ALBERT V. NIKOLLA: NUK DUHET TË LEJOJMË QË QKLL(Qendra Kombetare e Librit dhe Leximit) TË PËRÇAJË UNITETIN KULTUROR MBARËSHQIPTAR

Shkrimtari dhe filologu Albert Nikolla flet për ekspozitën fotografike që përjashtoi të gjithë shkrimtarët shqiptarë jashtë Republikës së Shqipërisë, organizuar nga Ministria e Kulturës dhe QKLL

“Pra Tasho taktikisht dëmton shumë veten , aq më tepër e bën ekspozitën paksa qesharake dhe cinike edhe për faktin se e redukton Shqipërinë Natyrale nga ana letrare, në letërsi lokaliste të përfaqësuesve të Realizmit Socialist, me disa retushime të autoreve postkomunistë. Mendoj se ekspozita mund të konsiderohet “Ekspozitë e Gjysmë-Karriges Letrare” , ose karriga e Realizmit Socialit”

Albert V. Nikolla, Gjuhëtar, shkrimtar Filozof- Bruksel
Intervistoi: Mujo Buçpapaj
1.Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit(QKLL), një institucion i Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë ditë më parë u bë pritëse dhe sponsorizuese edhe mediatike e ekspozitës fotografike të fotografit të njohur Roland Tasho të quajtur “Karrigia e letërsisë shqipe”, një ekspozitë që ka marrë shumë kritika , sidomos në Prishtinë, për faktin që ajo përjashtonte të gjithë shkrimtarët dhe poetët që jetojnë dhe krijojnë jashtë Republikës së Shqipërisë, si e komentoni këtë përjashtim ?
– A. Nikolla: Prezantimi i një ekspozite me “fotografi shkrimtarësh të zgjedhur sipas gustove vetiake të një fotografi” siç është miku im Roland Tasho, hyn në të drejtat autoriale të vetë personit dhe gjithkush nga fotografët e tjerë mund ta bëjë një ekspozitë si të dojë, në liri të plotë. Personalisht nuk kam asnjë lloj keqardhje që nuk jam përfshirë në të, megjithëse teknikisht nga viti 1995 deri në vitin 2000, kam botuar tregime nga më të mira në letërsinë shqipe, siç janë “Manastiri i Hijeve”, “Shtëpia me Kopsht nga Jugu”, “Mallkimi i Kasonetëve”, “Arat e Gugushes”, etj… dhe këtë e ka konfirmuar kritika letrare e kohës me personalitete të tilla si Dritero Agolli, Fatos Arapi, Teodor Keko. Në vitin 2014, libri im me poezi “Love eksplozin”, u zgjidh nga Akademia Evropiane e shkencave dhe Arteve, me kryetar kominisini Tmytro Tchiak, ( Akademiku pan-evropian Ukrainas të cilin nuk e njihja aspak atë epokë) dhe përfaqësoi si libër kontinentin Evropian në botimet e kolanës luksoze me dhjetë libra unikë (2014) ; “Poetët e Botës”. Po Tasho nuk ma ofroi karrigen e tij, dhe bëri mirë se do ta refuzoja, pasi i urrej përzgjedhjet joprofesionale. Me çfarë kompetenca mund te bëjë një zgjedhe Roland Tasho, jashtë artit pamor fotografik?
Vë theksin në këtë pikë, sepse në ekspozitën “Karriga e letërsisë shqipe” nuk kemi të bëjmë me zgjedhje sipas kritereve profesionale dhe estetike , pasi personi në fjalë nuk është specialist as i Historisë se Letërsisë dhe as i Teorisë së Letërsisë, kështuqë mund ta quaje si të dojë ekspozitën e tij si ta zëmë ekspozita “Vari teneqen” , ose “Lopët e fshatit Socialist”, apo “Letërsia dhe kërnackat e Korçës”. Ashtu si Becket, Joyce et Camy, unë e urrej hyrjen time në lista shkrimtaresh , dhe nuk më dhemb koka se çmendon Tasho për letërsinë Shqipe. Po të jetë puna për teknika fotografike, plane fotografike, plastikë fytyrash në foto, koncepte stilistike dhe kombinime ngjyrash e imazhesh, sigurisht Tasho është mjeshtër i fotografisë. Nëse Tasho mendon se letërsia shqipe vjen vetëm nga kufijtë e brendshëm shqiptarë , ky është një gabim trashanik dhe tregon nivelin e ulët konceptiv, sepse letërsia shqiptare fillon me autorë si Buzuku dhe Bogdani që kanë jetuar e vepruar jashtë kufijve aktualë të shtetit shqiptar, dhe sigurisht që autorët shqiptarë në Kosove, Maqedoni , Mal të zi, Çamëri e Itali (Arbëreshët) kanë të drejtë të revoltohen. Fakti që Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit(QKLL), një institucion i Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe vetë kjo ministri u investuan në këtë ekspozitë duke e sponsorizuar atë, e bën shumë të shemtuar situatën, pasi një ent publik nuk mund të bëjë gjëra të tilla fyese ndaj shumicës së shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë politike.

2. Ndërsa Ministria e Kulturës dhe QKLL nuk kanë reaguar për përfshirjen e tyre, autori i ekspozitës Tasho është mbrojtur duke deklaruar se ishte një projekt individual i nisur në vitin 1998 dhe i përfunduar në vitet 2008 dhe nuk kishte si qellim të shkruante historinë e letërsisë. Ai, edhe pse një nga fotografët më të njohur në vend, nuk ka dhënë asnjë shpjegim përse ka përjashtuar në projektin e tij(edhe ashtu individual) të gjithë shkrimtarët dhe poetët shqiptarë të veriut të Shqipërisë dhe akoma më rëndë ata jashtë Shqipërisë londineze. Si e komentoni justifikimin e tij ?
-A. Nikolla: Tasho është ish-kolegu im gazetar dhe një nga fotografet më të mire që kemi aktualisht. Por kriteri i mospërfshirjes se autorëve shqiptare të Kosoves, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Çamërisë në “shkrepje”” e aparatit të tij, dëmton Tashon, dëmton imazhin e tij dhe e vendos atë në suitën e një fotografi lokalist, klanist, duke i hequr atij mundësinë për të qenë gjithëkombëtar. Pra Tasho taktikisht dëmton shumë veten , aq më tepër e bën ekspozitën paksa qesharake dhe cinike edhe për faktin se e redukton Shqipërinë Natyrale nga ana letrare, në letërsi lokaliste të përfaqësuesve të Realizmit Socialist, me disa retushime të autores post komunistë. Mjafton t’ju jap një shembull pozitiv, krejt të kundërt me atë të “Fotografit Tonë”. Kryetari aktual i Akademisë Mbretërore Belge, një nga poetët më të mëdhenj Aktuale Evropianë, i përkthyer ne mbi 30 gjuhë të botës, kur publikoj antologjinë e poezisë shqipe, të përkthyer në frëngjisht, i përfshiu të gjitha trojet shqiptare, përfshire poezinë shqiptare që lëvrohet në Maqedoni, Kosove, Shqipëri, Presheve, Mal të Zi , Çamëri, e Itali dhe shkruajti shprehimisht në parathënien e librit se “Letërsia shqipe shtrihet përtej kufijve të saj shtetërorë”. Por mendoj se ekspozita mund të konsiderohet “Ekspozitë e Gjysmë-Karriges Letrare” , ose karriga e Realizmit Socialit, parë sipas fotografit Roland Tasho. Kosovarët vellezerit tane atje kanë të drejtë të revoltohen. Gjuhën shqipe e ndajmë bashkë, po letërsinë e kemi të ndarë, cfare absurdi antishqiptar. Kjo ekspozitë jep një imazh të deformuar të figurave qendrore të Letërsisë shqipe.Eshte shume keq qe Ministria e Kultures nuk eshte shprehur akoma per perfshirjen ne kete projekt te refuzuar sic thote vete autori prej 20 vjetesh.Ajo se paku duhet t’u kerkoje ndjese shqiptarve dhe te dale me masa per ata qe e kane mundesuar.
3. Përfshirja e Ministrisë së Kulturës dhe QKLL-së, si dy ente kulturore publike në këtë projekt individual, duke e strehuar, sponsorizuar dhe paraqitur mediatikisht si event kombëtar, me dashje apo pa dashje e kanë nxjerrë këtë projekt nga përgjegjësia individuale e një fotografi apo privatësia e një individi duke i dhënë legjitimitet zyrtar. Pse mendoni që kjo ministri mbajti dhe po mban këtë qëndrim, duke ju kthyer praktikave staliniste të para viteve 1990, ku shkrimtarët shqiptarë botoheshin nën okelion “Shkrimtarë nga Kosova”?
-A. Nikolla: Mendoj se është faji i menaxherëve të ministrisë së kulturës, të cilët kanë dështuar, si në menaxhimin e pasurive Kulturore, Arkeologjike dhe Shpirtërore të Kombit Shqiptar. Nuk kanë vendosur kritere të qarta dhe të sakta për të financuar apo jo ekspozita të këtij lloji, dhe kjo është mungesë e theksuar profesionalizmi. Mendoj se ministria e Kulturës së Kosovës duhet të kërkojë shpjegime zyrtare per këtë “lajthitje “ të autoritete shqiptare, dhe nëse nuk ka përgjigje , të caktojnë dhe ata një fotograf kosovar që të bëje “karrigen e letërsisë shqipe” – Gjithëpërfshirëse dhe pa dallime Krahinore. Nëse fuqitë e mëdha na kanë ndarë me dhunë , ne si komb nuk duhet të lejomë një ndarje kulturore, etnografike dhe letrare mes shqiptareve. Personalisht mendoj se do të hajë pak kohë shmangia e dallimeve dhe unifikimi i plotë i politikave shkencore, kulturore dhe letrare , per shkak se neo-komunistët ose komunistët e maskuar si demokratë apo socialistë janë akoma të infiltruar në qeverisjen qëndrore dhe lokale të Shqipërisë, dhe tek ata duhet kërkuar dështimi Politik, Kulturor, dhe mos integrimi i Shqipërisë në Evrope. Përndryshe ne do të kishim hyrë përnjëherësh me Kroacinë në komunitetin Evropian.

4.Si një studiues i letërsisë por edhe si doktor i shkencave letrare me një tezë nga poezia e realizmit socialist, kam konstatuar se në historinë e Letërsisë shqipe të botuar më 1978 shkrimtarët dhe poetët shqiptar që jetonin në trojet e tyre etnike në ish-Jugosllavi u përjashtuan me argumentin që nuk janë autorë të realizmit socialist. Habia është që ndërsa kriteret ideologjike mbi të cilën ishte hartuar ajo letërsi dhe politika e botimeve në Tiranë deri me 1990, ka rënë prej 32 vjetësh, akoma ka institucione që e përjashtojnë më shumë se gjysmën e letërsisë shqipe që shkruhet jashtë Republikës së Shqipërisë, përfshirë letërsinë e diasporës etj. A nuk ju duket një kthim pas ? Pse mendoni se po ndodhë kjo, ndërkohë që Tirana zyrtare i ka kthyer prej dhjetë vjetësh marrëdhëniet me Beogradin në marrëdhënie “super vëllazërore” dhe ftohur në ekstrem ato me Prishtinën?
-A.Nikolla: Kriteret ideologjike vazhdojnë edhe sot të bëjnë dëme të pallogaritshme në kulturën shqiptare. Për shembull gjatë qëndrimit të Tiranë më ka rastisur të dëgjoj shprehje të tilla raciste dhe poshtërues si; “Malokët janë të përjashtuar gjenetikisht nga Akademitë Shqiptare”, “Gegnishtja është gjuha e shpellarëve”, “Kosovarët janë fundamentaliste”. Pse bëhet kjo. Eshtë politika e njohur e riteve satanike me origjinë nga qarqe shoviniste përçaje popullin shqiptar, sundoje dhe shpërngule dhe vidhe në mënyrë të pamëshirshme. Janë qarqet antishqiptare me origjinë lindore, janë argatët e agjenturave që ja kanë shitur shpirtin djallit, dhe duan të përçajnë kombin shqiptar, për ta dërguar në varrin e popujve të vdekur.
Në këtë kuadër Kosova konsiderohet si bijë e mjerkës, si shtesë e parëndëshme e shqipes, si barrë e rëndë politike, si Ballista dhe nacionalistë që kanë Luftuar për Shqipërinë Etnike, dhe si të tillë duhen përjashtuar dhe poshtëruar, nga blinjtë e atyre komunistëve që masakruar rreth 50 mijë kosovarë në bashkëpunim me partizanët Jugosllavë. Duhet të kemi parasysh se në letërsinë shqipe , autorë të tillë si Anton Pashku, Azem Shkreli, Ali Podrimja dhe Mehmet Kraja, apo dhe Kritiku dhe esteti Ramadan Mysliu janë të pashmangshëm dhe elementë thelb-formues të letërsisë moderne shqipe, që i shtohen plejadës së artë të letërsisë shqipe, të pandikuar nga ideologjia komuniste si vepra e Ismail Kadarese, Martin Camajt , Frederik Reshpes, Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit e Xhevahir Spahiut, pa harruar kritikun letrar Aurel Plasari, poetët e medhenj Anton Papleka, Skender Buçpapaj, Frederik Rreshpja etj. Kështu që nuk duhet të lejojmë që një “karrige”, të përçajë unitetin kulturor mbarë shqiptar.
Gjithsesi ka gjëra akoma më të mëdha e alarmante që dëmtojnë kulturën Shqiptare. Imagjoni, Shqipëria ka një Akropolis në Lezhë që është sa trefishi i akropolit të Athinës, por është i gjithi nën tokë, pasi ministria e kulturës nuk ka asnjë dosje për të ja paraqitur në UNESCO. Do të mjafton 500 mijë eurot që u gjetën në shtratin e zv-minitres, për të hapur shkalloret e ngjitjes nga lumi Drin deri në kështjellë. Dhe për të hedhur hapin e parë për krijimin e një atraksioni unik në Botë që do sillte në Shqipëri me miliona turistë. Pastaj kërkimet në sitin e qytetin atik të Lis, mund të vazhdoheshin me financimet e UNESCO-s.

5.Ndërsa Ministria e Kulturës dhe QKLL promovojnë një ekspozitë të shëmtuar duke fyer dhe lënduar shumicën e shqiptarëve, akoma nuk kemi një Histori të Letërsisë Shqiptare si një tekst akademik me konsensusin më të gjerë të mundshëm. Pse nuk po ndërtohet kjo histori ndërkohë që kriteret ideologjike që e pengonin hartimin e saj kanë rënë prej 32 vjetësh?
-A.Nikolla: Per fat të keq nuk kemi një “Histori të Letërsinë Shqipe” – të plotë dhe shkencore, nje tekst akademik. Kemi vetëm një histori letërsie të hartuar nga Robert Elsie. Po në të ka gabime trashanike, të cilat ke informojnë publikun ndërkombëtar. P.sh, thuhet se romani “Gjenerali i ushtrisë se vdekur”, u shkrua nën ndikimin e “Frymë të vdekura “ të Gogolit, ndërkohë që Kadareja , u frymëzua nga lajmi i ardhjes së një gjenerali real të ushtrisë italiane për të tërhequr eshtrat e ushtarëve të fashizmit në Shqipëri”, dhe nuk e kuptoj sesi një vepër e shkruar nën frymën e ngjarjeve reale të ndodhura në territorin e shtetit shqiptar, të legjendave dhe nën ritmet e Iso-Polifonisë labe, dhe vajtimi i një nene qe ka humbur bijën është ndikuar nga vepra e gogolit. Pastaj thuhet se “Lumi i vdekur” u shkrua nën ndikimin e “Doni i qetë” i Shollohovit, kur dihet se “Lumi i vdekur”, ishte Shtrati i Vjosës i kohës antike që kalonte nga Apolonia , që në fund të antikitetit ndryshoi rrjedhën e tij, dhe Jakov Xoxa nuk dinte asnjë fjalë rusisht sepse ishte profesor i Frëngjishtes, dhe si i tillë ishte kulturalisht i ndikuar nga letërsia frankofone. Pra ka histori krejt të rreme dhe të manipuluar të letërsisë shqipe. Ajo duhet rishkruar, po ka pak personalitete qe mund ta bëjnë një gjë të tillë, si Aurel Plasari, Gjek Marinaj, apo dhe Ju(M.Bucpapaj), si Specialist i Studime të Reja Formaliste Letrare, të shkollës Franko-anglo-amerikane. Akademia e shkencave deri më sot nuk ka njoftuar se do të angazhohet në krijimin e një Historie të Letërsisë Shqipe, bazuar në metodologjike moderne dhe strukturale , si në aspektin kohor, po ashtu dhe në aspektin e vlerave letrare. Ka një urgjencë, po nuk ka drejtues që ta kuptojnë këtë urgjencë. Ekziston një frikë që historia e letërsisë nuk po shkruhet pasi një tekst i tillë do të duhet ta shikojë letërsinë shqipe si një njësi unike letrare dhe ekspozita të tilla shkojnë kundër këtij parimi bazë. Do të duhet të shkruhet mbi kritere shkencore estetike dhe jo ideologjike sië ka ndodhur me tekstet e mëparshme dhe po ndodh për fat të keq edhe sot në Tiranë.
Ju faleminderit ?

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here