a Dea Toçi: Promovohet vepra “Fjalor enciklopedik i krahinës së Rranxës Mat”, e studiuesit Mëhill Elezi

Nga Dea Toçi

 

TIRANË, 18 tetor 2026 – Historia, identiteti, kujtesa dhe trashëgimia kulturore e Rranxës së Matit ishin në qendër të promovimit të librit “Fjalor enciklopedik i krahinës së Rranxës Mat”, me autor studiuesin dhe historianin Mëhill Elezi. Veprimtaria mblodhi intelektualë, studiues, miq të autorit dhe bashkëkrahinarë, të cilët u bashkuan për të vlerësuar një punë të gjatë kërkimore dhe përkushtimin ndaj dokumentimit të historisë së një treve me identitetin dhe trashëgiminë e saj të veçantë. Përmes kësaj vepre, Rranxa vjen e dokumentuar në një fjalor enciklopedik që përmbledh të dhëna historike, gjuhësore, arkeologjike e kulturore, si dhe portrete personalitetesh që kanë dhënë kontribut në jetën e krahinës dhe më gjerë. Dea Toçi: “Kujtesa bëhet trashëgimi vetëm atëherë kur ajo shkruhet” Veprimtarinë e hapi dhe e moderoi Dea Toçi, redaktore e librit dhe autore e parathënies. Që në fjalën hyrëse, ajo e vendosi veprën në një rrafsh sa profesional, aq edhe personal, duke ndarë me të pranishmit lidhjen e saj me Rranxën, prej nga e ka origjinën familjare. “Kam pasur privilegjin ta lexoj këtë vepër me syrin e redaktores dhe të shkruaj parathënien e saj. Por, përpara se të jem redaktore, unë jam bijë e një treve që e kam në rrënjët e mia”, u shpreh ajo. E lindur në Tiranë, por me rrënjë nga Rranxa e Matit, Dea Toçi e përshkroi përfshirjen në këtë projekt më shumë sesa një marrëdhënie profesionale me një dorëshkrim. Gjatë punës me librin, ajo kishte ndier se po takohej faqe pas faqeje me historinë e njerëzve të saj, me gjuhën, zakonet, kujtesën dhe mënyrën e jetesës së një treve që ka ruajtur identitetin e vet ndër breza. Ajo solli një përkufizim të gjerë të asaj që përfaqëson një krahinë: emrat e vendeve, shtëpitë dhe kullat, gjurmët e lashtësisë, rrëfimet që përcillen nga një brez te tjetri, zakonet, këngët, besimet, puna, sakrificat dhe, mbi të gjitha, njerëzit që kanë lindur e kanë lënë gjurmë në atë tokë. Duke vlerësuar punën e autorit, Toçi theksoi se ai ka kryer një punë të madhe për të hulumtuar, mbledhur dhe interpretuar të dhëna e dëshmi të shtrira në kohë, duke i përmbledhur në një vepër të vetme. “Pra, kemi përpara jo vetëm historinë e një vendi, por portretin e një krahine”, u shpreh ajo, duke nënvizuar se një portret i tillë nuk mund të ndërtohej pa njohjen e thellë të saj. Në vijim, ajo vuri theksin te rëndësia e dokumentimit të kujtesës vendore. Një emër vendi mund të harrohet, një fjalë e vjetër mund të dalë nga përdorimi, një zakon mund të shuhet dhe një histori e treguar nga gjyshërit mund të mos arrijë te brezat e rinj. Pikërisht për këtë arsye, sipas saj, libra të tillë janë të rëndësishëm: sepse ajo që shkruhet, dokumentohet dhe ruhet ka mundësi të jetojë përtej nesh. “Rranxa është një pjesë e Matit, Mati është një pjesë e historisë shqiptare dhe historia shqiptare është një mozaik ku çdo trevë ka gurin e vet”, theksoi Dea Toçi, duke shprehur respektin për këmbënguljen, punën shumëvjeçare dhe dashurinë e autorit për vendlindjen. Selim Demiri: “Kjo vepër do t’u shërbejë brezave” Pas fjalës hyrëse, Dea Toçi ftoi për të përshëndetur të pranishmit inxhinierin dhe ish-deputetin e Matit, Selim Demiri, kryetar i Këshillit Redaksional dhe një nga organizatorët kryesorë të mbledhjes së materialeve për fjalorin. Në përshëndetjen e tij, Demiri veçoi praninë e shkrimtarit Behar Gjoka, të cilin e vlerësoi si matjan dhe autor të shumë veprave letrare, si dhe të profesor Teki Kurtit, historian me origjinë nga Martaneshi, i cili punon në Arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes. Ai kujtoi gjithashtu njohjen dhe miqësinë me Kurtin që nga koha kur ky i fundit jetonte e vepronte në qytetin e minatorëve, në Krastë, si dhe kontributin e tij në ngritjen e strukturave të pushtetit vendor pas viteve 1990. Një pjesë të rëndësishme të fjalës, Demiri ia kushtoi autorit Mëhill Elezi, duke e vlerësuar jo vetëm për veprën e re, por edhe për gjithë rrugëtimin e tij jetësor e profesional. “Përshëndetje dhe urime autorit të këtij libri, historianit Mëhill Elezi, si dhe mikut të tij të pranishëm, Sadik Hoxhës, historian, shok moshe e shkolle dhe njëkohësisht mësuesi im në fillore”, u shpreh ai, duke kujtuar edhe lidhjet e hershme me njerëzit e arsimit dhe historisë së Matit. Demiri vuri në dukje se jeta e Elezit nuk ka qenë pa vështirësi. Ai përmendi problemet e rënda shëndetësore me të cilat autori është përballur, përpjekjet për t’i kapërcyer ato dhe mbështetjen e familjes, që e ndihmoi të vijonte rrugën e tij. “Mëhilli, si mësues e më vonë si historian profesionist, në kuadrin e përvjetorit të jetës së tij, na solli këtë libër që po promovojmë sot. Ai njihet si kuadër me kontribute të një jete në Mat. Pavarësisht peripecive të kohës dhe problemeve shëndetësore, arriti të mbijetojë dhe sot na vjen me këtë vepër, e cila do t’u shërbejë brezave”, tha Demiri. Ai kujtoi se, pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore, Elezi drejtoi me përkushtim e profesionalizëm Muzeun Historik të Matit. Pas viteve 1990, si shumë intelektualë të tjerë, u detyrua të emigronte në Itali. Por largimi nuk e shkëputi nga studimi dhe shkrimi. “Por kurrsesi nuk mund të shkëputej nga studimi dhe shkrimi i së vërtetës. Atje iu kushtua punës studimore, punoi në arkiva dhe u rikthye me një material të bollshëm studimor e arkivor për botime. Në këtë punë përfshihet edhe libri që promovojmë sot, për të cilin ka punuar rreth dy vjet”, theksoi Demiri. Në vlerësimin e tij, Elezi është një shembull për studiuesit e rinj të Matit, ndërsa kontributi i tij shkon përtej kufijve të Rranxës. “Mëhill Elezi, si historian erudit, është krenaria e krahinës së Rranxës dhe më gjerë në Mat. Ai mbetet shembull për botuesit dhe studiuesit e rinj matjanë”, u shpreh Demiri. Vlerësim për Këshillin Redaksional dhe bashkëpunëtorët Në vijim të fjalës, Selim Demiri vlerësoi punën e Këshillit Redaksional, duke theksuar se realizimi i një vepre të tillë kërkon bashkëpunim, përgjegjësi dhe përkushtim nga shumë njerëz. Ai shprehu mirënjohje për anëtarët dhe bashkëpunëtorët që kontribuuan në përgatitjen e librit, duke përmendur emra si prof. Jonida Lila, Dea Toçi, gazetari dhe historiani Sadik Hoxha, Gegë Tusha, Abdi Kurti, Teuta Gjini, Robert Gjini, si dhe anëtarë e bashkëpunëtorë të tjerë të përfshirë në këtë proces. Demiri vlerësoi gjithashtu punën e atyre që ndihmuan në realizimin e portreteve të personaliteteve, duke përmendur studiues, pedagogë, punonjës të muzeve dhe bashkëpunëtorë të tjerë që kontribuan në mbledhjen e materialeve dhe përgatitjen e të dhënave. Sipas tij, përzgjedhja e figurave dhe paraqitja e kontributeve të tyre ishte një nga detyrat më të rëndësishme të projektit. Qëllimi ishte të dokumentoheshin njerëz me vlera e kontribute të ndryshme, nga periudha të hershme historike deri në kohët moderne. Rranxa, nga gjurmët e lashtësisë te personalitetet e kohëve moderne Duke folur për vlerat e librit, Demiri theksoi rëndësinë që ai ka për identitetin historik të krahinës. Ai e cilësoi fjalorin si një përpjekje për të dokumentuar vazhdimësinë historike të Rranxës dhe për të nxjerrë në pah vendin e saj në historinë më të gjerë të Matit e të Shqipërisë. Një vend të veçantë në vlerësimin e Demirit zuri dokumentimi i personaliteteve të krahinës. Ai theksoi se libri përfshin figura të fushave të ndryshme: prijës popullorë, klerikë, drejtues vendorë, deputetë, juristë, mësues, ushtarakë, inxhinierë, agronomë, ekonomistë, mjekë, veterinerë, studiues, pedagogë dhe njerëz të tjerë që kanë kontribuar në jetën e komunitetit. Një hap drejt enciklopedisë së Matit Një nga idetë kryesore që Selim Demiri përcolli në promovim ishte se vepra nuk duhet parë si një pikë përfundimtare, por edhe si një hap që mund të nxisë botime të tjera të kësaj natyre. Ai e cilësoi fjalorin enciklopedik të Rranxës si një vepër të veçantë për nga përmasat dhe synimi, e cila, megjithëse nuk mund të pretendojë përsosmërinë, ka hapur rrugën për studime, botime dhe ribotime të mëtejshme. “Unë besoj se Mëhilli ka ende energji dhe shpresoj të mos pushojë së shkruari. Do të ishte me vlerë që puna të vijojë me profesoratin dhe studiuesit në veprimtari të tjera në trevat e Matit, duke filluar nga Martaneshi, Krej-Matja, Lisi, Burgajeti, Derjani, Zall-Gjoçaj e deri në Macukull”, u shpreh Demiri. Behar Gjoka, Teki Kurti dhe autori Mëhill Elezi Pas fjalës së Selim Demirit, Dea Toçi ftoi profesorin Teki Kurti, i cili u pasua nga shkrimtari Behar Gjoka. Prania e tyre i dha veprimtarisë një dimension letrar dhe studimor, duke sjellë në qendër rëndësinë e botimeve që merren me historinë dhe identitetin e krahinave shqiptare. Behar Gjoka, i lidhur me Matin edhe përmes prejardhjes së tij nga Macukulli, mori pjesë në këtë takim si shkrimtar dhe studiues i letrave. Ndërsa profesor Teki Kurti, historian me origjinë nga Martaneshi dhe i angazhuar në fushën e arkivave, përfaqësoi përvojën e studimit dhe dokumentimit historik. Në vijim, fjalën e mori autori Mëhill Elezi, protagonist i veprimtarisë dhe njeriu që qëndron pas viteve të kërkimit, mbledhjes së materialeve dhe përgatitjes së veprës. Libri “Fjalor enciklopedik i krahinës së Rranxës Mat” është pjesë e një krijimtarie të gjerë studimore, që përfshin historinë e Matit, prejardhjen e shqiptarëve, Kastriotët, gjuhën, arkeologjinë, kryengritjet, arsimin dhe muzeologjinë. I lindur më 29 shtator 1940 në Bushkash të Matit, Elezi ka punuar si mësues dhe për shumë vite ka shërbyer si historian e drejtor i Muzeut Historik të Burrelit–Matit. Mesazhi i Eris Selim Demirit: “Përjetë mirënjohës për atë që bëre për mua dhe trevën e Rranxës” Një nga çastet më prekëse të promovimit ishte leximi i një mesazhi të dërguar autorit nga Eris Selim Demiri, një prej personaliteteve të përfshira në libër. Para se t’ua përcillte të pranishmëve, Dea Toçi e cilësoi mesazhin si një përshëndetje të veçantë, që dëshmonte se një vepër historike mund të ketë edhe një domethënie të drejtpërdrejtë njerëzore. Ai shprehet se nuk e kishte menduar se një ditë do të zinte vend në një vepër kaq të rëndësishme, mes personaliteteve dhe specialistëve të krahinës. Për të, ky vlerësim është një burim gëzimi dhe motivimi për të vazhduar të kontribuojë për Rranxën. “Me bën me krahë dhe të lumtur që, me maturi e mençuri, t’i shërbej e ta ndriçoj Rranxën”, shkruan ai në mesazhin drejtuar autorit. Fjalët e Erisit i dhanë promovimit një dimension të veçantë njerëzor. Ato rikujtuan se pas emrave dhe portreteve të një enciklopedie qëndrojnë njerëz të vërtetë, me përvojat, përpjekjet, dinjitetin dhe dëshirën për të lënë gjurmë në komunitetin ku jetojnë. Përfshirja e tyre në një vepër të shkruar është një mënyrë për ta ruajtur kontributin e tyre në kujtesën kolektive. Një trashëgimi për brezat Pas leximit të mesazhit, Dea Toçi ftoi të pranishmit të ndanin mendime të shkurtra për botimin ose të përcillnin përshëndetjet e tyre për autorin. Në përfundim, ajo theksoi se libri duhet pritur jo vetëm si një botim i ri, por si dëshmi e shkruar e kujtesës së Rranxës, si kontribut për historinë e Matit dhe si trashëgimi për brezat e ardhshëm. “Një vend jeton në kujtesën e njerëzve të tij, por kujtesa bëhet trashëgimi vetëm atëherë kur ajo shkruhet. Sot Rranxa ka një pjesë më shumë të kujtesës së saj të shkruar”, u shpreh ajo, duke theksuar mirënjohjen për autorin Mëhill Elezi. Në fund të veprimtarisë, pjesëmarrësit patën mundësinë ta merrnin librin me autografin e autorit, ndërsa Selim Demiri mbajti fjalën përshëndetëse të mbylljes. Përmes këtij botimi, Rranxa fiton një tjetër hapësirë të dokumentuar në kujtesën e saj, ndërsa lexuesit dhe studiuesit kanë në dispozicion një vepër që mund të shërbejë si pikënisje për njohje e kërkime të mëtejshme. Mëhill Elezi i ka kushtuar Rranxës një përpjekje të rëndësishme për ta kthyer kujtesën e saj në trashëgimi të shkruar