Hazir MEHMETI: BIJA E DIJES , TREGIM

(Motiv nga jeta e shkencëtares Dr.Vlora Mehmeti – Tërshani) “Dijen kërkoje edhe në skaj bote”, thënie e popullit

Vlora nuk e kishte menduar se do ndahej nga shoqëria e gjimnazit në qytezën ku u rrit. Si hije e zezë erdhi dëbimi i nxënësve shqiptarë nga policia serbe. Kaluan disa javë derisa klasa e Vlorës filloi mësimin në garazhin e ftohtë në periferi të qytezës, aty ku lumi kishte braktisur Urën e Gurit. Mungonte çdo gjë për mësim normal, vetëm dashuria për shkollë rritej krahas urrejtjes ndaj armikut.
-Nesër do nisemi për Austri, -i tha në mbrëmje e ëma e nxirë në fytyrë.
Kjo i ra si bombë në shpirtin e ri të saj.
Jo, nënë! Unë nuk do të vij! Si ta lë shkollën, pastaj Albana e Qama ku do mbesin, ku do mbetet mësimi i tyre! A ke biseduar me gjyshin?
Mos u ngut, Vlora. Të gjithë së bashku do nisemi. As unë nuk dua të shkoj, por s’kemi qare, ose të vdesim urie. Pastaj, e sheh sa huliganë ju sulmojnë dhe turren çdo ditë kundër jush si vajza, sa gjyshi duhet t’u përcjellë në çdo hap.
Gjyshja mbështeti duart mbi dorëzën e krryles së saj dhe duke fshehur fytyrën, por jo pikat e lotëve nga mjekra e saj, filloi të qante, “Ah, jetë e vuajtje, robëria nuk ka lumturi, ka vetëm mallkim e lot” thoshte ajo me shpirtin e saj të vrarë sërish në pleqëri. Para syve i erdhi jeta e saj plot vuajtje qysh kur ishte e re, por nuk donte t’ua tregonte mbesave të saj. Nuk donte t’i mërziste me vuajtjet dhe u tregonte vetëm momente të bukura. Ajo donte që mbesat të rriteshin të lumtura larg brengave. Për kohën e saj shpesh thoshte: Njeriu është i fortë si guri, por vetë ajo ishte më e fortë se çeliku, kur tregonte rrëfimet e jetës e saj. Shpesh të tria mbesat uleshin pranë saj, ia përkëdhelnin duart dhe i thoshin: Gjyshe na trego pak si u bëre nuse?
Kur ishte në qetësi gjyshja fillonte të rrëfente mbi kohën e vështirë kur ajo ishte vajzë. Ju tregonte kur ishte fejuar me të dashurin e saj të cilin e kishte parë e takuar nga larg por nuk kishte folur, deri në ditën e gjerdekut. Pastaj qerrja e nuses e mbuluar u mbush me qilima të punuara nga dora e saj, me duvakun dhe këmishat me ojna e zbukurime të shumta. Ajo nuk u fliste për pushkatimin e burrit të saj nga ushtarët serbë para syve të saj dhe nënës së tyre që ishin katër burra: i ati dhe tre djemtë e tij në pranverën e vitit 1945. Nuk u fliste mbesave as për martesën e dytë me gjyshin e tyre, as për vajzën e saj të mbetur jetime pa të atin dhe pa nënën, as për burgosjet, as për rrahjet e keqtrajtimet. “Kur të rriten do e kuptojnë vetë, thoshte shpesh me vete duke e ndrydhur brenda kujtesën e cila vlonte vullkan dhe kërkonte shpërthim.
Udhëtimi i Vlorës drejt Austrisë së bashku me familjen ishte i mundimshëm. Në ditën e parë intervista në Bundespolizei ishte me agjenten e organeve shtetërore. Përkthyesi ulur në karrigen anash tavolinës, nuk pati punë fare, pasi zotërimi i anglishtes nga Vlora dhe Albana e nxori nga puna.
Ku e keni mësuar kaq mirë anglishten, – pyeti kryeinspektori.
-Në gjimnaz, -thanë ato njëzëri,
-Gjimnazi quhet “Eqrem Çabej” i cili ishte albanologu që studioi këtu në Vjenë para një shekulli. Ishte student i albanologut austriak Norbert Jockl, – kjo është e njohur tek të gjithë.
-Nga i dini ju këto gjëra kaq mirë? – pyeti më tutje zyrtari.
-Nga mësimet e historisë, -ia kthyen ato. Së fundi këtu e kemi babain tonë i përndjekur nga pushtuesit serbë. Ju i keni dhënë strehim politik duke e shpëtuar. Për këtë u jemi mirënjohës.
Dy ditë më vonë Vlorën e regjistruan në Gjimnazin Real Schopenhauerstraße të Vjenës. Në fillim e dëshpëruar nga largimi prej vendlindjes në këtë vend të huaj, i dukej jeta e saj një aventurë udhëtimi pa krye, pa cak dhe shpesh çdo gjë i dukej kotësi. Ia lëshonte sytë shkarazi sikur donte të përshëndeste ato shkarravina përplot formula laramane me simbolet kimike nga të cilat merr vesh vetëm “kokëkrisuri”.
Do të qorrohesh moj Vlora, e sheh çfarë sy të mëdhenj e të bukur ke, si sy shqiponje që mos t’i shohë syri i keq, – i thoshte gjyshja. Vlora qeshte dhe vazhdonte bisedën. Ajo e dinte se gjyshja nuk kishte mbaruar asnjë ditë shkollë, nuk kishte mësuar asnjë gjuhë tjetër, por e dinte mirë gjuhën e dashurisë që e kishte zemër për mbesën e saj e cila po rritej kaq e bukur dhe me shkollë. I dinte mirë ninullat me të cilat ushqente fëmijët para se të mbyllnin sytë në djepin e drurit që e përkundte me dashuri. Melodia e tyre të përcjell kudo që shkon: në Vjenë, Milano,Tokio, NewYork, Alaska. Ajo ishte krenare me gjyshen e saj, e donte në heshtje edhe kur ajo ishte e sëmurë, dhe e mërzitur. Shpesh flinte në skaje shtrati pranë saj ashtu siç ishte e veshur që të mos e linte vetëm. E kuptonte shpirtin e saj të vuajtur nga jeta e vështirë me shumë halle.
Jemi të kënaqur me mësimet tuaja Vlora. Tani po afrohet matura dhe duhet të zgjedhësh temën, – i tha kujdestarja e klasës sapo filloi semestri i fundit. Klasa drejtoi sytë nga Vlora. Nga 21 nxënës Vlora ishte e vetmja shqiptare. Shoqëria ia dinin vuajtjet dhe brengat. Qysh nga fillimi, me qëndrimin e saj ajo fitoi simpatinë nga të gjithë. Një melodi e lehtë e Valsit përshkroi klasën bashkë me lëkundjen e portretit të Shtrausit varur në murin përballë që nga projekti i fundit muzikor i shekullit të tij.
-Unë kam zgjedhur temën nga farmacia lidhur me bimët shëruese dhe do ta punoj e mbroj në gjuhën angleze, – foli Vlora.
-E kemi parasysh, pasi ju keni të drejtë në cilën gjuhë të dëshironi, – ia ktheu kujdestarja. Kujdestarja e klasës Kristina, ishte një përkrahëse e Vlorës që nga regjistrimi i saj në gjimnaz.
Diplomimi i saj pa e përsëritur fare vitin për arsye gjuhësore sipas ligjit u festua si rasti i parë i vetëm në jetën shekullore të shkollës. Për këtë kujdestarja e klasës e kishte njoftuar edhe ministren e Arsimit, me sukseset e Vlorës dhe padrejtësia ligjore ndaj saj, duke mos ia njohur gjuhën shqipe si gjuhë shtesë për diplomimin.
Vitet kaluan, por Vlora nuk i shkëputi kontaktet me gjimnazin. Ajo shpesh e vizitonte kujdestaren e klasës dhe mësimdhënësit e saj. Pas mbarimit me sukses të provimeve në fakultet, tema e magjistraturës ishte caktuar në Tokio tek profesori i njohur japonez.
Gjyshja kishte dëgjuar për planet e Vlorës dhe nuk donte të mos e kishte afër. Edhe ashtu kishte kaluar disa vite larg nipave e mbesave. Një pasdite duke dëgjuar për udhëtimin e saj, i tha: Ani, bija e gjyshes, rruga e mbarë, besoj se nesër do jemi bashkë për drekë.
Vlora qeshi. Jo moj gjyshe është shumë larg, skaj bote, nuk kthehem për një vit.
Gjyshja u hutua, nuk dinte ç’të thoshte, kurse Vlora i tregoi fill e për pe, se ajo shkonte atje për të studiuar në një institut të njohur në botë.
Nëse nuk më gjen këtu, lamtumirë, më gjen përtej reve, bija ime! Jam shumë krenare për ty! Shkolla të nderon dhe mos u ndal, bëhu Bija e Dijes.
Gjyshe, të dua shumë! Ti akoma je e fortë dhe do takohemi prapë. Kur të kthehem do të sjell çaj japonez, më të shijshmin në botë, – iu drejtua gjyshes duke u larguar me libër nënë krah për në dhomën tjetër.
Retë mbulonin çdo gjë mbi tokë, kurse dielli shkëlqente fuqishëm mbi dritaret e vogla të avionit me gjithë ftohtësinë e lartësive të tyre. Pas pak avioni u zhyt në errësirën e reve të zeza bashkë me zërin e stjuardesës për vënien e rripave të sigurisë dhe përgatitjen e aparateve elektronike në modulin e fluturimit deri në aterrim.
Mirë se vini në Tokio! Faleminderit që fluturuat me Japan Airlines! Qyteti i rrethuar me kaltërsinë e detit dhe urat e gjata krijonin hapësirë fantazie tek secili i huaj. Ndërtesa e institutit e veshur me qelqana gjigante dukeshin nga larg si dëshmitare të urbanizmit modern.
Koha kaloi shpejt në sekondat e saj mbi mikroskop e instrumentet laboratorike të kohës. Pas gjysmë viti Vlora filloi ta ndiente veten të adaptuar. Më e vështira ishte përshtatja me ushqimet japoneze të cilat ishin të panjohura për te. Nga prindërit mori pakon e dërguar ku kishte fruta bio nga Kosova. U gëzua shumë dhe të gjitha i ndau me shoqërinë. Ishte rasti të tregonte më shumë për vendin e origjinës, Kosovën dhe vuajtjet e saj shekujve nga pushtuesit sllavë e turq. Iu dha rasti të fliste mbi zakonet dhe traditat shqiptare në shembullin e Nënë Terezës me emrin Gonxhe, apo për madhështitë e njeriut në shembullin e Aleksandrit të Madh të cilin në malësi e quanin Leka i Madh.
-Sot do bisedojmë rreth rezultateve të secilit kandidat, – iu drejtua Prof. Akassava grupit të studiuesve. Tani Vlora ka arritur në fazën përfundimtare të hulumtimeve të saj krahasuese të likeneve nga Austria, Japonia, New Caledonien dhe La Reunion Island- eze. Gazeta botërore e shkencës i boton rezultatet e analizave të Vlorës. Kjo na bën krenar të gjithëve.
Urime Vlora, – tha Prof. Akassava dhe hapi faqen e parë të gazetës në laptopin e tij.
Faleminderit Profesor! Këto janë rezultatet me të cilat u paraqita për Kongresin botëror në New York, i cili do mbahet pas dy muajve. Ashtu është Profesor. Unë kam arritur në fazat e fundit, por siç duket ka një kopjim nga dy kandidatet tuaj të analizave të mia, andaj ju lutem të intervenoni. Rezultatet e kopjuara janë të dëshmuara.
Të gjithë u habitën duke shikuar njëri- tjetrin sikur donin të tregonin zhgënjimin e madh.
-Atëherë, të lajmërohen ata që kanë ecurinë e afërt dhe kanë mashtruar veten e tyre me rezultate të kopjuara, – iu drejtua grupit Profesori.
Pas dy orësh debati, dy kandidatët që kishin kopjuar formulën e reaksioneve elementare nga Vlora, u bindën se kjo nuk ishte rruga e shkencës, u tërhoqën nga ecuria e kopjimit dhe morën rrugën e tyre sipas udhëzimeve të drejtuesit. Asnjëherë Vlorës nuk i ishte dukur kaq e urryer Japonia bashkë me institucionet e saj me laboratorë pa fund. Disa ditë nuk e mori gjumi nga shqetësimi dhe inati, se si mund të ndodhte diçka e tillë. Sado pak, ftesa në festën e çajit e shkundi nga tronditja e papritur.
– Jemi të ftuar në festën e çajit, besoj se keni dëgjuar, organizim i veçantë për ty, -i tha profesori Vlorës
-Faleminderit Profesor?- mezi po pres të jemi së bashku dhe të mësoj një traditë të bukur e të lashtë, – ia ktheu ajo. Kam dëgjuar se paraprakisht duhet përgatitur fizikisht e shpirtërisht një ditë të tërë duke shëtitur e qetë në kopsht, e pastaj të pranohesh në grupin ceremonial.
-Ne nuk jemi përgatitur, a do na pranojnë?- pyeti ajo pak e hutuar.
Profesori përmes një të qeshure ia ktheu: Jo, Mrs Vlora, -mos u shqetësoni. Kjo do jetë procedurë e shkurtër por mjaft qetësuese, do ta provojmë. Për ju evropianët duket pak ca absurde, por ja që globi është i gjerë dhe i larmishëm.
Në hyrje të hapësirave ku mjeshtërit e çajit kujdesen për rrjedhën tradicionale, ishte legeni i gurtë i mbushur me ujë. Të gjithë me radhë lanë duart, pastaj shpërlanë hundën dhe gojën. Vlorës iu duk se kjo nuk ishte diçka e re, por në formën e traditës së lashtë kjo shprehte pastrimin fizik të trupit dhe pastrim shpirtëror nga shpirtrat e këqij që takon njeriu në përditshmërinë e tij. Në trashësinë e murit të gurtë dëgjohej lehtë një gurgullimë uji i cili nuk dukej, por vetëm përjetohej. Heshtje. Secili meditonte në formën e tij. Çdo zë ishte i ndaluar. Në këtë qetësi dëgjoheshin frymëmarrjet e secilit dhe dukej sikur gurët frymojnë në heshtjen e tyre. Grupi demonstron barazi e përulësi i pastruar nga demonët dhe shpirtrat e ligë dhe pas pesë tingujsh të gongut Furin, me radhë zhagas e kaluan korridorin dhe hynë në dhomën ku do shërbehej çaji bashkë me ca biskota Kaiski.
Në Saica Vlora ishte ulur pranë profesorit i cili i printe radhës. Kjo i kujtoi asaj traditën e odës shqiptare, ulja me radhë sipas moshës dhe mysafirit të panjohur. Vlora kishte lindur në Kullën e Vjetër dhe i interesonte historia e traditave të vjetra shqiptare bashkë me historinë e kullës shqiptare. Tani kulla ku ajo kishte lindur ishte rrënuar nga forcat armike serbe bashkë me vrasjet e banorëve të fshatit.
Mjeshtri i çajit i pastroi enët e nevojshme; lugën e bambusë, tasin dhe mbajtësen e drunjtë. Në skaje të dritareve të vogla avullohej ibriku i mbushur me ujë. Cepi i tij i gjatë dhe vega e lakuar fuqishëm me zbukurime gravurash të traditës reflektoheshin në qelqin e dritares duke krijuar dy pamje tërheqëse. Ndërkohë, dy pëllumba fluturuan mbi kapakët e drunjta të dritareve të vogla duke fëshfëritur me krahët e tyre në përpjekje për të ndërruar drejtim.
Heshtje. You Han mori gotën e flakëruar.
Profesori u përul me tasin që mbante para vetes me të dy duart. Aroma e çajit Maça ishte e njohur për shqisat e nuhatjes së secilit, vetëm Vlora nuk e dinte emrin e tij. Profesori e rrotulloi dy herë tasin nga e majta në të djathtë e pastaj e rrufiti tri herë lehtas qetësisht para gllënjkës së parë. Para se t`i afrohet asaj tasi, profesori i fshiu mirë tri herë skajet e tasit. Tani ishte radha e Vlorës e cila mundohej ta imitonte veprimin e profesorit. U përul dhe mori tasin me të dyja duart, e rrotulloi dy herë në drejtimin e akrepave të orës dhe lehtas tri herë e rrufiti dhe përpiu çajin e valë. Një ndjenjë kënaqësie që nuk e kishte përjetuar më parë. U qetësua. Fshiu me leckë rrethin e tasit dhe ia zgjati studentes majtas saj.
-Si t`u duk Vlora, – pëshpëriti Profesori, shije e mirë, apo?!
Vlora sikur u zgjua nga ajo heshtje e gjatë meditimi, pak e befasuar se ishte apo jo e lejuar biseda dhe ia ktheu: Shumë bukur, një ndjesi që nuk e kam përjetuar më parë.
Tani e tutje do pini Maça vazhdimisht në Austri e Kosovë, do ta dërgosh mesazhin e traditës së çajit qetësues, vazhdoi profesori.
Biseda e qetë rreth çajit përfshiu grupin i cili kushedi për të satën herë kishte shijuar një ceremoni të lashtë popullore. Derisa akoma mjeshtri i çajit vazhdonte të përulej para secilit dhe sapo ai që pinte i pastronte skajet e tasit, e merrte dhe ia ofronte tjetrit. I fundit ishte studenti nga Hiroshima i cili sapo piu gllënjkën e tij, ia pastroi skajet e tasit tri herë. Shërbyesi i çajit u përul, e mori tasin dhe duke drejtuar trupin bëri dy hapa mbrapa. Falënderimi i tij tregonte përfundimin e ceremonisë.
Kjo i përkujtoi Vlorës përfundimin e konservimit të likeneve të rrethuara me fluturat mbretërore në Ishullin Ogasava. Udhëtimet shtigjeve shkëmbore të rrëpirëta ishin sfidë për secilin. Lart nga kodrat e mbytura në kaltërsinë e oqeanit dukej deti me pafundësinë e tij. Largësia me tokën e bënte ishullin të humbur për njerëzit, por të pasur me florë dhe faunë si burim studimi për shkencëtaret e njohur nga gjithë bota.
Përfundimi i hulumtimeve dhe koha e kthimit në atdhe e gëzoi atë dhe familjen, por në veçanti institutin i cili e priste. Nga shkallët e avionit Vlora i dha lamtumirën shoqërisë. Të gjithë e përshëndetën me duar të ngritura në kaltërsinë e cila po merrte pushtetin e ditës në tokën japoneze.
Dielli i marsit kishte ringjallur aguliçet anash rrugicës së Danubit e cila të sillte në qendrën e laboratorëve ku Vlora punonte. Me çantën varur krahut shpejtoi hapat e saj drejt portës të arrinte para studentëve, t’i priste me dyer të hapura ashtu siç ishte rendi. Asnjëherë nuk kishte ndodhur të vonohej, ani pse Besmiri i vogël nuk e donte largimin e së ëmës. Kur ai dëgjonte cikërrimën e celularit, hapte sytë, i buzëqeshte nënës e pastaj rrotullohej, e përqafonte të atin, ia lëmonte me gishta mjekrën ashtu siç ishte duke fjetur dhe bindej se nuk ishte vetëm, pastaj vazhdonte gjumin e mëngjesit pa çarë kokën.
Grupe të studiuesve nga shumë vende të ndryshme mbushnin hapësirat e korridoret ku ndiheshin erëra substancash kimike dhe ishte e pamundur të dalloje burimin i tyre. Etileni ishte më i dalluar, ndoshta nga përdorimi i tij më i theksuar nga studentët mikrobiologë të cilët projektin e tyre dëshironin ta mbaronin sa më shpejt që ishte e mundur. Vlora synonte arritjen e rezultateve në përcaktimin e elementeve kimike që kërkonin bimët të cilat mungonin në tokat gjysmë shkretinore. Ishte e sigurt se do ia arrinin. Letra e fundit nga Prof. …. japonez ia shtoi besimin. “Shkenca i ka mundësitë të bëjë mrekulli, na duhet punë e përbashkët”, shkruante mes tjerash ai. Vlora, në të gjitha seminaret e kishte mbrojtur teorinë e mundësive reale, se në zonat pranë shkretëtirave të globit, me theks në pjesën e Afrikës ku uria gëlltiste miliona jetë njerëzish, mund të jetonin varietete bimësh të dala nga laboratorët. Kjo nuk ishte e lehtë dhe do thoshte rritjen e bimëve edhe atje ku nuk kishte deri më tani.
Përshëndetjet e mëngjesit shoqëroheshin me zërat e pëllumbave të zgjuar herët skutave të betonta sipër rrugëve. Dryni i portës dhe i laboratorit ishin të hapura në kyçin kryesor. Vlora e kuptoi se drejtuesi i Institutit kishte ardhur. Ajo e mbylli portën me kujdes, hapi derën e korridorit kryesor ku vareshin posterët e kolegeve dhe kolegëve nga shumë vende. Mes tyre posteri i saj nga tremujori i fillim vitit, qëndronte i varur ashtu siç ishte vendosur para disa javësh pas kthimit nga Kongresi i Hulumtuesve të Rinj Botërorë të New York-ut në të cilin kishte prezantuar hulumtimet e saja si përfaqësuese e Universitetit me famë. Sa herë e shihte atë në kujtesë i vinte qyteti i New York-ut dhe fotot e bëra pranë Statujës së Lirisë me pamjen e saj madhështore. Në vesh i tingëllonin zërat nga prezantimi dhe diskutimi rreth temës së mbajtur, që nuk ishte aspak e lehtë. Në kujtesë i erdhi studiuesi nga Milano me pyetjen e tij rreth emrit të saj si austriake. “Mbiemri juaj tingëllon të jetë turk, turk e jo austriak, as shqiptare, a mund të na shpjegoni këtë?”. Ajo pak raste nga prezantimet e saj shkencore si pjesë e hulumtuesve të rinj të Universitetit të Vjenës, ishte zemëruar si asnjëherë më parë. “Sa u nxi në fytyrë kur ia shpjegova se jam shqiptare me nënshtetësi austriake. Nuk jam turke as italiane, jam nga Kosova për të cilën keni dëgjuar. Shkencës as shoqërisë nuk i duhen paragjykimet dhe paragjykuesit, i duhen faktet shkencore e shoqërore. Ju që paragjykoni për femrën shqiptare e keni shumë gabim. Femra shqiptare sot është kjo, janë Era, Inva, Dua Lipa, Majlinda Kelmendi të cilat paragjykuesit nuk duan t’i njohin si shqiptare, aq më pak nga Kosova. Ne trashëgojmë në shekuj mirësinë e besimin e njohur, tani me shpirtin e Gonxhe Bojaxhiut, Nënë Tereza e botës”, e përfundoi Vlora e inatosur pas asaj pyetje fyese. Mbi njëmijë duar përshëndetën furishëm Vlorën në sallën e kongresit shkencor nga e gjithë bota. Drejtuesi i seancës dha sqarime të tjera rreth delegacionit të Vjenës, ku Dr. Vlora Mehmeti ishte në theksin e fjalës së tij.
Eh, shkundi kokën Vlora, ishte histori e përzier me ëndrra reale.
E thelluar në kujtesë, pa mbi tavolinë prurjet e reja nga posta dhe aty pranë, dy kompjuterëve pa listat me rezultatet shkencore nga dita e kaluar. Emrat e pesëdhjetë e dy studiuesve nga vende të ndryshme të botës të cilët përgatitnin doktoratën me projekte të reja nga mikrobiologjia molekulare, dhe shumë prej tyre me vite ishin aty. Asaj i ra në sy emri i parë në listë, vietnamezi Ai-Hoa i cili ishte pranë mbarimit të doktoratës. Vlorës iu kujtua fluturimi me avion për në Stokholm në shtatorin e vitit 2014, derisa fluturonte mbi tokën gjermane, Ai-Hoa fliste dhe argëtonte grupin me tregime nga Vietnami i lirë. “Emri im është Lulelirie, është paqe e luleve. A ka më bukur se sa kur lulja çel e lirë në dheun e saj? Ja! Unë! Unë jam Lule lirie, thërriste Ai-Hoa duke dredhur belin mbi karrigen e ngushtë të avionit, kurse grupi qeshte me kujdes të mos shqetësonte udhëtarët tjerë.”
“Siç duket sot do jetë ditë e ngarkuar me punë”, mendoi e shqetësuar. ”Pas pak me kujdes shikoi funksionimin e aparaturave që mbanin materiale eksperimentale. Kur pa se çdo gjë rridhte normalisht u kthye në kthinën e saj. Në kabinën e qelqtë të punës e rrethuar me instrumentet moderne hulumtuese të laboratorit ishte tavolina e qelqtë gjysmëhëne në dy cepat e së cilës kishte nga një kompjuter, kuti pincetash, pipeta, lapsa me madhësi e ngjyra të ndryshme.
Doktor Vlora, iu drejtua Kristina, studiuesja nga Berlini: Ja këtu i kemi të dhënat nga dita e djeshme të Nikoletës dhe Paulit. Unë do i vë në shënimet e pastaj ju mund t’i bartni tek pjesa e secilit në projekt.
Faleminderit Kristina?
-A ishte dje mjaftueshëm furnizimi i laboratorit?-e pyeti në nguti.
Shumë mirë, vetëm ujë të distiluar huazuam nga rezervat e dhomës dy. Këtë e bëjmë sa herë ka nevojë.
Derisa Kristina u largua me listat e substancave që duheshin të ishin rezervë për ditët në vijim, Vlora përcillte gjendjen në laborator duke iu kthyer shënimeve nga rezultatet e hulumtimeve, pastaj hapi kompjuterin personal në cepin e tavolinës gjysmëhëne ku regjistronte punimet.
Ajo ndihej krenare si njohëse e aparaturave të fjalës së fundit të teknologjisë hulumtuese në mikrobiologji. Vlera e tyre disa miliona euro. I kujtohej mirë kur mori detyrën së pari nga inxhinieri drejtues i aparaturave të rralla në botë. Vlora e kuptonte gjuhën e tyre, treguesit dhe ritmin e konditave në temperaturat e veçanta. Aparati përcjellës i izotopeve kishte paralajmëruar afrimin e kohës përfundimtare. Vlora me kujdes shënoi: 23 mars 2016, ora 00:15. Çkyçje e detyrueshme. Hapi shpejt kompjuterin e shënimeve sekrete shkencore përmes fjalëkalimit i ndërruar para dy ditësh. Anash pa listën e gjërave të plotësuara të nevojshme për laboratorin, uji i distiluar ishte në sasinë dyfish të shtuar.
Në këndin e postës në radhën e zarfeve takoi emrin e Prof. Asakawa, Tokio. E hapi ngutas dhe në anglisht lexoi: “Duke parë rezultatet tuaja, aftësinë tuaj të jashtëzakonshme dhe shpjegimin e rezultateve nga analizat laboratorike, jeni e propozuar si anëtare të Qendrës Botërore të mikrobiologëve në Berlin. Besoj se propozimi im nuk do kundërshtohet nga ju. Që tani mund të jem krenar me pasurimin e qendrës sonë me një anëtare të talentuar”. Vlora u habit dhe ngazëllye nga këto fjalë kaq vlerësuese të profesorit të saj të njohur dhe në kujtesën e saj iu shfaq takimi i parë në institutin japonez. Iu kujtua kur profesori kishte dyshime në kandidatin e tij të ri i cili vinte nga Vjena e njohur për gjenitë e saj në muzikën klasike, por edhe në lëmin që ai e zotëronte. Pastaj, Vlorës iu kujtuan shqetësimet e tij të mëdha për te si femër e vetmuar, e ardhur nga një kontinent tjetër dhe kujdesej si një prind i mirë për atë. Ky vendim i profesorit, nuk ishte krejt i papritur për Vlorën. Ai e kishte biseduar shkurtazi në ditët e fundit të përmbylljes së hulumtimeve, por Vlora e kishte marrë thjesht një dëshirë e tij të mirë e cila tani dukej realitet.
Në shfletimet e saj nga Tokio, ndali shikimi mbi letrën e gjelbër të kujtimeve mbi të cilën ishte shkruar. Prof. Dr. Akassawa në raportin e tij të punës shkencore para grupit lexoi shkrimin e tij:
“Deri më tani nuk kam pasur asnjë studiues me këto cilësi që ju keni dhe jam shumë i entuziazmuar me rezultatet tuaja dhe qëndrimin tuaj si asnjëherë më parë në moshën time tetëdhjetë vjeçare. Mburrje për shkencën e re dhe Universitetin nga ju vini dhe ku punoni.” I gjithë grupi dëgjuan gojëhapur dhe shikuan me radhë njëri -tjetrin. Vlora, nuk vazhdoi më tutje leximin që ta ruante bukurinë e kënaqësinë, pjesa ku shpjegohet tendenca e plagjiaturës së rezultateve të eksperimenteve të Vlorës nga Vjena.
Celulari me dridhjen e tij hapi pamjen e Besmirit duke shtrirë krahët në fluturimin drejt saj.
-Qenka koha, – tha Dr.Vlora. E pa se kishte kaluar orari i punës.
Tani po nisem, – shkroi me kujdes. Lau duart e sytë, veshi pallton, vuri çantën krahut dhe u nis.
Fytyra e Besmirit u pa në petalet e aguliçeve të para që ishin lajmëtaret pranverës.
Erdha biri im!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here