ILIAZ BOBAJ: NË OFIÇINËN E MAKINAVE. Tregim satirik

Miku im, Berti, sapo ishte kthyer nga Shqipëria dhe më kërkoi të pinim një kafe.
U takuam të nesërmen në një lokal buzë detit, ku pinim kafe herë pas here.
Pas atyre pyetjeve të para për të afërmit, veçanërisht për të atin e tij, të cilin e kam mik të vjetër, vura re se ai iu përgjigjej shkurt pyetjeve të mia, buzëqeshte herë pas here me vete dhe bëhej gati të më thoshte diçka. Sigurisht ndonjë ndodhi për të qeshur. Ishte tepër i ndjeshëm ndaj humorit.
– Me siguri ke sjellë ndonjë nga ato ngjarjet e bukura, të cilat nuk i shpëtojnë syrit tënd, – e ngacmova.
Ia dha të qeshurit..
– Prandaj të thirra, që të ta tregoj, – më tha dhe vazhdoi të mos e përmbante dot të qeshurën. – Dëgjoje dhe stise ashtu siç di ti. Vetëm se nuk ke shumë punë, se kjo është gati, nuk do latuar fare.
– Ti vetëm tregoma. Daltën për ta latuar ma ler mua, – e shtyva për më tej.
– Ditën e dytë që isha kthyer në Shqipëri, u nisëm së bashku me time shoqe për të shkuar tek një kushërirë e saj në qytetin fqinj. Nuk kishim bërë as dyqind metra, kur makina më fiket pa më dhënë asnjë shenjë. Nuk më kishte ndodhur ndonjëherë. Aq më tepër që, siç e di, makinën e kam të re dhe punon për mrekulli.
– Po tani ?- më pyeti e habitur ime shoqe.
U ndodha në një dilemë të madhe, pasi makinën e kam të siguruar këtu në Greqi.
– Pa dale t’i hedh një sy, – i thashë sime shoqeje dhe dola jashtë.
Asgjë prej gjëje.
Pyeta disa kalimtarë se ku kishte ndonjë ofiçinë për të qenë, që ta shpija makinën aty
për ta kontrolluar. Duhet thënë, se qyteti im pas nëntëdhjetës është dyfishuar dhe, falë edhe gjithë këtyre viteve që jetojmë larg, shumë gjëra nuk i di.
– Dëgjo, – më tha njeri prej tyre. – Nëse do ofiçinë që të mbarosh punë, shpjere tek ofiçina ‘’Formula 7’’. Është rreth pesëqind metra prej këtej.
Më në fund e shpumë aty. Ishte një kompleks i tërë modern, me hapësirë të madhe, në të cilin punonjësit ishin të veshur me uniforma të rregullta pune. Dukej sheshit që kishte rregull.
– Nga vjen ti ? – më pyeti ai që dukej si përgjegjësi i ofiçinës dhe e përqëndroi vëmendjen tek targat e makinës.
– Jam në Greqi prej disa vitesh,- i them.
Nuk më tha asnjë fjalë tjetër, as më pyeti për defektin e makinës. Vetëm se hapi celularin e tij dhe mori një numër. Dëgjova që iu përgjegj bashkëbiseduesit të vet:
– Po, po, me targë të huaj. Me targë greke. Shqiptar me makinë me targa greke.
E mbylli celularin, u kthye nga unë dhe më tha:
– Mundësisht do prisni vetëm pesë minuta.
Nuk kishin kaluar as pesë minuta, kur vura re që në oborrin e gjerë të ofiçinës hyri një makinë e tipit Jeep me ngjyrë të zezë. Prej saj zbriti një burrë rreth të dyzetave me trup të shëndetshëm dhe flokë të prerë shkurt.
– Kush është ai me makinë me targa greke ? – pyeti përgjegjësin e ofiçinës.
– Ky zotëria këtu.
Nuk po kuptoja asgjë prej gjëje. Thashë se mos kisha hyrë padashur në ndonjë ngatërresë dhe gjeja belanë kot së koti.
– Mirësevini, zotëri, – më përshëndeti i sapoardhuri. – Urdhëroni, uluni ! – dhe na ftoi të uleshim në një lokal të vogël, por tepër luksoz, që ishte pranë hyrjes.
– Faleminderit, po nxitojmë se jemi për rrugë. Nuk e di se çfarë defekti më pati makina dhe dua të mbaroj punë sa më shpejt.
– Makinën do ta rregullojmë ne. Do ta bëjmë të fluturojë si zogjtë dhe ti do shkosh shëndoshë e mirë andej nga ke ardhur, – më tha me sigurinë e një njeriu që i di mirë punët e tij.
– Hajde këtu, or ti ! – urdhëroi një nga punonjësit e ofiçinës, duke i bërë shenjë me gishtin tregues. – Sillu nga një kafe dhe nga një freskuese zonjës dhe zotërisë !
Ai që mori urdhërin u nis nxitimthi për ta zbatuar atë. Kuptohej që i sapoardhuri nuk ishte një dosido, por një epror i tyre. Ndoshta ishte pronari i ofiçinës.
Bëra ta kundërshtoja, por ai më vuri dorën para, duke mos më lënë asnjë hapësirë për të kundërshtuar.
– Ju jeni pronari i kësaj ofiçine ? – e pyeta.
– Se mos vetëm i kësaj, – ma ktheu dhe kaloi pëllëmbën e dorës gjatë gjithë hapësirës së ballit të tij pakëz të djersitur. – Jam përgjegjësi i gjithë aktiviteteve që ka Ziguri.
– Kush është ky Zigur ?
Më vështroi ashtu siç vështron një i ditur atë që bën një pyetje naive. Tundi kokën i menduar.
– E kuptoj, që duke qenë larg atdheut dhe duke jetuar në vend të huaj, ju keni humbur rastin historik për të njohur personalitetet që nxjerr politika e vendit tonë. Ziguri është koka më e madhe që ka nxjerrë ky vend. Ziguri është talenti më i shquar i politikës shqiptare dhe kandidon për deputet në zonën tonë. Ju e dini që jemi në fushatë elektorale dhe i gjithë qëllimi ynë është që Zigurin ta zgjedhim deputet të Kuvendit Popullor. Pastaj e ardhmja ia hap udhën vetë. Unë drejtoj fushatën e tij dhe jam betuar që nuk do vë gjumë në sy para se të dalë Ziguri deputet. Ajo fotografia e madhe që është vënë në murin e ofiçinës, është e Zigurit. Që në pamje duket që kemi të bëjmë me një gjeni. Vështrimi i tij fisnik, është përqëndruar diku në largësi, tek e ardhmja e kombit tonë. Këtë ardhmëri mund ta sjellin vetëm njerëz me kapacitet të lartë si Ziguri. Vetëm njerëzit si ai shohin në atë largësi.
– Nuk kam patur rastin ta njoh këtë njeri kaq të veçantë, por, me sa shoh, kam rastin fatlum ta njoh nëpërmjet atyre që po më thoni, – ia ktheva, duke hyrë paksa në ujrat e tij.
– Ore, këto që po të them unë, nuk janë asnjë pikë uji në oqean. Ziguri ka tri diploma, me një mesatare notash që nuk e ka askush. Mori tre fakultete brenda dy vjetësh.
– Mos janë nga këto diplomat që marrin tani. Se, mesa di unë, edhe presidenti, edhe kryeministri i vendit kanë vetëm nga një diplomë, – e shtyva bisedën më tej.
– Zotëri i nderuar ! Po t’i vlerësonin realisht aftësitë dhe talentin e tij, ai mund të merrte edhe njëzetë diploma dhe prapë do t’i kishte pak. Ky është Ziguri i vërtetë. Simbol i diturisë. Tani po shkruan edhe një libër për historikun e krahinës. Po ia redakton një shkrimtar i njohur. Nga ato pak gjëra që kam lexuar prej tij, jam i sigurt se nuk ka asnjë historian t’i dalë para. As vetë Gjon Buzuku.
Ime shoqe ma bëri me shenjë për t’i dhënë fund bisedës dhe për t’u interesuar për makinën. E mblodha veten.
– Nga ato që dëgjova nga goja juaj, bindem si Ziguri është vërtet një kokë e madhe.
Por ne jetojmë jashtë dhe ju e kuptoni vetë, që kemi edhe vështirësitë tona për të mbijetuar. Duhet thënë se as deputetët, as politikanët tanë nuk janë interesuar aspak për ne. Nuk janë interesuar as për hapjen e shkollave shqipe për fëmijët tanë, të cilët po e harrojnë gjuhën tonë amtare…
– Pikërisht këtu qëndron edhe e veçanta e Zigurit. Ai nuk sheh vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. Kudo që ka shqiptarë. Sytë e talentit të tij e hedhin vështrimin në çdo cep të botës, edhe aty ku jeton një shqiptar i vetëm. Ai do të hapë shkolla shqipe gjithandej, që fëmijët e shqiptarëve ta cicërijnë si bilbilët shqipen e bukur në çdo cep të globit. Shqipja jonë do bëhet gjuhë e përbotshme. Falë aftësisë së tij, në këto pak vite tranzicioni ai është bërë shumë i pasur dhe është betuar se do ta shkrijë të tërë pasurinë e tij për kombin. Do vijë koha që nuk do thonë më: ‘’Abdyl shite pasurinë, një barrë flori…’’, por : ‘’Zigur shite pasurinë, një barrë flori…’’. Do flasë ndryshe historia, miku im. Ziguri do ndryshojë historinë. Ai ka ardhur për një mision të tillë historik…
– Po të jetë kështu, do na ndihmojë shumë dhe ne mund të bashkëpunojmë me të edhe si shoqatë, por edhe për shkollat shqipe, të cilat i mbajmë në këmbë me shumë sakrifica dhe vështirësi.
– Keni shoqata dhe shkolla shqipe aty ?
– Po. Edhe shoqatë shqiptarësh, edhe shkolla shqipe.
– Ju keni një shoqatë dhe një shkollë shqipe, Ziguri do t’i bëjë tri, pesë, dhjetë, sa të doni ju. Po nuk më thua, kush është kryetar shoqate aty ?
– Unë.
– Tiiii ? Po fol, o burrë i dheut ! Ç’ma mbush pjatën me lëng, kur ti je në mes të thelave ! Unë ty kërkoja. Prandaj kërkoja makinë me targa të huaja, që të bashkëpunoj me shqiptarët jashtë atdheut. E kupton tani se sa larg i biem ne apo jo ?
– Besoj se po.
Atëhere i rashë hiles së asaj telefonatës që i bëri përgjegjësi i ofiçinës.
U rehatua në karrige dhe mori një pozicion më zyrtar.
– Miku im ! Siç e sheh, ne kemi një vizion ndërkombëtar për zgjedhjet. Një vizion i tillë është vështirë të gjendet edhe në vendet më të qytetëruara të botës. Dhe kjo falë kapacitetit të lartë të kandidatit tonë, Zigurit dhe ekipit të tij të veçantë zgjedhor. Programi ynë zgjedhor është i ndërtuar mbi dy boshte: horizontal dhe vertikal. Ndërkaq të dy këta boshte janë në lëvizje të përhershme, por duke e ruajtur pozicionin fillestar. Bashkëpunimi me shqiptarët jashtë i përket atij horizontal. Ai e ka pikënisjen në qendër dhe vjen duke u hapur, ashtu siç hapen rrathët kur hedh një gur në ujin e qetë. Kjo është vetëm A – ja e programit tonë. Ai do jetë një befasim i vërtetë në këtë fushatë elektorale. Në këto zgjedhje bota do vijë të mësojë tek ne.
– Vërtet jashtë nuk kam parë askund që një ofiçinë të kthehet edhe qendër zgjedhore dhe fushata të bëhet me forma të tilla bashkëpunimi që të befasojnë, – e ndërpreva.
– Nuk është vetëm ajo. Janë shumë gjëra. Po le të futemi drejt e në temë. Nuk më thua, a mund të më sjellësh një autobuz me shqiptarë për të votuar për kandidatin tonë ? Autobuzët do t’i vërë në dispozicion Ziguri, ju nuk do të paguani asnjë cent. Ai do t’u marrë dhe do t’u shpjerë përsëri aty ku do t’u marrë. Ti do të jeshë përgjegjësi i autobuzit. Do të lidhesh me mua.
– Kjo është gjëja më e lehtë që mund të bëj për kandidat Zigurin. Veç të mos ndodhë si herë tjetër, kur shqiptarët i sjellin nga Greqia me autobuzë sa për të votuar, mandej
i lënë në mëshirën e fatit dhe kthehen me shpenzimet e tyre.
– Kjo ka ndodhur me kondidatët e tjerë. Me kandidatin tonë, Zigurin, nuk do të ndodhë kurrën e kurrës, miku im !
– Atëhere po shkëmbejmë telefonat dhe ju jap fjalën që këtë punë e marr unë përsipër.
Më shtrëngoi dorën.
– Drini, dëgjo këtu ! – iu drejtua atij që ishte përgjegjësi i ofiçinës. – Lerni çdo punë dhe rregulloni defektin e makinës së këtij zotërisë ! Të rregullohet menjëherë dhe të na e sillni makinën tek lokali ‘’Dreri i kuq’’, se do t’u jap një drekë këtyre miqve !
– Në rregull, – u dëgjua përgjigjja e urdhërmarrësit.
Pa e marrë aspak në konsideratë kundërshtimin tonë, na hipi në makinën e tij dhe përfunduam tek ‘’ Dreri i kuq’’. Makina ime ardhi pas pak.
– Sa ju detyrohemi për makinën ? – e pyeta.
– Asnjë cent. Ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit tonë. Do vijë ora që deputeti ynë i ardhshëm, Ziguri, do mendojë seriozisht edhe për ju, zotëri. Mirënjohja është një nga virtytet e tij të rrallë.
Na përshëndeti dhe u largua.
Mbetëm si shurdhmemecë së bashku me time shoqe. Pamë njëri – tjetrin në sy dhe ia shkrepëm të qeshurit. Se si na dukej, si një ngjarje e stisur.
* * *
Berti i dha fund tregimit të vet dhe mori frymë thellë, pa e hequr atë buzëqeshjen e tij, e cila e kishte shoqëruar gjatë gjithë rrëfimit.
– Që mbrëmë deri sot u kam telefonuar disa miqve të mi dhe pothuajse e kam mbushur një autobuz. Do vijnë me burra dhe gra për të parë të afërmit e tyre. Edhe unë dua t’i shpie disa ilaçe tim ati. Një rrugë e dy punë. Madje kanë filluar të më telefonojnë edhe shumë të tjerë të panjohur, për të siguruar një udhëtim falas. Ti e kupton, do më duhet edhe autobuz tjetër me votues për kandidat Zigurin. Ndoshta edhe një i tretë. I telefonova edhe përgjegjësit të fushatës së Zigurit. Fluturoi nga gëzimi. ‘’Sill sa të duash, më tha, shpenzimet janë tonat. Vetëm më thuaj sa autobuzë të të dërgoj. Bile edhe do të të shpërblejmë për këtë punë të shkëlqyer që po bën në dobi të kombit’’. Siç e sheh jam angazhuar seriozisht në fushatën e kandidat Zigurit, – përfundoi Berti, me atë buzëqeshjen e tij të zakonshme në buzë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here