Njëri është non grata nga SHBA-të, tjetri non grata nga demokratët, që thonë se nuk mund të votojnë për një si Meta”, tha zoti Rama.Ndërsa gjatë një tubimi sot në Kavajë, zoti Rama deklaroi se emigrimi i shtuar i rinisë nga Shqipëria ka ardhur prej plakjes së vendeve europiane dhë rënies së lindjeve në to.Ai premtoi vazhdimin e transformimit të qyteteve si dhe rritje pagash publike, duke nxitur bizneset që të bëjnë të njëjtën gjë, që të frenohet emigrimi.
“Shqipëria nuk është më ajo e pak viteve më parë. Fakti që pothuajse po dyfishojmë pagat tregon për rritjen e ekonomisë dhe zhvillimin e tregut të punës”, tha zoti Rama.Institucione vendase, shtete perëndimore dhe organizata ndërkombëtare kanë bërë thirrje për një garë zgjedhore të rregullt dhe mundësi zgjedhje të lira për qytetarët.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u ka bërë thirrje forcave politike që të mos denigrojnë njëra tjetrën, por të angazhohen me ide për përmirësimin e jetesës së qytetarëve.Ai theksoi se do të jenë të patolerueshme shit-blerja e votës, keqpërdorimit të burimeve financiare, financimet e paligjshme dhe jo transparente të partive politike dhe manipulimi i procesit zgjedhor.Zyra ODIHR e OSBE-së ka përfshirë në monitorimin e zgjedhjeve vendore të Shqipërisë më 14 maj mbi 300 vëzhgues afatshkurtër, ndërsa aktualisht kanë ardhur 13 ekspertë ndërkombëtarë dhe 24 vëzhgues afatgjatë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here